Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Demokracia në kohë pandemie dhe majtizmi shqiptar
E merkure, 16.09.2020, 10:07 PM
DEMOKRACIA NË KOHË PANDEMIE DHE MAJTIZMI SHQIPTAR
Nga
Frank Shkreli
15
Shtatori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë me
një rezolutë të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për të
promovuar -- me thirrje dhe veprimtari -- mbështetjen dhe mbrojtjen e parimeve
dhe vlerave të demokracisë, anë e mbanë botës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënoi këtë ditë duke u bërë
thirrje udhëheqësve botërorë që të ndërtojnë një botë më të barabartë,
gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, me respekt të plotë për të drejtat e
njeriut.
Në
sfondin e pandemisë së koronavirusit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António
Guterres, në mesazhin e tij, nënvizoi rëndësinë e demokracisë si një mjet për
të siguruar përhapjen e lirë të informacionit, pjesëmarrjes në vendim-marrje
dhe llogaridhënie nga autoritetet, për masat që po merren kundër vitusit
COVID-19. “Ç’prej fillimit të
pandemisë”, theksoi Sekretari i Përgjithëshëm, “kemi venë re se masat
emergjente në luftën kundër virusit janë përdorur, në shumë vende, për të
kufizuar dhe për të penguar proceset demokratike dhe hapësirën e veprimtarisë
së lirë të qytetarëve. Kjo është, veçanërisht, e rrezikshme, në vendet ku
demokracia nuk ka hedhur ende rrenjë sa duhet dhe ku institucionet demokratike
janë ende të dobëta”, tha Guterres.
Edhe
para se të fillonte pandemia, ka nënvijuar ai, shqetësimet dhe moskënaqësitë
nga popujt, ndaj autoriteteve anë e mbanë botës, po shtoheshin dhe besimi tek
autoritetet publike po pakësohej gjithnjë e më shumë dhe kudo. Sot, theksoi, Guterres, shqetësimet dhe
mungesa e shpresës për një jetë më të mirë, sidomos nga pikëpamja ekonomike, po
shkaktojnë protesta dhe trazira shoqërore, anë e mbanë botës. “Është e qartë”,
përfundoi ai mesazhin e tij, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë se
“Sot, qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të dëgjuar ankesat e njerëzve që
kërkojnë ndryshime due që autoritetet të hapin kanale të reja dialogimi dhe
respekti për lirinë e papenguar për të protestuar, në mënyrë paqësore”.
Dita
Ndërkombëtare e Demokracisë është themeluar në 2007 nga Asambleja e
Përgjithshme e OKB-së e cila ka
rithekësuar edhe njëherë se demokracia është një vlerë universale e bazuar në
vullnetin e shprehur lirisht të popujve, për të përcaktuar sistemet e tyre
politike, ekonomike, sociale dhe kulturore që ata vet dëshirojnë dhe për të
vendosur mbi pjesëmarrjen e tyre të plotë, në të gjitha aspektet e jetës së
tyre.
Në
nder të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, edhe Shtetet e Bashkuara theksuan
qëndrimin e tyre në mbështetje të demokracive dhe vlerave demokratike.
Demokracia është ideal i njohur botërisht dhe respekton liritë, dinjitetin dhe
barazinë për çdo njeri. Sekretari
Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo, në mesazhin e tij kushtuar Ditës
Ndërkombëtare të Demokracisë me 15 Shtator, 2020 theksoi, ndër të tjera,
pikërisht, “Të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në proceset e
vetëqeverisjes demokratike. Demokracitë
kanë përgjegjësitë e veta para qytetarëve të tyre. Demokracitë respektojnë
sundimin e ligjit, mbrojnë jetën dhe pronën private dhe respektojnë liritë,
dinjitetin dhe barazinë për çdo person”, është shprehur kryediplomati amerikan,
me këtë rast.
“Demokracia
mbetet aspirata e njerëzve në të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron
të jetë i lirë. Që nga koha kur jemi fëmijë, ne instinktivisht pohojmë aftësinë
tonë për tu vetëqeverisur, për të marrë vendime që formojnë jetën tonë. Si qytetarë, ne e kuptojmë se duhet të jemi
të lirë që të angazhojmë edhe të tjerët në debate mbi mençurinë e vendimeve të
udhëheqësve politikë, të cilëve u besojmë pushtetin, për të mbrojtur jetën,
pronën dhe liritë tona. Dhe, si qenie njerëzore, ne e dimë që nuk mund ta
ndërtojmë demokracinë vetëm. Demokracitë janë bashkësi gjithëpërfshirëse të
individëve, të cilët janë të lirë të punojnë së bashku për të arritur qëllimet
e përbashkëta që ata kanë përcaktuar lirisht ashtuqë ato të, sepse liria
zhbllokon talentet dhe krijimtarinë e të gjithëve”, ka thenë Mike Pompeo.
