Mendime
Eshref Ymeri: Rama dhe Basha po tallen me mbarë popullin shqiptar
E hene, 04.01.2021, 10:44 AM
Dy fjalë pas leximit të një analize
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 02 janar,
lexova esenë-analizë redaksionale, me titull: “A
mundet që demokratët të rimarrin shpirtin e shumëpritur?”.
Analiza interesante, e parashtruar në këtë ese, më
shërbeu si nxitje për të thënë dy fjalë.
Së pari,
dëshiroj të theksoj se në jetëshkrimin e Lulzim Bashës ka një njollë të errët
që nuk shlyhet kurrë. E kam fjalën për takimin e fshehtë misterioz të tij me
Ramën natën, duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017. Pas atij takimi enigmatik,
Lulzim Basha nuk mund t’i thoshte asgjë anëtarësisë së partisë demokratike dhe
aq më pak opinionit publik, sepse e tillë është natyra e takimeve të fshehta të
politikanëve të pushtetit me opozitën: ato mbeten gjithmonë sekrete, sepse
dihet mirë që takime të tilla të përfaqësuesit të opozitës me përfaqësuesin e
pushtetit, fshehin në vetvete pabesinë e tij ndaj
militantëve që ai përfaqëson.
Rezultati i atij takimi të fshehtë ishte katastrofik për
partinë demokratike në zgjedhjet e qershorit, në të cilat ajo humbi mbi 200 mijë vota. Lulzim Basha le
ta vazhdojë karrierën në krye të partisë dhe anëtarësia e saj le të vazhdojë
t’i bëjë hosana, pa qenë në gjendje ta kuptojë që kryetari është mik i fshehtë
i Ramës, gjë që është me rrezik të madh për autoritetin e asaj partie. Sepse
ajo anëtarësi duhet të jetë e vetëdijshme për faktin që, pas kryediktatorit
Enver Hoxha, i cili e shkatërroi personalitetin e shqiptarit me përçarjen
tragjike që mbolli për gati gjysmë shekulli me luftën e përbindshme të klasave
dhe zhdukjen e përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar, çka u kurorëzua me
varfërinë tragjike të viteve ’80, faqja më e zezë kjo në karrierën e tij
politike dhe në historinë e kombit shqiptar, edhe Rama është një tjetër faqe e
zezë në historinë tonë kombëtare për politikën varfëruese që ka ndjekur gjatë
gjithë këtyre viteve, çka solli si pasojë emigrimin masiv të njerëzve, numri i
të cilëve e ka kaluar shifrën mbi gjysmë milioni.
Së dyti, militantët
demokratë, në zgjedhjet e 25 prillit, le të votojnë për Lulzim Bashën, por të
mos harrojnë se kryetari i tyre e ka të përhershme aleancën e nëndheshme me
Ramën për ndarjen e kohës së qëndrimit në pushtet herë njëri dhe herë tjetri,
sipas radhës.
Së treti, militantët
e varfër socialistë le të vazhdojnë të votojnë për Ramën, por të mos harrojnë
se kryetari i tyre udhëhiqet nga psikologjia e kryediktatorit Enver Hoxha,
sipas të cilit, sa më i varfër të jetë populli, aq më shumë të do, se të shikon
në dritë të syrit për kafshatën e gojës. Dhe militantët e varfër socialistë, me
bindjet e tyre të verbra, nuk kanë as ndryshimin më të vogël nga militantët e
kryediktatorit Enver Hoxha, sepse janë pajtuar kokë e këmbë me varfërinë, e
cila u është bërë pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Së katërti, edhe
Rama, edhe Basha po tallen me militantët e tyre dhe me mbarë popullin shqiptar,
duke luajtur komedinë e shpifur për të ashtuquajturën Reformë në drejtësi, për
të cilën jam shprehur pesë vjet më parë, duke theksuar se me atë reformë do të
mbarset mali dhe do të pjellë një mi. Sepse Reformën në drejtësi mund ta
kryejnë vetëm ata politikanë të rinj të pakorruptuar, që, nëse do të ishte e
mundur, të dilnin nga gjiri i inteligjencies me vetëdije të lartë kombëtare, ta
fillonin reformën që nga politikanët e korruptuar veteranë dhe oligargët rreth
tyre, t’ua sekuestronin të gjitha pasuritë e paligjshme dhe mandej ta vazhdonin
nga krerët e strukturave të larta të drejtësisë dhe të zbrisnin deri poshtë, te
gjykatësit dhe prokurorët. Por në Shqipëri nuk ka inteligjencie me vetëdije të
lartë kombëtare, se inteligjencia ekzistuese është e vdekur dhe e pakallur.
