Kerko: a
Skënder Rracaj: Romani i thellësive dhe hapësirave të qenies sonë
E diele, 16.02.2020, 05:20 PM
ROMANI I THELLËSIVE DHE HAPËSIRAVE TË QENIES SONË
(Prend BUZHALA: “Njerëzit prej fijeve të dritës”- roman në pesëmbëdhjetë sekuenca kohore, botoi Lena Graphic, Prishtinë, 2019)
Nga Skënder RRACAJ
E padukshmja?
Njerëzit e vërejnë njëri-tjetrin në të padukshmen.
1. Rrëfimi i niveleve tej-fizike: personazhet
konvencionalë
Narratori i kësaj proze e pranon: mund të rrëmbejë, nga
ana tjetër e niveleve tej-fizike, vetëm një mini-sekuencë... Nga ana e frymës
së të ndodhurës e përjetimit që vetëm mund të rrëfehet e jo të shkruhet! Aty ku
qëndrojnë qenia jonë (identitare e njerëzore e fillit të botës), dashuria,
urtia, ftillëzimi, përsiatja, e nënvetëdijshmja, përndriçimet e brendshme... Secili
prej e ka brenda vetes Njeriun e Fshehur të përbotshëm... Kështu, personazhi i
Plakut a i Njeriut të Fshehur, është personazh konvecional, konvencë e romanit,
kurse dy personazhet tjerë, personazhi narrator (i identifikuar si një Unë i
shumëzuar te secili prej nesh) dhe vajza që e dashuron, Boborima, janë
personazhe nga bota e mega-metaforës së anës së ndritshme të jetës,
ekzistencës, zgjimit, kureshtjes, pushtimit të hapësirave të pashkelura të
mikrokozmosit e makrokozmosit, tej-fizikes... Personazhe konvencionalë, të
shkëputur nga rrethi e bota “e zhurmës dhe turmës”. Një oazë që ndriçon në
shkretëtirën e ekzistencës sonë...
Një diell ndriçon nëpër hapësirat e përsiatjeve, nëpër
ato të imagjinatës krijuese e narrative. Një peizazh i mahnitshëm (malesh) e
imazhesh të përndritshme, një frymë e antikes sonë shpirtërore, na përcjell nga
faqja në faqe. Është vetvetja jonë identitare, nga një Tjetër Anë.
2.
Strukturat e ndërliqshme të romanit
Është arti, me njësitë hipotaktike gjuhësore e
figurative, me nuancimet e pasura e të panumërta stilistike-leksematike. Janë
shtresimet e shumta gjuhësore, herë të përsiatjeve, herë të përshkrimeve të një
arti të dendurisë së thënies, e herë të një diskursi arkaik (edhe përdorimi
gegë i disa pjesëve narrative, ka karakter shënjues e referencash artistike).
Romani ngërthen dhe struktura të tëra lirike, sa lirisht edhe mund të quhet
roman poetik.
“Këtu, përpara, e kam Fletoren Time të shënimeve
(nga plaku huazova shënimet e tij nga, si e quante ai, Fletorja e Sekuencave
Kohore), në të cilën ruaja Fjalët e Tij dhe Përjetimet e Përsiatjet e mia”, e thur
procedimin a metarrëfimin personazhi-narrator i romanit. Fletoret, shënimet,
përsiatjet, solilokiumet narrative, janë disa nga këso “sekuencash” tekstuale,
që, njëkohësisht shënojnë edhe shtresat tematike, edhe rrathët tekstualë të
veprës. Meqë autori i ndan kapitujt e veprës me numra, por një si nëntitull
shpjegues-procedimor qëndron shënimi “roman në pesëmbëdhjetë sekuenca kohore”,
atëherë, për hir të një operimi më të lirë e më të qartë me tekstin, kapitujt
po i quajmë sekuenca e parë, e dytë e deri te e pesëmbëdhjeta. Sekuenca shpesh hyn e del përtej jetës dhe
tekstit, e këndej jetës, jetës-tekst e tekstit-jetë; apo, si shprehet
narratori:
“ si t’i mbledhësh gjërat e rëndësishme nga jeta, një
si parapërgatitje për të hyrë në zonën e Tjetërjetës... ndryshe, nuk kishe se
si të përsiatje për këso formulimesh që të nxirrnin telashe”, apo “Mandej
mësova nga ai leksionin e vështirë:
si u dashka të ballafaqohem me Udhëtimin Tim të
Fundit?
(Është ai ballafaqim, si thotë ai shkrimtari
latino-amerikan, kur arrin ta ruash vetëdijen personale edhe pas vdekjes... po
lexoja fletoret e tij dhe më dukej sikur udhëtoja nëpër ato sekuenca kohe e
tejkohe, paleta kohësh... ).”
Zonat e tekstit, pra, janë të ndërliqshme, ashtu sikundër
dhe zonat semantike-figurative kanë kodet e veta të leximin-zbërthimit e
përjetimit. Tekstet e fillimit, pra, shënjojnë “parapërgatitjen e lexuesit, që
bëhet njësh me narratorin:
“Po hyja në një zonë që kërkohej përgatitje e
ankthshme... për ta parë vetveten (siç thoshin fletoret: për ta parë jetën dhe
realitetin, historinë dhe tej-kohësinë, në tri përmasat e saj: në përmasën e
botës materiale, lëndore, në atë të energjisë fine, të pastër, delikate, dhe në
botën transcendentale të frymës së pastër).”
Këto metatekste i lexojmë te sekuenca e parë e romanit,
apo, siç e quan autori, te “sekuenca kohore” e fillimit të romanit, te e dyta
na shpaloset jeta e Plakut, Njeriut të Fshehtë, diku te një Kishë e Braktisur,
rrënojash, labirintesh... “Sekuenca” hidhet në retrospektivë përmes një rrëfimi
pothuajse me diskurs mitik të oralitetit:
“E mbanin mend njëfarë
Colin (emër përkëdhelës i Sokol Dashit në kohën e Serbisë së Parë), i cili
kishte guxuar për t’i prerë disa trupa në vresht. Kujtoheshin: se si, në piskun
e vapës, atë e kishte pickuar gjarpri dhe ai kishte vdekur me të arritur në
shtëpi. Andej nisën të nxirrnin gurë e rrasa për ndërtimin e shtëpive, mbasi
afër vreshtës, nën cipën e kores shkëmbore, u gjetën varreza. Dikush e gjeti
vdekjen edhe prej nxjerrjes së gurëve: ishte shembur një madem i madh mbi të.
Andej pritnin dru për dimër a lisa të trashë prej
harmoçi, qarri, bungu, frashri e thane për ndërtimin e shtëpive.
Vdiqën dy prej tyre: njëri nga përplasja e lisit që
ia kishte zënë trupin, tjetri nga të premet e sëpatës.
- Asht vakaf. Mos e prekni vneshtën. Mos preni as
dru, - iu kishte thënë një plak, mbasi i kishin pleqnue të gjitha këto ndodhi.
Prej atyre viteve ajo pjesë e Malit ngjalli frikë. Frikë dhe admirim. E
tërhiqte admirimin e kureshtjen e njerëzve guximtarë. Mbas shumë vjetësh, rreth
e rreth kësaj ngrehine, u shkretua Mali, u prenë lisat e u nxorën varret
jashtë. Në shenjë hakmarrjeje.
- Kujdes, se ata shpirtna të fuqishëm nuk do të pushojnë.
Kanë me u hakmarrë herëdokur, - tërhiqte vërejtjen ndonjë tjetër.”
Në “sekuencën e tretë” ndodh takimi mes dy të rinjve dhe
Plakut, ajo që sugjerohet në fillim të romanit. Që në fjalinë e parë, Plaku
shfaq të çuditshmen, çrëndomtësimin e reales:
“- Isha duke qëndruar në
heshtjen time nëntokësore. Erdhët ju të dy, të bekuarit… Bëra dhjetë shekuj
udhëtime për një gjysmë ore. Ndërhytë ju në kalendarin tim e tani më duhet pak
kohë ta gjej fillin e Kohës Pa Cak... Te unë mëngjesi nuk është i një dite, as
muzgu nuk është i një nate. Është një Mëngjes Tjetër, Mëngjes Alternativ, ashtu
sikundër janë edhe Koha, Nata e Dita ime. Këndej Nata është Një Ditë e
Përsosur, kurse Agu është Vëlla që e ndihmon Rrokullimën. A e dini ju, se
ç’hire ka Terri i Ditës? Po flas për Ditën Kosmike ..“
Më tutje vjen teksti alternativ, krejtësisht me lirizmin
spiritual:
“Ishte një Vetmi e Përndritshme.
Ishte një Vetmi e Virgjër. “
Kështu ligjëron personazhi narrator për vetminë e Plakut
në mal. Gjithnjë e më në thellësi të tekstit, duket sikur Plaku me moshën e
moçme, me tej-moshën e tij, është shënjues i rrënjëve anteike të këtij trualli,
është simbol i urtisë, historisë, shpirtit autokton sa etnik, po aq edhe
spiritual e universal. Nga ana tjetër, urtia e tij është edhe një zbërthyes i
të fshehtave të kreacionit dhe mendimit: “E kam edhe unë Demonin e
Brendshëm...”, apo: “Shumë njerëz e kanë brenda vetes nga Një Njeri Të
Fshehtë. Nuk po flas për Njeriun e Brendshëm Te Vetja....” Nëpërmes
alegorizimeve të së kaluarës, sikur hiqen paralelizma tekstualë me të sotmen!
Historia na e shfaq arketipat e saj, qofshin ata të vrasjes pas shpine, qofshin
të tradhtisë apo të hileqarëve, që të vrasin natën e të qajnë ditën, që
paraqiten me aureolën e Çlirimtarit me Armë e dalin Plangprishës të Pangopshëm
(paradigma vjen prej kohës së pushtimeve otomane)…Ky kapitull është një
shpalosje e së kaluarës së Plakut.
Te “sekuenca e katërt” takimet e dy protagonistëve me
plakun shndërrohen në rrëfim të gjallë, në rrëfim të filozofisë së historisë.
“Thashë vetëmëvete: plaku është një libër i gjallë. E
Plaku e hetoi këtë pëshpërimë. Shpesh e përsëriste këtë: ajo që rrëfehet me
gojë, nuk mund të shkruhet. Është frymë. Frymën nuk ke si ta zësh. Po i
ngatërroheshin shkrimi dhe rrëfimi: e si mund të shkruhet fryma e asaj që e
flet? Apo ai po thoshte atë që ne të tjerët nuk hetojmë, nuk e ndiejmë. E si mund të shkuhen në kartë, Fjalët e
Gjuhës së Zjarrtë? I përsërita vargjet e Lasgushit, më shumë për ta bindur
vetveten, se nuk mund të rrëmbeja as një mini-sekuencë të vetme të dritës së
asaj fryme rrëfimi... “
Ky është një tjetër metatekst interesant, që depërton në
fshehtësitë e tekst-rrëfimit të ndërliqshëm. Në brendi të romanit, a brenda
sekuencave, shfaqen edhe tekstet në intermexo. Kështu, te kapitulli i katërt
shfaqet Intermexo e parë me titullin “Njerëzit Prej Fijeve Të Dritës” e
që është edhe titulli i romanit, gjithnjë sipas tekstit paralajmërues: “ajo
që rrëfehet me gojë, nuk mund të shkruhet. Është frymë. Frymën nuk ke si ta
zësh. Po i ngatërroheshin shkrimi dhe rrëfimi: e si mund të shkruhet fryma e
asaj që e flet?” Fija e dritës a fibra e dritës, është metaforë
procedimore, për të depërtuar nga një njësi tekstuale te tjetra; është një si
këpujë tekstesh, këpujë nivelesh narrative dhe nivelesh kohore. Ja si duket një
tekst i tillë:
“Fizikanët mund të na e shpjegojnë thyerjen e
dritës, dritën e thyer... që buruaka nga errësira!
Aty diku, qëndron Pavetori, Paskajori, I
Tejetlarti... Infiniti... Në Infinit ishin, së bashku Errësirë e Dritë, Adam e
Evë...
Këndej prej nesh sillet Evolucionisti, Dytëshori i
Krijuesit... Pjesori.
Më përfshinë përpara fibra të panumërta drite.
Kisha kaluar në Zonën e Paskajores. Aty ku Pjesorja e kishte kryer punën e vet
të ndarjeve... Një tjetër nivel i vetëdijes më dëboi së andejmi.
Luzma e turma më vinin përpara sysh.
Njëri krijonte, lidhte e shtrinte fije, kurse
Tjetri i këpuste ato.”
3. Tipa tekstesh narrative: procedimi modern me atë
postmodern
Në vazhdim vijnë deh dy tekste të tilla në intermexo, një
si brenda-rrëfim a brenda-tekst që e përplotësojnë strukturën e veprës. Kështu
Intermexo 3 i tëri shkruhet me një fjali
disafaqëshe!
Janë njësi të tëra sintaktike-hipotaktike, tekste tashmë
të sprovuara prej Xhojsit, Prustit etj e te Anton Pashku apo Rexhep Qosja. Janë
ato njësi që shënjojnë jo vetëm rrjedhën e mendimit, po edhe të ndërdijes,
sintagma që imitojnë, si në një shirit filmi, këtë rrjedhë veprim-reflektimi,
dialogimi, monologimi, pothuajse, sikur një zhanër muzikor i simfonisë. Janë
fjali simfonike! Proza shfaqet edhe si muzikë, si ritëm i pasur, për të
dramatizuar mendimin, a për ta intensifikuar mendimin, përjetimin... Diku ky
rend sintaksor krijon hove, diku tjetër një qetësim-ndalje, apogjeu-n e
perigjeu-n e përgjërim-reflektimeve. Gama e mundësive të tilla sintaksore është
e pasur, dhe Buzhala i njeh në shumë anë këto mundësi të thurjeve. Madje,
brenda tyre, ka dhe një interkomunikim tekstesh, intertekste, mbitekste,
hipertekste, mu ashtu si e zhvillon këtë romani i poetikës postmoderne. Ka një
shfrytëzim të habitshëm e të harmonishëm të këtyre dy poetikave: të asaj
moderniste me atë të postmodernes! E rëndësishme është se sa thellësi kreative
i jep tekstit, se sa thellësi kuptimore ky tekst, se sa cilësi tekstuale e
shënjuese-narrative merr kjo thurje e simbolizimit sintaksor. Sintagma a
togfjalësha të tërë ritmikë, shfaqin larminë e efekteve emocionale, një si
lëvizje herë e mjegullt e herë gjithë dritë gjatë këtij teksti. Diku tjetër
fjalia e tillë e gjatë (sipas asaj që thotë Frank Richardson te "The Art
of the Long Sentence"), ngjet në diskursin përrallor, dhe njësitë e tilla
jepen sipas ritmit të kallëzimeve përrallore, sidomos me anë të lidhëzës
bashkërenditëse "dhe". Rrëfimi i tillë herë paraqitet si histori,
herë si përrallë, herë si ese filozofik përsiatjesh, herë si imtim i ritmit të
lëvizjeve.
Te kapitulli i pestë, përsëri na vijnë tekste
procedimore:
“Dhe, për kaq e kaq vite,
Libri i Ndaluar,
Bibliotekat e Rrezikshme,
Dorëshkrimet e Përndjekura,
Shkrimi i Estetikës së Ndaluar,
Zbulimet e Anatemuara,
Kronikat Heretike,
i ruajta e i merendita në studiot-shpella, në
Hapësirat e Nëndheshme, ashtu si e kërkon Kalendari im i posaçëm merenditjen e
fuqive të shpirtit përballë bashkave të tjetërsimit.”
Vjen një rrëfim sekuencial përrallor, pothuajse mitik, që
shfaqet si histori e Kishës-rrënojë, e malit, e mitit ilir-arbëror të gjarprit.
Te ky tekst, shenajt pçikësimit të dialogit, bartin shenjëzime retrospektive
kohësh, dhe elxuesi duhet të mësohet se si ato shpalosin një dialog mitik, një
dialog historik apo një dialog retrospektiv...deri te ai i Kohës së tashme.
Tekstet shënjuese të thellësive mitike e përrallore, apo të historisë së moçme,
shkruhen me anë të ligjërimit gegë, madje, më në thellësi, ligjërimi gegë
shndërrohet në ligjërim të rrëfimit popullor! Një tjetër bukuri tekstesh që
alternohen mbi shtresimet e rrëfimit! Është një sekuencë a kapitull tekstual,
që zë një hapësirë të gjerë brenda veprës. I kësaj fryme është edhe kapitulli i
gjashtë dhe shtatë. Te i teti jepet historia e dashurisë së dy të rinjve, nga
ajo rustikale, e lirshme, e deri te ajo romantike, por gjithnjë me përjetime të
pasura lirike. Te kapitulli i dhjetë takimi ndodh “pas njëzet vjetësh.” Përsëri
dialogime të Plakut me dy protagonistët për leximin, librin dhe leximin pa
libër të kujtesës njerëzore! Kapitujt në
vazhdim janë sekuenca të bukura të tematikës së dashurisë. Tematika e dashurisë
zë pjesët më të rëndësishme të romanit, në gërshetim me tekstet
narrative-spirituale: tekstesh që “lodrojnë” nëpër univers e nëpër mikrokozmos
(në botën e brendshme të individit). Figurinat arkeologjike janë shkas për
depërtime në histori e në thurjen e një sekuence dashurie a thelbi të qenies.
Ja si duket një tekst lirik (për dashurinë, në ndërthurje me atë
arkeologjik-kozmik):
“Zgjohesh në mëngjesin galaktikor, vjen e zbret nga
Kashta e Kumtrit në lëndinat me bar, duke derdhë lotët e Universit,
rrotullohesh rreth një kërcyelli të artë, duke u bërë mike ëndrrash, e mandej
ulesh e qëndron në vetmi. Për vete nuk e ke krijuar asnjë vatër ku të banosh,
prandaj lulëzon e vallëzon në secilën lule; ndalesh para mendimtarëve,
krijuesve, dijetarëve, shkencëtarëve, magjistarëve, alkimistëve, teologëve,
asketëve, të cilët para teje mbesin eng, për të kërkuar një thërrmijë nga urtia
, bukuria e dija e Universit tënd).”
Në këso rastesh duket sikur një arkeologe bëhet
shkrimtare dhe anasjelltas: sikur një historian këmben rolet me autorin: sikur
një përrallëtar është autori më i talentuar. Rrëfimi sekuencial i ngjet
sekuencave filmore, herë ritmikës simfonike të zhanrit muzikor. E gjithandej
është njësia-bosht e romanit, e fokusuar te tre personazhe. Teksti i gjatë
sintaksor këmbehet shpesh me fjali tejet të shkurta lirike. Në roman ekziston
një proces i ndërliqshëm në mes të realitetit të përditshëm dhe “ikjes” në mal,
në një qetësi parajsore: “ikja” ka revoltën e saj (si na u shprish qenia jon),
ka paradigmën e thellësive historike (ajo ende qëndron këtu me rrënjët e saj
anteike). E tërë “ngjarja” rrëfehet në eksterier, në hapësirën e maleve e
thellësinë e dinamikën e tyre (shpellat, ujërat), në hapësirën qiellore e në
atë të botës shpirtërore. Të dashurit, duke ikur për ta gjetur qetësinë në mal,
dashurinë e lirë, larg botës së zhurmshme urbane, ndeshen e futen në një
aventurë tjetër shënjuese.
Dhe si përfundon kjo aventurë:
” Këtu unë e përfundoj Historinë time të gjallimit
vetmitar. Tani shkoj i kënaqur, se erdhi Prerja e Kohëve në Epokën time…
Mandej ai shkoi në Guvën e Zjarrtë përgjithmonë: me
Zjarrin e Amshueshëm të Hyjit.
Aty ku gjendet zjarri, aty është varri i tij që
ndriçon.
Është Varri Që Lëviz. “
Zhdukja e personazhit është enigmë që do zbërthyer me
kodet e posaçme brenda romanit.
4. Në përfundim
Ky roman, sipas datës së vënë në fund, është shkruar më
2003. Lexuesit e kujdesshëm do ta
vërejnë se është roman i nxjerrë nga një roman tjetër, i botuar atë, vit, me
titullin “Mosiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë”. Roman brenda romanit, që
tashmë del nga ajo “gëzhojë” dhe rilind si qenie artistike më vete...