Kerko: a
Enver Bytyçi: Kohë midis... Me Europën apo Amerikën!
E enjte, 05.03.2020, 08:50 PM
Kohë midis... Me Europën apo Amerikën!
Nga
Enver Bytyçi
Dikur
Shqipëria ishte fushë beteje midis Fuqive e Lindjes dhe të Perendimit. Në
njërën anë Bizanti, Perandoria Osmane, Rusia dhe në anën tjetër Gjermania,
Austro-Hungaria, Britania e Madhe dhe SHBA-të. Te kjo përplasje e ka zanafillën
kultura jonë, besimi fetar, trashëgimia e shtet-ndërtimit, si dhe ngjarjet
historike që kanë ndodhur në këto troje. Por dhunën e terrorin nuk i kemi prej
perandorive ose Fuqive të Mëdha. Mbi 90 përqind të masakrave, flijimeve,
ekzekutimeve i kemi nga fqinjët tanë veriorë serbë dhe ata jugorë, të cilët
kanë qenë historikisht aleatë të Lindjes kundër nesh.
Ndërkaq
edhe 90 përqind të përgjegjësisë për kalvarin e kaluar, për prapambetjen tonë,
për civilizimin tonë, për treguesit e fundit që kemi në ekonomi, financa,
mirëqenie e jetën sociale e kemi ne vetë, ne shqiptarët, kudo që jemi, sidomos
në Shqipëri, por edhe ata në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e në Luginën e
Preshevës. Jemi vetë fajtorët e përgjegjësit e situatave që krijohen. Ne na
ikën gjithmonë treni euro-atlantik, sepse edhe kur shkojmë me vonesë në stacion
zihemi me orë, ditë, javë, muaj e vite me njëri-tjetrin se kush do të zejë vend
i pari në tren.
Ne
kemi qenë gjithmonë të përçarë. Na patën thënë se na kanë përçarë armiqtë. Por
sot po kuptojmë se jemi vetë qenie që e duam përçarjen, pasi që më shumë se
atdheun e madje familjen, e duam pushtetin, pasurinë, lavdinë. Ne jemi peng i
ngutjes, sepse nuk dimë të sillemi me urti, me mençuri e me dinjitet. Ne
besojmë se dinjiteti është diçka formale, që na duhet në pragun e shtëpisë e
brenda saj dhe nuk e konsiderojmë faktin se duhet të sillemi me dinjitet në
radhë të parë me miqtë e sidomos me armiqtë.
Prej
kohësh më ka shqetësuar konflikti serioz midis Europës dhe Shteteve të
Bashkuara të Amerikës. Era Trump ndryshoi ekuilibrat e politikës së jashtme të
Uashingtonit e për pasojë me keqardhje shoh që shpesh herë sjellja e
administratës së tij është më e ashpër më evropianët sesa me rusët. Kjo
keqardhje buron nga pasoja.
Pasoja
është tashmë sheshit. Të kritikosh dikë të lidhur me qarqet ruse e serbe në
Europë, tashmë konsiderohesh anti-europian. Të kritikosh dikë në SHBA edhe nëse
politikani përkatës i përket lobit serb e rus, konsiderohesh automatikisht
anti-amerikan. Dhe kësisoj ndër ne shqiptarët po futet hapur e tinëzisht një
përçarje e re. Anti- ose pro- amerikanët, anti- ose pro- evropianët! Një front
i ri lufte dhe betejash me njëri-tjetrin. Krahasuar me tabunë anti dhe pro të
periudhës së diktaturës komuniste kësaj lufte i mungon vetëm ekzekutimi fizik.
Sepse asgjë nuk kursehet nga secila palë për ta ekzekutuar kundërshtarin nga
pikëpamja shpirtërore, emocionale dhe psikologjike.
Fatkeqësisht
kjo “betejë” ka nis të zhvillohet jo vetëm në medie e rrjetet sociale, por edhe
në zyrat e kancelarive. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një javë që
përpiqet të bindë edhe rojet e departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë
se “Albin Kurti është anti-amerikan”! Në aleancë me Hashimin janë rreshtuar në
Prishtinë disa nga aleatja e Kurtit, LDK-ja, si dhe mediet, dhe shumë kundërshtarë
të tij. Duket sikur beteja kundër njëri-tjetrit është transferuar në zyrat e
Europës dhe të Amerikës. Prandaj dhe Albin Kurti u detyrua t’i shkruajë një
letër Presidentit Trump e ta informojë për hapat që po bën për zbatimin e
kërkesës për heqjen e taksës me Serbinë.