Sot,
bota është prekur rëndë nga një prej krizave më të mëdha të shëndetit publik,
të kohërave moderne, ka nënvijuar ai, duke shtuar se “Demokracitë, qeveritë
autoritare dhe diktaturat po sfidohen njësoj nga pandemia e koronavirusit, por
vetëm demokracitë janë të lira të debatojnë hapur se si të përgjigjen ndaj
kësaj pandemie…Prioriteti i parë i regjimeve autoritare, nuk është shëndeti
publik”, tha ai, “por mbrojtja e pushtetit të tyre. Ata nuk pranojnë t'u
përgjigjen pyetjeve të vështira në lidhje me pandeminë. Autoritarët mbjellin dezinformim,
anashkalojnë grupet më të prekura, zgjërojnë masat e kontrollit dhe mbikëqyrjen
masive, ndërkohë që edhe pezullojnë shtetin e së drejtës. Njerëzit vuajnë kur drejtuesit e tyre janë
përgjegjës vetëm para vetes ose ndaj partive që ata kontrollojnë”, ka thenë
Kryediplomati amerikan, Pompeo në mesazhin e tij, me rastin e Ditës
Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020.
“Qeverisja
demokratike nuk është e përsosur, por sigurisht është më e mirë se alternativat
e tjera të qeverisjes. Shoqëritë demokratike respektojnë të drejtat e njeriut
dhe janë më paqësore, më të begata dhe më të sigurta. Ne qëndrojmë pranë të
gjithë atyre njerëzëve kudo, që kërkojnë të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me
dinjitet, me qeveri demokratike”, ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari
Amerikan i Shtetit.
Rezoluta
e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën
thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për
promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, në kujtim të 15 shtatorit, si
Dita Ndërkombëtare të Demokracisë.
Fatkeqësisht, edhe kjo ditë kushtuar Demokracisë në botë, në vitin 2020,
e gjenë politikën shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të ndarë e të
përçarë. Pas 330-vjetë post-komunizëm, ende nuk bien dakort për rregullat e
lojës, që kërkon demokracia e vërtetë.
Në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë,
atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrëveshje politike, nga
të gjitha palët -- nga një klasë politike që po i merr frymën zhvillimit të
vërtetë demokratik dhe ekonomik të gjithë shqiptarëve. Për më shumë, tepër shqetësues është fakti që
ekstremistë të majtë të politikës shqiptare, po promovojnë, jo demokracinë e
vërtetë, por shprehin nostalgjinë e tyre për regjimin diktatorial dhe për vet
figurën e diktatorit famëkeq Enver Hoxha, si dhe për gjoja “meritat” e regjimit
të tij.
Fatkeqësisht,
kjo është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numro dhe shumë
mbrapa gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.
Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë si dhe
historianë/politikanë, me këmishë të bardhë e me kravata, -- më të rrezikshmit
për demokracinë, do i quante Ronald Reagan -- nuk mund të ndahen nga sistemi
komunisto-socialist majtist, edukimi dhe tradita e të cilit i ka brumosur ata
dhe një pjesë të madhe të kësaj klase politike.
Duke refuzuar qqë të pakëmn të distancohen nga fryma e kësaj ideologjie
majtiste mbytëse, e cila ka formuar karakterin e tyre autoritar politik, kjo
klasë politike po ia kalon karakterin, mentalitetin dhe botëkuptimin e saj
majtist-sllavo-komunisto-socialist edhe brezit të ri të politikanëve shqiptarë,
si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.
Në
botën shqiptare sot -- 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit -- ka njerëz
që përhapin dyshime mbi meritat e zhvillimeve demokratike duke promovuar ide
majtiste dhe duke vendosur në pozita kyçe në qeveri, individë të brumosur, jo
me ide të majta të një demokracie të vërtetë – themi të llojit të
social-demokratëve perëndimorë, por individë që besojnë se e majta ekstreme i
ka zgjidhjet për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët.
