E diele, 10.11.2024, 05:56 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Një arsye specifike pse në Shqipëri dhe Kosovë duhet reformuar sistemi politik?!

E marte, 24.11.2020, 07:59 PM


Një arsye specifike pse në Shqipëri dhe Kosovë duhet reformuar sistemi politik?!

Nga Enver Bytyçi

Përvoja 30 vjeçare e zhvillimeve post-diktaturë në Shqipëri , si dhe përvoja e këtyre 15 viteve të fundit të qeverisjes në Kosovë pas çlirimit të saj nga Serbia na sinjalizojnë se sistemi i tanishëm i qeverisjes është i dështuar. Le të sqarohemi: -  Nuk është i dështuar për shkak se mekanizmat e sistemit parlamentar të qeverisjes nuk funksionojnë. Por për shkak se në elitat politike të të dy vendeve ende gjenden njerëz të papërgjegjshëm, pa kurrëfarë sentimenti për interesat e kombit e të atdheut, e për pasojë kur kjo elitë e sundon sistemin parlamentar, e deformon atë deri në kufijtë e tradhtisë kombëtare!

Parlamentarizmi ka shërbyer shpesh herë për të krijuar një sundues autoritar. Dhe ajo çfarë e komplikon më tepër situatën në të dy shtetet përkatëse, ka të bëjë me faktin se secila palë kopjon palën tjetër kur është fjala për të shtuar përpjekjet për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht e me çdo mjet anti-demokratik. Rendja pas pushtetit personal dhe jetëgjatësisë në qeverisje i shtyn udhëheqësit tanë të sotëm jo vetëm të sillen si feudalë me taksat e qytetarëve, por edhe të kalkulojnë ide, koncepte, projekte dhe akte anti-kombëtare, deri te cënimi i territorit të vendit! Inciativat personale të Hashim Thaçit e të Edi Ramës për ndarjen e Kosovës, si dhe imponimi personal i kryeministrit të Shqipërisë për të lejuar Greqinë të zgjerohet në detin shqiptar të Jonit, janë dy shembuj klasikë, të cilët dëshmojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për një qeverisje me mekanizma bllokues.

Cilat do të ishin zgjidhjet? Besoj se janë dy mënyra:

Së pari, duke ruajtur formën republikane parlamentare dhe duke krijuar një senat me politikanë  karriere, të cilët të kenë mundësi dhe të drejtën e bllokimit të vendimmarrjes së autoriteteve të ekzeuktivit. Opozita në Shqipëri ka bërë para një viti propozimin për krijimin e dy dhomave të legjislativit; parlamentin dhe senatin, secili përkatësisht me 100 dhe 40 vende. Kjo zgjidhje është ndoshta më e duhura, me qëllim që të bllokohen dhe mos kalojnë ligje anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare në parlamentin e sunduar prej një partie politike, që do të thotë prej një personi, lideri përkatës të asaj partie.

Por kjo nuk do të mjaftonte. Do të duhej që parlamenti dhe senati të zgjidheshin përmes një sistemi mazhoritar, jo nën diktatin e kryetarëve të partive politike të mëdha ose të vogla qofshin ato. Kjo pamundëson autoritetin personal të kryetarit të partisë, i cili do të kryesonte dhe mazhorancën. Kjo do të rriste autoritetin dhe oponencën e legjislativit përballë arrogancës së kreut të mazhorancës. Mbi të gjitha kjo masë nuk do të lejonte që një i marrë në krye të ekzekutivit të adaptonte politika antikombëtare, deri te cënimi i territorit të vendit ose të formave të tjera. Në dallim nga të gjitha vendet e tjera, ku mungojnë liderët "armiq të vendit të tyre", në Shqipëri dhe në Kosovë kjo dukuri shfaqet gjithnjë e në mënyrë të përsëritur.

Shumë herë fajësojmë Serbinë, Rusinë e në raste tjera Greqinë e ndonjë vend tjetër për interferenca të korruptimit dhe kompromentimit të liderëve politikë shqiptarë. E vërteta është se, në dallim nga popujt e tjerë, ne shqiptarët kemi prodhuar dhe vazhdojmë të prodhojmë më shumë politikanë që "shiten e blihen", sipas parimit të Çubrilloviçit: "Jepu një kockë politikanëve shqiptarë dhe ata të shërbejnë pa kushte"!

Së dyti, nëse nuk mund të arrihet që ndarja dhe balancimi i pushteteve të realizohet në formën e mësipërme, atëherë do të kishte nevojë që të adaptohej modeli francez i qeverisjes. Sipas modelit francez, presidenti dhe qeveria kanë të njëjtat kompetenca në lidhje me ligjet e qeverisjes. P.sh një projekt-ligj kërkon firmën dhe kudra-firmën e presidentit e të kryeministrit të vendit. Që këtu nis nevoja për bashkëpunim, edhe në kushtet kur presidenti i përket p.sh të djathtës dhe qeveria të majtës. Ky tipar i jep qeverisjes në Francë modelin gjysëm-presidencial ose në frengjisht semi-presodencial, që do të thotë se presidenti dhe qeveria janë dy institucione ekzekutive, të cilat nuk mund të veprojnë pa njëri-tjetrin. Po të shtojmë edhe ndarjen e pushtetit legjislativ midis Asamblesë Kombëtare dhe Senatit, atëherë kuptojmë se çfarë domethënie merr modeli demokratik i qeverisjes përmes rritjes së bashkëpërgjegjësive ndaj saj.

Nëse arrihet ky model tek ne, në Shqipëri dhe në Kosovë, atëherë forcat dhe alternativat politike të të dy krahëve do të ishin të detyruara të bashkëpunojnë dhe vendimmarrja të bazohej në konsensusin e palëve. Përmes këtij mekanizmi ulen tensionet politike dhe ngushtohet mundësia për ta përçarë faktorin politik, për llogari të palëve të treta, qofshin këto qeveri apo qarqe që janë të interesuara për ta mbajtur Shqipërinë dhe Kosovën nën tensionin e grindjeve dhe konflikteve të vazhdueshme. Përmes kësaj formule demokracia bëhet më funksionale dhe vendi zhvillohet e integrohet më shpejt në strukturat euro-atlantike! Por elitat e korruptuara e të inkriminuara nuk mund ta bëjnë këtë transformim të sistemit tëqeverisjes!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora