Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Gjon Gjonaj, misionar i arsimit shqip
E marte, 01.06.2021, 06:45 PM
Gjon Gjonaj, misionar i arsimit shqip
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
historinë e arsimit shqip në Mal të Zi  
e ka vendin e vet edhe  mësuesi i
dalluar  i kohës së tij Gjon Marku
Gjonaj, (1930-1999) nga fshati Rudinë, Triesh, Malësi.  Ai   i
takon atij brezi  mësuesish shqiptarë
(malësorë)  të diplomuar  në 
Shkollën Normale të Gjakovës, institucionit të parë profesional
pedagogjik i hapur në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, misioni i së cilës
ishte përgatitja profesionale  e kuadrove
për fushën e arsimit në ish-Jugosllavi. Ky mësues  i nderuar, personifikon një nga emrat e
rrallë të arsimit shqip  të asaj kohë
në  Mali të Zi, i cili më se 40 vjet  ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave
në  Malësi. Erdhi në  Malësi 
atëherë kur iu desh   më së shumti
dhe qëndroi në  vendlindje  për gjithë kohët e vështira që kaluan
shqiptarët   për të qenë këmbëngulës në
misionin e tij të shenjtë,
Mësuesi
i përkushtuar Gjon Gjonaj   me punën e
vet, me ritme të pandërprera, një jetë të tërë pune të palodhshme, ia kushtoi
arsimit dhe edukimit në  shkolla në  Hot dhe në Triesh të Poshtëm, duke shpërndarë
rrezet e dijes dhe të arsimit, duke përhapur dije dhe kulturë , duke mbetur
shembull i punës, angazhimit dhe i sakrificës dhe duke lënë vepër pas vetes.
Fshatrat ku  ai  punoi në fillim, bashkë me pishtarët e
tjerë  veteranë të arsimit në Malësi,  ishin pa rrugë, pa rrymë elektrike, tepër të
varfëra dhe larg qyteteve. Në atë kohë kushtet ishin të vështira. Puna me
nxënës nuk ishte aspak e lehtë për shkak të kushteve më se minimale për
zhvillimin e mësimit.  Nxënësve  u mungonin fletoret, lapsat dhe mjetet tjera
të nevojshme për mësim. Megjithatë  ky
misionar i arsimit me një vetëdije të pakufishme, në kohë të vështira, me gjithë
qenien e tij u angazhua në shuarjen e analfabetizmit në krahinën e
Malësisë.  Ai e kuptoi se beteja kundër
analfabetizmit dhe edukimit kulturor të popullit është detyrim kombëtar,
prandaj  me përkushtimin  përcolli  
mesazhin e  rilindësve të shquar
se “pa shkollë nuk ka dituri, pa dituri s’ka jetë”. Takti i tij prej një
pedagogu të shquar ishte për t’u admiruar.
Mësuesi
Gjon në shkollë punoi me zellin dhe përkushtimin më të madh, vetëm e vetëm që
brezat e rinj të  Malësisë  dhe më gjerë 
të marrin dije, kulturë  dhe
edukatë.  Kjo tregon se kemi të bëjmë me
njeri të përkushtuar dhe kontribuues me rëndësi në ato vite tepër të vështira
në përhapjen e rrezeve të dritës së diturisë për popullatën që  kishte nevojë për shkrim e  lexim shqip. Për gjithë ato vite qe punoi dhe
kontribuoi  ne arsim, mbajti ditarin me
sukses dhe krenari.  Në rrugëtimin e tij
të gjatë  të  dritës dhe diturisë rrëmbeu   e
pushtoi zemrat e nxënësve. Atyre u dhuroi 
dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e drejtësi, mësim e
dituri, shkathtësi e lumturi. Depërtoi thellë në botën shpirtërore e emocionale
të nxënësit. Gjithmonë  kishte
kujdes  të mos i lëndojë emocionet e
tyre, dhe gjithmonë t’i kontrollojë 
emocionet  e veta . “Para se të
shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare
tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe
pasion për profesion, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe
diturisë.  Gjithmonë të jeni të
përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës. Ju mësuesit e
ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, duhet të jeni edukatorë
të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë
edhe të artistit” , u thoshte kolegëve të rinj mësuesi Gjon.
Frytet
e punës së këtij meteori  të arsimit
shqip në Mal të Zi  bënë  që nga gjeneratat që ai nxori  të dalin intelektualë dhe personalitete të
shquara, të cilët sot gjinden në vende dhe 
shtete  të ndryshme të botës. Për
punën e tij të suksesshme në edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë në
vitin shkollor 1i987/1988 me rastin e shënimit të Jubileut të artë-100-vjetorit
të themelimit dhe ekzistimit të Shkollës Fillore “ Gergj Kastrioti-Skënderbeu”,
si pedagog i dalluar  i këtij tempulli të
arsimit  dhe kulturës u dekorua  me Urdhrin 
e Punës.  Edhe ky çmim prestigjioz  është një homazh për jetën e tij, model prej
qytetari të devotshëm atdhetar dhe një dëshmi 
për ta vlerësuar. Koha i jep secilit atë që meriton, nganjëherë me
vonesë, por kush lë vepër pas vetes, jeton gjatë.
Ky
dashamirës i përjetësuar i arsimit dhe edukimit shqip  ka mbetur 
në kujtesën e mësuesve dhe të nxënësve. Ish- kolegët dhe ish-nxënësit
e  tij veçojnë shumë vlerësime  dhe flasin me 
respektin dhe admirimin më të madh për këtë shëmbëlltyrë të arsimit dhe
kulturës sonë kombëtare, i cili la përshtypje 
të pashlyeshme tek ata dhe 
njerëzit e tjerë  me të cilët
punoi dhe bashkëpunoi.  Në kujtimet e
tyre ata e përmendin si njeriun që u ka hapur portat e dijes dhe ka ndihmuar të
ecin përpara në jetë. Kjo nuk është pak.
Figura
e  këtij personaliteti të shquar në
fushën e arsimit  shqip,  edhe pas vdekjes, gjithnjë  respektohet dhe çmohet  jo vetëm nga punonjësit e arsimit , por edhe
nga masa e gjerë e popullit. Me punën e tij i dha një dimension të ri
profesionit të mësuesit, si njeri që sakrifikoi për të ardhmen, sakrificë që
shprehet në përkushtimin ndaj familjes, punës dhe shoqërisë. Në përvojën  e  tij  jetësore të gjatë në arsim   gjithmonë ishte dhe mbeti parimi se të
edukosh dhe të  mësosh gjenerata të tëra
nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe
detyrim dhe përgjegjësi e madhe. 
“Nderimi për punën që ke bërë është vetë puna”, ka thënë filozofi
amerikan Ralph Waldo Emerson.









