E diele, 28.04.2024, 06:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Urdhri i Enverit për djegien e librave dhe dënimin e artistëve

E hene, 20.10.2008, 09:08 PM


Agim Krajka dhe Vace Zela
Nga Prof. Dr. Kolonel Elmas Leci

Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente arkivore lidhur goditjen më 1975 e në vazhdim që Enver Hoxha e udhëheqja e kohës bën ndaj kulturës e njerëzve të saj, urdhrin e dhënë për heqjen nga qarkullimi e grisjen e të shumë tituj librash, si dhe fatin që patën më pas njerëzit që realizuan këtë inkuizicion ndaj librit.

Për të larguar vëmendjen nga një situate e rëndë ekonomike brenda vendit, por dhe synimin e mbajtjes sa më gjatë të pushtetit, regjimi komunist i Enver Hoxhës organizoi goditje të fuqishme njërën pas tjetrës në një seri fushash të jetës, si në ekonomi, në ushtri, por edhe në kulturë. Në këtë të fundit, furtuna ra mbi autorët dhe librat e tyre. Ato u bënë pre e persekutimeve, ndërsa librat dhe literatura, veprim i djegieve masive, veprime që të kujtonin periudhën e nazizmit në Gjermani.

Pas ushtrisë, fronti i luftës, kultura

Në vitin 1974, sipas dokumenteve arkivore, udhëheqja e kohës zbuloi dhe dënoni "grupin puçist" në Ushtri, ku tre gjeneralë, njëkohësisht tre drejtuesit kryesor të ushtrisë, Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, muaj më pas, u pushkatuan. Njëkohësisht, si pjesëtarë të këtij "grupi armiqësor", dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë madhorë u dënuan me burgime të gjata e internime familjare. Është koha ku vendi përballej me një izolim të paparë ndërkombëtar e "grupet armiqësore" në vend do të ndiqnin njëri-tjetrin. Radhën e ka "grupi armiqësor" në kulturë, ku drejtues të kësaj fushe e krijues të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi etj., do të përfundonin në pranga e do të dënoheshin gjithashtu me burgime të gjata. Ndërsa Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shënon një ndëshkim masiv jo vetëm ndaj tendencave bashkëkohore në muzikë e art, por dhe ndaj krijuesve e interpretuesve më në zë të fushave të ndryshme të artit në vend.

Furtunë mbi librat dhe krijuesit

Në vitin 1975, sipas dokumenteve arkivore dhe dëshmive, Enver Hoxha dhe udhëheqja e kohës ndërmarrin një hap tjetër për thellimin e luftës ndaj krijuesve e ndaj librit. Kështu, sipas arkivave zyrtare (AQSH, "Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi". Viti 1975) një vendim i posaçëm u dërgohet ish-Komiteteve të Partisë së Punës së Rretheve për zbatim. Ky vendim, shoqërohej me një listë për heqjen e librave nga qarkullimi. Më parë ishte dhënë goditja ndaj njerëzve të kulturës, arsimit dhe artit, ndërsa kjo ishte goditje në vijim e thellim.

Librat e Frederik Rrepshjes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t'u kthyer në karton. Shkaku ishte "për faj të qëndrimit të autorit". Si ky janë dhe shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë, të cilët në vitin 1975 përfshihen në Qarkoren e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.

Cili ishte shkaku i zhdukjes së këtyre librave?

Edhe pse i paprecedent në të gjithë Europën, përfshi edhe vendet e Lindjes, siç del nga urdhri shtetëror (pas vendimit përkatës të Byrosë Politike), udhëheqja nuk e fsheh shkakun dhe qëllimin e ndëshkimit të rëndë ndaj krijuesve (me mohim të së drejtës të botimit, internime, burgime e deri ekzekutime) si dhe ndaj librit (me bllokime, magazinime e deri asgjësime): "Autorët nuk përkrahin vijën e Partisë në krijimtarinë e tyre, ndërsa librat janë të dëmshëm në edukimin komunist të masave!". Urdhri jep deri dhe hollësi e detaje të veçanta. Sipas tij, për të gjithë librat që do të fshihen nga qarkullimi udhëzohet të ruhen në Bibliotekën Shtetërore në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t'i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal i dorëzojnë për karton.

Urdhri për djegien e librave

Pas vendimit të posaçëm të ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës (AQSH, po aty), del Qarkorja e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës e firmosur nga zëvendësministri, Mantho Bala. Në fakt, urdhri apo qarkorja e firmosur nga titullari i Arsimit, është i njëjti vendim që ka marrë Byroja Politike e Partisë Punës së Shqipërisë. Për fat të keq, ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë e do të ndodhte dhe me "armiq" të tjerë në të ardhmen, edhe Mantho Bala, firmosësi i këtij vendimi, do të kishte fatin e dhimbshëm, atë të ndëshkimit. Ja teksti i plotë i Qarkores, marrë nga arkivat zyrtare, (AQSH. "Vendimi për heqjen e librave nga qarkullimi". Viti 1975) të kohës:

-----------------------------------------

Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Arsimit

Drejtoria e Botimeve

Nr.3237 Prot.

Tiranë, më 15.09.1975

Lënda: Heqje librash nga qarkullimi Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit

(seksionit te arsimit)

Gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore

Drejtorisë së Përgjithshme të PTT

Bibliotekave Qendrore

Ndërmarrjes së Librit Tiranë

Të hiqen nga qarkullimi librat e poshtëshënuara:

1. A.Këllezi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

2. A.Këllezi: Rritja e rendimentit të punës dhe forcimi i disiplinës shtetërore. Diskutim në Kongresin e I-rë të PPSH, 1971

3. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e IV të PPSH, 1961

4. K.Theodhosi: Fjala e mbajtur në Kongresin e V të PPSH, 1966

5. K.Theodhosi: Industria Mekanike dhe progresi teknik. Diskutim në Kongresin e VI të PPSH, 1971

6. K.Theodhosi: Raport i mbajtur në Plenumin e III-të të PPSH, 1967

7. R.Xhangolli: Fronti demokratik, armë e fuqishme në duart e Partisë për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e masave. Kumtesë në Konferencën Kombëtare të Studimeve Shoqërore, seksioni i Historisë së PPSH-së, 1973

8. Të gjithë librat ku përmenden Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi dhe Ramadan Xhangolli.

9. A.Zaka: "Buzë dashurive", 1972 (për shkak të qëndrimit të autorit)

10. Frederik Rreshpja: "Në këtë qytet", "Rapsodi shqiptare", "Erenda", "Trofta hutaqe", "Trimi i fshatit të Bardhë", "Zëri i largët i kasolles" (për shkak të qëndrimit të autorit)

11. "Bredhi i bardhë", 1971 (përmban një tregim të T.Lubonjës i dënuar për faje politike)

Këto libra, Bibliotekat Shtetërore të Rretheve t'i mbajnë në fond të rezervuar, ndërsa libraritë dhe bibliotekat e kategorive të tjera t'i dorëzojnë me proces-verbal të rregullt në Degët e Librit dhe të Filmit në rrethe, të cilat po me proces-verbal t'i dorëzojnë për karton.

Zëvendësministri

Mantho Bala

---------------------------------------------------------

Vazhdon lufta ndaj librit dhe krijuesve

Pas kësaj Qarkoreje të firmosur nga zëvendësministri, Mantho Bala, precedenti dënoi edhe Manthon, edhe ministrin Thoma Deliana dhe gjithë stafin drejtues apo politik të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Kështu e pësuan edhe shumë nga njerëzit e artit e të kulturës. Persekucion, internim, dënim, shkatërrim. Dhe kjo histori përsëritej, sa herë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit komunist "zbulonin armiq të rinj", "tradhtarë" dhe të "shitur" tek imperializmi dhe social-imperializmi. Ata përfunduan në burgje, internime, madje edhe në vrasje, ndërsa librat e botuar prej tyre digjeshin me vendime të turpshme, si në kohën e Inkuizicionit mesjetar. Por ndër ndëshkimet më të rënda në art e kulturë mbeten pushkatimi i dy poetëve, Vilson Blloshmi e Genc Leka, si dhe varja e tërheqja zvarrë nëpër qytet e poetit kuksiane, Havzi Nela.

(Vijon)

Persekucion, internim, dënim, shkatërrim. Dhe kjo histori përsëritej, sa herë që Partia dhe Sigurimi i Shtetit komunist "zbulonin armiq të rinj", "tradhtarë" dhe të "shitur" tek imperializmi dhe social-imperializmi. Ata përfunduan në burgje, internime, madje edhe në vrasje, ndërsa librat e botuar prej tyre digjeshin me vendime të turpshme, si në kohën e Inkuizicionit mesjetar.

Librat e Frederik Rrepshjes përfundojnë me tituj, të udhëzuar për t'u kthyer në karton. Shkaku ishte "për faj të qëndrimit të autorit". Si ky janë dhe shkrimtarë të tjerë, si dhe komunistë, të cilët në vitin 1975 përfshihen në Qarkoren e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës mbi heqjen e librave nga qarkullimi. Ky vendim i përcillet gjithë ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, bibliotekave dhe ndërmarrjes së librit.

Është koha ku vendi përballej me një izolim të paparë ndërkombëtar e "grupet armiqësore" në vend do të ndiqnin njëri-tjetrin. Radhën e ka "grupi armiqësor" në kulturë, ku drejtues të kësaj fushe e krijues të njohur si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi etj., do të përfundonin në pranga e do të dënoheshin gjithashtu me burgime të gjata. Ndërsa Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, shënon një ndëshkim masiv jo vetëm ndaj tendencave bashkëkohore në muzikë e art, por dhe ndaj krijuesve e interpretuesve më në zë të fushave të ndryshme të artit në vend



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora