E diele, 28.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Poetët "armiq" në pritje të vendimit të dënimit në vdekje

E diele, 19.10.2008, 03:25 PM


Arkivat për "armiqtë" Blloshmi e Leka Si i përgatiti Sigurimi dosjet e poetëve

Nga Kujtim Boriçi

Nr.15/1-A

Arkivat për "armiqtë" Blloshmi e Leka  Si i përgatiti Sigurimi dosjet e poetëve

Raport:

Procedura hetimore dhe gjykimi për poetët "armiq" Genc Leka e Vilson Blloshmi, pasqyruar në dosjen hetimore (Nr.48), është paraprirë nga një punë e stërmundimshme e planëzuar e realizuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, me bashkëpunëtorët e tij në bazë. Teksa poetët vuanin privimin e ushtrimit të profesionit, punonin në minierë apo kooperativë, dikush i ndiqte e survejonte. Ja pjesë si bëhej grumbullimi e raportimi i informacionit, referuar dy rasteve, nga shumë të tillë në origjinal, duke mos përfshirë vetëm emrat e personave pjesëmarrës.

Preferencat e poetëve për letërsinë bashkëkohore

(Marrë nga punëtori operativ "X". Dhënë nga bashkëpunëtori "Y")

Burimi njofton se më dt.20.05.1973 ai zhvilloi bisedë me Vilson Blloshmin rreth kritikës që i bëhet romanit "Dimri i vetmisë së madhe" të Ismail Kadaresë. Ndër të tjera, Vilsoni tha: "Ismaili është i madh si shkrimtar dhe këto kritika po i bëhen se e kanë zili. Edhe këtë radhë do ta kalojë me një kritikë besoj. Ismaili njihet mirë dhe nga të mëdhenjtë prandaj i shkruan kaq serbes, ai rrëshqet shumë si vijë.

Dritëro Agolli një herë ka rrëshqitur por nuk është kapur gabimi i tij. Ja si shkruan Dritëroi në një libër të tij. "Një piktor bëri portretin e një djali prej dru arre. Ky skulptori punonte me daltë në fytyrë. Një ditë shkoi në dhomën e punës së tij një piktor që e kishte shok. Por papritur dalta takoi në mesin e fytyrës një hekur. E nxjerrin dhe e shohin. Ishte një plumb. Plumbi që i kishte rënë arrës që në kohën e luftës". Këto ishin fjalët e Vilsonit të tregimit dhe si e mbaron, thotë: "Po e kupton se ç'deshi plumbi në ballin e këtij djali të partizanit? Domethënë që koka e këtij djali të partizanit që luftoi, nuk ka shpëtuar nga plumbi. Kjo duhet të ishte kritikuar".

Detyrat:-Do ta takoni përsëri Vilsonin dhe i thuaj se letërsia është thikë e hollë, unë mendoj se ju keni të drejtë që thoni se Dritëroi ka dashur të tregojë se djali i partizanit që luftoi nuk ka shpëtuar, kot që luftoi babai i tij.

Ndërsa për atë, që thonë se Ismaili ka gabuar, unë nuk e kuptoj mirë pse ka gabuar.

Masat operative: -Do të studiosh rrjetin shoqëror të Vilsonit në Stravaj. Meqenëse ai njihet me b.p. "…" që mbahet në lidhje me shefin e seksionit do të bisedohet më të, për ta drejtuar tek ai, do të studiohen të dhënat e Vilsonit.

Vlerësimi: Mendoj se e dhëna ka rëndësi, se Vilsoni në një interpretim e shpreh pikëpamjen e tij. Vilsoni është me shkollë.

Punëtori operativ

Si do arratiseshin poetët në Jugosllavi

(Përgatitur nga punëtori operativ, firmosur nga kryetari e DPB)

Plan masash agjenturor-operativ në drejtim të përpunimit në (XY). Në ngarkim të Vilson Sami Blloshmit. Nga të dhënat e marra në ngarkim të Vilson Blloshmit, del se ky zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Më datën 09.05.1976 qytetari "X" denoncon në organet tona, se Vilson Blloshmi i ka propozuar për t'u arratisur në Jugosllavi së bashku me "Y", i cili u mor në përpunim... për këtë tendencë. Genc Leka në kontrollin operativ (X) po ashtu, është dhe një qytetar tjetër nga Rrajca, por emri i të cilit nuk dihet dhe as se kush është ky person.

