Kerko: a
Tahir Bezhani: Lulzim Logu - Ethet e Lutjes
E marte, 07.01.2020, 07:52 PM
HAIKU I LULZIM LOGUT, NJË FILOZOIFI E VEÇANTE KRIJUESE NË LETËRSINË TONË
Lulzim Logu:” Ethet e
Lutjes”, hajku 2019, botoi “Akademski peçat” Shkup.
NGA
TAHIR BEZHANI
“S’resht së shkruari
Duke dashur të kryej
Një zinxhir të artë hajku....”
Lulzim Logu është
ndër poetët më të spikatur të kohës sonë, i cili përmes pendës së tij të
mbrehtë, bëri hapa të konsiderueshëm, duke
ecur sigurtë majave të artit
poetik. Si autorë i dymbëdhjetë veprave letrare( dhjetë nga keta me vargje haiku
etj), u bë emër i njohur jo vetëm
në shtrirje kombëtare, por edhe
më gjërë, duke qenë i përkthyer edhe në
gjuhën angleze, italiane, bullgare dhe greke. Po ashtu poeti tropojanë, Lulzim Logu, është i përfshirë edhe në disa
antologji , ku prezenca e tij , me krijime cilësore, i bënë nder , jo vetëm
Malësisë së Gjakovës, por mbarë trojeve shqiptare.
Duke lexuar librin
më të ri të poetit Lulzim Logu, ”Ethet e Lutjes”, haiku, si lexues i rëndomtë, nuk
mund të kalosh kalimthi faqeve të kësaj vepre nga se , që në hajkun e parë e
deri në të mbramin (281 haiku), secili
trevargësh të ndal në mendime të thekta filozofike, duke trajtuar gjithë
jetën e njeriut tonë, me peripecitë e përjetuara thua se autori është kujdestar i të gjitha dhimbjeve, skamjeve, të gjitha
gëzimeve, i dashurisë në trojet e tij. Veçori e trevargshit logian qëndron në fuqinë
shprehëse ku rrëmben lexuesin me ndjenjen shpirtërore e forcën mendore, duke ia
prezantuar dhimbjen e gojfiltë e dashurinë si vuajtje ose sakrificë. Kjo formë
shkrimi në trevarshin logian, natyrshëm, skajon cilësitë krijuese e filozofike
të poetit, i cili është dashuruar në vargun haikian.. Dhe, si rezultat i kësaj, sikur mos të dihej preardhja e haikut,
ky poet do ishte bash bartësi origjinal i trevargëshit
shqiptar.
Në haikun 28 të
fq.11 lexojmë:
”Pika të mëdha
shiu/Vargje të pandalshme/Haiku.....”
E sqaruar bukur, haiku
për poetin është pikë e shpirti. Për këtë qasje të përzemërt ndaj haikut, poeti
na dëshmon edhe te haiku 74 fq.23 ku shkruan:
”S’resht së
shkruari/Duke dashur të kryej/Një zinxhir të artë hajku....”
Qasja shpirtërore
e filozofike ndaj hajkut, mendoj se s’do koment pas këtyre rreshtave të lartë
cekur.
- Ndjeshmëria shpirtërore e poetit Lulzim Logu, një filozofi e dhimbjes e dashurisë njerëzore.
Edhe poeti ka
etapat e veta të ndjesive që ia dhuron mosha, koha, pjekuria dhe rastet e
veçanta në jetës. Të gjitha së bashku përbëjnë forcën imante poetike, të
regjistruar në memorien e tij, ku pikon e rrjedh regjistrimi i fenomeneve jetësore në psikologjinë personale. Te poeti
Lulzim Logu, në librin “Ethet e lutjes”, ky sindrom poetik është jo vetëm i pashëm, por edhe i thurur rrjedhshëm e me ndjesi të
mprehta.
Dikur”Zbathur e
ndjeja/Zjarrminë dikur/Tash ftohjen....”janë këto vargje që tregojnë ndryshmet
e brendshme në vetqenjën e poetit si njeri. Por kujtimet mbjillen dhe vlojnë
nëpër kohë, padiktueshëm si:
” Lutje e
pambarueme/Malli im i fshehtë/Në arkën e zemrës....”