Suksesi i një qeverie -- e majtë ose e djathtë – është nëse ajo është e zoja të
plotësojë nevojat bazë të qytetarëve të vet për një jetë normale dhe të sigurt,
në liri dhe demokraci. Në këtë pikë,
qeveritë shqiptare të së majtës ekstreme, përfshir komunizmin për pothuaj
gjysëm shekulli dhe qeveritë post-komuniste të 30-viteve të fundit – kanë
dështuar mizorisht! Prova numër një: largimi i qindra mijëra shqiptarëve nga
trojet e veta, që vazhdon edhe sot. Trashëgimia e kësja klase politike do të
mbetet zbrazja e trojeve shqiptare due jo ndërtimi i një demokracie të vërtetë,
pro-perëndimore.
Shpresa
ime nuk ka qenë kurrë tek politikat majtiste, qofshin ato të “demokracisë” së
sotëme 30-vjeçare, qofshin politikat diktatoriale majtiste të komunizmit
50-vjeçar, të “pushtetit popullor”. Unë
e kisha shpresën tek ai që unë mendoja se do të ishte brezi i ri politikës
shqiptare, të rinjë e të reja, të rritur e të edukuar pas shembjes së
komunizmit – sidomos ata që janë diplomuar nepër universitetet perëndimore. Sa
i gabuar paskem qenë. Nuk dua të përmendi emra të këtyre politikanëve të rinjë
sepse lista është e gjatë, por gjithkush i di se kush janë këta, të cilëve po u
referohem. Por Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini si përfaqësuese e
kësaj gjenerate e merr stafetën. Kur
Zonja Shahini u emërua për ministre, unë në të vërtetë e shikova si një hap
pozitiv. Një e re nga Kosova, shumë mirë
thashë me vete, e edukuar në perëndim -- megjithëse nuk e njihja. Nuk di se cilat janë arsyet e largimit të saj
nga detyra, por deklarata publike që bëri me bindje të thellë gjatë një
interviste në televizion, se ajo ishte më majtiste se vet qeveria Rama dhe se
edhe pas dorëheqjes do të vazhdojë të punojë për kauzat e majta, në Shqipëri
dhe në Kosovë. Thashë me vete e hangër
dreqi edhe shpresën time në brezin e ri të shqiptarëve të edukuar në perëndimin
e lirë dhe demokratik. Fatkeqësisht, edhe kësaj herë, më gënjeu shpresa se ky
brez i ri mund të bënte ndryshimin epokal.
Në
Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2020 nuk e di nëse ky brez i politikanëve
të rinjë shqiptarë është aq i korruptuar materialisht dhe politikisht sa janë
padronët e tyre politikë në Tiranë dhe në Prishtinë. Duket se këta politikanë të rinjë shqiptarë
nuk kanë asnjë problem me uzurpimin e plotë të institucioneve qeveritare dhe
shtetërore nga një grup ose parti e vetme.
Dhe ketë, pa pikë turpi e quajnë demokraci! Për fat të keq, shënjat janë
se këta na qenkan po aq të korruptuar ideologjikisht dhe politikisht, sa edhe
klasa politike që këta i shërbejnë -- me krenari madje– si mbështetës/e të
politikave majtiste eskstreme të shekullit të kaluar, për zgjidhjen e
problemeve me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – politika dhe ideologji
këto të provuara dhe të pranuara tanimë si të dështuara, historikisht, anë e
mbanë Evropës dhe botës. Në vend që të punoni për zbatimin e ideologjive tuaja
të preferuara majtiste, të dështuara -- për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë
shqiptare – përpiquni të pastroni politikën e korruptuar shqiptare, pjesë e të
cilës jeni edhe ju, tani. Në Ditën
Ndërkombëtare të Demokracisë – para se të përcaktoheni si politikanë majtistë,
pyesni veten se çfarë të mirash i sollën Kombit shqiptar politikat dhe
ideologjitë e viruseve të huaja të politikave majtiste ekstreme që iu imponuan
shqiptarëve për pothuaj një shekull!? “Demokracia mbetet aspirata e njerëzve në
të gjithë botën sepse secili prej nesh dëshiron të jetë i lirë”, tha në
mesazhin e tij Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo në Ditën Ndërkombëtare të
Demokracisë. Mos kini frikë nga e
ardhmja dhe mos tu mbajë peng e kaluara! 30-vjet pas shembjes së Murit të
Berlinit, shqiptarët ende presin realizimin e ëndërrave të tyre shekullore për
liri dhe për një demokraci të vërtetë!