E shtune, 27.04.2024, 02:53 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Jusuf Osmani: Kolonizimi serb i Kosovës (X)

E hene, 20.10.2008, 07:24 PM


Jusuf Osmani
KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS (X)

Nga Dr. Jusuf Osmani

Planet e reja dhe veprimet për rikolonizimin e Kosovës me popullatë serbo-malazeze

Në kushtet e krijuara, shumë të rënda dhe me pasoja të mëdha të asaj kohe, populli shqiptarë i kësaj treve përherë i doli zot vetës, kurrë nuk u pajtua me këtë gjendje të krijuar nën sundimin serbo-jugosllav. Gjatë gjithë periudhës së ashtuquajturës Jugosllavi “socialiste”, format e veprimit për Kosovën e pavarur dhe demokratike ishin konspirative dhe të udhëhequra nga truri i kombit. Populli vazhdonte përherë përpjekjet për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Në vitin 1968, rinia studentore e Kosovës,  organizoi demonstrata masovike me kërkesën kryesore për Republikën e Kosovës.

Pas ndryshimeve kushtetutare në vitin 1969, në vitin 1974 Kosova fitoi Kushtetutën e vet, si njëra ndër tetë njësitë federale jugosllave me përfaqësim në të gjitha organet dhe me të drejtën e vetos si dhe gjashtë republikat tjera dhe Krahina e Vojvodinës, por pa të drejtë të shpalljes së Republikës. Pas kësaj filloi një fazë e re e zhvillimit dhe ndërtimit të Kosovës. Konstituimi i autonomisë së Kosovës, si njësi e barabartë e federatës jugosllave u dha mundësi shqiptarëve që në Kosovë të zhvillohen në pikëpamje ekonomike, politike, shëndetësore, sociale dhe kulturore. Po ashtu hov të madh mori edhe zhvillimi i arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Vitet 1974-1981, në historinë e Kosovës njihen si ndër vitet më të suksesshme si në sferën politike ashtu edhe në atë ekonomike. Gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare, shqiptarët ishin të inkuadruar në të gjitha lëmenjt shoqërorë, si: në udhëheqjen komunale, polici, shkollim, shëndetësi, punësim, etj. Kuptohet, në shumicën e rasteve, është dashur t’i përshtaten rrethanave të kohës, për ndryshe nuk do të kishin mundur të shfrytëzojnë edhe ato ndihma të kufizuara që i dedikoheshin Kosovës. Mirëpo, megjithë avancimet që shqiptarët patën gjatë kësaj kohe, mund të themi se pakica serbe dhe malazeze ishte më e priveligjuar, edhe pse nëpër revista, gazeta, simpoziume etj., propaganda serbe për qëllime politike, theksonte se “Serbia kishte humbur në paqe atë që kishte fituar në luftë” që do të thotë se sipas tyre të drejtat e serbëve dhe malazezëve janë “nëpërkëmbur”. Prandaj më 1977, disa “intelektualë” serbë kishin hartuar “Librin e Kaltërt”, në të cilin thekësohej se të drejtat dhe kompetencat e krahinave autonome (Kosovës) duhet të kufizohen. Të ndikuar nga “Libri i Kaltërt”, shumë politikanë serbë filluan të kërkonin revidimin e statusit të krahinave autonome. Në qoftëse krahasojmë parametrat e zhvillimit të qyteteve të Kosovës me qytetet e pjesëve tjera të ish RSFJ-së, niveli i zhvillimit ekonomik të qyteteve të Kosovës me ato të qyteteve tjera jugosllave ishte shumë prapa.[157]

Militarizmi i Kosovës zë fill qysh në fillimin e viteve të tetëdhjet të shekullit të kaluar, sidomos pas demonstratave të rinisë, të studentëve, të punëtorëve e të tjerëve në Kosovë. Sipas disa dëshmitarve, në listën e të burgosurve të Sigurimit të Brendshëm, si organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981, janë përfshirë rreth 600 persona. Pushteti serb filloi aktivizimin e planeve të veta hegjemoniste të njohura më parë. Me metoda të ndryshme perfide mundohej edhe të pengonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të arriturat tjera. Kështu, gjatë viteve të nëntëdhjeta, krahas shtimit të masave represive ndaj popullsisë shqiptare, pushteti serb vazhdimisht shton numrin e forcave policore dhe ushtarake në Kosovë. Në shumicën e udhëkryeqeve ishin vendosur punkte të policisë serbe, ku maltretohej dhe terrorizohej popullsia shqiptare.

