Mendime
Bardhyl Mahmuti: Kush e kërkon kokën e Qëndrim Gashit?
E merkure, 21.10.2020, 08:44 PM
Kush e kërkon kokën e Qëndrim Gashit?
Nga
Bardhyl Mahmuti
Vrasja
mizore me prerje koke e Samuel Paty, profesor i lëndës histori-gjeografi në
kolegjin Le Bois d’Aulne të qytetit Conflans-Sainte-Honorine, në Francë,
tronditi opinionin publik ndërkombëtar. Arsye e vetme përse u vra ky profesor
lidhet me faktin se gjatë ligjërimit për temën rreth “kufizimeve të lirisë së
shprehjes” nxënësve u kishte treguar dy karikatura.
Karikatura
e parë e njohur nga filmi “Pafajësia e myslimanëve” (2012), i producentit me
origjinë egjiptiane Nakula Basele Nakula, paraqet një njeri të zhveshur, të
cilit i është vënë emri Muhamed dhe nga prapanica e tij “lind një yll”. Në atë
kohë kjo karikaturë shkaktoi trazira të mëdha në disa vende të botës, ndërkaq
në sulmin e 11 shtatorit 2012 në Bengazi të Libisë u vra disa persona në mesin
e të cilëve ishte ambasadori i SHBA-ve, J. Christopher Stevens, dhe funksionari
i kësaj ambasade,Sean Smith.
Ndërkaq
karikatura e dytë është publikuar në revistën satirike franceze “Charlie
Hebdo”, pas atentatit të 7 janarit 2015, të kryer nga terroristët islamikë
Sherif dhe Said Kuashi. Të rikujtojmë se gjatë sulmit terrorist në lokalet e
redaksisë së kësaj gazete u vranë njëmbëdhjetë persona, tetë prej të cilëve
ishin anëtarë të redaksisë së “Charlie Hebdo”. Në këtë karikaturë prezantohet
“Charlie Hebdo” si një njeri i vetëm, i cili deklaron: Tout est pardonë (çdo
gjë u është falur)!
Megjithëse
është e njohur se “Charlie Hebdo” satirizon të gjitha religjionet, ato u bënë
objekt sulmi nga fondamentalistët islamikë.
Në
qoftë se merret si fyerje karikatura e një personi të zhveshur me emrin
Muhamed, nga prapanica e të cilit “lind një yll” atëherë kjo karikaturë është shumë më tepër
një fyerje drejtuar të krishterëve dhe hebrenjve se sa myslimanëve.
Të
sqarojmë këtë aspekt të karikaturës.
Në
bazë të rrëfimeve biblike (Mateu, Kapitulli 2) lindja e Jezu Krishtit, që
konsiderohet Zot për të krishterët, u shoqërua me LINDJEN E NJË YLLI, që u
tregoi rrugën tre “mbretërve të urtë” që kishin ardhur për të shënuar këtë
ngjarje të jashtëzakonshme.
Për
t’i dhënë karakter universal kësaj lindjeje, në literaturën e mëvonshme të
Etërve të Kishës, “mbretërit e urtë” të Mateut u emëruan: Melhior, si
përfaqësues i Evropës, Gaspar si përfaqësues i Azisë dhe Baltazar, si
përfaqësues i Afrikës. (Në atë kohë nuk njiheshin kontinentet tjera, prandaj
mungojnë përfaqësuesit e Amerikës dhe Australisë) .
Sipas
po të njëjtit rrëfim, këta mbretër iu drejtuan Herodit, mbretit të atëhershëm
të hebrenjve, me këto fjalë: ''Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse
pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar'.
Të
interesuarit për këtë rrëfim mund të vazhdojnë të lexojnë interpretime të
ndryshme të kësaj ngjarjeje biblike. T’i kthehemi karikaturës në fjalë.
Nëse
gjykojmë me nocionet e “fyerjes” dhe “provokimit” të ndjenjave religjioze,
atëherë mund të themi pa asnjë ngurrim se nuk mund të ketë fyerje më të madhe
për të krishterët sesa aluzioni i lindjes së Krishtit, Zotit të tyre, nga
prapanica e një personi me emrin Muhamed. Megjithatë askush nga të krishterët
nuk nxiti fondamentalistët që kanë në gjirin e vet që t’ia presin kokën një
profesori që trajton rrezikun që i kanoset lirisë së shprehjes mendimeve, si
njërën nga vlerat themelore mbi të cilën funksionojnë shoqëritë euroatlantike.
Përpjekjet
për t’ua ndaluar qytetarëve të shoqërive demokratike perëndimore që të shprehin
lirshëm mendimet e tyre është një përpjekje e destinuar të dështojë në mënyrë
të turpshme. Ata që hoqën qafe diktatin e Vatikanit, nuk do të durojnë ithtarët
e ISIS-it apo talebanëve të Afganistanit t’ua përcaktojnë “temat legjitime” për
të cilat duhet të japin mendimet e tyre!
Ambasadori
i Republikës së Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi publikoi në Twiterin e tij një
shkrim që përshkruante kronologjinë e ngjarjeve që sollën deri te prerja e
kokës së një profesori francez. Në këtë publikim të tij nuk ka asnjë fjalë të
vetme të Qëndrim Gashit, që do të konsiderohej fyerje për dikë, siç nuk mund të
gjenden fjalë fyese as në shkrimin që ka shpërndarë. Nëse dikush mendon se
Qëndrim Gashi, apo kushdo qoftë tjetër, duhet të censurojë vetveten dhe
shkrimet e autorëve të tjerë para se t’i
publikojë në profilin e vet, atëherë kjo dëshmon se çfarë shoqërinë ëndërrojnë
të krijojnë talebët e kësaj provinience religjioze.
Fatwa
publike e Bashkësisë Islame të Kosovës kundër Qëndrim Gashit është e të njëjtës
natyrë nxitëse si e prindërit të njërit nga nxënësit e profesorit francez që iu
pre koka. Si e tillë, kjo Fatwa paraqet rrezik për integritetit fizik dhe moral
të Qëndrim Gashit dhe si e tillë ajo duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të
madhe nga institucionet e drejtësisë së shtetit të Kosovës. Heshtja përpara
kësaj nxitjeje që kërkon kokën e një njeriu dhe mosveprimi me masa
parandaluese, i bën bashkëpërgjegjës institucionet përkatëse të Republikës së
Kosovës.
P.S.
Në
kontekst ku nxitja e besimtarëve mund të ketë pasoja të paparashikueshme, një
bashkësi e mirëfilltë islame do të duhej të ulte tensionet dhe në këtë rast do
të citonte fjalët e Kuranit: “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e
Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj
njerëzve për të bërë padrejtësi” (Kuran, 5: 8, përkthimi i Hasan Nahi).