Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual
E merkure, 23.12.2020, 09:48 PM
Askush më shumë sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual
Nga Gani
Mehmetaj
Student
i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare, “Çeta e Profetënve” të
Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe interesimi i tij
fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të njohur çek, po
ashtu shkrimtar. Për disa muaj e pushtoi botën demokratike me guximin,
mençurinë e maturinë që nuk e pati asnjë intelektual tjetër.
Formimi
i LDK-së u bë më 23 dhjetor të vitit 1989 në objektin e “Kosovafilmit”, i cili
iu dha në qeverisje Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Ka
shumë spekulime për propozimet për kryetar të LDK-së, ka edhe të vërteta në
disa libra për këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit të demokracisë e
pavarësimit të Kosovës. Nuk më kujtohet saktësisht kush ishte për Rugovën e
kush për Qosjen, nuk e di as pse u dha emri i Qosjes, kur gjatë gjithë kohës
nuk u lakua fare emri i tij, të gjithë e patëm parasysh Rugovën që nga fillimet
e para.
Buxhovi
tha se Qosja nuk e pranoi kandidaturën, ashtu sikurse prapë një grup më vonë e
propozoi për kryeministër të Kosovës, kurse ai e shmangu, duke e propozuar
Mahmut Bakallin në vend të tij. Megjithatë, më bëhej se propozimi i
kundërkandidatit të Ibrahim Rugovës qe lojë e “pluralizmit politik”, sepse
askush nuk e mendoi seriozisht R. Qosjen kryetar të LDK-së. Por një gjë dihet fare mirë: askush më shumë
sesa Ibrahim Rugova nuk u shqua për guxim intelektual, me deklarata e
intervista për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, për krimet që po i bënte shteti jugosllav.
Ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, intervistat e tij në
mediet perëndimore përfliteshin pastaj nëpër kuluare, bënë jehonë të madhe në
Jugosllavi, kurse shtypin e Beogradit e nxitën të shkumëzonte kundër tij. Fjala i dëgjohej e lexohej edhe në opinionin
europerëndimor. Student i Parisit, me rrënjë të thella në traditën shqiptare,
“Çeta e Profetënve” të Pjetër Bogdanit, një rilindësi shqiptar e evropian qe
interesimi i tij fondamental. Ai ndiqte modelin e Vaclav Havelit, disidentit të
njohur çek, po ashtu shkrimtar. Për disa muaj e pushtoi botën demokratike me
guximin, mençurinë e maturinë që nuk e pati asnjë intelektual tjetër.
Më
kujtohet situata e nderë, derisa shëtisnim në mbrëmje me një grup gazetarësh të
rubrikës së kulturës, erdhi Ibrahim Rugova dhe na u bashkua. Vazhduam tutje të
ecnin në korzo, u ulëm në kafen para
teatrit, ndërsa ai na tregoi se posa ia dha një intervistë televizionit
francez, jashtë Prishtinës. Që t’i shmangej përcjelljes së shërbimit sekret
serb, ekipi i rryer francez e futën në kombin e tyre duke e dërguar nëpër
rrugica, për t’i ikur ndjekjes. Dhe
prapë e sollën afër sheshit kryesor për siguri. Na tregoi se që të mos
përsëritej (disa javë më parë foli për të njëjtin televizion), ua propozoi për
freskim Rexhep Qosjen, por ata i treguan se Qosja nuk pranoi të fliste.
Ishte
e kuptueshme, secili ruhej në atë kohë kritike.
Shumica
prej nesh prisnim që do ta arrestonin Rugovën, sepse ata kishin arrestuar
njerëz edhe më me pak “mëkate”, mirëpo guximi i tij për të shpërthyer bllokadën
informative në televizionet perëndimore, duke dalë në kreun e emisioneve
televizive me emër, iu bë engjëll mbrojtës. Ambasadori amerikan u bë engjëlli
tjetër mbrojtës edhe më i fuqishëm. Kështu, derisa ne shkonim disa dhjetëra
hapa prapa, ambasadori amerikan e Rugova ecnin para nëpër gjysmën e
kryeqytetit. Ecja publike e njeriut të shtetit më të fuqishëm të botës me
Rugovën kishte një domethënie për policinë e shërbimin sekret serb. Sigurisht
edhe njerëz të shërbimit të fshehtë jugosllav i shkonin pas, ose anash, ndërsa
ne nuk i vërenim.
Prandaj,
nuk mendoj se propozimi i Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-së, ishte rastësi.
Asnjë situatë a ngjarje e asaj kohe nuk ishte rastësi, gjërat diku
koordinoheshin, kurse ne kush më shumë e kush më pak ishim figurantë të
situatave e të veprimeve.
Fati
ynë u gjendëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Shkonim rrjedhave të
lumit të rrëmbyeshëm që na shpinte në detin e qetë, ku synonim. Por të gjithë
ishim të vetëdijshëm se mund të ngelnim diku thepave të shkëmbinjve nëntokësorë
apo të mbyteshim.
Formimi
i LDK-së u bë jo pse fryu erë demokratike, sikurse në shtetet tjera socialiste
të Lindjes, përkundrazi sa më shumë lëshonin pe në Bashkimin Sovjetik, Poloni, Hungari e Çekosllovaki, aq më shumë i
shtrëngonin darët në Jugosllavi. Formimi i LDK-së u bë sepse na u dhanë disa
sinjale nga jashtë, elita intelektuale reagoi në kohën e duhur, popullata na
mbështeti pa rezerva, ishim të gatshëm të sakrifikonim etj.
Në
Kosovën e gjendjes së jashtëzakonshme kërkohej rrugë tjetër për të shpëtuar nga
shtjella e vrimës së zezë. Paralelisht me vënien e masave të dhunshme në
shumicën e institucioneve, u shkarkuan pjesa e madhe e zyrtarëve të lartë të
Kosovës jo pse nuk punuan me zell për neutralizimin e rezistencës, por sepse në
Komitetin Qendror të Serbisë e në shërbimin sekret jugosllav ishin të pakënaqur
me punën e tyre, ata e shuan me gjak e me tanke autonominë, nuk u duhej më
demagogjia e parullave të vëllazërim-bashkimit.
Në
këto rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, akti i konstituimit të partisë së
parë shqiptare në ish-Jugosllavi, u bë në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve
të Kosovës, ku më shumë sesa entuziazëm të frenuar, mbretëronte atmosferë
tensioni, me tym duhani, me pak karrige e shumë njerëz, gjysma e të cilëve
rrinin në këmbë e në korridore. Sipas rregullave u tha se duhej lista prej 100
vetash, kështu që pos emrit tim, u nënshkrova për babanë, lejen e të cilit e
mora, pastaj e nënshkruam edhe djalin e xhaxhait, ndërsa dy vëllezërit më të
vjetër erdhën të nënshkruheshin personalisht. Disa emra të njohur publikë e
pëlqyen rahatinë e shtëpisë në vend se t’u ekspozoheshin rreziqeve, megjithëse
disa prej tyre i thirra personalisht. Më inkurajoi ardhja e shumë njerëzve.