Forcat hegjemoniste serbe 1981 vepruan hapur e fshehur, me propagandë e veprime konkrete, në ndërrimin sa më të madh të strukturës etnike të Kosovës dhe të kolonizimit të saj. Për sendërtimin e këtij qëllimi, forcat në fjalë nuk ngurruan që, në njërën anë, të montojnë procese të ndryshme politike dhe shtypje të tjera ndaj shqiptarëve, ndërsa, në anën tjetër, të gjitha këto veprime i arsyetonin me padrejtësitë që  u janë  bërë  serbëve  dhe  synimet   nacionaliste  e  seperatiste  shqiptare.

Pas demostratave të rinisë e studentëve shqiptarë të vitit 1981, veprimtaria dhe qëndrimet antishqiptare të qeverisë së   Beogradit u intensifikuan. Në këtë vit qeveria e Beogradit iu fut punës për aprovimin e masave kundër shqiptarëve dhe për përgatitjen e terrenit politik për sllavizimin e Kosovës. Duke marrë shkak nga kërkesat e drejta të demonstruesve dhe në emër të luftës kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit shqiptar, nëpër mbledhjet e ish-LKJ-së, pastaj të organeve politike e ekzekutive, nga ish-federata, republikat e deri në krahina, u hap një luftë frontale kundër rinisë shqiptare, kundër atyre që kishin kërkuar statusin e Republikës për Kosovën në kuadër të ish-Federatës. Kundër demonstruesve u përdor fjalori më fashist dhe u nxorën me mijëra vendime shoveniste e nacional-fashiste, si dhe u sanksionua dhuna.

Pas kësaj kohe pushteti jugosllav, përkatësisht ai serb, i hyri planit të ri me qëllim të rikolonizimit të Kosovës me popullatë sllave, përkatësisht organizimin e aksionit kinse të kthimit të serbëve dhe malazezëve të shpërgulur  nga Kosova. Pushteti serb i mbështetur nga ai jugosllav e herëherë edhe nga ai kosovar, duke e shfrytëzuar këtë klimë filluan të aprovojnë vlerësime, platforma, rezoluta e programe kinse për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, në të vërtetë përgatitej vala tjetër e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav.

Pushteti serb filloi lëvizjet për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Shërbimet e fshehta serbe, nxitnin serbët e malazezët e Kosovës që të ngriteshin në demonstrata – protesta kundër pozitës “inferiore” që kishin përballë shqiptarëve. Çerdhja e organizatorëve të demonstrave ishte në Fushë-Kosovë. Ata si moto përdorëshin edhe kthimin e serbëve dhe malazezëve të shpërngulur kinse me dhunë nga Kosova në periudhat e mëhershme. Kjo fushatë antishqiptare u përshpejtua dhe motivua me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa u frymëzua nga Memorandumi i ASHS, ku u organizuan shumë mitingje me karakter antishqiptar dhe për suspendimin e autonomisë së Kosovës.

Të nxitura dhe të frymzuara nga memorandumi i ASHA të Serbisë (1986), madje, individë e parti të ndryshme çështjen e rikolonizimit të Kosovës, e ngrenë edhe në Parlamentin serb me arsyetim se gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë kolonizimi i Kosovës me shqiptarë nga Shqipëria. Siç dihet në fillim flitej më mëse qindra mijëra kolonë shqiptarë, më vonë për dhjetëra mijëra e më në fund u konstatua nga ana e Sekretariatit Fedrativ të Punëve të Brendshme, se në Jugosllavi prej vitit 1949-1956 nga personat e ardhur kishin mbetur vetëm 754 emigrantë shqiptarë, kurse nga ai numër vetëm 243 banonin në Kosovë. Megjithatë, kjo e vertetë nuk pengon këto qarqe dhe qeverinë e Serbisë që të propogandojë e të veprojë haptas për ndërrimin e strukturës kombëtare në Kosovë dhe për kolonizimin e saj me elementin sllav. Një veprimtari të tillë Serbia edhe e ligjësoi.