Me qëllim për të parandaluar në kohë arratisjen e tij së bashku me personat e tjerë të lartpërmendur, do të merren këto masa agjenturalo-operative.

1-Do t'i jepet një vijë sjelljeje qytetarit "X" për të zbuluar se kush është personi nga Rrajca dhe kur e kanë lënë datën për t'u arratisur, në çfarë drejtimi do të lëvizin dhe nëse kanë armë, dhe çfarë lloji arme kanë.

2-Meqenëse Informatori do të takohet me Vilsonin më 10.05.1976, në Përrenjas, do të merret në survejim për ta saktësuar se me cilin person do të takohet dhe do të saktësohen dhe lëvizjet e tjera.

5-Me rastin e arrestimit të vëllait të Vilsonit i janë dhënë detyra (disa bashkëpunëtorëve) për ta patur nën kontroll, meqenëse banojnë dhe jetojnë në këtë fshat dhe për çdo lëvizje të Vilsonit, (largim nga fshati) të na njoftojnë me këtë parullë: "Pakon e nisëm për Librazhd".

7-Do të merren masa kontrolli dhe në drejtim të Genc Lekës i cili, del që edhe ky do të arratiset me Vilson Blloshmin.



-----------------------------------------------------------------------

Mbas përfundimit të këtyre detyrave të ngritura në këtë plan, do të bëhet analiza e tyre dhe do të merren masa të mëtejshme.

Punëtori operativ X.Y.


Ekskluzive / Nga dosja origjinale hetimore dhe gjyqësore e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, në vazhdim, po japim momentet kur të akuzuarit prisnin vendimin me pushkatim nga gjykata nëpërmjet pohimeve të Bedri Blloshmit, si dhe mënyrën se si përgatiti Sigurimi suverjimin e arrestimin e tyre.


Është dita e fundit e gjyqit ndaj "Grupit armiqësor të Bërzeshtës" ku poetët Blloshmi e Leka pritet të marrin dënimin me pushkatim. Ja si e sjell dëshmia e Bedri Blloshmit, i dënuar me 25 vjet burg, këtë ngjarje të rëndë:


Fundi i ditës së parë të gjykimit

"...Mbaroi dita e parë e gjyqit…Kryetari i Gjykatës deklaron se seanca mbyllet. I drejtohet një personi në sallë të bënte gati dëshmitarët për ditën e nesërme. U lexua një listë me emrat e dëshmitarëve, që ishin të gjithë të gatshëm jashtë sallës ku zhvillohej gjyqi me dyer të mbyllura. Urdhërohen policët që të na çonin në dhomat e izolimit dhe të paraqiteshim ditën e nesërme, në orën 10:00.

Pasi na lidhën dy e nga dy, hipëm në makinë. Nisemi si ditët e tjera për në birucë. Kur dolëm jashtë, njerëzit prisnin në të dyja anët e rrugës dhe pëshpëritnin: "Hë a mbaruan? Sa u dënuan? Si s'po marrin vesh asnjë gjë? Gjithë këto ditë gjyq! Ç'po bëhet kështu?". Ata na shoqëronin deri në hyrje të Degës. Kur dilnim për seancën tjetër i shihnim ulur në trotuar, apo mbështetur në trungun e ndonjë druri të bulevardit. Dukeshin tamam të përgjumur, të lodhur. Ata shkonin me mendimin se do fitonin diçka, se kot nuk i kishin sjellë të organizuar. Prisnin në atë të nxehtë qershori...

Dielli sikur e bënte qëllimisht vapën përcëlluese, digjte në kokat tona të qethura. Sytë na ishin verbuar nga izolimi i gjatë. I hapnim, i mbyllnim shpesh, na dhembnin nga drita shumë e fortë e mesditës.

Edhe pse ishte kjo nxehtësi e padurueshme, njerëzit kureshtarë ishin të interesuar për një përgjigje. Ata prisnin, në të dy anët e bulevardit, nëpër ballkone dëgjoheshin zëra, donin të dinin nëse kishte seancë tjetër pasdite.

