Kerko: a
Enver Memishaj: Major Ahmet Lepenica në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës
E shtune, 25.01.2020, 01:16 PM
Kush e mbrojti me armë Kongresin e Lushnjës më 1920?
MAJOR AHMET LEPENICA NË
MBROJTJE TË KONGRESIT TË LUSHNJËS
Si
përfundim pa këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur
Kongresi i Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta
kishim rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet
Lepenica u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe
asnjë problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.
Nga
Enver MEMISHAJ
Në hyrje të Muzeut
Historik Kombëtar të Kongresit të Lushnjës, vizitori do të përballet me
fotografinë madhështore të major Ahmet
Lepenicës që mbrojti me armë atë kongres.
Po cili ishte major Ahmet Lelenica, dekoruar NDER I KOMBIT SHQIPTAR ?
Major Ahmet
Lepenica lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1872. Në ushtrinë turke, u dallua
si ushtarak i lindur dhe u dërgua në një
kurs dy vjeçar ushtarak që e kreu me rezultate të shkëlqyera. Nga ushtar për
vleftë trimërie arriti gradën kapiten, po për vleftë trimërie kundër rebelëve
të Haxhi Qamilit, më 1914, u gradua major nga qeveria shqiptare e Turhan Pashë
Përmetit, ku ministër i brendshëm ishte patrioti Aqif Pashë Elbasani.
Më 1912, u arratis
prej trupave turke, për t`i shërbyer shtetit të ri shqiptar. Më 1913,u emrua
Komandant i Xhandarmërisë së Lushnjes. Më 1914 në krye të forcave shqiptare dhe
kosovare çliroi krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek. Në vitin 1920,
ishte mbrojtës me armë i Kongresit të Lushnjës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” ,
që po përgatiste Luftën e Vlorës, më 4 qershor 1920, në mal të Beunit, mbi
fshatin Vajzë të Vlorës e emroi “Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare, mbështetur në burrërin dhe
atdhetarinë e tij”
Në vitin 1921
Shqipëria ishte ndarë në katër zona. Më 12 shkurt 1921 u emrua komandant i
zonës, Krahut të Vjosës, pra Lepenica shfaqet si një nga katër ushtarakët e
shquar të Shqipërisë.
Më 1 qershor 1921, për herë të parë në historinë e
Shqipërisë, bashkon me armë me trungun e shtetit shqiptar krahinën e Himarës.
Në tetor të vitit
1921, në krye të një batalioni vlonjatësh lufton në veri kundër sërbëve, nën
komandën e komandantit të operacionit kolonel Ahmet Zogut i cili shkruan se
major Lepenica ka treguar një trimëri të tërbuar.
Më 17 janar 1922
emrohet Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Në prill 1924 vihet në
krye të Lëvizjes së Qershorit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit
qëndroi i arratisur dhe në mars 1925 emigroi jashte shtetit.
Në fund të vitit
1926, u fal dhe u kthye në vëndlindje në Lepenicë, ku jetoi deri sa vdiq
në janar 1941, pa lënë pas as fëmijë as pasuri, por vetëm emrin e mirë të një
atdhetari të pa njollë dhe të paharruar.
Eshte vlerësuar nga
të gjith presidentët e Shqipërisë dhe së fundi NDER I KOMBIT SHQIPTAR.
***
Me interesimin e
major Kasëm Qafëzezit, major Ismail Haki Tatzatit dhe të disa atdhetarëve të
tjerë, major Ahmet Lepenica filloi punën si komandant xhandarmërie, në Lushnjë, ku kishte shërbyer
në të njëjtën detyrë edhe në vitin 1913, kur prefekt ishte patrioti shquar
Qazim Kokoshi.
Nga një telegram i
datës 1 gusht 1919, marrim vesh se major Ahmet Lepenica ushtron detyrën
Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës. Po nga ky telegram kuptojmë edhe
punën shumë të vështirë që kryente xhandarmëria duke kaluar muaj të tërë pa u
paguar.89)
Më 31 dhjetor
1919, në Lushnjë ka qënë kryetar bashkie Besim Nuri, nënprefekt Veli Vasiari
dhe komandant xhandarmërie Meleq Frashëri, të tre janë shprehur në mbështetje
të mbajtjes së Kongresit, haptazi në kundështim me urdhërat e qeverisë së
Durrësit. Major Ahmet Lepenica është transferuar në këtë kohë komandant i
xhandarmërisë së Lushnjës, me qëllim që të mbronte Kongresin. Këtë fakt e pohon
edhe Bardhosh Gaçe: “Në ditët e para të janarit disa herë u dërgua nga
nënprefekti i Lushnjës për të biseduar me nënkomitetin e Vlorës, ushtaraku
Ahmet Lepenica, i cili këmbëngulte në përfaqësimin e Vlorës në Kongres...