Përveç kësaj, qeveria e Beogradit arriti të mobilizojë gjithë popullin nën parullën “Serbi unike”. Disa vjet rresht u organizuan me qindra mitingje e demonstrata antishqiptare. Për të bërë kthesa nacionaliste nga Qeveria Serbe u organizuan marshime dhe demostrata shoveniste në Kosovë, në Serbi dhe para organeve serbo-jugosllave në Beograd. Parullat e tyre ishin: “Kosova është Serbi”, “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, “Ne do të luftojmë për këtë vend të tokës  së  vjetër  serbe”,  “Serbi  mos  e  lësho  Kosovën  nga  dora” etj.  Kjo qeveri serbe para organeve shtetërore përdori si paravan shpërnguljen nga Kosova të serbo-malazezëve. Ky ishte vetëm një pretekst i pabazë dhe jashtë realitetit.

Përkitazi me politikën e punësimit, vetë pushtetarët serbë bënin propogandë dhe nxitje të serbëve dhe të malazezëve kinse për shpërngulje, por me qëllim të punësimit të tyre pa kurrfarë kriteriumi. Kështu, në vitin 1987, në komunën e Prishtinës punë pritinin 18.500 njerëz, nga të cilët vetëm 2600 ishin serbë e malazezë. Mirëpo, në Prishtinë për nëntë muaj të vitit 1987 janë punësuar 442 serbë dhe 42 malazezë, nga 2263 të papunësuar në atë kohë. Rëndësi të posaçme nga organet e atëhershme i kushtohej punësimit të personave që përherë të parë vijnë e punojnë dhe të jetojnë në Kosovë. Kështu, vetëm në komunën e Prishtinës në vitin 1987 janë punësuar 110 persona që përherë të parë punojnë e jetojnë në komunën e Prishtinës. Shumica nga këta ishin punësuar në Elektroekonominë e Kosovës, në organet e administratës etj. Kjo ishte një prej formave të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav.[158]

Shqiptarët në një formë shumë më të butë, duke e parë qëllimin e kërkesave për ndërrimin e kushtetutës së vitit 1974, orgnizuan disa protesta, marshime protestuese të minatorëve të “Trepçës” së Stantërgut, të ngujuar në zgafellë më 17 nëntor 1988 në Prishtinë dhe shumë të tjera, që ndër më e njohura ishte greva e minatorëve të “Trepçës” më 20-28 shkurt 1989. Me grevat dhe kërkesat e popullatës shqiptare u solidarizua tërë populli shqiptarë.

Në këtë kohë në Kosovë u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore nën presionin e 30 mijë policëve të sjellur nga Serbia. Kështu më 23 mars 1989 nën gjendjen e jashtëzakonshme dhe nën kërcnimin e armëve, si dhe me anë të votave joparlamentare, Kuvendi i Kosovës aprovoi amandamentet për ndërrimin e kushetutës së vitit 1974, që edhe de jure u suprimua autonomia e Kosovës. Më 28 mars 1989, në Beograd Kuvendi Fedrativ i Jugosllavisë ratifikoi vendimin e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa në korrik të vitit 1990 pushteti serb e okupoi Kosovën.

Përkitazi me politikën  gjenocidiale dhe qëllimet e hapta të pushtetit serb më së miri na paraqet një letër e Akademik Mark Krasniqit dërguar Kryetarit të Kryesisë së RFS të Jugosllavisë, Prishtinë më 1 shkurt 1990, në mes tjerash shkruan: “ ….. Marrja e autonomisë së Kosovës në pranverën e vitit 1989 është realizuar suksesi i parë i asaj politike, e pjesërisht edhe më gjërë. Siç është e njohur, autonomia e Kosovës është rrënuar me tanksa, me policinë speciale dhe me viktima të shumta të nacionalitetit shqiptar, e cila me manifestime masive në tërë Kosovën në mënyrë plebicitare është shprehur kundër heqjes  së Kushtetutës të vitit 1974, dhe kundër amandamenteve të RS të Serbisë ka shkaktuar probleme të shumta të cilat ajo mendon t’i zgjidh nëpërmjet të masave represive drastike ndaj shqiptarëve, të cilët në Kosovë përbëjnë 80% të popullatës së përgjithshme, duke i larguar në mënyrë masive nga puna, me burgime dhe me vrasje të reja të njerëzve të pafajshëm, që mund të ketë pasoja të paparashikuara tragjike të përmasave të gjëra. Këtë politikë të rrezikshme të Serbisë është duke e dënuar tërë bota demokratike liridashëse, me disa përjashtime, por të gjitha këto i shiqon me duar kryq.

Shqiptarë akuzohen para së gjithash për tri mëkate kryesore vdekjepruese: për kontrarevolucion, për presion ndaj serbëve dhe malazezve, përkatësisht kinse për mosbarazi dhe për Kosovën e pastër etnike. Mirëpo, të gjitha këto janë trillime. Kontrarevolucioni në Kosovë fare nuk ka ndodhur më 1981 dhe të viteve të ardhshme, kur shqiptarët në mënyrë masovike kanë demonstruar duke kërkuar vetëm barazinë e tyre nacionale, ekonomike dhe politike në kuadër të federatës jugosllave. Nuk është numri i vogël i shkenctarëve jugosllavë të cilët më argumente të pamohueshme kanë dëshmuar se ajo akuzë është pa kurrfarë baze, por me tendencë të qartë antishqitpare. Shqiptarët në mënyrë masovike kanë marrë pjesë në Revolucionin popullor gjatë LNÇ-së, me të cilën kanë fituar të drejtën që të jenë të barabartë me kombet dhe kombësit tjera të Jugosllavisë socialiste, që një një masë të konsideruar është arrijtur me Kushtetutën e vitit 1974, prandaj çdo kundërrevolucion do të ishte kundër tyre. Shqiptarët atëherë dhe tani me kërkesat e tyre asgjë tjetër nuk dëshirojnë të arrijnë përveç barazisë së plotë në kuadër të RFSJ, dhe këtë barazinë në vepër por jo vetëm ne letër. Mirëpo, politika unitariste e Serbisë ende krijohet në dominimin e saj, dhe jo në barazinë e kombëve dhe kombësive.

Sa i përket akuzës së dytë, pabarazinë e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, kjo është e pavërtet e paskrupullt. T’i theksojë vetëm disa fakte të cilat në mënyrë bindëse tregojnë se serbet dhe malazezët në Kosovë jo vetëm që nuk janë në pozitën e pabarabart, por ata në masë të madhe janë të privilegjuar, ndërsa shqiptarët të diskriminuar. Kosova, siç është e njohur është treva më e pazhvilluar e Jugosllavisë, e cila në prodhimtarinë shoqërore të vendit merrë pjesë 2.1%, ndërsa me popullsi 8%. Kontigjenti i ri çdo vit arrinë prej 18 deri 20 mijë persona, kështu që armata e të papunëve në mënyrë rapide rritet. Në 1000 banorë në Jugosllavi mesatarisht janë 281 të punësuar, ndërsa në Kosovë vetëm 120. Kështu, mesatarja e të papunësuarëve është 3.3 më e madhe në Kosovë. Mbi 41% të papunëve e përbën rinia me shkollim të mesëm, ndërsa të papunësuar me kualifikim superior janë mbi 3000. Dhjetë komuna në Kosovë kanë madje 6.5 deri 8 herë të ardhurat më të ulta për kokë të banorit se sa që është mesatarja e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Në këtë situatë dramatike në Kosovë e drejta në punë është privilegja më e madhe shoqërore, sepse me te sigurohet kushti themelor i ekzistencës.  Në atë bazë krijohen konfliktet dhe padrejtësitë më të mëdha siciale dhe nacionale. … Në këtë sferë ekonomike shqiptarët në atë masë janë të diskriminuar kështu që shumë familje janë sjellur deri të shkopi i varfërisë dhe deri të skaji i urisë farmale, ndërsa kjo sipas normave ndërkombëtare, është krimi më i madh ndaj njeriut. Kjo në të vërtetë është një politikë e  paramenduar ndaj shqiptarëve, që këtij populli në atë mënyrë t’i merret mundësia për shkollim të gjeneratave të reja dhe me masa të tjera represive, shqiptarët për shkak të varfërisë të lëshojnë atdheun e vet në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Kjo është politika e sotme antishqiptare dhe praktika e koalicionit jofromal serbo-malazezo-maqedon, e cila rrënjët e veta i ka qysh në shekullin e kaluar. Por, vetë faktet të ilustrojnë të vërtetën faktike.

