Kerko: a
Mehmetali Rexhepi: Ligjërimi arbdhetar
E hene, 17.02.2020, 05:32 PM
LIGJËRIMI ARBDHETAR
Zymber Beshtica:
“ËNDËRR E GJATË” (Poezi); SHB “SOGJETIME”, Gjilan , 2020
“Miku
im
Për
orientim të mirëfilltë drejt ardhmërisë
Mbështetu
te jehona e thirrjeve të zemrës
Dëgjo
ndjesitë e saj
Dhe
ti do t`i kesh të hapura portat e agimeve
”; Zymber Beshtica “Këshillë”; f. 124
Nga Mehmetali Rexhepi
LOZA E NËNDHESHME
Vëllimi poetik që kemi në duar i
autorit Zymber Beshtica “Ëndërr e gjatë”,
përmban shtatëdhjetë e gjashtë poezi ose
njësi poetike gjatësish e tkurrjesh të ndryshme sasiore, të prirë nga dhjetë emërtime
ciklesh. Secili prej cikleve sugjeron motive dhe atmosferë kahesh relativisht
përcaktuese. Ne do të shkëpusim disa nga përbërësit e këtyre vargjeve përmes
sugjerimeve të cikleve. Hyrjes i prin cikli “Fragmente baladash”, mandej
vijojnë “Kushtrimi i Ademit”; “Nëpër ngrica e valë”; “Zonja dhe zotërinj”; “Në
orën dymbëdhjetë e dyzet e katër”; “Haropi”; “Duke kërkuar fillin”; “Vragë e
plagë”; “Ylli i tyre-dritë e rrugës tonë” dhe
“Vetëm ëndërr.”
Gjatë leximit të librit “Ëndërr e gjatë”, nga tërësia e faqeve të tij nxjerrim konstatimin
parësor; sepse pamjet, kënd-shikimet dhe
idetë poetike, nga cilado anë e jetës, autori i pasqyron dhe shpreh drejtpërsëdrejti,
pa thellime, tërthore e shumësi reflektimesh. Poetika bashkëkohore priret për tumirje të konstatimit
të diskursit të dytë; ajo ndjek prirjen
për figurën poetike dhe
paradokset reflektues.
Ideja artistike e këtyre poezive është ndërtuar asisoj,
që lexuesin të mos e shpie në labirinte simbolike, metaforike ose në lidhjet e
ndërdymes me botën fantastike, me enigmat e jetës e të universit. Poeti u përcaktua t`i forcojë
lidhjet shpirtërore jetike me rrënjët e truallit, në përpjekjet për t`i mbajtur në këmbë
legjendat e zanafillës... Motivet e poezisë së tij rikthehen në lashtësi për
t`i zbërthyer “apokrifet”, ose si thotë autori, “Kripto grafitë e gjuhës së lozes
sonë...” Rikthimi i autorit tek ato
gjurmë të nëndheshme, është shtytje nga
mohuesit e autoktonisë, të lashtësisë së etnisë, të vijimësisë
ilire-arbërore-shqiptare, e cila u sprovua nëpër Kalvare të tmerrshme të
pashkruara... Duke shpaluar varg për varg, faqe për faqe përmes tekstit
poetik, që përshkueshëm i afrohet diskursit të dëshmisë, herë-herë ky varg-thurësh,
vargun ia nënshtron iluminizmit tonë të vonuar për caqe të vetëdijes. Zymber
Beshtica vargut të tij i kërkon sy-çelësi, për t`ia gjetur shtegun e mbyllur lirisë
ndanë bllokadave... Ai vijëzon vizionin e tij edhe në errësimet e përballjes me
sprova, në mënyrën që pasoja të rezultojë fatlume! Përvojën e historisë së rrëfyer për tradhtinë
poeti do t`ua shpijë brezave... Në këtë vëllim poezish i hasim të përsëritur në
trajtën e thirrmorit dhe të apostrofës kujtesës për harresën e tradhtisë?! Nxitimthi
na shfaqet pyetja: - A do të na falej harresa e dhuratës së “Kalit të
Trojës?!...” Dhuratat e tradhtisë do të na vijnë, por tash krejtësisht të
sofistikuara... Vargjet e poetit tashmë kishin shijuar gjellët e hidhura të
jetës, ndaj i thërrasin ndërgjegjes t`i bëjë sytë katër, të mprehtë për leximin
e konceptimit të keqes
nën shtresën e hollë të mjaltës...
Një mënyrë e këtillë e thurjes së tekstit letrar të kësaj
poezie, i jep shkas pyetjes për diskursin tonë: - Pse ky lloj vargëzimi i
shmanget efekteve të stilizimit dhe të eksperimentimeve, karakterizuese për
periudhën e kahes që ka marr poezia post-moderne? Autori ynë nuk është pa përvojën
e bukur-shkruesit. Si duket, ai as me këtë rast, nuk do t`i shmanget lëvrimit
të poetikës, me shenja
të ndjeshme të vëllimit paraprak “Rrjedha”;
përderisa këtu zotëron
thënia e idesë, ndërsa më
pak thëniet e figurave.
Zymber Beshtica,
duke qenë ligjërues letërsie, ngërthen kulturë për artin e poezisë, të stileve
e të rrjedhave bashkëkohore. Pikërisht për kulturën e tij letrare, nga ky poet
priteshin depërtime edhe më në thellësi se kaq të vargut në bukurinë e
fjalës... Ai zgjodhi mënyrën dhe formën
e këtillë të komunikimit artistik me lexuesit e vargjeve. Nuk shtroi
dy-mendje për t`iu qasur ndryshe artit të shkrimit, përpos kështu, troç. Këtë
radhë, poeti Beshtica shprehjen artistike e reduktoi në
maksimumin e mundshëm të qartësisë, herë-herë deri në shkallën e
diskursit shpjegues, edhe me shtojca deklarative të aty-këtushme. Përse? Në
këtë pikëpamje nuhatja jonë mund të mos jetë tërësisht e saktë, mirëpo arrin në pikën e së mundshmes, të dukshmes e të prekshmes.
Pohimi doli prej kursit iluminist ngase:
Repetitio mather studiorum est.
(Përsëritja është nëna e të mësuarit). Megjithatë, të shohim çka duhet të
përsërisim e çfarë të mos përsërisim
tash e tutje?...
VARTËSIA JETIKE E PËRBASHKIMIT
Beshtica
parapëlqen të sjellë tri kohët e temës ekzistenciale të përkatësisë së vet: të
ndodhurën, faktin e mohuar, sprovat, tragjedinë e gjyshërve, rropatjet e brezave
pararendës për bukën dhe tokën, duke shtrirë lidhjen e fatit të tyre me të tashmen, që e tashmja të lëshojë rrënjë
të pathara për të ardhmen. Ekzistenca e etnisë së autorit shtjellohet në vargje
dozash emocionale, pohimesh, mohimesh, vetëmohimesh, kahesh pa pikëpyetje, me
pikëpyetje, me dilema ekzistenciale... E gjymtuar dje, e gjymtuar sot dhe me
gjasa për gjymtime edhe në të nesërmen, kjo është dilema jetike
e fatit të pararendësve dhe e vijimësisë... Poeti vargun e ngjyen nëpër
të gjitha gjendjet shpirtërore të dhimbjes, të dëshpërimit, por edhe të
durimit, të qëndresës, të mos-humbjes së shpresës edhe atëbotë kur nuk dukej
drita në fundin e tunelit!
Tashti autori
është në shkallën e lartë të pjekurisë, i fërguar përmes sprovave të historisë
e të jetës, andaj nga historia dhe jeta për lexuesit nxori porosi poetike. Këtu
shohim se si vargjet nuk mëtojnë të
futen në shtjellime, për të stërholluar e dendësuar stilin e shprehjes figurative.
Kursi i shtjellimit nëpërmjet thënies së
drejtpërdrejtë dëshmon se vargjeve të tij, Zymber Beshtica nuk ua vuri frerët e rimës, as
ngjyrosje kozmetike, as tingëllimë muzikale dhe masë të përcaktuar rrokjesh. Ai
vargut i lë rrjedh krejtësisht të lirë.