Shkuam në paradhomë, dhe që andej kalonim në korridorin e ngushtë. Ne, edhe pse ishim ambientuar, të detyruar me erën e igrasisë dhe të mykut, kur ktheheshim nga jashtë, kjo erë thartire na i ngacmonte prapë hundët, fillonin teshtitjet.

Të gjithë policët viheshin në lëvizje të rrëmujshme, të na zgjidhnin e futur në biruca, atje ku kishim qenë. Pasi mbaronin me ne, vendin e rrëmujës së zhurmshme e zinte një qetësi e detyruar, të cilën e thyente vetëm këpuca me gozhdë e policëve të qelisë: ishin 4-5-fishuar".

Biseda ime me vëllanë, Vilsonin

"Gjetëm mundësinë për të biseduar shkurt me Vilin, nëpërmjet murit, siç e kam shpjeguar më parë, në radhitjen e këtyre kujtimeve të hidhura dhe shkatërruese, me ne dhe familjen tonë. Vili më tha se as sot nuk kishte parë asnjë nga familja.

-Nuk di ç'bëhet me Dianën?! Bedri, ajo duhet të ketë ditë që ka lindur. Ne, nuk duhet të mërzitemi po morëm dënime kapitale, sepse jemi krenarë për ata prindër që na lindën dhe edukuan. Më e rëndësishmja është se askujt nuk i kemi as borxhin më të vogël. Jemi të qetë shpirtërisht. Unë nuk besoj që Zoti të përkrahë mendimin e këtyre njerëzve egërsira, megjithatë i jep disa dhe i merr shpejt. Nuk i lë gjatë në këtë botë të pashpirt, ku njeriu përpiqet të hajë njerinë. Unë po kuptoj se diçka e rëndë është përgatitur për ne.

I mërzitur, me zor i shtyja orët, minutat. Prisja me padurim përfundimin. Nga ajo gjendje shpirtërore që isha, më ishte prerë dhe oreksi. Buzët, gryka na thahej. Shoku që kisha në dhomën e izolimit, ishte një burrë i moshuar me pamje babaxhani. Më jepte kurajo. Shpesh më jepte nga një cigare, më detyronte ta pija. E vazhdonte bisedën.

-Bedri, ju s'jeni as të parët, as të fundit nga familja e Blloshmëve që dënoheni kot, kjo dihet. Prandaj mos u demoralizo se s'i dihet. Të rinj jeni, nuk e ndjeni, me moshë e kaloni çdo gjë. Ja që taksirati s'paska të mbaruar.

Nata e errët më e nxirë se herët e tjera (të paktën kështu më dukej mua). Mendoja: "Ditë të këqija do të na sjellë kjo natë qershori...". Gjithë natën nuk vura gjumë në sy. Edhe shoku i birucës nuk fjeti. Më është dukur një natë shumë e gjatë. Si duket, dita s'donte të hapte, ndoshta për të na dhënë kohë më shumë për ta shtyrë të keqen sa të mundej. Megjithatë u gdhi. Filloi lëvizja e shulave të dyerve të hekurta, përplaseshin me forcë nga dora e policëve. Dhe po të qe në gjumë ndonjë i arrestuar, do ngriheshe menjëherë nga zhurma".


Përsëri në sallën e gjyqit


Erdhi ora! Na nxorën nga birucat shpejt e shpejt e na lidhën si ditët e tjera. Qyteti ishte mbushur me fshatarë të ftuar, rrinin jashtë sallës së gjyqit. Makina ecte në mes të bulevardit, ku përpara makinës, ecte shumë ngadalë, hapte rrugën Kryetari i Gjykatës me prokurorin, herë pas here hidhnin shikimin nga ne të lidhur në makinë. Qyteti ishte mbushur me fshatarë të ftuar rrinin jashtë sallës së gjyqit.

Prokurori diç pëshpëriste kur i afroheshe ndonjë fshatar, kur afroheshin kokë më kokë. Kur ndaheshin, të tjerë e rrethonin për të dëgjuar diçka. "Do e merrni vesh për armiqtë e klasës me gojën e tyre të helmuar, nuk e kanë arritur qëllimin, se s'i latë ju, por u treguat vigjilentë, i sollët këtu ku janë".