Vlonjatët u bashkuan me përfaqësuesit e tjerë në Lushnjë”. 90)
Kundër Kongresit
të Lushnjës bëri sa kishte mundësi edhe Qeveria e Durrësit duke kordinuar
veprimet e sajë me pushtuesin italian. 91)
Në prag të
mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, më 10 janar 1920, u vra në Shkodër atdhetari
Sali Nivica (1891-1920), kryeredaktor i gazetës atdhetare “Populli” që dilte në
Shkodër. Më 27 janar 1920, u vra me atentat në Durrës atdhetari tjetër Abdyl
bej Ypi (1878-1920), pasi qe shkarkuar më parë nga detyra e prefektit të
Durrësit “ i cili, me qëllim që të mos rrezikohet mbledhja kombiare
e Lushnjës, u ba
theror, dëshmor i Shqipnisë, tue u ba kafshatë e nji pushke mizore që asht
zbrazë nga nji dorë tradhëtare”, i shkruan familjes, kryetari i Mbledhjes së
Lushnjës Aqif Pashë Elbasani.
Po në janar Myfit
bej Libohova kurdisi plane e realizoi vrasjen e përhapësit të gjuhës shqipe,
mësuesit, e patriotit zemërzjarr Shuko Dalipi (1876-1920), kushëri i Sali
Nivicës.92)
Myfit bej
Libohova, ministër i kabinetit të qeverisë së Durrësit, ka treguar veprimtarinë
e tij antikombëtare kundër Kongresit: “Si ministër i brëndshëm, {i qeverisë së
Durrësit } lipsej të ndaloja Kongresin e Lushnjës, me fuqinë e xhandarmërisë,
po oficerët e këtij trupi ishin bashkuar me të mbledhurit dhe qeveria kishte
mbetur pa fuqi... Atëhere pas akordit që kishim me italianët i kërkova gjeneral
Piaçentinit të vinte nën komandën time dy kompani të milicisë shqiptare, të
cilat Piaçentini m`i dha dhe u nisa për në Fier me automobil... Aqif Pasha ...
i kishte shkruar … Gjeneral Piaçentinit një letër me të cilën thoshte të mos ta
njohë Qeverinë e Durrësit…
Nisa ushtrinë për
në Kolonjë të Myzeqesë dhe andej për në Lushnjë. Plani ishte të rrethoja këtë
qytet dhe të përndaja mbledhjen tuke proklamuar në tërë Shqipërinë zgjedhje të
përgjithshme për një Asamble Kushtetuese. Kolonelin e Italisë që gjëndej në
Lushnjë e trembën duke e bërë të besojë se rreth e qark Lushnjes qenë mbledhur
3 a 4000 shpirt dhe do derdhej gjak i tepërt, po unë kishja
lajme të sakta
prej Lushnjës edhe dinja se veç 150 dyfeqe që kish Shehu i Karbunarës dhe nja
100 dyfeqe që kishin prurë bejlerët e Gegërisë, tjetër fuqi kundështare nuk
kish … Prisnja të më harrinin me të çpejtë edhe 200 milicë nga Gjirokastra, dhe
po nisesha vetë për në Manastir të Adrenicës, ku gjeneral Piaçentini, pa
lajmëruar I dha ushtrisë që gjendej në Kolonjë urdhër të mos niset për në
Lushnjë por të presi urdhërin e dytë të Komandës. Kësisoj më iku nga duart edhe
fuqia e milicisë.
E pashë që u munda
dhe u nisa atë çast per në Vlorë. Tre, katër ditë dhash e mora ta bind
Piaçentinin të më jepte 700 milicë ndën urdhër. Me këtë fuqi doja të mbaja
Durrësin dhe jirokastrën dhe të bëja një
mbledhje më të madhe dhe më të rregullt nga të Lushnjës, duke vendosur
zgjedhjet e përgjithëshme . Piaçentini nuk donte të trubullohej Shqipëria”. 93)
“Në ditët e para
të janarit 1920, në Vlorë u shfaq Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Durrësit,
Myfit bej Libohova, i cili mobolizoi mjaft milicë kundër Kongresit Kombëtar të
Lushnjës. Ahmet Lepenica, me anën e një letre e vinte në dijeni Ibrahim
Abdullahun dhe “Komitetin e Vlorës”, se vizita e Myfit bej Libohovës në Vlorë,
bëhej me qëllim për të penguar organizimin e “Mbledhjes në Lushnjë”. Ibrahim
Abdullahu kujton: “Më 12–13 janar 1920, në Vlorë sosi ministri i brëndshëm
Myfit bej Libohova, për të mbledhur milicë. Ahmet Lepenica, nga Lushnja më
dërgonte një letër, ku midis të tjerash më thoshte të lajmëronim popullin në
qytet, se milicët që po mbledh Myfit beu i do si forca kundër Lushnjës.” 94)
“Si ndërlidhës
ndërmjet Komisionit të Vlorës dhe atdhetarëve të tjerë në qytetin e Lushnjës,
Kavajës dhe Elbasanit ishte Ahmet Lepenica, një ushtarak i zoti e mik i Osmën
Haxhiut dhe Hamza Isait”.95)
Thirrje për të mos
marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës përfaqësuesve vlonjatë, u bëri edhe Syrja
bej Vlora, ai thirri në bashkëbisedim Aristidh Rucin, Ymer Radhimën, e Tod
Filipin, të cilët “i këshilloi” se Vlora, nën qeverinë e Durrësit“ do të kishte
mjaft përfitime ekonomike prej Italisë...”. 96)
Ideali i
përbashkët atdhetar, dhe miqësia që kishin që nga koha që shërbenin në Turqi, i
bashkoi edhe kësaj radhe majorët Ahmet Lepenica, Ismail Haki Tatzatin, Kasem
Qafzezin, Ismail Haki Kuçin dhe kapiten Meleq Frashërin në një detyrë tjetër të
shenjtë, në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. 97)
Komandant i
Xhandarmërisë së Qarkut të Beratit, Ismail Haki Tatzati dha një ndihmë të çmuar
për furnizimin e kryengritësve vlonjatë,
me armë, municione dhe ushqime, por pati një fund tragjik: Fan Noli kur erdhi
në fuqi e harroi, ndërsa komunistët e “shpërblyen” duke i dhënë një plumb kokës
në vitin 1945! Detyra e mbrojtjes së Kongresit ishte e vështirë. Në radhë të
parë duhej të garantohej rendi dhe qetësia në qytet, pasi delegatët dhe ata që
i shoqëronin ishin shumë dhe ishin strehuar në banesat e qytetarëve. Në këtë
detyrë kanë vepruar edhe shumë patriotë, qytetarë lushnjarë si Rasim Hoxha,
Besim Nuri, Llazi Bozo, Emin Vokopola, Qemal Mullai, veçojmë Sheh Karbunarën, e
shumë të tjerë, si Iliaz Vrioni në Berat, etj. Me kongresistët u bashkuan edhe
disa oficerë shqiptarë të milicisë si Kasëm Radovicka etj.
Përballë qëndrimit
armiqësor të qeverisë së Durrësit dhe pushtuesit italian, u përgatitën edhe
forcat në mbrojtje të Kongresit. Brënda në qytet ishin më se 150 xhandarë të
armatosur nën komandën e major Ahmet Lepenicës. Krahas xhandarëve, patriotët
kishin grumbulluar edhe 350 vullnetarë nga rrethi i Lushnjes dhe i Dumresë nën
komandën e Meleq Frashërit, që treguan vetmohim në mbrojtjen e Kongresit.
Përveç këtyre forcave në periferi ishte në gatshmëri populli i Lushnjës, si dhe
skuadra patriotësh me armë në dorë.
Ishte kohë e
trubullt ku çdo gjë vendosej me grykën e pushkësPa këtë mbrojtje Kongresi nuk
do të ishte mbajtur dhe fati Shqipërisë nuk dihej si do të shkonte. Ndofta
Shqipëria do të humbiste përgjithmonë, prandaj atdhetarëve si Ahmet Lepenica, Ismail
Haki Kuçi, Ismail Haki Tatzati, Riza Cerova, Meleq Frashëri, Kasem Qafzezi etj
që organizuan dhe komanduan forcat e armatosura për mbrojtjen e Kongresit të
Lushnjës, duhet të vlerësohen, lartësohen e të zenë vendin e tyre në histori.
98)
Duke parë
dështimin e qeverisë së Durrësit, për të ndalur mbajtjen e Kongresit,
komandanti i përgjithshëm italian, gjenerali Setimio Piaçentini dërgoi një
ultimatum më datën 31 janar 1920, por atdhetarët shqiptarë nuk e përfillën dhe
vazhduan rregullisht punimet.
Ish sekretar i
Kongresit të Lushnjës Ferit Vokopola, na ka lënë këtë dëshmi: “Ushtria italiane
deshi të ndërhynte me armë për të ndalue Kongresin, por priste të arrinte ma
parë milicia shqiptare
nga Gjirokastra e
Vlora, por kjo e udhëhequr prej oficerëve patriotë nuk guxoi të luftojë me çetat nacionaliste që
kishin pre udhën në lumin Osum dhe menjeherë aderoi me kongresistat…Vlora
shpëtoi me kryengritjen e famëshme që ashtë e pjellma e këtij Kongresi” 99)
Bardhosh Gaçe
thotë se, në takimin e Sulejman Delvinës, me parinë e Vlorës në Lepenicë,
Ahmeti kishte marrë me vete edhe 14 ushtarakë të tjerë, që kishin shërbyer në
mbrojtje të Kongresit të Lushnjës, gjë që do të thotë se Ahmeti gjithë fuqinë e
xhandarmarisë që komandante në Lushnjë e kishte vënë në mbrojtje të Kongresit.
Stilian Adhami përmënd kapiten Meleq Frashërin në xhandarmarinë e Lushnjës, i
cili ishte vënë në mbrojtje të Kongresit duke kthyer prapa 500 forca të Myfit
Libohovës dhe Sami Vrionit, që kishin mbërritur në Fier për të ndaluar mbajtjen
e Kongresit të Lushnjës. 100)
Murat Tërbaçi,
anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” që drejtoi Luftën e Vlorës më 1920,
në kujtimet e tij shkruan: “Në Kongresin e Lushnjës, pas letrës që na dërgoi
Halim Xhelo (i cili qe
shpirti
organizator i Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza
Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullahun, Dhimitër Qypin, Spiro J. Kolekën e
Osmën Haxhiun, që morën
pjesë si
përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin
mandate delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në
Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë...” 101)
Hamza Isai,
përfaqësues i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, me botën e jashtëme, me
qëndër në Korfuz, konfirmon veprimtarinë atdhetare të Ahmet Lepenicës në
mbrojtje të Kongresit të Lushnjës: “Kongresi i Lushnjës hasi në kundështimin e
komandës italiane në Vlorë… Më 13 janar u shpall se mbledhja e Lushnjës ishte e
ndaluar.Me inisiativën e Ymer Radhimës, Halim Xhelos, Myqerem Hamzarajt dhe
Osmën efendiut u bë një takim tjetër i fshehtë ku qeshë edhe unë…Në këtë
mbledhje ka marrë pjesë edhe Ahmet Lepenica, që ishte dërguar këtu nga nënprefekti
I Lushnjës, që kërkonte përfaqësimin eVlorës në Lushnjë. Më pas Ahmeti më
kërkoi një deklaratë që ja dhashë me fjalët: “Zotëri e Tij Ahmet Lepenica ka dhënë një ndihmë të
çmuet në organizim të gjindarmërisë për
mbrojtjen e mbledhjes së Lushnjës, duke i bërë një shërbim të çmuar Atdheut.”
Deklarata është lëshuar më 29 tetor 1924.102)
Antoneta Radhima,
një autore tjetër që ka shkruar për atë kohë thotë se: “Mbledhja tjetër u bë në
shtëpinë e Ymer Radhimës, takimi ishte tepër i fshehtë. Ky takim ishte bërë me
iniciativë të Ymer Radhimës. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe Ahmet
Lepenica, i cili , si ushtarak i asaj kohe, ka dhënë një ndihmë të çmuar për
përgatitjen dhe mbrojtjen e Kuvëndit të Lushnjës”. 103)
Aktivitetin e
shquar të major Ahmet Lepenicës në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës e pohon
indirekt, përpara parlamentit shqiptar më datën 9 tetor 1922 edhe Myfit bej
Libohova, duke folur për atentatin që ju bë atij, më 29 gusht 1922, akuzon pa
prova, për këtë atentat major Ahmet Lepenicën, duke thënë se:
“Vrasësin e kujtoj
prej anës së atyne që kanë ba Kongresin e Lushnjës, se gjoja unë shkova kundër
tyre me u vra me ta, e se gjoja gjeneral Piaçentini më ndaloi. Se komandanti i
gjindarmërisë së Gjirokastrës {major Ahmet Lepenica} u kishte mbushë mëndjen se
z. Myfit Libohova u paska shit Vlorën italianëve e se edhe më përpara kishte vu
pritë. Kur u bë atentati, Gjindarmëria e vendit qe e shpërndame andej këtej...”
104)
Nga sa paraqitëm,
del e qartë se Ahmeti është shquar në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, në
këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sa që e gjejmë në disa gazeta, si pjesmarrës
në këtë Kongres. 105)
Si përfundim pa
këtë përkrahje dhe mbrojtje ushtarake, nuk do të ishte mbajtur Kongresi i
Lushnjës dhe nuk do kishte ndodhur Epopeja e Vlorës, pra nuk do ta kishim
rifituar Pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, ushtarakëve si major Ahmet Lepenica
u duhet dhënë vëndi që meritojnë, sepse ishin kohë të trubullta dhe asnjë
problem i madh kombëtar nuk mund të zgjidhej pa forcën e armëve.
Marrë nga: Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i
Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, Tiranë 2012, f. 75 -
80
Libri vlerësuar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. dr. Uran Asllani,
promovuar nga Akademia e Shkencave
Burimet arkivore:
89) AQSH, F. 154,
V. 1919, D.12, f.3 Telegram. Fort i ngutshëm, nr. 3996 datë 1. 8. 1919.
Komandës Përgjithshme Gjindarmërisë Tiranë “Për bajram nëpunësit po marrin
rrogën e gjindarmërisë. S`paguhen se s`ka patur kredi. Të holla s`ka për ta. Gjindarmëria
mbetet edhe me përshtypje të ligë kur shohin se nëpunësit me rroga të nalta dhe
policia nuk paguhet. Rrethkomanda e Përmetit s`është paguar as për qershorin
stop. Lutem merrni masat. Komandanti i Qarkut, major Ahmet Lepenica”
Në një telegram tjetër
Ahmet Lepenica njofton komandën eprore: “Krye 24 orëve qetësi stop”
AQSH, F. 154, V.
1919, D.12, f. 1
90) Bardhosh Gaçe
“Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 91
91) Fane Veizi
“Kongresi i Lushnjes”, Tiranë 1959, f. 30-33
92) AQSH F. 152, V.
1920, D. 1, f. 2
“Lufta e popullit
shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920” (Përmbledhje dokumentash), Vëll. II,
Tiranë 1976, f. 56; Prof. dr. Nasip Meçaj “Tepelena”, Toena, Tiranë 2007. f.
255
93. Myfid Libohova
“Politika ime ndë Shqipëri 1916-1920”, Gjirokastër 1921, f.18-19
94) Bardhosh Gaçe
“Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Tiranë 2009, f. 293
95) Bardhosh Gaçe
“Osman Haxhiu”, “Naim Frashëri”, 2001. f. 77
96) Bardhosh Gaçe
“Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, Toena, Tiranë 2009, f. 159
97) Gazeta
“Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, dt.15.2.1922; Hasan Luçi “Ismail Haki Kuçi”,
Mokra, Tiranë 1999
98) Shih: Fane
Veizi “Kongresi i Lushnjës”, Tiranë 1959
99) Gazeta
“Bashkimi i Kombit”, Nr.17, Tiranë, dt. 21.1.1944
100) Shih: Stilian
Adhami “Përmeti dhe përmetarët “, Tiranë 2001, f.43
101) Bardhosh Gaçe
“Hamza Isai ... “ Tiranë 2000, f. 293
102) Bardhosh Gaçe
“Hamza Isai, një jetë në shërbim të kombit”, Tiranë 2000, f. 70, 151, Hamza
Isai “Kujtime”, Vlorë 1937.
103) Antoneta
Radhima “Ymer Radhima, vullkan i pashterur”, “Maluka”, Tiranë 2004, f. 58
104) “Fletore
Zyrtare”, nr. 44, dt. 30. 8. 1923, nr. 45, dt. 2. 9. 1923
105) Gazeta
“Tomorri”, Tiranë, dt. 22. 2. 1941
Komiteti Mbrojtja
Kombëtare e emron Komandant të Përgjithshëm të Trupave Kombëtare në Luftën e
Vlorës 1920.
Major Ahmet Lepenica
(1872 - 1941), Shef i Shtabit dhe Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare
në Luftën e Vlorës në vitin 1920.
Firma, vula që përdorte Ahmet Lepenica.