E shtune, 27.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Abedin Gashi

E marte, 21.10.2008, 07:25 PM


Abedin Gashi
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

ABEDIN GASHI

 

Viti 1990 në Kosovë mbahet në mend si vit i ngjarjeve të bujshme, kur shqiptarët ndërmarrin hapa konkretë për liri, pavarësi e demokraci, ndërsa në anën tjetër, pushteti serb merr fuqinë për t’i mbajtur nën thundër. Pas shpalljes së Deklaratës kushtetuese, më 2 Korrik dhe  miratimit të Kushtetutës së Kosovës më 7 Shtator 1990 në Kaçanik, ëndrra shekullore u mboll te secili shqiptar. U forcuan partitë politike shqiptare, u forcuan sindikatat dhe shoqatat qytetare në frymën e pluralizmit politik dhe të demokracisë qytetare. Mosbindja qytetare për të „mos vënë gisht“ në dokumentet administrative të pushtuesit, ku aplikoheshin masa nënshtruese, bëri që mijëra shqiptarë të përjashtohen nga puna në secilin segment të administratës, të ekonomisë, të  arsimit, të shëndetësisë dhe të infrastrukturës shkencore. Shqiptarët masivisht filluan të durojnë urinë, por jo robërinë. Dikush shfrytëzoi rezervat e fundit, dikush u mbajt falë solidaritetit vëllazëror që nga Bistrica e Shalës e deri te Livadhia e Strugës dhe nga vëllezërit e shpërndarë në të gjitha kontinentet e botës. Shumë të mbetur pa punë e pa plang, morën udhët e mërgimit, dikush për nëntë muaj, dikush për një vit, e dikush për nëntë vite... Nga ata mijëra punëtorë të përjashtuar nga puna ishte edhe Abedin Gashi, shef i grupit operativ në repartin e seperacionit të mihjes sipërfaqësore në pjesën e njësisë punuese të Elektro-ekonomisë së Kosovës në Obiliq (tash Kastriot). Për mos- dëgjueshmëri qytetare dhe mospërfilljen e administratës shtetërore serbe, Abedin Gashit i ndërpritet marrëdhënia e punës pikërisht, më 13.11.1990, ndërsa i jepet afat ankese prej 15 ditësh për kundërshtim të aktvendimit. Por Abedini ishte bërë tashmë pjesë e armatës së të papunëve kosovarë të larguar përdhunisht nga puna dhe nuk merr anjë hap t’i ankohet dhunuesit të së drejtës së tij – pushtetit hegjemonist serb.  Për dy vite me radhë, në kërkim të një shtegu për mbijetesë, Abedini ia mësyn Gjermanisë, me qëllim që të fitojë pak, sa ta shtyjë mbijetesën edhe për ndonjë ditë për vete dhe për familjen në Kosovë. Derisa në majin e vitit 1992 në aeroportin e Mastrihtit ndeshet me dritat shumëngjyrshe dhe me shkëlqimin e një bote thuaja krejtësisht tjetër, në shkëlqimin e syve të tij fillon të bie pluhuri i mërzisë. Që në hapat e parë, fillon të takohet me të papriturat, me një realitet krejt tjetër, me njerëzit që ndryshe ishin sjellur në Kosovë e ndryshe këtu dhe të vetmen mundësi kishte kërkimin e azilit politik. Duke parë se fitimi në Gjermani nuk bëhet shpejt, pas ca muajsh, i djegur mërzie për familjen, e thërret atë t’ia mësyjë këtij vendi. Bashkohet me familjen duke pritur të punojë diçka, për të dalë së paku nga një dhomë e ngushtë e shtëpisë së adaptuar për refugjatë, diku në fushat e Rajnës Veriperëndimore. Fillojnë edhe veprimtaritë e shqiptarëve në diasporë, organizimi në parti dhe në shoqata. Dy shtylla të forta janë që e mbajnë Abedinin në jetën e rëndë të mërgimit: puna dhe veprimtaria shoqërore. Dy-tre bashkatdhetarë të zellshëm, Ali Zymeri, Mustafë Dervishi dhe Selman Zymberi, i bëjnë zë Abedin Gashit se një firmë e vogël gjermane, kërkon një njeri që i njeh planet e ndërtimit, që di ta lexojë vizatimin teknik  dhe që di ta udhëheqë punën ndërtimore. Udhëheqësi i asaj firme ishte një xehetar me profesion, por që bënte punë vetëm në ndërtimin dhe rregullimin e kopshteve. Në bisedë me punëdhënësin, Abedini i dëshmon atij se i njeh planet dhe realizimin e ndërtimit, pasi që kishte vite kur e kishte kryer Shkollën e Lartë të Ndërtimitarisë, sektorin e ndërtimit të lartë. Punëdhënësi menjëherë ia beson objektin e parë, ku fillon punën ekipi i përmendur. Me këtë rast familja Gashi shkëputet nga dhoma e ndërtesës së refugjatëve, ku banonte vetë i gjashti, që në të folurit e shqiptarëve hyri si fjalë e shpeshtë hajm, nga gjuha gjermane. Zë një banesë me familjen afër firmës dhe bën punën e përdistshme. Pas realizimit të suksesshëm të objektit të parë banesor, merr vizën për të vazhduar tutje. Tullë pas tulle e gur mbi gur, për dy vite, i rrethuar nga ekipi shqiptar, Abedini i kryen dhjetë ndërtesa banimi, të standardeve moderne. Por edhe aty punës i vjen fundi, pasi punëdhënësi, nuk merr oferta të reja. Ekipi mbetet pa punë dhe secili nis të gjendej si mundet. Pas regjistrimit në entin e asistencës së punës, më 1.07.1997, nata  që vjen, Abedin Gashin e gjen me shqetësime të mëdha, duke menduar kah t’ia niste, si t’i shkollojë fëmijët e vegjël, si ta ndihmojë pjesën e familjes në Kosovë e mendime të tjera të mundimshme. Duke bërë krahasime se dijen e kishte më të madhe se gjermani që kishte firmë, madje se ishte dëshmuar për dy vite ku nuk kishte marrë asnjë vërejtje nga blerësit, që ditën tjetër regjistron ndërmarrjen e vet ndërtimore, duke u bërë ndërmarrës i pavarur, për të shfrytëzuar në fillim dijen dhe dy duart e shkathta. Një këshilltar i entit të punës, ia tregon të gjitha mundësitë, duke përfshirë edhe ndihmesën gjashtëmujore sipas ligjit në fuqi, pra një rrogë brutto.

            Deri më 2001, z. Gashi, punon si huazues i licencuar i punës, kohë kjo kur i nënshtrohet provimit profesional në Këln për statikë, armirim dhe murim, duke u avancuar në ndërmarrës ndërtimor, sipas standardeve gjermane. Tash fillojnë sfidat e reja, por jo të panjohura. Si thotë Abedini, koha ecën shumë shpejt dhe krah i djathtë i punës dhe ekipit bëhët djali i tij i madh Muharremi, i cili tashmë veç kishte kryer shkollën profesionale për ndërtimtari. “Fillimi i punës, si ndërmarrës i pavarur ndërtimor, më ka lehtësuar shpirtërisht, pasi shoh se ka ardhur fundi të kryej urdhëra të të tjerëve dhe unë të jem vetëm zbatues. Kënaqësia më e madhe është ajo se kontratuesit më kanë shikuar me sy tjetër, si një partner serioz, duke gëzuar respekt. Brenda një viti kryejmë pesë deri në gjashtë objekte banimi, duke mos llogaritur ndonjë punë përcjellëse a renovim. Një objekt, pra një shtëpi luksosze banimi, e kryejmë për gjashtë javë, që nga themeli deri në kulm, pra si i themi me gjuhën e ndërtimtarisë, ndërtim i vrazhdë. Këtë e bën ekipi prej katër  punëtorësh. Ndërkaq, përparësia e ndërmarrjes, është se unë aty nuk sillem si bos, por punoj err e terr, si i thonë një fjale. Ndërkaq djali im Muharremi, që të gjithë  i themi Memi, kujdeset që në mbrëmje ta rregullojë dokumentacionin, pasi këtu në Gjermani punët administrative janë të shumta për një firmë, e që të gjitha duhet kryer vetë. Tash së voni, kemi arritur ta bëjmë një shtëpi, një ekzemplar krejtësisht të veçantë, pronë e një stomatologu. Duhet shtuar këtu se në shumë panaire ndërtimore nëpër Gjermani, përpos fotografive të objekteve që kemi bërë, janë të pranishme edhe maketat e tyre. Në firmë jemi katër punëtorë të përhershëm, ndërsa varësisht nga volumi i punës, këtë numër e dyfishojmë, sidomos gjatë sezonit veror. Mund të them po ashtu se të jesh i pavarur, je para një përgjegjësie të madhe, por edhe me një elan të madh, pasi je sovran në kryerjen e punës. Gjatë gjithë kohës së veprimit, asnjëri nga objektet e punuara nuk i ngjan tjetrit, por secili është punuar me përmbajtje të veçantë, ku ka vepruar guximi ynë, kreativiteti dhe ndjeshmëria e hollë ndaj veprës ndërtimore”. Derisa kanë zënë të na ftohen kafetë në këtë bisedë interesante, ngadalë në bisedë e afrojmë Memin, po në tavolinën e cila përdoret vetëm mbrëmjeve për plotësim dokumentacionesh dhe për biseda e plane pune. Ai nis të na rrëfejë për stilet e ndërtimit, për gërshetimin e modernes dhe klasikës, ku më shumë zë vend modernja, e sidomos hapësirat me dritë në objektet e banimit. Por për Memin një domethënie të veçantë ka emri Kosovë. Ai jo pa emocion, rrëfen se kur ka shkuar në Kosovë pas shumë vitesh, është ndjerë shumë mirë, duke u ndeshur në çdo hap me buzëqeshje e dashuri të familjarëve dhe të njohurve të tjerë të familjes. Por, thotë se ”...Kosovën, që në hapat e parë e vërejta se e kisha harruar, qyshkur kisha dalë si fëmijë. Kur jam kthyer herën e parë sërish në Gjermani, jam mërzitur shumë, ama shumë. Shtatë javë nuk kam mundur ta marr veten nga ajo mërzi dhe më duket se çdo gjë çka kam bërë brenda asaj kohe, nuk e kam bërë unë, por hija ime. Tash shpesh shkoj në Kosovë, takohem me miq e familjarë, sidomos me moshatarët e mi dhe u rrëfej atyre se nuk është aq i lehtë fitimi edhe në Gjermani. Ndërkaq dua të them se qëkur punoj në këtë ndërmarrje ndërtimi, çdo hap të jetës deri tash, nuk do ta kisha ndryshuar. Pra, jam shumë i kënaqur me punën dhe sukseset”. Në të ardhmen, Memi  synon të studiojë në planifikim dhe urbanizëm, pasi përpos fitimit material, pjesë të pandashme e sheh edhe ngritjen profesionale.

Familja Gashi, që lidhet me firmën e vet ndërtimore, jeton në Stolberg të Gjermanisë, në shtëpinë e blerë tash e sa kohë. Aty kryefamiljari Abedin Gashi është i rrethuar nga dy djemtë, Memi e Naimi, vajza Marigona dhe tutje po në këtë qytet jeton edhe vajza Nexhmia, me familjen e vet. Suksesi në familje nuk i takon vetëm atij. Edukimi i fëmijëve, madje në rrethana të rënda, është pjesë e zonjës së shtëpisë Fexhrisë.  Por në rrethin e dytë, gumëzhijnë nipërit e mbesat, ca nëpër këmbë e ca në djepa. Mbi të gjitha, nipi i madh Betimi, sikur i jep forcë familjes. Ai çdo fundjavë kërkon ta kalojë me gjyshin dhe gjyshen. Ndërkaq, jo vetëm në Stolberg, por edhe në Kosovë, frytet e firmës janë evidente. Një nga shtëpitë e mira në Kastriot është e familjes Gashi si edhe një lokal pune dhe troje për ndërtim. Ose më mirë të themi, trolli që nuk harrohet, trolli  për të cilin është e lidhur kjo familje, dheu i Kosovës. Familja Gashi, mendon që pë katër-pesë vitet e ardhshme, firmën ta shpërngul atje në Kosovë, pasi fëmijëve të lindur në Gjermani, don që atje t’ua nisë shkollën shqip.

            Sërish Abedinin e kthejmë te realizimet e firmës. “Po, - thotë ai, - përpos objekteve të dukshme, ka edhe diçka të padukshme, por të madhe për mua. Djali i madh Memi,  ka marrë nuse shqiptare nga Kosova. Po ashtu edhe vajza Nexhmia, ka krijuar familje me një djalë nga Kosova që prej kohësh jeton në Gjermani. Edhe djali i vogël Naimi, po ashtu, nusen e ka marrë në Kosovë. Ky është suksesi më i madh që është reflektuar në familjen time. Ndërkaq dëshira ime është që vajza e vogël Marigona të përfundojë një shkollë profesionale.

Por historia e sukseseve nuk ndalet vetëm me kaq. Kapitull në vete është angazhimi shoqëror i Abedin Gashit, sidomos në tri klubet shqiptare në Stolberg, Ahen dhe Jylish, ku ka vepruar me vite, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë. Herë si anëtar i këtyre klubeve, herë si veprimtar i partisë së tij të adhuruar LDK e herë si veprimtar i Fondit të Republikës së Kosovës në ekzil. Por, mbi të gjitha, ai ndjehet i lumtur që pos ngritjes së ekonomisë familjare, pos pjesëmarrjes në diasporën e organizuar për pavarësinë e Kosovës, sidomos me mundësinë personale në ndihmesat humanitare. Në grumbullin e dokumentacionit të shumtë personal, nga tavolina bie një fletë, një falënderim i shkruar nga  themeluesi dhe rektori i Universitetit të Tetovës, profesor Fadil Sulejmani (Tetovë, më 17.III.1999):

“ I nderuari z. Abedin Gashi!

            Më lejoni më së pari t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj për kujdesin e treguar gjatë takimit tim me Ju në Stolberg të Gjermanisë dhe njëkohësisht t’ju shpreh admirimin tim për ndarjen e bursës  për çdo muaj nga ndërmarrja Juaj për studentët e Universitetit të Tetovës.  Bursa e përmuajshme e derdhur në arkën e UT do t’u jepet çdo muaj dy studentëve, njërit nga Tetova e tjetrit nga Gostivari, përkatësisht Dashmire Vejselit dhe Ylber Sherifit. Ngelim me shpresë se shembullin Tuaj do ta ndjekin edhe bashkatdhetarët e tjerë dhe kështu jo vetëm do t’i ndihmoni këta studentë, por me këtë do ta ndihmoni edhe ardhmërinë Tuaj dhe arsimin e brezave të rinj shqiptarë për një ardhmëri fatlume të mbarë popullit shqiptar. Në fund, le të na lejohet z. Abedin, që t`ju shprehim konsideratat më të larta ndaj gjestit Tuaj human dhe vëllazëror.”

            Nuk ishin këta bursa të vetëm. Më vonë, veprimtari i LDK-së  dhe luftëtar i dalluar për lirinë e Kosovës, Sali Çeku bie në fushëbetejë. Pasi Abedini këtë e njihte nga afër, sidomos gjatë aktivitetit partiak, nuk mund të mos e ndajë një bursë për djalin e Saliut, Migjenin, në një periudhë dyvjeçare. Nga fundi, Abedin Gashi shpalon edhe një dëshirë: “...pas rikthimit gradual në Republikën e Kosovës, nëse punët më shkojnë si deri më tash, do ta formoj një shoqatë humanitare, pasiqë më së miri e ndjej veten kur dikush gëzohet për një ndihmë, madje edhe fare të vogël.

            Zoti dhashtë për të gjithë!”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora