Kerko: a
Enver Bytyçi: Qeverisja e Edi Ramës është specie jashtëtokësore!
E enjte, 14.11.2019, 10:00 PM
Qeverisja e Edi Ramës është specie jashtëtokësore!
Nga
Enver Bytyçi
Një
valë akuzash ka përfshi medien e Tiranës për atë çka qeveria ka inskenuar si
“tradhti e opozitës ndaj banorëve të Astirit”. Edhe kësaj radhe fuqia mediatike
dhe mendja diabolike e propagandës qeveritare funksionoi jo pak. Vëmendja u
devijuaderi diku nga përgjegjësitë e shtetit dhe policisë së saj për dhunën e
egër të ushtruar kundër banorëve të pafaj, te opozita shqiptare, e cila në mbi
100 ditë nuk i la asnjëherë vetëm protestuesit e dhunuar!
Avokati
i Popullit në raportin e sotëm ka shpjeguar me detaje dhunën dhe terrorin
policor në zonën e Astirit, ku u keqtrajtuan deri në plagosje, fëmijë, gra,
burra dhe pleq, të sëmurë e njerëzit e vobektë. Një dhunë e tillë shpesh herë
trajtohet si pasojë e mungesës së demokracisë. Po. Kjo është e saktë. Por fakt
është se edhe dinastitë e lashtësisë, të antikitetit, mesjetës e inkuizicionit,
si dhe perandoritë kanë mbijetuar përmes një ekuilibri drejtësie e humanizmi në
ushtrimin e pushtetit. Ato, nëse përdornin dhunën e Edi Ramës, i kishin ditët e
javët e numëruara. Dhe jemi ne shqiptarët që siç thotë At Zef Pllumbi, me na e”
fut opangën n’gojë nuk bzajmë”. Por kur është fjala me transferu kritikën nga
fajtori hajdut te roja e vreshtit, jemi kampionë!
Qeveria
Rama është një specie jashtëtokësore. Nuk ka asnjë minimum humanizmi, drejtësie
dhe baraspeshe në ushtrimin e funksioneve të saj. I vetmi mjet që ajo përdor
kundër kujtdo që i del përpara është dhuna. Por për fatin e keq të shqiptarëve
e gjitha kjo shoqërohet nga një fenomen unikal në historinë moderne, nga një
propagandë dhe kundër propagandë shfrenuese, së cilës jo pak shqiptarë i
besojnë.
Në
zyrat e kryeministrisë dhe bashkisë së Tiranës janë instaluar shtabet e
propagandës. Këto shtabe drejtohen nga eksponentë ose fryma e sigurimit të
shtetit të kohës së diktaturës. Kjo kategori e regjimit të kaluar ishte në
vitin 1992 kontigjenti më i trembur nga ndryshimi i sistemit. Fillimisht u
tulat, u çorodit, por shpejt e kapi veten, duke përfituar dhe nga gabimet e Partisë
Demokratike pa eksperiencë në pushtet. Organizoi dhe drejtoi vitin e mbrapshtë
1997. Thuhet se ai vit ishte pasojë e keqqeverisjes së Berishës. Por Edi Rama e
rrëzoi edhe këtë hipotezë. Nëse viti i anarkisë dhe dhunës së vitit 1997 do të
ishte produkt i qeverisjes së PD-së, atëherë vitet e qeverisjes së Edi Ramës do
të duhej të sillnin ferrin e këtij vendi, fundin tragjik të tij.
Në
fakt ferri i shqiptarëve ka ardhur me rilindjen në qeverisje. Por është
sigurimi i shtetit që e mban në këmbë. Shtabi i propagandës i ngjan si dy pika
uji kohës së diktaturës. Dhuna që ushtrohet mbi qytetarët është modeli tipik i
dhunës së policisë sekrete të fashizmit e komunizmit bashkë. Përhapja e
korrupsionit, trafiqeve dhe ngjarjet kriminale duket qartë se zhvillohen sipas
eksperiencës së ish-sigurimit të shtetit. Por edhe emrat e personave që
kontribuojnë drejtpërdrejt në këto fusha janë po ashtu të familjes kriminale të
ish-sigurimit të shtetit.
Një
fakt: Edi Rama caktoi 12 oficerë të gardës së vjetër si prefektë në 12 qarqet e
Shqipërisë. Dhe pas kësaj caktoi me dhunë një gjeneral nostalgjik të atij
regjimi në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme. Lista e personave të
lidhur me kupolën e regjimit të kaluar dhe sigurimin e shtetit komunist është
pa fund. Shtoji kësaj dhe metodikat e reja alias Erion Veliaj të propagandës
dhe secili duhet të kuptojë që opozita shqiptare nuk përballet vetëm me një
oligarki klasike politike dhe financiare në pushtet. Ajo përballet me një
përbindësh. Por opozita është e duhet të jetë e dënuar ta mposhtë këtë
përbindësh, ndryshe Shqipëria do të na zhduket nga harta politike e botës.
Sigurimi
i shtetit komunist është ristrukturuar dhe shërben si shtab luftarak në
organizatën terroriste të Rilindjes. Ashtu si vepronte mafia shtetërore e sigurimit
të shtetit në kohën e diktaturës, edhe kjo e sotmja shfrytëzoi errësirën e
para-mëngjesit për t’i tmerruar fëmijët e vegjël e njerëzit e pa mbrojtur dhe
për të realizuar aktin terrorist shtetëror për shkatërrim në emër të
korrupsionit të strehës së shqiptarëve të vuajtur. Përfaqësuesit e opozitës
sapo i njoftuan për “kaçakët e ferrës”, u ngritën dhe shkuan në vendngjarje.
Megjithatë një protestues i porositur lëshoi aty nga ora tetë e mëngjesit
kritikën e ashpër për “mungesën e opozitës” në mbrojtje të qytetarëve. Kësisoj
nisi fushata. Gazetarët që njihnin regjinë provokuan me pyetje liderin e
opozitës te spitali i traumës.
Shtabi
i sigurimit, të shtetit i instaluar pranë rilindjes, në fakt kishte hartuar dy
plane. Një plan A që parashikonte pjesëmarrjen e Lulzim Bashës në mbrojtje të
banorëve. Dhe një plan B, që do të ushqente gardën mediatike pro-qeveritare me
lajmin e rrejshëm se “opozita mungon” në protestë. Plani A dështoi, sepse kreu
i opozitës nuk ra në grackë. Nuk pranoi të bëhej ushqim i propagandës së Edi
Ramës si “frymëzues i dhunës”! Kur Lulzim Basha vizitoi qytetarët e dhunuar te
spitali i Traumës, u dha porosia e prerë: - Pyeteni kryetarin e opozitës pse
nuk u doli në mbrojtje banorëve të dhunuar të Astirit! Shkurt duhej ngritur në
art kritika ndaj opozitës. Dhe kështu ndodhi. Një pjesë e opinionit publik dhe
media qeveritare u mor me opozitën. Ai “që vodhi lopën”, shteti, policia që
dhunoi njerëzit, ata që helmuan me gaz dhe morën zvarrë 80 vjeçarë, gra dhe
fëmijë e që u thyen hundët e kockat qytetarëve të pafajshëm, këta pra nuk
kishin asnjë faj.
Mënyrë
perverse e perfekte për ta çorientuar publikun, për t’i dhënë drejtim të
kundërt të vërtetës. Pjesë e këtij provokimi u bënë jo pak demokratë. Ndër ka
ka plot prej atyre që “Për inat të vjehrrës shkojnë e flenë me mulligjinë”!
Derisa shqiptarët të kuptojnë se qeverisja gangstere e Edi Ramës dhe propaganda
e tij e mashtrimit janë burimi i katastrofave tona, deri atëherë secili prej
nesh do ta ketë fatin e banorëve të Astiriit!