Mendime
Astrit Lulushi: Qëllimi i komunistëve dhe i trashëgimtarëve të tyre socialistë
E merkure, 03.03.2021, 10:00 PM
Qeveri e mirëqenie
Nga
Astrit Lulushi
Qëllimi
i komunistëve dhe i trashëgimtarëve të tyre socialistë - siç del nga rekordi i
dekadave të kaluara dhe i ditëve të sotme - ishte ta fusnin vendin në një
gjendje status-quo korruptive - pashpresë, pa sens moral, ku askush nuk
shqetësohet më për drejtësinë ose padrejtësinë e diçkaje - duke zgjeruar
rrethin e sundimit në emër të mirëqenies. Kështu, statizmi duhej të vinte, jo
me votim, as me dhunë, por me prishje të kujtesës. Dhe për këtë u duhej kohë,
të paktën një brez (30 vjet).
Është
gabim të mendohet se njerëzit e varfër përfitojnë nga sistemi i mirëqenies.
Është mashtrim total. Shumica e mirëqenies shkon tek të pasurit të cilët
pasurohen edhe më shumë nën sqetullat e pushtetit. Idea se qeveria ka shërbime
ose mallra që mund t’u ofrojë njerëzve është një farsë e plotë. Qeveria nuk ka
asgjë. Ajo nuk mund të krijojë asgjë. Ajo kurrë nuk ka pasur. Udhëheqësi del në
kufi a aeroport për të pritur një pako me vaksina për pleqtë “e mençur” që
Shqipërinë e bënë siç është sot; e shkuara të ruhet dhe e ardhmja (fëmijët, të
rinjtë) t’i mbajë ëndrrat pezull. E gjithë ajo që kjo qeveri po bën është
vjedhje nga një grup për t’ia dhënë grupit tjetër, duke shkatërruar parimet e
lirisë dhe barazisë. Ky koncept (topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë)
duhet sfiduar. E vërteta është se, për shumë njerëz që e quajnë veten
socialistë, thotë George Orwell, revolucion nuk do të thotë lëvizje e masave me
të cilën shpresojnë të shoqërohen; por do të thotë një sërë reformash të cilat
ata, “të zgjuarit”, do t’ua imponojnë atyre, “budallenjëve”.