Kerko: a
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Sikur smira të ishte virus...?!
E enjte, 25.06.2020, 08:45 PM
Sikur smira të ishte virus...?!
ese
Nga Vilhelme
Vrana Haxhiraj
Dita e parë pas izolimit! Ishte dhënë “leja e superiorëve” për të dalë në
rrugë.
I armatosur me maskë e me dorashka, ecja kuturu i
përhumbur në botën time apo guaskën e
vetmisë të detyruar nga lufta e padukshme mikrobiologjike e “Korona
virusit”. Gjendja e tensionuar më troket
si çekan në tru, duke ndikuar në ndërgjegjen time të lodhur prej ankthit, stresit dhe
trysnisë, ku gëlon vetëm një mendim ogurzi.
Gjithë kjo politikë për t’u mbrojtur nga vetvetja, më
duket diçka e sajuar, një politikë panikndjellëse nga sfera të caktuara
botërore. Këta njerëz të pangopur që gjthë botën duan ta kenë në një dorë të
vetme që nesër të kontrollojnë jetën, ekonominë dhe privatësinë e shoqërisë dhe
të çdo individi. “Po sikur botën ta shtrydhin si limoni, çfarë do t’i ngelet
vallë? –pyeta ndërgjegjen.
-Ç’përgjigje pret nga unë vallë? Mos
do të të them se botën pret lumturia?!”-ndieva
një nënzërimë.
Pasi Nevetja ma priti me sëpatë, vazhdova të çaploj
përtueshëm..., madje i bezdisur nga qenia ime. Për një çast m’u duk vetja e
tepërt në këtë botë të pabesë. “Kujt mund t’i besojë vallë? Kush e thotë të
vërtetën për gjendjen e krijuar? Përse gjithçka ka ndalur lëvizjen? Nuk di kush
mund të më thotë të vërtetën.”-pyetjet e mia ngelën pa përgjigje, pasi
arsyeja ishte shndërruar në një gjendje inerte, e cila duke qenë shterpë dhe
memece, nuk mund të më tregojë asgjë.
Teksa përshkoja bulevardin i zhytur në një botë tjetër të
huaj, madje inekzistente, asgjë nuk më hynte në sy nga qyteti im i lindjes, të
cilin nuk e ndërroj me asnjë nga mrekullitë e botës. Ky qytet i diellit, i
bukur që i bën karshillëk detit të gjerë, duket sikur më pëshpërin në vesh,
duke mos më lënë të qetë:
-O njeri, ti që linde, u rrite dhe po plakesh këtu, në
gjirin tim, më thuaj a nuk kam të drejtë të matem me kaltërsinë e detit? -Pa
dashur në një çast të vetëm, pa e kontrolluar veten, belba me zë aqsa e dëgjova
përgjigjen e nënzëritjes sime:
-Ai të konkuron me kaltërsinë,
bukurinë, freskinë dhe gjithë të mirat që të sjellë ty dhe banorëve të tu. Ju
të dy duket sikur keni lindur bashkë, ndaj ai po aq sa lumturi të falë, po aq
dhembje e lëndime mund të të shkaktojë. Veçse ki parasysh një gjë:- Kur në këtë
tokë ti hodhe hapin e parë si qendër e
banuar, ku u vendos vetëm një gur themeli, mos harro se deti ishte aty dhe
priste të të shërbente. Mos u bëj xheloz me detin tënd të kaltër. Sytë e tij blu të shohin, të
admirojnë teksa rritesh , ndryshon dhe zbukurohesh nga dita në ditë. Më mirë se
deti askush nuk të njeh, sepse të dy jeni bashkëudhëtarë. Udhëtimi i juaj ka
qenë i pandarë si në paqe dhe në luftë, si në ditët me dielll dhe në mot stuhi.Të
dy bahkë kni kaluar të mirat dhe të këqijat ekësaj bote...Deti i paanë
aprovon lashtësinë, historinë që ti
mbart në shekuj. Ti, qyteti i bukur me klimën e
mrekullueshme, qyteti im, të cilin e adhuroj, mos e prish zemrën, mos e mbush
shpirtin me mllef, se smira do të të çojë drejt urrejtjes dhe hakmarrjes.”- kjo kuturi e çmendur më rrëqethi trup e
shpirt. Ndala një hop dhe nisa t’i flasë mendjes: “Ç’bëj kështu,? Mos vallë
lajthita? Po, po u çmenda. Papritur nisa të prekë çdo gjymtyrë e
tipar të trupit. Zura kokën me të dy
duart dhe si i shushatur klitha: “Qenkam në rregull...Kujtova se...por jo!”
Atëherë nisa të qeshja si budalla dhe i hodha një sy
pamjes sime në xhamat e vitrinës së një
dyqani të heshtur. U shtanga në vend me shikim të zgurdulluar. Përballë meje
qëndronte një shembëlltyrë e huaj e ngërdheshur. Ajo vitrinë më e heshtur se
heshtja më tregoi të vërtetën e transformimit tim gjatë stinës së
ripërtëritjes, pranverës. Atje shikoja një njeri të tjetërsuar, të plakur, të
mpakur, të rrudhur dhe me një bark të qullët. Çuditërisht në vend të ëmbëlsisë
nga shndritja e tipareve që jep buzëqeshja shikoja një tjetër njeri, një të
huaj që ngrëdheshej me veten.
I kthyer në
realitet, pyeta ndërgjegjen:“ Çuditërisht këtë mëngjes qyteti im më duket i
tjetërsuar, i shkretë, me rrugë të boshatisura.Vështroj përreth dhe diçka më
mundon. Më mungojnë ecejaket e qytetraëve, më tmerron mungesa e përshëndetjeve
të zakonshme që u japin bukuri ditëve në qytetin tim. Mungojnë zërat fëmijëror
që i japin gjallëri jetës...Eh, sa shumë gjëra po më mungojnë këtë mëngjes! Ndoshta për këtë
arsye nuk më bënte përshtypje si përherë. Mos vallë izolimi brenda katër mureve
të shtëpisë më ka zvordhur dëshirën për të shijuar bukurinë e qytetit tim të
pakrahasuar? Çuditëisht mendimet vazhdojnë të më gëlojnë në tru të lodhura,
të zvargura, të rraskapitura deri në kapitje...Gjithsesi truri im nuk
ndalet...vazhdon e dhe vazhdon papushim të rrëmojë në labirintet e kujtesës.
Memorja është një kasafortë hermetike, apo një arkiv që ruan sekretet dhe të
vërtetat e jetës. Sa të thëna e të pathëna ruhen aty të kyçura me fanatizëm, që
koha apo njerëzit të mos i ndryshojnë apo shpëdorojnë.Janë e vetmja dëshmi e
pamohueshme.Pikërisht për t’i rikujtuar na vlen kujtesa njerëzore...
“Epokat historike në të cilat
njerëzimi ka kaluar 21 qytetërime, kanë ndikuar në botë, ku gjithësia ka pësuar ndryshime rrënjësore. Çdo njeri, si
qenie humane lind nga një qenie tjetër humane, nga nëna. Porse është koha, ajo
që e rrit dhe e madhon njerinë. Koha dhe natyra ecin paralel dhe ndikojnë në
zhvillimet sociale, ndikojnë në jetën e çdo individi, të një komuniteti, në
marrëdhëniet ndërkomunitare dhe individuale. Sa kohë kalon dhe i vetëdijshëm
kthehem pas në të shkuarën e largët, sepse është e sotmja që jetojmë, ajo që
lidh të djeshmen me të nesërmen. Nëse do të harrojmë të shkuarën, si mund ta
mendojmë apo imagjinojmë të ardhmen që po troket?! Me gjithë vështirësitë e
rrugës së gjatë të njerëzimit, e cila e ka emrin jetë, i lumtur është ai njeri
që i merr kohës më të mirat e saj. Nuk është turp të shfrytëzosh të gjitha
mundësitë si qenie humane, për të përballur të përpjetat dhe të tatëpjetat
e jetës. I fituar është ai që i
kapërcen...”- nga mendimet më përmendi një zë
gruaje, e cila më thirri në emër:- Pellazg! Ktheva kokën ngaqë zëri m’u duk i
njohur por personin sikur e shihja për herë të parë. Ishte një zonjë e moshuar
tek të shtatëdhjetat. Ajo frenoi
biçikletën. Me një këmbë në tokë, m’u drejtua:
-Nuk po më njeh?
-Megjithëse kanë kaluar vite, nga zëri, po, e njoh këtë zë, kurse si person më dukeni
e panjohur.
-Mesa shoh paske rënë nga vakti...qënke plakur, Pellazg!
Apo meqë ke emër të lashtë të ka plakur lashtësia e emrit?- nga romuzet
cingëriëse e njoha, por nuk e dhashë veten. Ndërkohë ajo zbriti nga biçikleta.
Për një çast shtanga dhe më ngeli goja hapur.Më bëri
përshtypje veshja e saj moderne, një bluzë dekolte e bardhë dhe pantallona të
shkurtra në të njëjtën ngjyrë. me syza të errëta moderne, kurse në flokët ngjyrë
bakri me rica kishte lidhur një shallë të hollë që i varej bisht te qafa. Unë kisha ngelur i shtangur, ndërkohë më zgjati dorën dhe u prezantua: -Fatmira.
Kemi qenë kolegë në të njëjtën shkollë deri në vitin 1994. Unë jepja gjuhën
shqipe, kurse ti matematikë.
-Ti,ti... Fff, Fatmira?! E pabesueshme! Ti qënke rinuar, moj vajzë! Ç’të ka ndodhur
që dukesh e tjetërsuar?
-Tani jam një nënë dhe gjyshe beqare.
-Pse je ndarë me Akilin?!
-Pse nuk e di ti? I shtrenjti im, Akil nuk jeton më, ka
20 vjet që më ka lënë.
Megjithëse kishte ndodhur shumë vite më paë, i shpreha
ngushëllimet e rastit
-Nga bëhesh tani, zonja Mira?
-Pas ikjes së Akilit shkova në Itali , ku jetoj prej gati
njëzetë vitesh.
-Po thuaje, të shkretën! Ti na qenke bërë italiankë, moj
zonjë?! Kështu më thuaj! Tani po, që të jap të drejtë! Si do të shohësh, ashtu
do të bësh moj nusezo,-thoshte gjyshja ime e ndierë.
-A nuk u ngritëm më 1990 për një jetë më të mirë?
-Thamë që të bëheshim si Evropa, si bota e zhvilluar...por
traditën tonë kombëtare duhet ta ruajmë dhe t’ua përciellim brezave.
-Edhe unë këtë bëra, i nderuar kolegë. U përshtata dhe u
integrova në perëndim, veçanërisht në mënyrën e jetesës.
- Eja të ulemi, të pimë një kafe dhe të bisedojmë për të shkuarën,
-papritur u kthyem në barin më të afërt.
-Kisha vite pa ardhur dhe shoh që qyteti paska pësuar
shumë ndryshime. Ka marrë fizionominë e një qyteti perëndimor sidomos
shëtitorja gjatë bregdetit. Kudo nëpër
rrugë ka gjelbërim.Duket gjithçka e rilindur.
Fjalët e saj të akullta më bën përshtypje. Ishte një
thënie e ftohtë, që ngjasonte me një etiketë. Një emigrant kur kthehet në atdhe
pas disa kohësh, flet me mall për ato që nuk ekzistojnë më, sepse në ato rrugë,
në atë ndërtesa të lashta të qytetit janë ngjizur kujtimet, ruhet një pjesëz
e historisë dhe identitetit kombëtar.
-Me sa shoh ty të pëlqeka, sepse sot je jo si në shtëpinë
tënde, por si vizitore e përkohshme. Kurse unë që jam lidhur me qytein tim si
mishi me kockën, nuk jam i kënaqur. Të duket i shëndetshëm betonimi i bregut të
detit, trotuaret me mbingarkesa betoni? Rrugët automobilistike brenda qytetit
janë një kalimshe, shumë të ngushta, ku nuk manovron në raste aksidentesh. Që
kjo rrugë është e bukur, nuk e vë në dyshim.Porse përderisa harxhohen miliona e
miliona Euro, për gjelbërimin, mos mbill shelgje, mbill agrume dhe palma. Ruaj
origjinalitetin e qytetit të dikurshëm.
-Nuk thua, fal Zotit që është vënë dorë, po i vini nga
një bisht pas.
-Më dëgjo mirë! Ti nuk jeton këtu, ne që jemi të
përhershëm do ta ndiejmë mungesën e frymëmarrjes. Gjithsesi edhe ne do të përshtatemi, siç po
mësohemi me shumë gjëra të tjera më të rëndësishme që nuk na pëlqejnë apo të
tjera që na janë mohuar.
Papritur ajo u interesua për kolegët e tjerë. Pasi mësoi
në vija të përgjithshme aq sa dija, më ndërpreu fjalën.Veçse mënyra e shprehjes
së mimikës më bëri të mendoj se, përsa do më pyeste e kishte me shpoti. “Kjo
mendjendritura nuk heq dorë nga cinizmi, jo...Le ta dëgjojë njëherë se ç’do më
përrallis...” -hamendësova vetëtimthi.
-Diku kam lexuar për Astritin që paska bërë një punim
shkencor në Gjeodezi.
-Astriti nuk jeton këtu. I doli llotua dhe shkoi me
gjithë familjen në ShBA, ku dhe jeton.
-Atje merret me studime?
-Sa mbërriti dhe u sistemua me shtëpi, mbrojti anglishten, likujdoi provimet për
t’ju njohur diploma. Më pas nisi studimet në Universitetin e Harvard. Aty
shkëlqeu dhe e emëruan pedagog në një Universitet të Amerikës. Në këtë mënyrë
iu krijuan mundësitë për të realizuar ëndrrën. Iu vu studimit.
-Amerika është vendi i mundësive, sa për Astritin nuk
ishte gjë. Madje nuk ishte i aftë as si
mësues. Të tjerë e meritonin këtë fat dhe e mira shkoi dhe gjeti një njeri të
rëndomë...si Ai.
-Unë kujtoj se Italia të kishte ndryshuar disi, jo vetëm
duke përqafuar modernizimin, por edhe mendërisht e shpirtërisht. Më vjen keq,
por qenke shumë shpirtvogël dhe akoma më cinike dhe ambicioze se ç’ke qenë në
të ri.
-Të lutem, Pellazg, mos më fyej. Merre më shtruar dhe
arsyeto. Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, Astriti është një copë mish me
dy sy, që nuk lëviz dot qimen nga qulli.
Si ti edhe unë e njohim, se ishim kolegë për kaq vite. Ai kurrë nuk ka
shfaqur inteligjencë. Ta hajë dreqi, kur
na u bë kaq i shquar?! Pse Amerika ia dha mendjen, duke e bërë të ditur? Ishte
njeri i mefshtë dhe për këtë nuk ma ndryshon dot mendimin as ti dhe askush
tjetër. Kur ndryshoi ky njeri pa kapacitet, pa ndonjë intelekt të veçantë? Ndaj
mos e ngri në qiell se nuk është i vetmi që ka bërë diçka ndryshe nga të
tjerët. Kushedi si ka arritur. Sot në botën dixhitale ka forma dhe mënyra të
ndryshme për të aaritur synimet. Paska humbur Amerika ,ku janë kokat ebotës për mendjen e Astritit.
-Jo, nuk jam në një mendje me ty. Kam plotësisht të
drejtë që të kundërshtoj. Astriti sot është bër faktor. Më fal, por një njëri
pa kulturë, pa intelekt a mund të realizojë arritje të tilla? Kurrë. Sot u
kujtove për paaftësinë e Astritit? Apo ngaqë Ai sot është dikushi, ti po i
shpërfill vlerazt e tij. Pse nuk bëhemi
edhe ne faktor në një fushë. Sepse as unë dhe as ti nuk bëjmë dot diçka ndryshe? Aq më tepër kur
njeriu udhëhiqet nga fodullëku, që i duket vetja kushedi se çfarë, nuk del dot
nga guaska e errët e egoizmit të sëmurë!
Atë kohë që mos ardhtë kurrë, as për ty nuk kisha dëgjuar
që të të lëvdonin si mësuese dhe metodiste. Ti vetëm që mbaheshe më të madh dhe
njërin sy e mbyllje përgjysmë, kurse vetullën tjetër e ngrije lart me
shpërfillje.
-Më vjen keq që shprehesh me kaq urrejtje dhe mllef për
një njeri të mirë që nuk e harron as vendin dhe as shokët. Mira, nuk i prisja
nga ty fjalë të tilla, pasi ju të dy i përkisni një shtrese të mohuar. Veçse me
një ndryshim. Kur ty të emëruan mësuese, Astritin e burgosën me grupin e inxhinierëve të naftës. Ty të transferuan në
një nga shkollat më në zë të qytetit , kurse ai i binte varesë në gurore. Kur
fëmijët e tu shkuan me studime në Universitet, fëmijët e tij ngrinin kovat me
llaç në ndërtim dhe në ullishte. Ti e quaje veten të persekutuar se punoje
mësuese në fshat, kurse mbi shpinën e tij dhe të fëmijëve binte shiu, bora, i
ftohti apo temperaturat përvëluese të verës.
-Ndalu Xhek se ka hendek! Të lutem më ngadalë, me zë më
të ulët dhe mos u bëj avokat mbrojtës i tij.Nuk është i vetmi që ka vuajtur. Të
gjithë e kemi hequr mbi shpinë Luftën e klasave...Në burg ka qenë edhe vëllai
im.
-Ishte, por çulitërisht ty nuk ta mohuan ushtrimin e profesionit, kurse atij veç lirisë i hoqën
edhe bukën e fëmijëve. Zonjë, ka vuajtje dhe vuajtje. Edhe brenda familjes
shkalla e vuajtjeve është e ndryshme. Ti jetoje në mes të qytetit, kurse
familjen e tij e internuan. Njerëzve të
tij u është bërë një luftë klasore e jashtëzakonshme. Arritën deri aty sa nga
urrejtja vranë qenin atë kafshë besnike me mënyra barbare, duke ja shtypur
kokën me gurë, duke i bërtitur gjithë mllef, “qen i biri qenit. Nuk bëhesh
më i mirë nga yt zot!” I therën pelën që galoponte si një pegaso. Vëllai yt
bëri 2-3 vjet burg dhe fitoi lirinë. Kurse nga trupi i vëllait të tij i erdhi
nënës në shtëpi vetëm një këmbë që kishte ngecur në yzengji të mushkës. Pse
vallë? Sepse ngaqë nuk pranoi të bëhej spiun i Sigurimit, i vunë dy gozhdë në
samarin e kafshës, e cila u harbua dhe e mori zvarrë studentin e vitit të
fundit të shkollës Tregtare. Trupin e të
vëllait e mblodhën në çarçafë natën me pishtarë bashkëfshatarët e tij,
copa-copa si mish për jani.Veç humbjes së jetës të njërit vëlla,vëllai tjetër,
i arsimuar në perëndim, me disa gjuhë të huaja, përfundoi në furrat shfarosëse
të Mat’auzenit. Dajua i tij ishte dëshmorë se u vra në Sanxhak të Dardanisë. Megjithatë familja e
tij u internua dhe Astriti m dy vëllezërit u burgos.E kupton që ai nuk kishrte
dalë nga hiçi.
Të them të drejtën më ke befasuar. Çfarë të keqe të bëri
ty Astriti si studiues? Mos vallë arritjet
e tij janë bërë pengesë për ty?
Koha u ka dhënë mundësi të gjithëve, por ama jo të gjithë do të bëhen me tituj shkencorë.
Nuk mund të bëhen të gjithë të famshëm. Kush të ka ndaluar moj zonjë? Urdhëro merr lapsin ulu, shkruaj dhe hidhi
mendimet në letër. Puna shkencore apo krijuese që të jetë produktive, kërkon
palodhshmëri. Maja të pashkelura ka për të gjithë ata që duan të flijohen për
shkencën, letërsinë apo artin, ekonominë, mjekësinë apo diplomacinë. Kush është
i zoti le të provojë dhe të ngjitet në to sipas aftësive. Për njerëzit e punës krijuese fjalët janë të
tepërta. Konkretisht për Astritin është e huaj mëndjemadhësia, cinizmi, egua,
dehja nga suksesi apo smira për sukseset e të tjerëve.
Mira, më dëgjo me vëmendje. Mua do të më vinte turp nga vetja nëse do të
shprehesha kështu për cilindo dhe aq më tepër për një ish koleg. Nuk e di se çfarë stomaku ke?! Veç në këtë
bisedë që mendova se do të shmalleshim si dy bashkëqytetarë, më forcove dhe
përkeqësove akoma më shumë përshtypjet që kam pasur për ty.
-Bravo, të lumtë zoti Pellazg! Nuk e dija që ruake
rezerva brenda qenies sate...
-Më vjen keq! Nuk kam dashur të t’i kujtoj, por tani po
të them mendimin tim për ty. Je egocentriste. Me çdo kusht kërkon që bota të
vërtitet rreth teje, kur nuk ke bërë asgjë për të qenë dikushi.
-Ua edhe këtë ma the?!Me ç’të drejtë po më tjetërson
personalitetin?
-Nëse ti e quan mëndjemadhësinë, fodullëkun, smirën ,
cinizmin, egoizmin, urrejtjen dhe shvlerësimin e mundit të të tjerëve, këto
cilësi që sot i nxore në pah, i quan personalitet, nuk je gjëkundi.
Personaliteti i njeriu formohet me dije, kulturë, talent, profesionalizëm, me
punë vetëmohuese, vullnet dhe paodhsmëri. Vetëm atëherë quhet një njeri i
formuar si individualitet. Ndryshe cilido që flet në erë, urrejtja pathologjike
për një tjetër, e çon në hakmarrje. Cilido qoftë ai njeri, quhet llafazan,
sharlatan dhe i pamoralshënm që merret me punët e të tjerëve, të cilëve u shkon
uji në arë, kurse ai thotë pse u tha ara ime për ujë?!
-Tani e kuptoj gabimin tim. Nuk ia fal vetes që të
fola... Kurrë, kurrë s’kam për ta falur veten...
-Unë të falënderoj që u takuam, sepse mes kësaj bisede ti
zbulove anët e errëta dhe të panjohur të qenies tënde. Edhe diçka dhe do ta
mbyllim bisedën. Gjithë fjalët e tua më bën të mendoj ose më mirë të bindem se
ti ke brenda vetes shumë urrejtje dhe smirë, e cila i ngjet Korona virusit
që po përjeton dhembshëm njerëzimi.
Pastroje shpirtin, kthjello ndërgjegjen se smira nuk të çon askund, veç
në vetëshkatërrim. Kujtoja se në fjalët e tua do të gjeja mirësi dhe adhurim
për një njeri që gjeti veten pas vuajtjeve të pashembullta. Për fat të keq ndër ne mirësia e ka harruar
rrugën e Zotit, pasi është zëvendësuar nga shpirtligësia,- teksa i flisja ia
kisha ngulur vështrimin thellë në bebet e syve të saj.Vura re gjendjen e një
njeriu të mjerë, që turfullonte nga zemërimi, pasi kishte humbur betejën. Nga
paraqitja fodulle e kryeneçe, tani mezi
kapërditej sikur i zvargej një kockë në fyt...
-Fatmira, mblidhe veten. Zonjë, ende nuk i ka ardhur
fundi i botës.
-Përse mendon kështu, Pellazg?
-Këtë përshtypje më la mimika jote, pas bisedës. Mira, mbai mend këto që po
të them: Sikur smira të kishte qenë
virus, do të kishte infektuar dhe gjysmuar njerëzimin.
Si këshillë po të jap një thënie të Sokratit: “Ai
që dëshiron ta ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij!”Pse
nuk kemi arritur të njohim vetëveten, labirintet më të errëta të shpirtit, ndaj
ky komb nuk është në gjendje të mbrojë idenitetin e tij, as autoktoninë dhe as gjuhën më të lashtë shqipe, gjuha e
fillimit në Evropë. Po nuk deshëm veten nuk ka se si të na duan të tjerët.
Respekto veten që të të respektojnë!
U ndava me të duke më lënë një shije të hidhur dhe pa
dashje nënzërita: “Zot përse ke lënë mbi tokë njerëz të tillë shpirtkazëm që
udhëhiqen nga smira?!”
Ktheva kokën pas dhe vura re se ajo me biçikletën për
dore ishte mbështetur tek një shtyllë, si duket nuk e gëlltiste dot vesin, i
cili lind me njeriun dhe vdes me të.