Struktura nacionale e popullsisë në vitin 1981 ishte: shqiptarë 77,4%, serbë 13,2%, malazez 1,7% dhe turq 0,8%. Më 30.IX 1988 ishin të punësuar: 162.499 shqiptarë, 51.092 serbë, 6.957 malazez dhe 3.014 turqë. Nga kjo shihet se në vitin e theksuar ishin të punësuar çdo i treti malazez, çdo i pesti serb, por çdo i trembëdhjeti shqiptar. Më 30.VI 1989, ishin të paraqitur në entet e punësimit në Kosovë 113.000 (82,1%) shqiptarë, 14.156 (10,5%) serbë, 1.2225 (0,9%) malazezë dhe 1.095 (0,8%) turqë. Këtu duhet theksuar se çdo serb dhe malazez i rritur kërkon të punësohet, ndërsa, një numër i madh i shqiptarëve në përgjithësi nuk paraqitet për punë në entet e theksuara, sepse e dijnë se kjo është e kotë, duke u bazua në ate se serbët dhe malazezët punësohen edhe kundër kushtetutës dhe pakurrfarë konkursi, pa kualifikim përkatës, ndërsa intelektualë mund të shihen nëpër tërë Jugoslavinë si në tregjet duke pritur çdo ditë që të angazhohen në çfarëdo pune fizike për meditje të mjerueshme. Këtë gjendje disa e asyetojnë me natalitetin e lartë të gruas shqiptare, që është problem i llojit të vet, por nuk është kurrfarë argumenti për arsyetimin e politikës diskriminuse në punësim. Këtë diskriminim në mënyrë të qartë e vërteton fakti se mbi 60.000 familje shqiptare nuk e kanë asnjë anëtar të punësuar, ndërsa në anën tjetër nuk ka asnjë familje serbe dhe malazeze pa një të punësuar ose pa ndonjë pension ose ndihme tjetër.  Para kësaj gjendjeje faktike, si mund të thuhet se serbet dhe malazezëve dëbohen  ose janë të pabarabartë në Kosovë? Ata në të vërtetë është kategoria më e privilegjuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë Jugosllavisë, sepse as në Mal të Zi, as në Serbi malazezët dhe serbët në atë shkallë nuk janë të punësuar. Kësaj duhet t’i shtohet fakti se serbët dhe malazezët janë të punësuar kryesisht në veprimtaritë dhe shërbimet administative, ndërsa shqiptarët në xehetari, ndërtimtari dhe në punët tjera të rënda.

Që edhe një fakt bindës i cili flet për pozitën e prvilegjuar të serbëve dhe të malazezëve në Kosovë. Këtë e tregon shkalla e urbanizimit të tyre e cila është e pakrahasueshme e madhe te ta se sa të shqiptarët, sepse sipas regjistrimit të vitit 1981, mbi 38% të serbëve dhe 70% të malazezëve jetojnë në qytete, ndërsa gjithsejtë 28,9% të shqiptarëve. Përveç kësaj,  vetëm në Prishtinë në banesat shoqërore jetojnë 84,7% malazezë dhe 70,3% serbë, por vetëm 26,9% shqiptarë. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, Serbia ka ndërmarrë disa masa që bënë të mvarur nga ajo tërë ekonominë e kësaj Krahine, duke e arsyetuar këtë me dofarë integrime dhe bashkësinë në kuadër të Republikës. Kështu është rasti e Elektroekonominë e Kosovës, Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku” nga Prishtina, me Trepçën etj. …… Në vend që të merren masa për përmirësimin e kësaj politike drastike të palës të rrezikuar, familjeve shqiptare, veprohet në të kundërten: gadi të gjitha objektet industriale ndërtohen në mjediset dhe vendbanimet serbe, në të cilat ekskluzivisht punojnë serbët dhe malazezët. Ato janë ndërmarrje të pastra etnike. , si dhe në disa vendbanime në të cilat pushteti me bulduzher rrënojnë shtëpitë e shqiptarëve të pakët në fshatra (si p.sh. rasti në Bresje te Prishtina), ndërsa nga disa shkolla të përzira dëbohen nxënësitë e nacionalitetit shqiptarë  (Prilluzhja të Vushrrria) në mënyrë që shkollat të mbetën plotësisht serbe.  Mirëpo, politika dhe propaganda serbe i padisinë shqiptarët se ata po dëshirojnë vendbanime dhe Kosovën e pastër, që në esencë është e kundërta. Në komunën e posathemeluar Zubin Potoku, e cila i ka 6.000 banorë, kryesisht të nacionalitetit serb, janë ndërtuar disa objekte industriale, sikurse edhe në komunën serbe Leposaviq, ashtu edhe në Siriniq etj., ndërsa në komunën e Malishevës, me 43.000 banorë kryesisht të nacionalitetit shqiptarë, nuk ekziston asnjë objekt industrial, ku janë të punësuar gjithsej 1.000 njerëz. Madje, këtu është ndërtuar ndërtesa moderne e stacionit të policisë. Për realizimin e kësaj politike ekonomike dhe pabarazisë nacionale shfrytëzohen edhe mjetet e Fondit fedrativ për trevat e pazhvilluara, nga të cilat pushteti fedrativ ka lejuar ndërtimin e 2.000 banesave dhe blerjen e 700 pllaceve për serbe dhe malazez të cilët do të vijnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë. Në një anë nxitet  ardhja dhe punësimi edhe i atyre të cilët kurr nuk kanë jetuar në Kosovë, ndërsa në anën tjetër largohen nga puna shqiptarët vendës, të cilëve iu rekomandohet të kërkojnë punë nëpër tërë vendin dhe jashtë tij…..”

Madje kishin reaguar edhe përfaqësuesit e Seksionit të luftëtarëve të Brigadës së Shtatë Sulmuese në Kosovë, në letrën e hapur nga Prishtina, më 19 mars 1990, dërguar Kryesisë së RFSJ dhe Këshillit fedrativ të Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ të Jugosllavisë, në të cilën në mes tjerash thuhet: “ …..  rrënimi i autonomisë, prapë kolonizimi i Kosovës, regjistrimi i vullnetarëve për ardhje në Kosovë, shpernguljen nga Kosova mbi 300.000 kinse të emigrantëve shqiptarë, mbylljen e Universitetit në Prishtinë, heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj. Po na iritojnë edhe masat e dënimeve të cilat po ndërmirren në bazë të kriteriumeve nacionale, e jo sipas shkallës së veprës. Kështu, të themi, një prind shqiptarë dënohet vetëm se fëmiu i tij dyvjeçarë, sigurisht nën ndikimin e fotografive në TV ose tjetërkund, ngritë dy gishtrinjë në shenjë të shkronjës “V” kur e sheh miliconerin, ose një shqiptarë në gjendje të dehur, në kafene kërkon që të hiqet fotografia e liderit aktual serb, denohet me 60 ditë burg, ndërsa nuk merren kurrfarë masash ndaj një V. Shesheli, V. Drashkoviqi, të cilët para kamerave të TV e heqin fotografinë e Titos duke e quajtur kriminel…. Me keqardhje jemi dëshmitar të vetë kohës ku qëllimi i këtyre forcave, receptiv V. Qubrilloviqti, I. Andriqit dhe drejtimeve të memorandumit “të paekzistuar” të ASSHKA gradualisht po realizohen, duke u përputhur gati në tërësi identifikohen  me programin dhe masat e politikës zyrtare të Serbisë. Këtë fakt na  e vërteton edhe V. Drashkoviqi në tryezën e rrumbullakët të partive politike serb e për Kosovën (9 mars 1990)…”

Sip u theksua më 23 mars 1989, kur Kosovës iu mor subjektiviteti i saj në ish-RSFJ  dhe iu shfuqizua Kushtetuta e vitit 1974, veçanërisht pas 5 korrikut 1990, kur Serbia në mënyrë klasike e okupoi Kosovën, mbretëron një politikë tejet nacional-shoveniste dhe ekspansioniste e Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ndërsa, në anën tjetër,  më 2 korrik 1990 Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës dhe aprovoi Kushtetutën e Republikës së Kosovë. Më 7 shtator 1991 qytetarët e Kosovës u deklaruan me referendum për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës i bëri kërkesën komisionit të Badinterit në kuadër të Konferencës ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë që në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë të njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Më 1992 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Mirëpo, kërkesave demokratike të popullit të Kosovës, pushteti serb u është përgjigjur me dhunë e terror të organizuar shtetëror që ka pasur për qëllim spastrimin etnik të Kosovës dhe serbizimin e saj.

Krahas përcaktimit politik për serbizimin e Kosovës, Serbia me vazhdimësi ka nxjerr ligje dhe akte normative me përmbajtje diskriminuese të veçanta për Kosovën.  Pushteti serb kishte aprovuar rreth 1360 akte politike, juridike, të përgjithshme e të veçanta në funksion të rikolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë. Ato kanë qenë ligje thjesht kolonizuese. Me to u krijua mbështetja ligjore për kolonizimin e Kosovës me elementin sllav. Me ligje të tilla u shndërrua Kosova në koloni të tipit monarkik të Serbisë.

