Mendime
Adil Fetahu: Roman kriminalistik origjinal
E shtune, 02.01.2021, 09:14 PM
ROMAN KRIMINALISTIK ORIGJINAL (KOSOVAR)
(Ibrahim Kadriu: “Vdekja e Anilës”, botoi
KOHA, Prishtinë, 2020; 173 fq.)
Nga Adil
FETAHU
Titulli i këtij vështrimi për romanin “Vdekja e Anilës” nuk është i
rastësishëm dhe pa qëllim. Sepse në letërsinë shqipe në të Dardanisë (Kosovës),
romane origjinale të zhanrit të kriminalistikës
janë të paktë, sado që raste të krimeve dhe tema për romane të tilla ka
pasur me shumicë, sidomos aso të kryera
ose të nxitura nga pushteti okupues i Serbisë. Një roman i tillë është
ky i shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriu - “Vdekja e Anilës”.
Fabula e romanit, e shtjelluar me mjeshtri artistike është si vijon:
Sigurimi i brendshëm i shtetit serb, përdorte metoda e mënyra të ndryshme për
të krijuar pretekste e situata për të terrorizuar, ndjekur, rrahur, burgosur e vrarë shqiptarët,
madje edhe nxënës të shkollave të mesme e studentë të fakulteteve. Për arritjen
e qëllimeve të veta, organet e shtetit serb gjenin bashkëpunëtorë-spiunë edhe
në mesin e shqiptarëve të mashtruar. Një
ndër ta ishte Gani Shyti, maturant i një shkolle të qytetit. Sipas porosisë së
organeve të sigurimit, Ganiu u jepte shokëve dhe shoqeve të klasës e të
shkollës libra nga ato të ndaluarat për t’u lexuar, i lajmëronte organet e
policisë dhe ata pastaj i arrestonin,
maltretonin e dënonin “fajtorët”. Gani Shyti, si “patriot dhe trim”,
organizonte protesta “kundër” regjimit që kishte arrestuar nxënësit. Në
protesta merrnin pjesë shumë qytetarë, e në to folësi kryesor ishte kush tjetër pos spiunit të atij
regjimi. Ganiu ishte zhytur aq thellë në spiunim, sa që edhe vëllaun e vet
(Dautin) e kishte spiunuar, se ka një automatik të fshehur nën dërrasa të
kulmit të dyerëve të oborit. Për punën e spiunimit, Ganiu paguhej nga Sigurimi.
Bile, kur e spiunoi vëllain e vet, i kishin thënë se do t’ia rrisin
shpërblimin, ngase është bërë aq i besueshëm ndaj shtetit sa që edhe vëllain e
spiunon. Me paratë që merrte, Ganiu vishej e kapërdisej si askush tjetër në shkollën e tij, ndërsa me fjalimet
e zjarrta që fliste “kundër” organeve të sigurimit, kishte fituar simpatinë jo
vetëm të nxënësve të shkollës, por edhe të shumicës së popullsisë së
qytetit, ndonëse kishte edhe prej atyre
që dyshonin në te. Si më të shquarin në
kapërdisjen e tij, e simpatizonin edhe vajzat e shkollës. Njërës nga vajzat më të bukura dhe nxënëse-maturante
e shkëlqyer, e cila nuk interesuohej shumë për Ganiun, ia kishte dhënë librin e Hamit Kokallarit: “Kosova
djep i shqiptarizmës” dhe policia e informuar për këtë, ia kishte
gjetur librin në çantë dhe e kishte arrestuar. Ganiu e kishte përcjellur pas
lirimit nga policia dhe i kishte premtuar se nuk do të kishte pasoja dhe se
kishte edhe një kopje tjetër të librit që ia kishte marrë policia, por për këtë ai kërkonte prej Anilës të shoqëroheshin e
shetisnin bashkë. Anila nuk ishte këthyer në shtëpi 3-4 ditë. Prindët e kishin
shpallur të zhdukur.
Endrit Potoku e kishte parë një kufomë të zënë në rrënjët e shelnjës në
lum. E kishte nxjerrë prej lumit dhe i kishte vajtur mendja te shpallja e
vajzës së humbur. E thërret një njeri që po kalonte rrugës afër lumit, i thotë
ta ruajë kufomën sa të shkonte ta
lajmëronte familjen sipas adresës së
shpalljes, por edhe policinë. Obduksioni i kufomës tregonte se vdekja ishte nga
helmimi. Tash lindi dyshimi, a ishte vetëhelmim apo vdekje e dhunshme. Dyshohej se organet e sigurimit kishin dorë
në vrasjen (helmimin) e saj. Në varrimin e Anilës kishin marrë pjesë shumë
nxënës e qytetarë, ndërsa Ganiu kishte mbajtur një fjalim të zjarrtë dhe
emoionues. Në protestën e organizuar për
shkak të vdekjes së Anilës, kishin folur edhe tre të tjerë,, por fjalmi i
Ganiut ishte më emocnues dhe më i ashpër kundër organeve të brendshme. Kishte intervenua
policia, duke rrahur e ndjekur protetuesit, ndërsa Ganiun dhe tre folës tjerë i
kishte arrestur. Në lokalet e sigurimit Ganiun, “si më të rrezikshmin” e
veçojnë prej shokëve, ndërsa ata tre të tjerët, pas torturimit fizik, i lirojnë
të nesërmen të dërmuar, por Ganiun e
mbajnë edhe më tutje “në arrest”. Që ta bindin popullin se Ganiu ishte “i rrezikshëm për shtetin”, Sigurimi vendos
ta mbaj për një kohë larg syve të masës. Në ndërkohë, në adresë të shtëpisë së
Ganiut arrinë një letër anonime, prej një personi i cili e kishte parë Ganiun
ditën kur ishte përpjekur ta dhunonte Anilën dhe aktin e vrasjes me helm.
Vëllai i Ganiut, Dauti, me letrën anonime shkon te fqiu Nikolini, që ishte
inspektor i Sigurimit, i tregon për përmbajtjen dhe ia jep letrën atij.
Nikolini e informon shefin e Sigurimit për këtë. Identitetin e autorit të letrës anonime
(Sadri Grepci) e zbulojnë në bazë të ekspertizës së dorëshrimit. Sadriun e
shantazhojne me frikën se Ganiu mund ta vriste, prandaj i ofrojnë mbrojtje,
nëse pajtohet të bashkëpunojë me
Sigurimin.
Pas letrës anonime, Ganiut ia ndërrojnë identitetin dhe angazhojnë në punë
tjera, për të vepruar në emigracion, dhe
njëkohësisht e shpallin si person në kërkim, si kriiminel që e paska vrarë
Anilen. E qojnë në Beograd, në një kurs
pesëmujor për të mësuar gjuhën gjermane dhe shkathtësitë e veprimit konspirativ
në mesin e migrantëve shqiptarë, me
detyrë që të kryejë edhe atentate kundër njerëzve që i thotë
Sigurimi. Në Beograd i
bëjnë një operacion plastik për t’ia ndërruar pamjen e fytyrës dhe i japin pashaportë me
emër e mbiemër tjetër (Genc Plepi, i lindur më 28 nëntor 1978).
Pas lajmërimit prej disa barinjëve
se (në Pyllin e Shkozës) kishin parë një
grup i prej tetë vetash emigrantë ilegalë afganë, prej të cilëve njeni ishte i
vdekur, Sigurimi i kishte arrestuar të
gjallët, ndërsa të vdekurin e kishin çuar në obduksion, e kishin veshur me rrobat e Ganiut dhe kishin shpallur se Gani Shyti, i
arratisur nga burgu, paska vdekur në
mal, nga kafshimi dhe helmimi i gjarpërit. Bile, kishin thënë se ky i paska
kontrabanduar emigrantët afganë. “Vdekja
e tij” mbetet enigmë dhe temë për
thasheme, se Sigurimi vet e ka mbytur. Kur kishte dëgjuar nga radioja
për”vdekjen e vet” dhe për djegëjen e shtëpisë familjare, Ganiu ishte dëshpruar
shumë, ngase me identitetin e ndërruar kurrë më nuk do të mund të ishte Gani
Shtyi as të kthehej në vendlindje. Ishte
penduar për veprimet dhe krimin që kishte kryer, por tashmë ishte vonë.
Para se ta nisnin për Shtugart, e kishin inçizuar një deklartë të tij, me
identitetin e ri (Genc Plepi), kinse po
kërkohej nga policia për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Deklarata ishte
emituar disa herë në Radio-Zagrebi në gjuhën shqipe. Sipas porosisë së Sigurimit, në harkun kohor
prej një muaji duhej të kryente atentat dhe ta vriste Dren Deliun. Sipas
adresës së dhënë nga sigurimi, Ganiu (alias Genc Plepi) shkon në banesën e
Deliut, gjoja për një intervistë për gazetë. Duke dëgjuar tregimet e Deliut për
vuajtjet e tij dhe të burgosurve tjerë politikë në burgjet serbo-jugoslllave,
dhe duke krahasuar jetën dhe veprimet e veta me to, Ganiu (as.Genci) ndërron
mendjen, heqë dorë nga qëllimi i atentatorit, e nxjerrë revolen prej xhepi, e
venë në tavolinë dhe i tregon Dren Deliut rrugën e tij jetësore, qëllimin e
shkuarjes në Shtugart dhe shprehë pendiimin për gjithë çka ka bërë, por me që
nuk kishte mundësi të kthehej më në atdhe,
do të ikë e humbë sa më larg, ndoshta në Argjentinë. Drenit ia jep
librat që kishte me veti: “Sulm e lot” (të Dhimitër Pashkos) dhe “Kosova djepi
i Shqiptarizmës” (të Hamit Kokallarit) dhe disa të tjera që ishin të ndaluara,
të cilat ia kishte dhënë Sigurimi serb për t’i mashtruar emigrantët tanë në
Gjermani.
** *
Epilogu i romanit kriminalistik të Ibrahim Kadriut “Vdekja e Anilës”
përfundon në atë mënyrë që personazhi kryesor, Gani Shyti, vetëdijësohet dhe
pendohet për veprimet e tij kriminale të spiunimit dhe të vrasjes së shoqes së
klasës, veprime këto që ia kishin ndryshuar rrjedhën e jetës dhe të
identitetit personal, deri në atë
shkallë sa nuk i mbetej shteg të kthehej në vendlindjen e tij, por duhej të
degdisej sa ma larg, ku nuk e njeh askush.
Kriminalistika është një degë shkencore që studjon gjurmët, motivet dhe
provat e krimit; zbulimin dhe identifikimin e akterëve të krimeve dhe të gjitha
këto duke i lidhur me aspektet politike, sociale, ekonomike, psiqike e
psikologjike, duke identifikuar elementet: ku ka ndodhur ngjarja, kur është
kryer krimi, me çfarë mjetesh dhe si është kryer, kush është viktima e kush
kryesi dhe motivet e kryerjes së krimit. Lexuesi i vëmendshëm dhe që ka njohuri
të përgjithshme, lehtë mund t’i gjejë të gjitha këto karakteristika, aspekte
dhe elemente të kriminalistikës në romanin “Vdekja e Aniës”. Ky roman
nuk është ndonjë triler i rëndë për lexim, por lexuesin e lë “në terr” deri në
faqen e fundit, kur Gani Shyti vendos të bëjë kthesë pozitive nga veprimet e
tij kriminale, nuk kryen atentatin e porositur, por e porositë “viktimën” të
ruhej se është në rrezik, ndërsa angazhimin e vet prej spiuni, nuk e pagoi me
kokë, por shumë më keq: me humbjen e identitetit, atdheut dhe farefisit të vet.
Me narracionin e shtruar në këtë roman, autori Ibrahim Kadriu është
dëshmuar se njeh shumë mirë logjikën dhe psikologjinë, duke paraqitur
personazhe me karaktere diametralisht të ndryshme, madje edhe të vet vëllezërve
Gani e Daut Shyti, si dhe të një pjese të popullit që mashtrohej e ngazëllehej
nga “patriotizmi dhe trimëria” e Ganiut nga fjalimet e tij në protesta, dhe
pjesa tjetër që dyshonte në veprën e tij
dhe në konspiracionin e organeve të Sigurimit.
Në romanin “Vdekja e Anilës”, sikurse përgjithësisht në romanet
kriminalistike dhe detektive, shtjellimi ecën linearisht, duke përparuar deri
në aksionin e fundit dhe secila pjesë është një tendosje e pritjes se çka vjen
pas saj. Në të nuk ka monotoni. Tregimi zhvillohet në vetën e parë, të dytë dhe
të tretë; ka monologje dhe dialogje dhe nuk ka ndonjë digresion të gjatë.
Sikurse edhe në romanet tjera kriminalistike, viktima, në këtë rast Anila,
shërben vetëm për të zhvilluar aksionin e
zbulimit dhe nuk është më në fokus të lexuesit as të romanit. Fokusi në romanin
“Vdekja e Anilës “ është te
veprimi i Sigurimit të shtetit serb kundër shqiptarëve. Sekreti i vrasjes së Anilës zbulohet heret,
por enigma e fatit të vrasësit (Ganiut)
vazhdon deri në funt. Këtu rasti është individual, por në vete ngërthen
dramën kolektive të shqiptarëve. Përmes personazhit të Lorik Lozës, autori
paraqet dramën e rasteve të dhembshme që iu kanë ndodhur shqiptarëve nga
regjimi serb. Lorik Loza, një profesor i historisë, i burgosur politik, kur
informohet nga drejtori i burgut (të Zenicës), se i është djegur shtëpia, me gruan dhe vajzën brenda, që ishin
fjetur, çmendet nga tmerrimi dhe lirohet nga burgu e përcillet në vendlindje.
Nga gjësendet e shtëpisë, kishte gjetur një çadër (obrelë) të cilën e mbante
gjithnjë, qoftë diell ose shi. Ai
përcillte anash çdo protestë, e pas shpërndarjes së protestuesve mblidhte
këpucë, çanta e gjësende që kishin mbetur nga protesta. Në një çantë kishte
gjetur fotografinë e një vajze, dhe mendonte se ajo është fotografia e vajzës
së tij, Greta.
Për më tepër, lexonie vet romanin e Ibrahim Kadriut, “Vdekja e Anilës”
dhe do bindeni në mprehtësinë e penës së autorit edhe në këtë zhanër të lertësisë, krahas më
se 60 veprave tjera letrare të gjinive dhe zhanreve të ndryshme të botuara deri
më tash, prej të cilave 27 romane.