Mendime
Enver Bytyçi: Pse zoti Grenell kërkon të zhgënjejë kombin më pro-amerikan në botë?!
E marte, 31.03.2020, 12:03 PM
E pabesueshme! Pse zoti Grenell kërkon të zhgënjejë kombin më pro-amerikan në botë?!
Nga
Enver Bytyçi
Këto
ditë ka pasur një diskutim të gjerë rreth ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë.
Diskutimet i nxiti më tej një deklaratë e përbashkët e ambasadorit Grenell dhe
diplomatit amerikan Palmer, si dhe intervista e zotit Grenell në një TV të
Kosovës. I gjithë diskutimi vjen rreth qëndrimit amerikan për çeshtjen më të
ndjeshme të debatit, atë të shkëmbimit të territoreve ose siç e quajmë ne,
ndarjes së Kosovës.
Edhe
pas deklaratës së dy diplomatëve dhe intervistës së ambasadorit Grenell kjo
çeshtje mbetet ende e mjegullt, e paqartë, e ngatërruar në një labirinth. Janë
me qindra e mijëra ata që e kanë gjetur përgjigjen kur thonë “Ne jemi aleatë
dhe miq të përhershëm me SHBA-të”! “Grenell dhe Palmer e dhanë qartë përgjigjen
e kësaj dileme”! “Ne i besojmë SHBA-ve, sepse Amerika na ka çliruar”! Dhe të
gjitha këto kanë brenda një të vërtetë të padiskutueshme. Nëse nuk do të ishte
angazhimi amerikan i administratës së Bush sennjor, Bill Clinton dhe Bush
junior Kosova nuk do të ishte çliruar dhe nuk do ta kishte formuar shtetësinë e
saj.
Por
nuk mund ta them këtë për administrën Obama dhe atë Trump. Kjo e fundit nuk
është indiferente, siç ishte ajo e presidentit Obama, ndaj Kosovës. Madje është
shumë aktive. Grenell mund të krahasohet me Holboroke e ta marrë emrin buldozer
i diplomacisë. Por a mund të shënohet në historinë e shqiptarëve si historia e
Holbrooke? Vetë zoti Grenell në intervistën e tij la shumë hije dyshimi për
këtë.
Ai
thotë se nuk kam parë asnjë projekt që ideon ndarjen e Kosovës. Por nuk thotë
se nuk ekziston ky projekt, nuk thotë gjithashtu se SHBA-të nuk do ta pranojnë
në asnjë rrethanë një ide të tillë të gatuar në kuzhinat e Beogradit. Ai u
shpreh se SHBA-të respektojnë kushtetutën dhe mbi bazën e saj duhet të
ushtrojnë funksionet institucionet e Kosovës, por nuk thotë pse ai vetë nuk e
respektoi kushtetutën e Kosovës kur thirri presidentin në bisedime me Serbinë,
ndonëse kushtetuta dhe gjykata kushtetuese përcaktojnë se është kryeministri
autoriteti i vetëm i udhëheqjes së negociatave me Serbinë. Diplomati Grenell
fajësoi Albin Kurtin që nuk heq taksën pa asnjë kusht, por nuk e fajësoi qoftë
dhe njëherë të vetme presidentin serb për aktivitetin armiqësor kundër Kosovës
edhe pse në të njëjtën ditë të janarit të këtij viti kishte kërkuar në
Prishtinë heqjen e taksës dhe në Beograd ndalimin e ç’njohjeve. Zoti Grenell
tha se respekton vullnetin e sovranit në Kosovë, por nuk shpjegoi pse mbështeti
rrëzimin e një qeverie legjitime të vullnetit të qytetarëve!
Nëse
do të listonim kundërshtitë midis parimit dhe praktikës diplomatike të zotit
Grenell, atëherë do të duhej të shtonim dozat e dyshimit dhe spekticizmit
lidhur me rezultatin e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Mjafton trysnia deri në
rrëzimin e qeverisë 50 ditorëshe të Kosovës për ta pasur këtë skepticizëm. Por
dyshimet i përforcojnë edhe fakte të tjera. Ishte Eliot Engel ai që ngre
pikëpyetje të mëdha rreth temës që diskutojmë, duke kritikuar qasjen e
administratës së vendit të tij. Është Daniel Serwer ai që çdo herë na bën me
dije se diplomacia e Grenell për Kosovën është diplomaci anti-Kosovë.
E
megjithatë shqiptarët skeptikë akuzohen nga njerëzit e tabuve si
“anti-amerikanë”! Këtë nofkë e propagandoi me shumë arrogancë presidenti i
Kosovës, Hashim Thaçi dhe makineria e tij propagandistike, duke nxit
artificialisht përçarjen e lidershipit në atë që quhet pro-amerikan dhe atë
pro-gjerman. Ndërkaq amerikanët mbështesin dhe inkurajojnë bisedimet e fshehta
të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiq, kurse gjermanët, anglezët dhe francezët
bëjnë të kundërtën! Grenell mbështet politikanët kosovarë, të cilët janë për
shkëmbimin e territoreve dhe rrëzojnë nga qeverisja politikanët që
kundërshtojnë këtë opsion. E gjitha krijon ndjesinë e përshtypjen se Hashim
Thaçit i jepet suport në projektin e tij, të Vuçiq e të Edi Ramës për ndarjen e
Kosovës, madje duke e lejuar atë të spekulojë me “mbështetjen amerikane”!
Në
këto kushte shqiptarët, populli më pro-amerikan në botë, mund të përçahen.
Presidenti Thaçi u ka vënë atyre alternativën “o me ne, o kundër nesh”! Ose “me
Amerikën, ose kundër saj”. Sipas tij shqiptarët nuk lejohen të besojnë edhe te
Europa, edhe te Amerika. Por ky kushtëzim krijon efekte psikologjike të
pariparueshme. Le ta ilustroj me eksperiencat personale. Supozojmë se dikush ka
një mik për kokë, për të cilin ai është gati ta japë jetën. Por në një moment
të caktuar e ditë të vështirë për të, shikon që miku bashkëpunon me armiqtë e
tij. Ai ka të drejtë të dyshojë te miku i tij për kokë! E kundërta do të ishe
naivitet! Unë nuk di ndonjë rast kur dikush të jetë zhgënjyer nga armiqtë.
Zhgënjimi vjen gjithmonë pre miqve, prej atyre, të ciëve iu beson.
Kështu
ndodh dhe midis kombeve e shteteve. Nëse SHBA-të favorizojnë armikun e
shqiptarëve, Serbinë, dhe ushtrojnë trysni te Kosova, viktima e Serbisë, gjë që
nuk ka ndodh në të shkuarën, atëherë natyrshëm tronditet besimi i shqiptarëve.
Dhe nëse ndodh kjo, zhgënjimi te amerikanët mund të jetë më i madh! Kjo nuk
është dëshirë e individëve, është një proces objektiv që do të ndodh. Ndaj nuk
e di se çfarë e bën zotin Grenell ta shtyjë kombin më pro-amerikan në botë të
zhgënjehet pikërisht me Amerikën?! Është vërtet e pabesueshme!
Raportet
e besimit janë shumë delikate. Ato krijohen në sprova të mëdha dhe dështojnë në
kohë të vështira. Rasti i Kosovës nuk bën përjashtim, sepse askush në këtë vend
nuk ka prit që Berlini ta refuzojë kategorikisht ndarjen e saj, ndërkohë që
përfaqësuesi i Uashingtonit ta mbështesë këtë projekt!