Prandaj edhe Rama me Bashën vazhdojnë komedinë me të ashtuquajturën Reformë në
drejtësi, sipas këshillave të ambasadorëve të huaj, të cilët në Shqipëri, si në
një vend pa zot, kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh.
Së pesti, militantët
e varfër socialistë le të votojnë për Edi Ramën, por të mos harrojnë se
kryetari i tyre po ndjek me besnikëri rrugën e kryediktatorit Enver Hoxha në
marrëdhëniet me serbosllavizmin, çka është një tradhti e hapur ndaj Kosovës.
Dëshmia më e pastër është flirtimi i tij me kriminelin Aleksandër Vuçiç për ndarjen e Kosovës dhe
krijimi i të ashtuquajturit minishengen, i cili s’është gjë tjetër, veçse
rikrijim i Jugosllavisë, siç e ka pranuar publikisht vetë Vuçiçi. Qëndrimi i
Ramës ndaj Kryetares së Parlamentit dhe Presidentes në detyrë Vjosa Osmani
gjatë vizitës së saj në Tiranë, dëshmoi më së miri edhe një herë se ai e
turpëroi keq atdheun amë dhe është faqja më e zezë në historinë e kombit
shqiptar. Qëndrimi tradhtar i Ramës ndaj Kosovës të kujton qëndrimin e kryetradhtarit Enver Hoxha në Konferencën e
Paqes në Paris në vitin 1946, ku i deklaroi shefit të misionit amerikan Jakobs
se ndaj mikeshës së vetë, Jugosllavisë, s’kishte pretendime për Kosovën. Edhe
Rama, për qëndrimin e turpshëm që mbajti ndaj Zonjës së Nderuar Vjosa Osmani,
sipas të gjitha gjasave, ka marrë porosi nga Beogradi të sillej në atë mënyrë,
ashtu sikurse kryeargati i serbosllavizmit Enver Hoxha merrte udhëzime prej
andej për të pushkatuar krerët e katolicizmit, përfaqësues të shquar të
nacionalizmit shqiptar.
Së gjashti, askush,
deri tani, nga krerët e militantëve socialistë dhe demokratë, as nuk e ka
shkuar ndonjëherë nëpër mend që Shqipëria, si atdheu amë, të ngrejë padi kundër
Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e rënda dhe
shkatërrimet që kreu në Kosovë dhe të kërkojë nga ajo Gjykatë të paguajë
dëmshpërblimin përkatës, i cili, siç ka theksuar Ramush Haradinaj, arrin në 22
miliardë euro.
Së shtati, militantët
socialistë dhe demokratë me vetëdije kombëtare, duke ndjekur me vëmendje
veprimtarinë e këtyre dy formacioneve politike gjatë këtyre tridhjetë vjetëve,
le të binden përfundimisht se lëvizja dhjetoriste nuk ishte gjë tjetër, veçse
një komedi e bukur për t'i hedhur hi syve popullit të shumëvuajtur nën
diktaturën kriminale enveriste, sikur komunizmi gjoja u përmbys. Në të vërtetë,
komunizmi, sipas platformës së Ramiz Alisë, të shpalosur në mbledhjen e Byrosë
politike të nëntorit të vitit 1989, ndërroi vetëm fasadën nga komunizëm në
neokomunizëm, duke sjellë edhe ca ndryshime me ekonominë e tregut, pluralizmin
politik dhe lirinë e mendimit. Prandaj në atë fjalim-platformë, Ramiz Alia
deklaroi:
“Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të
krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi
këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga Ne. Programet
e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë Ne” (Citohet
sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz
Alisë në vitin 1989”. Faqja e internetit e
gazetës “Mapo”. 22 korrik 2018).
Pikërisht në përputhje me këtë orientim të pasardhësit të
kryediktatorit, komunizmi, si diktatura më e egër në historinë e kombit
shqiptar, nuk u dënua kurrë me ndonjë vendim të posaçëm të Kuvendit të
Republikës së Shqipërisë dhe kryekrimineli
Enver Hoxha vazhdon të mbajë ende medaljen më të lartë të kohës -
titullin e heroit të popullit.
