Mendime
Fran Gjoka: Mësuesja Leze Mataj sakrifikoi për të dhënë dije e kulturë
E merkure, 21.10.2020, 08:00 PM
HOMAZH
MËSUESJA LEZE MATAJ,
QË SAKRIFIKOI PËR 40
VJET PËR T’U DHËNË DIJE E KULTURË BREZAVE
Nga
Fran Gjoka
Kur
kërkon të mësosh dhe hulumtosh historinë e arsimit, befasohesh përpara edhe me
figura të njohura, që me përkushtim punuan dhe sakrifikuan dekada të tëra për
t’u dhënë dije e kulturë brezave. Kemi sot me mijëra breza arsimtarësh, që në
kushte të vështira ekonomike, përsëri u treguan krijues dhe origjinal në
zgjedhjen e çështjeve që nxirrte koha e vështirë e arsimit totalitar. Dëshmi e
brezave të mësuesve të moshuar janë gjurmët e pashlyera të arritjeve dhe punës
së tyre, janë brezat e aftë të nxënësve që kanë përgaditur. Ata kanë ditur të
punojnë me zell dhe dashuri me nxënësit, kanë ditur të futën natyrshëm në botën
e brendshme të vocrrakëve dhe të adoleshentëve, kanë ditur t’i mbajnë ata për
dore dhe të ecin bashkarisht në udhën e vështirë të dijes, duke i ndihmuar të
kuptojnë të fshtehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energji të
brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, qytetarisë, mirësisë
dhe dashurisë e humanizmit.
Këtu
del dukshëm përpara figura e mësueses të shumë dekadave në mësuesi, Leze Mataj,
ku krejt papritur u nda nga jeta, në moshën 66-vjeçare, nga të afërmit, miqtë,
shoqet dhe ish-nxënësit e saj. U lind në fshatin Tale të Bregut të Matës,
shkollën fillore dhe 8-vjeçare i mbaroi në fshatin e saj të lindjes. E rritur
në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me tradita
të shkëlqyera arsimdashëse. Prindërit e dërguan për mësuesi në shkollën
pedagogjike të Fierit. Pas përfundimit të arsimit të mesëm pedagogjik emërohet
mësuese në fshatin e saj të lindjes, fshat me tradita të shkëlqyera për nga
historia e me kontribut të veçantë me pavarësi e në çlirim kombëtar. Mësuesja e
re, me plot energji dhe forcë, idealiste në shpirt të zbriste nga qiejt e
fantazisë dhe të përballej me realietin e kohës së pushtetit totalitar. Ishin
vitet e para të mësuesisë dhe Lezja lumturohej kur ndiente respektin e
dashurinë e nxënësve e prindërve. Kaluan pak vite dhe shumë shpejt u njoh me
kolegun e saj të punës, mësuesin dhe drejtuesin e nderuar, Ndue Mataj. Pas një
njohje prej disa muajsh kurorëzuan me sukses martesën e tyre. Jeta
bashkëshortore e tyre po konsolidohej, duke u bërë kështu një çift dinjitoz,
plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Nga vendi i saj i lindjes, Tale,
transferohet në një fshat tjetër, Grykë-Manati, pak kilometra nga Lezha. Edhe
këtu, mësuesja e nderuar, shumë shpejt bëri emër të mirë dhe vazhdoi punën pa u
trembur me këmbëngulje dhe korrektësi, duke fituar shumë shpejt mbështetjen dhe
besimin e komunitetit prindëror. Pasioni rinor për punën nuk rreshti kurrë.
Shumë shpejt mësuese Lezja la gjurmë në mësuesi, pasionante, humane, kërkuese
për të mirën e fëmijëve. Gjithmonë duke ju kushtuar me përparësi mësimit dhe
edukimit të fëmijëve. Duke parë këto cilësi të saj, pushteti lokal nuk e lë
jashtë vëmendjes. Njohu dhe vlerësoi rezultatet dhe prej andej transferohet në
Shkollen e Mesme të Bashkuar Ishull-Lezhë. Këtu krijojnë familjen në mënyrë
dinjitoz e me plot vlera e virtyte njerëzore. Mësuesja Leze Mataj, për 40 vjet
dha shëndetin e jetën e saj për arsimin dhe shkollën. Secili mund të pyesë:-
Ç’pasuri la? Çfarë investimi bënë për afro gjysëm shekulli pune intensive në
arsim? Vendosi një gur themeli në arsimin lezhjan dhe më gjerë. Qindra nxënës u
mësuan dhe u edukuan nga duart e saj që ta duan njëri-tjetrin, familjen,
shoqërinë, atdheun. Ishin pikërisht këto breza nxënësish që u bënë më të mirë,
më të ditur, më të aftë për t’i shërbyer vetes dhe shoqërisë. Ishte dhe mbetet
një grua amvisë, një nënë dhe gjyshe e përkushtuar, bashkëshorte ideale. Gjatë
qëndrimit tim me disa ish-kolegë të sajë këto ditë homazhi përcjellës, të dukej
se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se mësuesja e tyre kishte bërë
ç’është e mundur të kryejë për 40 vjet detyrën e mësueses së vërtetë. Pa
kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar. Gjithçka
për fëmijët, rrezatoi kulturë e komunikim dhe me plot pasion u dha dije të
qëndrueshme brezave në vite. Kudo që punoi, prindërit, ish-kolegët e punës do
ta kujtojnë edukatoren e brezave si njeri i paqes, që me natyrën e saj të
qeshur nuk dinte kurrë të ofendonte, nuk krijoi kurrë probleme me kolegët e saj
të punës. Profesionin e mësuesisë e donte dhe e kishte shumë për zemër derisa
doli në pension. Në këtë mision përkushtimi, lodheje dhe sakrifice Lezja kishte
gjithmonë pëkrahjen dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe kolegut të saj,
mësuesin dhe drejtuesin e nderuar Ndue Mataj, i cili përpiqej të lehtësonte
sadopak barren e rëndë të angazhimeve në mësuesi. E natyrisht, nëpërmjet tyre,
përveçse një kontribut të përbashkët në arsim, u konsolidua edhe një jetë
bashkëshortore e admirueshme. Për më shumë se katër dekada, Lezja u fali
plejadave të tërë nxënësve të saj pasionin dhe zellin për dije e kulturë si dhe
përkushtimin jo vetëm si mësuese, por dhe si prind, duke u mësuar atyre
alfabetin dhe udhën e dijes dhe të prosperitetit. Për familjen, Lezja rriti dhe
edukoi tre fëmijë. Të gjithë të arsimuar, të ndershëm e punëtorë, qytetarë dhe
atdhetarë të mirë. Tani ajo nuk jeton më. E kujton me lotë mallëngjimi vajza e
saj, Enkeleda, lotë malli dhe dhimbje i shoqëron dy djemtë: Elvisin dhe
Everaldon, për humbjen e parakoshme të nënës së tyre, e kujtojnë nipat dhe
mbesat, motra dhe vëllezërit e saj, ish-nxënësit dhe mbarë opinion publik e
dashamirës i saj. Ndërrimi i jetës së saj papritur, tek të gjithë ata që e
njihnin dhe sidomos për familjen dhe të afërmit, ish-kolegët mësues, sollën
këto ditë një trazim të madh shpirti e keqardhje. Por emri dhe kotributi i saj
do të mbetën përjetësisht në memorien e njerëzve si një ndër emrat e nderuar
dhe të respektuar të mësuesisë lezhjane e më gjerë. Përjetësisht mirënjohje
misionares së arsimit!