Poezitë e Beshticës
i përshkojnë motive të mbushura me brenga, dukurinë e pashuar të tradhtisë,
kurthet e viktimizimet historike të shqiptarëve, krimet e pandëshkuara serbe,
dëbimet, paqen jetë-ngrënëse pafundësisht e përtrollitur dhe sindroma e përhershme
e trazimit:
“duhet sogjetuar
me sytë katër
edhe anash
edhe prapa
edhe para...”
Ndërtimi anaforik me
lidhëzën bashkërenditëse shtuese edhe
i këtyre vargjeve, kërkon vëmendje për kujdes, sugjeron orën, vendndodhjen e
armiqësisë, kahet e lëvizjes në kohë e hapësirë, gjithnjë për ta arritur
për-bashkimin, madje atë lloj uniteti si domosdo jetike-ekzistenciale.
Çfarë është uniteti i synuar i këtij poeti? Vargu i
Beshticës vë në funksion një shfryrje ndjenjash të mbushura, të tendosura me shqetësime
dhe pasiguri; mirëpo, me ndjeshmëri frenuese të urtësisë, sepse kurdo herë, në
çdo kthesë historike, gjithnjë duhej pritur gjëmën tjetër?!... Poeti, meqë
përjetimet i ka të freskëta, para dhe pas shpine, ai përfytyron kanibalët dhe
kanibalizmin në stilin “Hanibal ante portas!” Në përfytyrimet e tij të
përligjura, poetit asnjë herë nuk i doli jashtë përdorimit kultivimi i motivit për farën e keqe të
përçarjes mes shqiptarëve! Ky ishte dhe
mbeti paradoksi kombëtar i etnisë tij!
Shohim gjithnjë se
autorët shqiptarë të lidhur me fatin e tyre etnik, në artin e shkrimit, nuk iu
shmangen dot kategorive estetike të së
keqes dhe të shëmtuarës, sepse thellë në
shpirt e në jetë ua përtrolliti realiteti i mos-harmonisë tyre etike, etnike e shtet-ndërtuese... Fatkeqësisht te një
shtresim i konsiderueshëm i etnisë së poetit është më e theksuar prirja
shtet-rrënuese?!... Megjithatë, në kontekstin e tillë jetësor dhe artistik,
vizionit të poetikës ekzistenciale i jep krah shpresë-ndjellja, se:
“Trungu i shqipes
vazhdimisht filizon...”
Mbijetesa e sprovimeve
të rënda, të pamëshirshme e të pështira, poetit Beshtica ia forcuan filozofinë e përkufizimit, se i
vetmi faktor i përballjes me pushtimet është mosnënshtrimi:
“Zmbrapsja
s`është zgjidhje
Zjarri nuk shuhet
pa zjarr.”
Shtytjet e
iluminizmit poetik në disa
nga poezitë e autorit Beshtica, shfaqen me përbërës të brumosjes së
karakterit të fortë: devotshmëri, pathyeshmëri para çdo joshjeje komprometuese
të parimeve të shenjta, mbi të cilat ngrihet kështjella e identitetit kombëtar, dinjiteti qytetar dhe urban i etnisë.
Poezia e librit “Ëndërr e gjatë”, spikatë shkaqet e
depërtimit të lëkundjeve etike, edhe gjithfarë tjerash në rrethanat e një
shoqërie anarkike. Pikërisht pse e lejojnë dhe durojmë, madje akëcilët miq tanë
janë hisedarë të strukturave të korruptuara të rrethanës shekullore
shtet-drejtuese për brezat!... Beshtica lë të kuptohet se nuk është pajtuar me
rrjedhat e mbrapshta të jetës institucionale, ndaj edhe përmes vargut shfaq
këndvështrime kritike, duke mos iu shmangur zhgënjimit për “lulëzimin” e mendësisë
fisnore, krahinore, klanore; shtresimeve të vetëkënaqura dhe indiferente,
shprehisë nam-keqe të zhvatjes e të makutërisë së institucioneve,
karrierizmit rrënues, mosnjohja e të
drejtave të njeriut e të qytetarit... Vargu i një sedre të ndjeshme shpirtërore
përshkohet me atmosferën e pezmit kritik dhe ironik.