Zumë vend në sallë, si ditët e tjera. Mbasi folën vesh më vesh, gjykatësi me prokurorin, një nga të ftuarit dukej se kishte një detyrë që ishte brenda në sallë; i dorëzoi një letër gjykatësit. Ndërsa e lexonte pa zë, ai e shoqëronte me lëvizjen e kokës, me shenjën që miratonte atë që ishte shkruar. Heshtja vazhdonte. Të gjithë shikonin gjykatësin që po lironte kollaren në qafën e majme. Fërkoi duart, liroi zërin mbasi u kollit, hodhi një shikim nga salla përballë.

-Mirë pra. Seanca e radhës hapet. I pandehuri Genc Leka! Për ju i pandehur kemi një provë të fortë, ka të bëjë me dorëshkrimet tuaja. Sipas Akt-Ekspertizës Letrare që kemi nga një kompetent letrar, del se janë shkruar me frymë armiqësore. Nuk i përshtaten realizmit të sotëm. Sado që je munduar të fshehësh, aludimi është i qartë.

"Poezia pa titull". Është pesimiste, ku autori shpreh dëshpërim. Ku nga e kaluara e tij nuk ka më asgjë veç gërmadha dhe gurë i kanë ngelur, ditët e lumtura dhe miqtë s'i ka më.

"Miqtë e parë". Dhe kjo tregon se nuk janë më, dhe prej tyre veç gjurmët kanë mbetur. Autori kujton me nostalgji kohën e shkuar.

"Kjo rrugë". Vjersha tregon rrugën malore, gjurmët nëpër zall, humbasin pa mundim.

"Oxhaku", "Harabelat", "Cigani" e shumë të tjera sipas Akt-Ekspertizës Letrare shprehin dëshpërim, pesimizëm, vuajtje, janë në kundërshtim me realitetin tonë. Kërkon t'i mohojë.

I pandehur, keni shumë dëshmitarë që provojnë një krim tjetër. Propagandën. Keni bërë herë pas here, në ambiente të ndryshme. Në fermë, në pyjore, kudo që je shprehur se je i dëshpëruar, pa të ardhme. Pa shpresë, asgjë s'të pëlqen.


(Vijon nesër)


Jeni përpjekur të implikoni të tjerë punonjës të thjeshtë, por nuk e kini arritur qëllimin. Është populli ai që ju kërkon llogari deri në një, ai do t'ju mbërthejë me shpatulla pas murit sepse gjithmonë jeni përpjekur t'ia prishni lumturinë, që e kanë krijuar me aq mund dhe djersë. Ja, këta po ndërtojnë jetën e re, socializmin, ju që rridhni nga klasat e përmbysura, ju vriten sytë. Familjarët tuaj kanë qenë pjesëmarrës në Ballin Kombëtar. Ata i kanë lyer duart me gjak, s'ka si të jetë ndryshe me ju.

I pandehuri Genci Leka! E dini se keni për të larë gjynahet e babait? Ndërsa të arrestuarit Vilson dhe Bedri Blloshmi i keni kushërinj, njerëzit e tyre kanë qenë nëpër burgje, një pjesë jashtë shtetit. Babai juaj është dënuar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Xhaxhai juaj dënohet me 25 vjet burg për takim me Bardho Lekën, babain e Gencit. Dajallarët tuaj, nëpër burgje janë e atje do të kalben. Ju asnjëherë nuk e keni dashur këtë sistem. Vetë qëndrimi juaj, tregon se jeni edukuar me të njëjtën frymë si të familjes tuaj. Unë nuk e kuptoj pse ju, kaq të rinj, të keni këtë urrejtje për pushtetin popullor.

Në këtë moment ndërhyn prokurori, bën të njëjtin përshkrim si Kryetari i Gjykatës. Këta janë rritur në një ambient të sëmurë familjar, të sëmurë ideologjikisht, të egërsuar nga prindërit e tyre. Që pushteti i popullit i shpronësoi, i ndëshkoi duke ua marrë pasurinë, ia dha atij që i takonte: fshatarit tonë punëtor. Këta ëndërrojnë se do vijë një ditë t'i marrin prapë. Kjo s'ka për të ndodhur kurrë, ta dini të pandehur!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora