Kerko: a
Xhylije Ibrahimi: Kosova po rrezikon ta përsërisë pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?
E shtune, 28.03.2020, 06:58 PM
Kosova po rrezikon ta përsërisë pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?
Premtimi
për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise -
premtimi është premtim)
NGA
XHYLIJE IBRAHIMI
Nga
përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te
amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta
përmbushësh".
Këtë
thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo
rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939.
Marrëdhëniet
diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë
nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922.
Shqiptarët,
të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe
duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje,
vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për
copëtimin e Shqipërisë.
Zyrtarët
amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe
me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme,
posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në
hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit.
Gjithashtu,
ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin
më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de
jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes.
Njëra
prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte
natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe
nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare,
nën kontrollin e ekspertëve amerikanë.
Periudha
1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas
përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet
e forcave demokratike.
Favorizimi
i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve
me Shqipërinë të ftohen dukshëm.
Amerikanët
mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur
parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe
Kryqit të Kuq.
Në
këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me
SHBA-të.
Pas
në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi
ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte
emëruar ambasador në Uashington.
Në
vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke
njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet
shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe
qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi.
Por,
SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e
Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i
Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e
Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej
nga Italia fashiste.
Fajtore
për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut.
Më
10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane
në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.
Këtë kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me
Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar politikanët tanë në Kosovë me rrezikun
për të provokuar një zemërim tjetër amerikan ndaj shqiptarëve, pas gati një
shekulli, edhe pse arsyet mund të ndryshojnë.
Roli
i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj.
Politikanët
tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e
madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë
pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i
bëjmë me më shumë diplomaci.
Mjerisht,
Kosova ka shumë politikanë e pak diplomatë. Ata duhet kuptuar se Amerika nuk
mund të barazohet me çfarëdo shteti tjetër, në raport me interesat shqiptare.
Shpresojmë
për ditë më të mira.
________
Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare &
diplomacisë.