Personazheve të
“Naçertanija-as” së dikurshme dhe të përtashme të Serbisë, të kamufluar e të
modifikuar, iu bëhet aleat “Balashi i
Orës së Ujkut.” Lajthitja e sogjetarit hyri në shpirtin e poetit:
“Ditë të bardha
e net pa haraçe
ëndërruam” (Lajthitje)
Vjershëtori i dha
shtytje vargut për dëftimin dhe shpërfaqjen e vizionit, si të kapërcehet trajta
e të keqes te e keqja e institucionalizuar prej nesh? Ai e shndërroi vargun në
masë termometri të klimës, të atmosferës e të rrethanës... Vargjet i shërbejnë vetëdijesimit të shkrimit për piketime etike dhe estetike:
“Balashi i Orës së
Zezë
Mjeshtër dhe
moderator
Edhe në Orën e
Unmikut
Kurdisi Orën e
Ujkut
Dhe na i humbi pëllumbat”
Beshtica, duke
qenë edukator brezash, nuk mundi të rrinte i qetë në hijen e indiferencës;
andaj pse mos t`i jepte poezisë trajtën e një shigjete depërtuese, për
instalimin e dorës së zgjatur të Serbisë
përmes strukturave të UNMIK-ut në Dardaninë e djegur, të përdhunuar dhe të
shkretuar?!
Autori i librit “Ëndërr e gjatë” i jep të drejtë kursit se
arti ndonjëherë i largohet çerdhes së vet burimore dhe, sikurse një shqiponjë epike e lyp ushqimin ekzistencial, duke fluturuar dhe aty, në ato zyre pedantësh, të cilët prapa kollareve këmishësh
të bardha fshihnin mynxyrat e
tyre të zeza, helmin e gjarpinjve për çlirimtarët tanë të përkorë!
PERSONIFIKIMET MITOLOGJIKE
Figurat e
personifikimit estetik të dhunës, të ligësisë, të bukurisë, të madhërishmes, të
trimërisë e heroizmave, të servilëve e të dinjitozëve në poezinë e Beshticës shtrohen dhe identifikohen, modifikohen në
vazhdimësinë e ngjarjeve deri në bashkëkohësi. Lidhshmëria mitologjike antike me të sotmen, i vesh
poezisë karakter gjithë-kohor. Te personazhet e sotme barten bëma dhe
karaktere, aq sa mund të spikaten nëpërmjet vargjesh, sikurse tek Zeusi,
Cerberët, Qeni i Hadit, Sinoni, Laokoonti, Eneu, Helena, Paridi, zotërinjtë e
Olimpit, Trojanët, ploja e Trojës; simbolet e gjithë-kohës sikurse Orfeu, Haropi,
krye-cerberët e Singedonit “kurthangritës”, “tebdilët” me lëkurë qengji...
Identifikimi dhe
shtrirja tematike e kulturës mitologjike, me tipare të jashtme e të brendshme të
personazheve të sotme; ngjashmëritë dhe të veçantat e tyre, shtojnë përmasën gjithëpërfshirëse
estetike, historike, vazhdën etike dhe modelimin e poezisë së këtij poeti.
Vëllimi i poezive
“Ëndërr e gjatë”, botën e ngërthesave
të sotmes poetike e lidh dhe modelon përmes Antikës, Antikën me Mesjetën,
Mesjeta me Rilindjen, Rilindja Shqiptare me bashkëkohësinë. Modelet e
antikitetit kanë evoluar, mirëpo ambiciet, qëllimet, dëshirat, synimet, mënyrat
e përmbushjes tyre, në esencë janë po ato. Zeusi, Neroni, Kaini, Helena, Jagua,
do të shartohen në shpirtra Zeusësh, Neronësh, Kainësh, Helenash,
Jagosh modernë...
Beshtica në
poezinë “Ëndërr e gjatë”, i
qaset karakterit e njeriut të mjedisit urban,
të atmosferës së përjetuar me gjithfarë erërash e shijesh, të brumosjes me
dinakëri e ligësi, aq sa vihet në dyshim vlera e mirëfilltë e njerëzores... Vargjet që shpërfaqin më dendur lakminë për hierarki të pushtetit,
afishojnë karikatura tiparesh të servilit e servilizmit. Ky lloj vargjesh
paraqet gjetje të përshtatshme për kategori të tilla psikike e gjenetike:
“Zotëri
Derisa gënjeshtra
shpallet e vërtetë dhe
servilizmi identitet
Derisa nënshtrimi çmohet dinjitet e zënia e rrugëve demokraci...”
Vargu pasues pas këtij
nuk ia vlente ta qartësonte situatën, ajo i përket qasjes zbërthyese të
lexuesit...
ËNDRRA DHE DURIMI
Periudha e
amullisë e Lëvizjes sonë Kombëtare-Demokratike, atëbotë kur qëndresa, mosbindja
pasive pushtuesve e pushtimit, pushoi të jepte shenja gjallërie... Durimi
filloi të kundërmonte sikur peshku i prishur nga koka. Pohimi se gjithçka e ka
masën dhe kohën e vet, përkon me mësymjen shekullore të ëndrrës, me
mos-përmbushjen e konceptit të saj të ndajfoljes
së sasisë “e gjatë...” Ëndrra donim
të ishte e shkurtë, sikurse janë ëndrrat, por...? Pra, jeta jonë ishte një“Ëndërr e gjatë.” Ishim në ëndërr dhe duhej të dilnim nga ëndrra
në zhgjëndërr... Më tej subjektit poetik i shteret kroi i “filozofisë së
durimit”:
“Durimit i është thyer zemra
i është turbulluar
koka
i janë
errur sytë
ka mbërri në stom të Drinit”
Tashmë dihet se nëpërmjet
një qasjeje tjetër për bërjen e
historisë së fitimtarëve, mund të kapej
fati i nëpërkëmbur i tokës së
lirisë... Personazhet me bëma historike iu bashkohen “Çetës së Profetëve”, mandej identifikues të rinj:
“Princi është
kthyer nga Kruja
me bekimin e
Gjergjit e t`Plakut të Vlorës
udhëzimet i ka
marrë në Prekaz
për kapërcimin e
Rubikonit 1244”
Poezia e vëllimit
“Ëndërr e gjatë”, modelet e Antikës dhe
figurat bosht, rreth të cilëve mbështillen fijet e ngjarjeve të bujshme, si Penelopa
e Odisesë, djemtë e Laokoontit, Ligji i Hamurabit e tjerë; sikur në kahet e të
mirës, ashtu dhe në kahen e së keqes,
ngrehin arkitekturën figurative të krahasimit. Shprehjes poetike i hapet
hapësirë për shtegtime e kontraste, gjithandej ku ziejnë hallet e mbarset
shpërthimi i pakënaqësisë, përballë shthurjes, tërbimit e çartjes të rendit në shoqëri...
VIRTYTI I
SINQERITETIT
Zymber
Beshtica vjen me këtë vëllim të gjerë poezish, pas një periudhe
relativisht të gjatë të heshtjes.
Para këtij publikimi kishte botuar përmbledhjen me poezi të titulluar “Rrjedha.” Vëllimi i parë poetik “Rrjedha”, i dëshmoi disa nga cilësitë e
të bërit poezi të Beshticës.
Ky autor pati
paraqitje të rralla në letrat e shtyp-shkrimit
e të medies informative. Në këto letra të bardha të shkrimit në shqip,
poeti nxori copëza të çiltërisë së shpirtit njerëzor, atdhe-dashes. Në jetë dhe
në shkrimet letrare, Beshtica kurdoherë mori
anën e sinqertë të jetës e të shkrimit.
Me këtë rast
solemn: qoftë i uruar përherë autori ynë, Zymber Beshtica për përcaktimet
e tij fisnike!
Gjilan, kallnor 2020