Kerko: a
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Lekë Gojçaj, i ''Shtatoreve të Përjetësisë''
E hene, 10.08.2020, 07:38 PM
NDËRROI JETË LEKË GOJÇAJ, I “SHTATOREVE TË PËRJETËSISË”
Nga
Frank Shkreli
Javën
që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të
njohur të tij, Lekë Gojçaj. Megjithëse
nën rregulla shumë të lufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur
mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe
përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe
fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.
Leka
njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë
i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në
nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë. Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do
të mbeten -- së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar
jetë para disa viteve -- si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i
kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më
shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe
në botë. Këtë donin ta bënin me qëllim
për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të
dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e
njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si
“fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit
shqiptar. Përveç shtatoreve gjigante qai
kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e
deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve
të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e
senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që
ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në
vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet
komunizëm.
I
ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull,
“Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot
të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri. Pjesën e parë të të librit ai ia ka
kushtuar shtatoreve të Nenë Terezës që
ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në
Amerikë.
Suksesin
e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një
biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së
rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka
ishte shprehur se,"Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete. Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam
patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar
miq e dashamirë. Kjo ishte meritë e të gjithëve,
e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë,
natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program
për VOA-n.
Ishte
pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin,
respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”,
siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa
më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë.
Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996,
atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, -- shënon Lekë
Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”.
Këtë
nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta
shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e
disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të
mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare. Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me
vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre
në Tuz të Malësisë, (18 tetor, 1997) që
mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë. Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë
Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë -- të përzgjedhur
me qëllim nga vëllezrit Gojçaj -- përfaqësues të tri feve kryesore të
shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini,
ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër
shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve,
pa dallim.
Shtatoren
e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e
Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e
cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u
bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës”
në Nju Jork. Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan
gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.
Shtatorja
e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e
Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë
Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me
një grup shqiptaro-amerikanësh. Premtimi
u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës
Kushtetuese të Kosovës”. Në përurimin e
shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban
emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.
Për
shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e
kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi
që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës
Humanitare Nënë Tereza në Strugë.
Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004,
kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi
shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”
Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me
shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e
Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.
Pastaj
radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej
shtatorja e Nenë Terezës. Për vendosjen
e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që
kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në
Strugë.
I
ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij
të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë
Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë
e madhe e tij. Sipas tij, ai hasi në
pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por
vetëm nga shtetet anëtare. Vëllezërit
Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës,
Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar
(nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm
për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë
Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.
Lekë
Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit
Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur
shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare,
si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës. Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush
Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes
së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko
Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e
shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më
shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete
dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta
shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”
Në
mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën
dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë,
që, sipas tij, “Ishte sfidë për të
gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i
bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo
feje -- që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi
gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si
mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”. Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare
dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.