Të
njëjtat akuza ia bën Edi Rama krye-opozitarit Basha. Ndërsa Rama bërtet me të
madhe nga foltorja e e parlamentit duke kërkuar që të mos flitet “keq” për
Shipërinë në gjuhën angleze, vetë ai shpifi dhe akuzoi nga Moska për kreun e opozitës
së tij. Por Rama nuk e la me kaq! Prej dy vitesh udhëheq një fushatë të egër
ndaj Ramush Haradinajt, madje më të egër se vetë liderët e Beogradit. Para dy
ditësh në kongresin e partisë së tij Edi Rama jo vetëm sulmoi ish-kryeministrin
e Kosovës, por i hodhi një dorashkë bashkëpunimi kundër Hardinajt Albin Kurtit.
Mesazhi i Ramës ishte i qartë për Kurtin: “Nëse Haradinaj të nxjerr probleme,
atëherë hajde të bashkëpunojmë bashkë kundër tij”. Qëllimi ishte gjithashtu i
qartë: “Bashkëpunimi ynë do të jetë në shërbim të Beogradit”!
Debate
të tilla dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me dy grupime: Njëri grup militant që
pranon gjithçka që servir Richard Grenell dhe tjetri që anon nga politika
evropiane (gjermane) në rajon e në Kosovë. E dëgjova Isa Mustafën të thotë se
në qëndrimet e tij kanë ndikim kërkesat e ndërkombëtarëve, kur i kërkoi Kurtit
ta heq taksën pa pasur nevojë për reciprocitet me Serbinë. Përmendte SHBA-ne
dhe Gjermaninë. Por në fakt nuk vjen e njëjta kërkesë si nga Uashingtoni, edhe
nga Berlini. Grenell reagoi me arrogancë ndaj vendimit të Kurtit për heqjen e
taksës. Brukseli dhe Berlini e mbështetën këtë vendim.
Së
paku ata që përkrahin arrogancën e Grenell duhet të dalin hapur, mos spekulojnë
e të na thonë se janë edhe me SHBA-në, edhe me Gjermaninë, kur dihet hendeku
politik që është krijuar midis ketyre dy fuqive administrata e Donald Trump.
Ndërkaq jo të gjithë ata që janë kundër arrogancës pro-serbe të Grenell janë
anti-amerikanë. Të jesh kundër lobit serb e grek në Amerikë nuk do të thotë se
je automatikisht kundër SHBA-ve! Tjetër punë se në Shqipëri e në Kosovë
paketohen jo pak anëtarë të këtyre lobeve për të bërë ligjin në vendin tonë!
Në
këto kushte Kosova është bërë objekt e subjekt nën trysni të jashtëzakonshme.
Por rrënjët e kësaj trysnie dhe dështimeve të saj qëndrojnë në përçarjen e
faktorit politik dhe elitës akademike e intelektuale. Edi Rama është arkitekti
dhe takticieni më i mirë i përçarjes. Ndërsa nën kulisa mbetet Hashim Thaçi si
profesionisti më i sprovuar i dasive.
Të
gjitha ndodhin jo vetëm se një pjesë e politikës shqiptare, si gjithmonë në
histori, punon për serbët e sllavët, jo vetëm se në Uashington lobi serb ka
marrë fuqi, jo vetëm se dikush e do më pak apo më shumë Kosovën, por se Kosova
është instrument presioni mbi kontinentin evropian. Ka një tendencë që
konflikti shqiptaro-serb të zgjidhet në favor të Serbisë, mbasi që janë forcuar
urat e lidhjet së Rusisë me disa vende aleate kryesore të Kosovës dhe
gjithashtu synohet që të mbahet një vatër tensioni me qëllim që Europa të jetë
e kërcënuar nga një destabilizim i përgjithshëm e kësisoj të detyrohet të
kapitullojë para Fuqive të tjera të Mëdha!
Shqiptarët
mbeten edhe më tej shesh beteje e këtyre ambicieve. Historia përsëritet, ndërsa
liderët tanë jo vetëm nuk e kuptojnë këtë, por vihen në anën e armiqve tanë,
qoftë dhe nën presionin e miqve tradicionalë. Liderët tanë spekulojnë me
miqësitë dhe harrojnë se miqësitë ndërtohen mbi bazën e interesave. Dhr kur
dikush ua kujton këtë, i hakërrehen me skemën: “Hë ti je kundër Amerikës?!” Po
si mund të jetë kundër Amerikës dikush që ka brohoritur për Amerikën kur NATO
hyri në Kosovë?, ose kur Presidenti Bush e shpalli pavarësinë e Kosovës në
Tiranë!? Absurditeti nuk ka kufi!