Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Si sot, para 331 vjetëve, ka vdekë patriarku Pjetër Bogdani
E diele, 06.12.2020, 09:44 PM
Ndue Ukaj:
Si
sot, para 331 vjetëve, ka vdekë patriarku Pjetër Bogdani, ipeshkv, strateg
ushtarak e shkrimtar i madh, që luftoi me dije e pushkë "që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut
të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, duke u lartësuar nga
urtësia."
Siç
thotë Eqrem Çabej "poetit si një prijës shpirtëror i ka rënë këtu
zakonisht dhe barra e apostullt nacional, atij këtu i është dashur shpeshherë
të ndërrojë pendën me pushkën".
Bogdani,
siç ka shkruar Rugova "ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara
dhe më të bukura në poezinë shqip", por në momente dramatike për kombin, e
la pendën dhe lidhi aleanca me perëndimin për t' i çliruar tokat e robëruara
arbnore.
E
të njëjtën rrugë, pas tre shekujsh e ndoqi edhe Rugova. Në të vërtetë, Bogdani
u bë prijës shpirtëror i Ibrahim Rugovës, ndaj pa e njohur këtë lidhje
kulturore, nuk mund ta njohim Rugovën, e as mendimin e tij politik dhe
kulturor.
Bogdani
jetoi dhe veproi në një periudhë dramatike për kombin shqiptar, por me guxim të
pashoq u bë "ai qe nuk len këtë vend te bahet turk"- thoshin
sundimtarët osmanë të kohës.
Bogdani
vdiq i sëmur nga murtaja, pas një përpjekje të jashtëzakonshme për t' i çliruar
tokat e Arbnit nga sundimi osman; sundim që, siç shkruante ai, dvarte dije e
kulturë, e ku mbretëronte barbaria.
E
pas vdekjes së tij, siç njoftoi nipi i tij, Gjergj Bogdani, turqit trupin e tij
e nxorën nga varri dhe ua hedhën qeneve në mes të piacës së Prishtinës.
Ky
fund kaq tragjik i jetës së tij është fundi tragjik edhe njërës prej
përpjekjeve më sublime të shqiptarëve për t'i shkëputë prangat e robërisë dhe
të prapambeturisë osmane.
Bogdani,
duke jetuar në një kohë shumë të zymtë për popullin e tij, u mishërua dhe u
njësua me fatin e popullt të tij, dhe me
forcën e dijes e të guximit, arriti të ndizte një dritë shprese për arbnit e
plandosur në mjerim.
Shkrimtari
i madh shqiptar, Ismail Kadare, te novela “Raporti i fshehtë” ka shkruar për
fenomenin e mungesës së varrit të Gjergj Kastriotit dhe ka tërhequr një
paralele shumë domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe
mungesës së varrit të Jezu Krishtit. Dhe për të përforcuar idenë e novelës, ai
shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”
Në
të vërtetë, një shenjtëri të tillë, në një variant tjetër, e dëshmon jeta dhe
vepra madhore e Bogdanit, trupi i të cilit u shëmtua dhe iu hodh për ushqim
qeneve, por u mishërua si frymë e ide në ndërgjegjen kulturore e kombëtare të
pasardhësve të tij, që Çetën e tij, si libër e mision, e morën dhe e përcollën
brez pas brezi, si një shandan drite e shprese.