Së fundi,
militantët e varfër socialistë dhe demokratë me vetëdije kombëtare, a nuk
mendojnë se do të ishte shumë mirë sikur t’i bojkotonin fare zgjedhjet e 25
prillit, për t’u dhënë një mësim të mirë të dyja formacioneve politike
komediane, që të shmangen nga skena politike dhe të krijohet mundësia që të
shfaqen aty personalitete të pakorruptuara, si Vjosa dhe Albini, të cilët, në
programin e tyre qeverisës, ashtu si edhe qeveria Kurti në Kosovë, të
përfshijnë dy pika të rëndësishme - sekuestrimin e të gjitha kapitaleve të
paligjshme të politikanëve, të oligarkëve politikë dhe të gjyqtarëve e
prokurorëve, të pasuruar me djersën e popullit, dhe të ngrejnë padi kundër
Serbisë për krimet dhe shkatërrimet në Kosovë.
Këto dy formacione politike duhet të shmangen nga
pushteti për disa vjet, në mënyrë që partia socialiste të themelohet, se 12
qershori i vitit 1991 nuk është datë themelimi, është thjesht data e ndërrimit
të emrit nga parti e punës në parti socialiste. Pra, ajo është vazhduesja
besnike e partisë së punës. Se formimi psikologjik i anëtarësisë së saj nuk ka
as ndyshimin më të vogël nga formimi psikologjik i enveristëve të partisë së
punës. Kjo është edhe arsyeja që Rama, ashtu si edhe kryediktatori Hoxha,
partinë e ka vënë nën këmbë, e shkel me këmbë si t’i dojë dhe sa herë t’i dojë
qejfi, se vetëm veten e tij e konsideron me imunitet të padiskutueshëm, kurse
të tjerët rreth dhe poshtë vetes i konsideron lëndë inerte, që mund t’i hedhë
poshtë kur të dojë. Me këtë qëndrim fyes ndaj partisë së vet, Rama dëshmon se
vuan tmerrësisht nga kompleksi i inferioritetit. Pikërisht si kryediktatori
Hoxha, i cili ishte askushi, siç e pati vlerësuar Mustafa Kaçaçi, dhe një ditë
të bukur u gjend në krye të partisë komuniste. Edhe Rama, nga njeriu askush që
flinte nëpër metrotë e Parisit, një ditë të bukur, për fajin e pafalshëm të
Fatos Nanos (i cili, në vitin 2001, në Pezë, pati deklaruar: “...e nxora nga mjerimi si refugjat dhe shitës ikonash të
vjedhura... dhe e ktheva me thonj të paprerë nga Parisi...”), u
gjend në postin e ministrit të kulturës, të kryetarit të bashkisë, të kryetarit
të partisë dhe, në fund, të kryetarit të qeverisë.
Në dallim nga partia socialiste, e cila, siç u theksua më
lart, duhet të themelohet, partia demokratike duhet të rithemelohet, sepse ajo
sot nuk ka kurrfarë vetvetësie (identiteti). Nëse një herë e një kohë, kur në
krye të saj ishte prof.dr. Sali Berisha, ajo kishte vetvetësi dhe gëzonte
përkrahje në një masë të gjerë në radhët e elektoratit, pas muajit maj të vitit
2017 ajo është zhveshur pothuajse tërësisht nga personaliteti politik dhe
prandaj nuk e gëzon më atë përkrahje nga ana e atij elektorati.
Militantët e të dyja formacioneve politike ndoshta po
mendojnë se unë shikoj ëndrra në diell. Megjithatë, pasi lexova analizën e
lartpërmendur, e quajta për detyrë atdhetare t’i shpreh dy fjalë që thashë më
lart. Militantët e varfër të të dyja formacioneve politike, të cilët përbëjnë
shumicën dërrmuese të popullit shqiptar, le të veprojnë si të duan. Nëse kanë
dëshirë, le të shkojnë të votojnë se varfërinë aty do ta kenë, “mikeshë” të
përhershme në tryezat e tyre, me të cilën janë mësuar dhe nuk ndahen dot prej
saj.
Ventura, Kaliforni
04 janar 2021