Ish Federata Jugosllave dhe republikat e saj ndanin mjete të mëdha për stimulimin e ardhjes sa më masive të serbëve në Kosovë. Privilegjet e serbëve ishin shumë të mëdha: sigurimi i punësimit, i banesave, i trojeve falas, i kredive afatgjate pa kamatë, për të njëjtin vend pune të ardhurat shumë më të mëdha dhe benificione të tjera. Në këtë periudhë filloi ngritja e reparteve industriale në enklavat serbe dhe ndërtimi i objekteve segregacioniste të banimit dhe të tjera.

Vala e re e kolonizimit filloi me sjelljen e policëve, të instruktorëve të lartë ushtarakë, të gjykatësve dhe administratorëve për t’i ndjekur e torturuar sa më tepër shqiptarët. Me 1988 dy Kryesitë e Jugosllavisë Socialiste (Kryesia e LKJ-së dhe Kryesia e Jugosllavisë) dhe qeveria kërkuan kolonizimin e Kosovës përmes një aksioni për kinse dhënien e ndihmës kuadrore Kosovës: në arsim, kulturë, jurisprudencë, polici etj.  Ish Federata Jugosllave dhe njësitë e saj në këtë mënyrë stimulonin represionin dhe segregacionin në Kosovë dhe ndihmonin realizimin e synimeve të kahmotshme të politikës hegjenomiste të Serbisë.

Serbia, më 8 mars 1990 abrogoi “Ligjin mbi revizionin e ndarjes së tokave kolonistëve në Kosovë e në Maqedoni”, me të cilin sipas llogarive do të duhej t’u kthehej toka rreth 14 mijë familjeve serbe, që kishin ardhur si kolonë në Kosovë ndërmjet dy Luftërave Botërore, çka si pasojë pati që shumë ish familje kolone serbe e malazeze të marrin prona të reja toke të kooperativave bujqësore, apo para të majme si “kompensim”. Ndërsa, në “Ligjin për formimin e fondit për kthimin e serbëve dhe malazezëve në Kosovë”, parashihej sigurimi i mjeteve për kolonizim nga tatimi në të ardhura, legata dhe dhuratat, nga kamatat dhe burimet tjera.

Pasojat e këtij diskriminimi në aspektin legjislativ goditën pa mëshirë të gjitha sferat e jetës shoqërore në Kosovë. Nëpërmjet të sjelljeve të ligjeve dhe akteve normative diskriminuese, shqiptarët u përjashtuan nga jeta ekonomike, politike e shoqërore. Kështu u paralizua tërë jeta ekonomike e shoqërore në Kosovë dhe më gjerë, duke thelluar edhe më tepër krizën ekonomike me pasoja katastrofale, sidomos për rreth 130.000 punëtorë shqiptarë, që mbetën pa punë dhe pa mjete për ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre, shumica e të cilëve u detyruan që ta marrin rrugën e mërgimit në vende të ndryshme të botës, sa për të siguruar një ekzistencë. Politika e pabarazisë dhe e diskriminimit u manifestua në një formë të veçantë edhe në sferën e arsimit.

Për këtë qëllim ishte hartuar edhe “Platforma politike për Kosovën” e LKJ që parashihej kolonizimi i Kosovës përmes aksionit të kinse kthimit të serbëve dhe malazezëve. Pastaj, ishte hartuar Projekti për kthimin e rreth 200.000 serbëve e malazezëve për të jetuar në Kosovë. Ky projekt ishte një dokument, ku bëhej ngarkim kolonizues i Kosovës me serbë dhe me malazezë, përkundër faktit se Kosova kishte dendësinë më të madhe të popullsisë, 200 ban/1 km2 (dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja në ish-Jugosllavi). Për kolonizim të tipit klasik Kosova nuk ka pasur kurrfarë kushtesh, sepse është territor me i dendur i banuar në këtë pjesë të Evropës, sidomos në në pikëpamje të dendësisë agrare, me potenciale të mëdha të fuqisë punëtore të papunësuar, me zhvillim të pamjaftueshëm të kapaciteteve përpunuese dhe me një shkallë shumë të ulët të finalizimit të lëndëve të para që disponon vetë. Në anën tjetër shkatërrimi i bazës ekonomike të Kosovës, plaçkitja e fondeve dhe e teknologjisë nga ana e pushtetmbajtësve serbë nuk shkon në favor të popullzimit plotësues. Por qëllimi kryesor i pushtetit okupues ishte tendenca për ndërrimin e përbërjes kombëtare të Kosovës. Në anën tjetër, shume vendbanime, madje edhe krahina të tëra rurale agrare në Serbi kishin mbetur të  zbrazëta, pa popullsi. Por pushteti nuk ka vendosur atje refugjatë serbë, ku kishte tokë të mjaftueshme dhe kushte elementare për arsye se nuk e kishte këtë qëllim, por qëllimin e kolonizimit të Kosovës me elementin sllav dhe ndërrimin e strukturës nacionale.

Nga pushteti i asaj kohe ishte hartuar edhe i ashtuquajturi Programi jugosllav për Kosovën, i datës 9 shkurt 1990. Nëpërmjet të këtij programi, pushteti mundohej që në mënyrë të rafinuar dhe perfide, në dallim nga regjimet  e mëparshme serbe të ndryshojë strukturën etnike dhe të vëjë baraspeshën etnike në Kosovë, duke bërë presion pa presedan në shqiptarët që t’i lëshojnë vatrat e veta, ndërsa në vend të tyre të sjellë serbë e malazezë me qëllim të sllavizimit dhe të kolonizimit të Kosovës. Ai program synonte marrjen e masave konkrete në të gjitha fushat: politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetsore, gjyqësore, informative, të punësimit, të urbanizmit, zhvillimit demografik etj. Programi i tillë i cili barte një titull mjaft cinik “Programi  për realizimin e paqës, lirisë, barazisë dhe prosperitetin e Kosovës”, i njohur si  “Programi për Kosovën”, thjeshtë ishte program diskriminues dhe racist. Me të parashihej hapja e vendeve të reja të punës, përparësi në punësim, stimulime të veçanta për investime në programet për punësim, të gjitha për kthyerje, përkatësisht ardhje të një numri më të madh të serbëve dhe malazezëve në Kosovë që të jetojnë e punojnë këtu dhe të pengojnë shpërnguljen e tyre nga Kosova; parashihet zvogëlimi i të gjitha kuadrave shqiptare në institucionet shoqërore dhe organizatat ekonomike, parashihte nxjerrjen e ligjit të posaçëm me të cilin do të themelohej Fondi për sigurimin e kushteve materiale për zhvillimin e Kosovës, në mënyrë që të pengohet shpërngulja e serbëve dhe e malazezëve, kthyerja dhe ardhja e të rinjve. Gjithashtu, parashihej shqyrtimi i mundësisë së punësimit të shqiptarëve në vendet tjera të Jugosllavisë në pajtim me “Programin për Kosovën”; parashihte ndërtimin e 30 reparteve të ndërmarrjeve serbe në vendet ku kryesisht në to jetonin serbët, malazezët, myslimanët, goranët, përkatësisht në vendet ku serbët dhe malazezët dëshirojnë të kthehen që të punojnë e jetojnë në Kosovë - në Leposaviq, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Zubin Potok, Novo Bërdë, Shtërrpc, Lipjan, Gjilan, Obiliq, Ferizaj, Kamenicë dhe në bashkësitë lokale në Graçanicë dhe në Prishtinë, ku jetojnë serbët dhe malazezët.[159]

Krahas planeve të Jugosllavisë Socialiste, të inicuara nga Serbia, edhe ajo kishte hartuar plane dhe projekte për rikolonizimin e Kosovës. Në një plan operativ parashihej ndërtimi i 30 lagjeve, ndërtimi i banesave në Gjakovë, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Novobërdë, Shterrpcë, Lypian, Zubin-Potok dhe në Kamenicë. Më 12 dhjetor të vitit 1991 me qëllim të kolonizimit të ri të Kosovës, në lokalet e pushimores të fëmijëve dhe të rinisë në Deçan u vendosën 100 familje me prejardhje serbe e malazeze të ikur nga Shqipëria.[160] Më vonë aty dhe gjetiu u vendosën edhe shumë familje të tjera.

[157] Vushtrria – Viciana me rrethinë, fq. 204-205.
[158] Arkivi i Qytetit Prishtinë, Fondi: Lidhja Socialiste e Popullit Punues të komunës së Prishtinës, raport. Fondi i parregulluar dhe i paevidencuar.
[159] KOSMET ili KOSOVA, v. e c. Punimi i dr. Rifat Blakut, Srbija institucionalno radi na kolonizaciji Kosova, fq. 204-205.
[160] Cen Mazreku, Përpjekje per kolonizimin e ri të Kosovës, “Fjala”, dhjetor 1991; Kosova në vështrim enciklopedik, v. e c., fq. 51.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora