Shtesë » Historia
Arben Llalla: Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
E hene, 24.11.2008, 05:01 PM
Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
Arben Llalla
Nga Arben LLALLA
Më 14 deri 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit u mbajt Kongresi i gjuhës shqipe. Ky Kongres ka zënë një vend të veçantë në historinë e kombit shqiptar dhe në veçanti në historinë e shqiptarëve të Maqedoni. Rruga e gjuhës shqipe për të ardhur deri në alfabetit e saj të njësuar ka qenë e vështirë. Lufta kundër gjuhës shqipe ka qenë e ashpër. Ky sulm ishte frontal dhe në të gjitha nivelet dhe drejtimet. Fanatikë fetarë ortodoksë dhe myslimanë injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të “pa fe” dhe të “paudhë”, priftërinjtë grekë e quanin gjuhën shqipe “gjuhë barbare”.
Ligj kundër gjuhës shqipe
Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31.maj.1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14.korrik.1999). Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën shqipen. Fëmijët myslimanë duhet të shkonin në shkollën e xhamisë, ku mësonin turqisht, fëmijët e krishterë duhet të mësonin greqisht. Kështu, në ato pak shkolla fillore në Shqipëri, asnjëra nuk përdorte gjuhën shqipe. Propagandistë të djallëzuar përpiqeshin të shkombëtarizonin brezat e ardhshme të rinisë shqiptare.Gjuha shqipe përdorej zakonisht në jetën e përditshme, prandaj arriti të përcillej nga brezi në brez.
Në shekullin XIX interesimi i njerëzve për gjuhën shqipe u rrit shumë dhe brenda pak vitesh u botuan katër gramatika të mira shqipe. Njëra u botua në Firence nga Jeronin De Rada. Tjetra ishte gramatika e gjuhës shqipe në greqisht, e botuar më 1882 nga Kostandin Kristoforidhi. E treta ishte gramatika e Sami Frashërit, e botuar në Bukuresht më 1886, në shqip. Kurse më 1887, Pashko Vasa nga Shkodra botoi në Londër një gramatikë shqipe në gjuhën frënge. Vërshimi i letërsisë kombëtare shqipe në vend sigurisht që inatosi qeverinë turke dhe Kishën Ortodokse greke. Patriarku ortodoks grek lëshoi një mallkim mbi letërsinë shqipe dhe kërcënoi me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe. Sulltani urdhëroi të gjitha postat doganore që të mos lejohej asnjë libër në gjuhën shqipe të futej në Shqipëri. Dy armiqtë historikë kundër njëri-tjetrit, tani po bashkëpunonin me zell për përndjekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe. Qeveritarët turq me dhunë dhe prifti e hoxha me propagandë demagogjike u përpoqën të përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mysliman proturk në rrugë fetare, ndalonte besimtarët myslimanë të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se “prishin besën”. Nga ana tjetër, priftërinj e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë “shejtani” dhe, në këtë mënyrë, përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo.
Atdhetarët dhe persekutimet
Por kundër këtyre forcave armike të gjuhës shqipe dhe interesave kombëtare, të turqve dhe grekëve, u ngritën atdhetarët shqiptarë. Ata u vunë në krye të masave popullore dhe i dhanë hov lëvizjes për gjuhën dhe shkollën shqipe. Prijësit e Rilindjes Kombëtare e kishin kuptuar mirë se rruga drejt pavarësisë shkonte drejt arsimit dhe shkollës shqipe. Hartimi i librave dhe çelja e shkollës shqipe u bë problemi më i ngushëm. Qëllimi ishte zgjimi i ndërgjegjies kombëtare dhe për të rritur vullnetin për të luftuar për pavarësinë pastaj. Vala antishqiptare ishte shtuar edhe më shumë rreth fqinjëve tanë mbas formimit dhe programit të “Lidhjes së Prizrenit”. Lidhja kishte si qëllim kryesor çeljen e shkollës shqipe, por me shkatërrimin e Lidhjes, puna e pionierëve të parë të arsimit shqiptar u bë dhe më i vështirë. Në Shkodër qytetarët mund të mësonin në shkollat e klerit katolik, të cilat në sy të qeveritarëve turq, paraqiteshin si shkolla fetare. Mësuesit shqiptarë u bënë pararoja e nacionalizmit shqiptar, atëherë qeveria turke mori frikë dhe, pa u mbështetur në asnjë ligj, mori masa të rrepta duke persekutuar arsimtarët shqiptarë.