Si zakonisht te
çdo njeri, posaçërisht te krijuesi, kujtimet evolojnë nëpër kohë, të dalin si
të “gjalla” para syve, herë të gjallat si të “vdekura”, duke reprizuar me
dashurinë, me vuajtjen, me dhimbjen etj. Dashuria, mendoj, do ishte germa e
parë e alfabetit te krijuesit, nga se zjarri ndizet më lehtë në moshë të re, ndërsa
dhimbjet gufojnë përjetimeve të hidhura. Proçes ky, i cili kalon edhe përmes shprtit human të poetit Lulzim Logu. Dashuria në trajtesën
e vargjeve të Lulzim Logut qoftë haiku apo ato lirike, e mbajnë trajtesën e një dashurie të
mirëfilltë, të sinqertë, besnike e të
zjarrtë. Nuk ndjehet dashuria si tregti, por si vuajtje e ndjesive shpirtërore, i perket atij romantizmit të dikurshëm deri në
flakërim. Kjo mënyrë, mendoj, prezanton
edhe dinjitetin njerëzor të lindur e rritur në ambientin e vetevetes, me gjithë kulturën e traditës kombetare. Ja
disa vargje të haiku-t:
” Sa herë të
puth/Më duket e fundit/Mbes’i etur....”
”Lotin si kujtim/E
kthej puthje/Në buzen e rreshkur....”
”Sa të dua/Tretem
pandjerë/Shituar bukurie....”
Aftësia imagjinare
poetike të sjell në mendime kohët, lirinë për të dashuruar lirshëm. Ja forca poetike
e shprehur në trevagshin logian:
”Gjinjtë e
kërcyer/Shqyjnë pëlhurën/Pisket liria....”
Këto strofa
të cekura, argumetojne mendimin e sipërm mbi trajtesën e
dashurisë nga bota poetike e poetit Lulzim Logu. Pra diçka ndryshe, e zjartë, besnike
e njerëzore. Një dashuri e mbështjellur me fjalët mjaltuese skajshmërisht.
-Dhimbja dhe dashuria prindore në trevargshin e Lulzim Logut.
Një tjetër qasje interesante në haikun e poetit Lulzim
Logu, e lexojmë në përkushtimin e poezive atnore, vargjet me të cilat i
drejtohet prindërve, njërin të gjallë e
tjetrin në jetë. Këtyre figurave madhore
të jetës, të vetmet, i “shikon” përmes
prizmës së lotit, të dhimbjes së
përbashkët, por edhe të dhimbjes së tyre për njëri tjetrin( i gjalli për të
vdekurin). Lexojmë elegancën vargore te rreshtave që të mbushin dhimbje:
”Fytyra e
babës/Dhe lot’i nanës/Skajojnë dhimbjen...”
“Nëna ime/Vallëzon
/N’peshoren e jetës....”
Vargje që flasin
shumë përmallshëm ndjesinë e kënaqësisë që, bile nënën e ka në jetë, afër
zemrës së tij të përmallshme. Ndërsa, ati që i mungon, babait, i drejtohet me
vargjet tejet prekëse:
”Hija e
babës/Frymon mureve/ Të shtëpisë....”
Një përfytyrim i
ndjeshëm prindëror edhe pas kaq vitesh ndarje!
Nga ky aspekt i
jetës së mbështjellë me dashuri e dhimbje prindore, mund të flitet shumë e
shumë, por, kur ndjesojmë figuracion “pika shiu”, në vargun logian, nënkuptojmë
shumë më shumë se mund të shkruajmë:
“Pika e shiut/Më e
fortë se guri/Dëgjoj krisjen e saj....”
-Dashuria ndaj natyrës dhe çështjes kombëtare, një lidhshmëri jetike
shpirtërore në vargjet e Lulzim Logut.
Në tërë librin”
Ethet e Lutjes” me gjithsej 281 haiku, poeti tropojan, Lulzim Logu, nuk le anash
asnjë segment të jetës dhe të rrethanave jetësore, që nuk i përjetëson në trevagshin e tij, me
një elegancë të përmbledhur, me një
logjikë universale. Secili rresht, secili haiku, përmban tharmin e kuptimit, mesazhin e thellë filozofik e njerëzor. Nga ky
aspekt, në vargjet treshe, lexuesi ndien ritmin e përjetimit të bukurive
natyrore, sipas interpretimit të ndjesive
të thella të poetit Logu. Pos këtij aspekti, me një mjeshtri të rrallë, do
thoja, lidh gjitha bukuritë e trojeve shqiptare, si pjesë e pandarë, e në
veçanti Rugovën e bukur.
Duke e njohur të
gjithë poetin, si një dashamir të natyrës dhe bukurive të saj, i cili kalon verat duke shëtitur në Maje të Jezercit
e lartësive të bjeshkëve të Rugovës, natyrshëm se këto bukuri janë pjesë e pandarë e frymëzimit poetik që rrjedhin
në vargje. Ja disa nga vargjet me nivel të lartë artistik:
” Bash si lot/Shiu
i Rugovës/Mezi dallohet....”,
”Malli ngjiti
zemrës/Si balta /Këpucës....”
Një lidhje e fortë
qëndron mes vargjeve për natyrën e bukuritë e saj, si të pandara mes Rugovës, Majës së Hekurave
dhe Jezercit. Lexojmë vargjet brilante:
” Frynë veriu në
korrik/Në Majen e Hekurave/Rrënqethet kujtimi yt....”
“Mbrëmjes në
Jezercë/Piskatin dhitë e egra/Serenaten alpine”
”Sumbulla loti/Mbi
faqen e Jezercës/Liqenet e gurit..”
Dhe, komenti ndaj
këtyre vargjeve brilante, do ishte i tepërt.....
Ndjeshmëria e poetit ndaj varfnjakëve, skamnorëve, si kategori e veçantë në
shoqërinë tonë.
Poeti i mirëfilltë
jeton, përgjon dhe përjeton vuajtet e të tjerëve deri në thellësi të shpirtit
të tij. Ai duke shetitur rrugëve, në syrin dhe mendjen e tij, futet dhimbja
ndaj të tjerëve, të cilën e përcjell si
vuajtje të tij dhe vuan me ata që vuajnë.
Fenomenet e përdithsmërisë para syve tanë nuk përjetohen njësoj.Poeti ka
në embrionin e tij ndjeshmërinë e theksuar, ndryshe nuk do ishte poet i
mirëfilltë.
Lypsat e rrugës, skamnorët
të vuajturit, ia “zënë “rrugën poetit.Pas përjetimit vijnë vargjet e njerëzores
së thellësive shpirtërore. Mosbarazimi mes varfnjakëve dhe të pasurve
tingllon dhimshëm në vargun logian, si
në këtë trevargësh:
”Mbi dorën time
/Mungon e jotja/Degë e thyer...”
Ndjeshmëria
migjeniane prodhon kohën e Migjenit përmes protagonistëve të kohës sonë.Ja si i
shikon një lypsar poeti Logu, si ndihet pranë tij:
” Loti
lypsarit/Këtë natë acari/Ma thyen zemrën...”
“Mëkatoj duke
lutur/Sytë e tu/Të mos qajnë...”
Në këto vargje, nuk
shohim vetëm dhimbjen poetike, por dëgjojmë
apelin e dhimbjes migjeniane nga poeti i mirënjohur, mjeshtër i vargut.
z/Lulzim Logu.
Sado të shkruanim
për librin më të ri të poetit Lulzim Logu, ”Ethet Lutjes”, prapë do i mbesim
borxh mendimit universal e filozofik të vargut të tij. Mendoj se poeti Lulzim
Logu, është poet i kompletuar, në
logjikën e të shprehurit, stilin e veçantë, figuracionin, kompozicionin e ndërtimit elegant të
poezisë-haikut, mesazhin dhe shumë
elemte tjera; me të cilat na bënë krenar të kemi në biblioteka tona, familjare,
shkollore e universitare, librat e tij, të kësaj natyre.
Gjakovë, 05 janar, 2020