Kulturë
Gjekë Gjonaj: Lahuta dhe lahutarët në rrezik zhdukjeje në Hot, Grudë, Triesh e Kojë
E shtune, 06.03.2021, 05:12 PM
Lahutari Gjokë Kalaj nga
Gruda-Malësi
Trashëgimia
shqiptare
Lahuta dhe lahutarët në
rrezik zhdukjeje në Hot, Grudë, Triesh e Kojë
Nga
Gjekë Gjonaj
Malësorët e
Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës
janë të njohur për artin e veglave muzikore tradicionale. Ata, përveç
çiftelisë, fyellit, zymareve, defit dhe tupanit preferonin edhe lahutën. Dikur
në shumicën e rasteve pothuaj çdo
familje kishte nga një lahutë të varur në mur. Shtëpia pa lahutë quhej “ shtëpi
e lanun”. Ishte turp për malësorin të
mos e kishte në shtëpi një lahutë dhe
një pushkë. Lahuta dhe pushka ishin dy koncepte a dy dukuri , që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme për çdo
familje malësore. Lahuta u shërbente
malësorëve për t’u kënduar kreshnikëve shqiptarë, nga epika jonë
historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare, kurse pushka për t’u mbrojtur nga armiku.
Lahutën
e kanë përdorë burrat-lahutarët, të cilët
kur i binin këtij instrumenti
qëndronin këmbëkryq dhe e mbanin
atë në mënyrë të pjerrët në drejtim të
këngës së djathtë , së bashku me harkun. Lahutarët i
binin dhe i këndonin lahutës në raste të ndryshme gëzimi, në ndeja pas darke , pranë oxhakut, në
manifestime të rastit dhe në
gara e festivale folklorike vendore, kombëtare e
ndërkombëtare.
Burrat e
Malësisë e përdornin me ëndje të
madhe dhe e dëgjonin me vëmendje të
posaçme këtë vegël ilire-arbërore
shqiptare, e cila sipas specialistëve shqiptarë përfaqëson arketipin më të
lashtë të veglave kordofone me hark ( së paku 9.000 vjeçare) të kontinentit evropian. Kjo vegël muzikore me shekuj ka argëtuar, motivuar, inspiruar, promovuar,
shoqëruar e ngazëlluar shpirtin krijues
të kësaj pjesë të popullatës shqiptare
në trojet e tyre etnike, e cila që nga Kongresi i Berlinit
padrejtësisht u shkëputë nga shteti amë – Shqipëria. Kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe
malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë patriotët për të luftuar për
atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë,
lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve.
Me
lahutë është kënduar Teuta e Genti, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu e Lekë
Dukagjini, Nora e Kelmendit, Oso Kuka,
Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Mic Sokoli, Ded Gjo' Luli, Çun Mula,
Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica, Prekë Cali dhe luanët
e maleve që ranë gjatë shekujve në betejat për liri.
Secila
lahutë ka nga një histori. Shumë janë të
gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen
në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla
janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por
edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument. Zbukurimi i saj
bëhet edhe me portretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit dhe e shton krenarinë e
dëgjuesve të këngëve epike me historinë e famshme të fitoreve të popullit
shqiptar para rreth gjashtë shekujsh. Ajo
zbukurohet edhe me portrete të figurave të tjera të shquara të dy
shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari.
Malësia
në periudha të ndryshme historike ka pasur
shumë lahutarë e rapsodë popullorë.
Është gati e pamundur që të
evidentojmë të gjithë emrat e tyre,
sepse mungojnë të dhëna të shkruara. Por, po përmend disa
prej tyre, duke kërkuar ndjesë ,
respekt e mirëkuptim për të
gjithë të tjerët.
Lahutarë
nga krahina e Hotit janë:
Gjokë Prëlota Gjelaj ( 1903-1976) , Gjeto Mirashi Gjonaj ( 1909-1972),
Llesh Prëla Camaj ( 1920-2020), Zef
Prëtashi Dushaj ( 1933-1999), Zef Gjoka
Gjelaj ( 1935) , Martin Dushaj ( 1937), Pjetër Zefi Gojçaj ( 1937-2008)), Luigj
Gjeka Dushaj, Nrekë Marku Dushaj ( 1939) , Nosh Gjoni Lajçaj ( 1941), Gjelosh
Nika Junçaj ( 1941), Kolë Toma Dedvukaj ( 1948), Nikollë Ujka Junçaj ( 1950),
Marash Ujka Junçaj ( 1950), Gjergj Kola Gjelaj ( 1951), Gjokë Luca Gojçaj ( 1955), Gjon Dedvukaj (
1955), Lucë Pjetri Gojçaj ( 1965), Agron Pllumaj ( 1986), Fran Marku dhe Aleks Gjergji Dushaj ( 2001).
Lahutarët
më në zë nga Gruda janë: Gjokë Kalaj
Marash Deda Lulgjuraj, Halil Rrusta Kajoshaj, Gjergj Uci Vulaj, Dodë Lulgjuraj dhe Hilë Lulgjuraj.
Nga
mali i Kojës me lahutë kanë
interpretuar, Kolë Uci Ulaj, Prelë Kola Ulaj,Pjetër Pretashi Ulaj , Kolë Bardhi
Krcaj, Prelë Kola Krcaj, Nosh Kola
Krcaj, Dok Marashi Ivanaj dhe Gjergj
Mirashi Marashaj,
Edhe
Trieshi dikur ka qenë çerdhe e lahutarëve
e instrumentistëve të tjerë shumë të njohur, si : Nikollë Gali Lekoçaj, Tomë Nikolla Lekoçaj,
Nikollë Sokoli Lekoçaj, Nikollë Gjoni
Lekoçaj, Gjokë Nikolla Lekoçaj, Zef
Gjoni Micakaj, Gjokë Prëla Dedivanaj, Nikollë Lucaj, Fran Lleshi Lucaj, Dodë
Prëka Micakaj, Mark Zefi Micakaj Gjelosh
( Losh) Nou Memçaj, Nikollë Nikprelaj, Rrok Zefi Prenkoçaj, Zef Pjetri Lucaj,
Pjetër Gjergji Lucaj, Gjergj Pjetri
Lucaj, Tomë Leka Lucaj dhe Mark
Pjetri Lucaj.
Lahuta
është një instrument, i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar dhe, bashkë
me mospërdorimin e Eposit, po zhduket edhe vegla muzikore. Specialistët
shprehen se faktorët kryesor që po çojnë
në zhdukjen e këtij instrumenti muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në
llojin e vet në Evropë, jo vetëm nga Malësia, por edhe nga të gjitha trevat mbarëshqiptare janë
se po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument
dhe se blerësit e huaj po tregohen të
uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor.
Njohësit
e mirë të lahutës shprehen të shqetësuar
se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo
sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. Ky është një
rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë
trashëgimi që flet shumë.
Tashmë
është faza kohore e fundit e njerëzve përgjegjës të cilët
merren me kulturën muzikore dhe artistike të shqiptarëve që institucionet shtetërore të arsimit dhe
kulturës në Mal të Zi ta njohin këtë
instrument shqiptar. Ta përfshijnë atë në institucionet
shtetërore të specializuara për studimin dhe promovimin e saj. Ta fusin në koleksionet tona muzeore.
Ta popullarizojnë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik
dhe në mënyrë të veçantë te rinia dhe nxënësit. Sepse lahuta për shqiptarët-malësorë nuk është vetëm argëtim.
Është histori, qytetërim, traditë, shije estetike, shpresë.