Në Shqipërinë e jugut përhapja e arsimit shqiptar kombëtar u pengua edhe nga influenca shkatërruese e propagandës greke. Pothuajse të gjithë ata që çelën shkolla shqipe në jug ishin të fesë ortodokse. Qeveria greke me anë të Patriakanës së Stambollit, “Fanarit” kishin siguruar të drejtën të hapte shkolla për kristianët. Për t’iu mësuar ortodoksëve të Shqipërisë vetëm gjuhën greke. Qeveria greke, me anën të shoqatave arsimore të ndryshme, çeli me qindra shkolla greke në Shqipërinë Jugore, për të futur ndjenjën greke në brezat e padjallëzuar shqiptarë. Shqiptarët e krishterë që nuk iu përulën politikës së Greqisë, u mallkuan dhe u luftuan me çdo mjet. Mbas shumë botimesh, fjalorësh, të cilët, shkollat myslimane kur bënin mësim në shqip i shkruanin me shkronja arabe, shkollat ortodokse greke përdornin në shqip shkronja greke. Dhe atdhetarët klerikë katolikë dëshironin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine.
Drejt alfabetit
Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe
dhe gjuhës kombëtare shqipe. Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Më 14 nëntor të 1908-s, në Manastir u mblodh “Kongresi i Manastirit” ose “Kongresi i Alfabetit”. Në këtë Kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave, që botoheshin në Selanik, “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça, si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të fesë myslimane, katolikë, ortodoksë, protestantë, të bashkuar si vëllezër, për një qëllim të madh kombëtar. Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit. Kërkesa e nacionalistëve shqiptarë ishte që gjuha jonë shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj turqve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleati i tyre sllav.
Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërisë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 veta, të cilët punonin me një makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme “Bashkimi i Kombit” si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore. Çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas shpërthimin e dhunës së fanatikëve që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe.
Qeveria turke dhe kisha greke
Më 1909-n, qeveria turke, në bashkëpunim me kishën greke dhe sllavët, mbylli të gjitha shkollat shqipe, dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjuha librat, dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë më se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke dhe nga kisha greke, që të dyja kundërshtarë fanatikë të, gjuhës shqipe dhe të çdo ndjenjë atdhetare. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre shkollor, atdhetarët shqiptar u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të kualifikuar. Shuma të vogla, por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit, kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe.
Kongresi i 1909-ës
Për t’i bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri një tjetër Kongres në Elbasan, në zemër të Shqipërisë, nga data 20 deri 27 gusht të 1909-s. Në këtë Kongres tetëditor, që kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla Normale në Elbasan”, një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të rinj. Njerëz të mësuar në universitetet e huaja europiane u gjetën dhe u caktuan për të formuar stafin pedagogjik. Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua si qendra financiare, që do të adimistronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe prokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Për mbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte Luigj Gurakuqi, që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909-s, me 143 nxënës. Shpërthimi i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe.
Gazeta, revista dhe arrestime
Në atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip, reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë atdhetarët arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët që punonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Dalja në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njërës të paditur dhe injorantë formuan me mbështetjen edhe të qeverisë së xhonturqëve në Stamboll shoqërinë “Mahfeli” me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit në shqip. Në fund të vitit 1909, qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit. Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti”, me mbështetjen e qeverisë turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me shkronja arabe. Për këtë arsye, në shkurt të 1910-s, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7.000 njërës protestuan kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Kështu po atë muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 veta dogjën në qendër të qytetit abetaret shqiptare me shkronja arabe, të dërguara nga Stambolli. Telegrame të shumta nga shoqëritë shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip.
Kongresi i dytë i Manastirit
Në mars të 1910-s u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat kundër vendimit të padrejtë të qeverisë turke. Gazeta atdhetare “Shkreptina” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga kryengritësit që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i tyre nuk ishte për plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin. “E gjithë bota e qytetëruar dhe veçanërisht qeveria e Perandorisë otomane le ta dijë mirë se të gjithë shqiptarët, gegë e toskë, kristianë dhe myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”. Edhe në këtë luftë turke, greke dhe sllave, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, sllave, greke dhe turke, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës.
Një zjarr i rrezikshëm
Megjithëse ky revolucion kulturor ishte përfytyruar si një konfirmim jo i dhunshëm, shpejt ai ishte kthyer në një zjarr të rrezikshëm. Që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej Qemal Vlora, do të nxitonin hapat për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor të 1912 në Vlorë. Mbas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e Shkupi, dy qytetet historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u pushtuan nga serbët dhe kroatët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e atdhetarëve shqiptarë u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ata familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u asimiluan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.