Kerko: a
Hazir Mehmeti: Namaste, Nepali madhështor
E hene, 30.09.2019, 09:41 PM
NAMASTE, NEPALI MADHËSHTOR!
Kulmi
i Botës, një vend i madhështive natyre e njerëzore
“Natyra është i vetmi sundues” “Nature is
the only ruler” “ Die Natur ist der einzige Herrscher” - Reinhold Messner
Nga
Hazir MEHMETI, Katmandu, Nepal
Katmandu, 20 shtator 2019.
Vet fjala Nepal e ka kuptimin e paqes dhe dashurisë së përjetshme njerëzore.
Para disa vitesh lexova librin rreth udhëtimeve në Nepal nga autorët Christian Kracht dhe Eckhart
Nickel. Që nga ky moment u ringjall fantazia ime e fuqishme për këtë vend i njohur
si “Kulmi i Botës” falë lartësisë mbidetare të tij me tetë majat më të larta në
botë, Himalajeve me Mount Everes 8848 m, Maja e Botës. Emrin e mori në
përkujtim të emrit e gjeologu të njohur britanik Georg Everest. Nuk ishte e
lehtë një udhëtim në një vend krejt të panjohur. Kur grupi ynë nga disa shtetet
u bashkua në Katmandu, morëm kontaktet e para me ajrin dhe ambientin e ri. “Unë
quhem Nabin Baskota”, ishte zëri i njeriut trupshkurtër me një gjermanishte që
rrëshqiste në kuptim. Ai do jetë njeriu ynë për të gjitha rreth dy javë.
Autobusi i mbushur vazhdoi rrugën
drejtë bujtinës të cilën vetëm e ëndërronim. Ishte befasi rendi dhe rregullimi
i ambientit aty ku do fillonim rrugën tonë në hapësirat që ishin planifikuar të
shihnim dhe ndienim bashkë me rrethin e tyre.
“Sot do të
vizitojmë qendrën kryesore tregtare dhe arkitektonike bashkë me tempullin më të
njohur budist në Katmandu”, e filloi informimin Nabin me theksin e tij
specifik. Do ecim 4 deri në 5 orë këmbë. Tek tempulli do keni një orë e gjysmë
pushim dreke e pastaj vazhdojmë. Keni kujdes, ata që humbin nga grupi të më
lajmërohen në telefonin tim, ose adresën e bujtinës”. Rruga e pa asfaltuar e qytetit, shtyllat
elektrike anash të mbushura me pështjellime telash të panumërt, sirenat e motoçikletave,
automobilave, krijonin zhurmë e cila të përkujtonte Tiranën, apo Prizrenin me
gjithë parregullsitë e tyre. Në të dy
anët e rrugës dyqane të ndryshme ku dallohej varfëria e tyre në teknologji dhe
renditje.
“Në Nepal jetojnë 3 milion banorë”, u dëgjua
zëri i Nabin-it në përgjigje e tij në ecje e sipër. “Nepali është vendi i dytë në botë pas
Brazilit me pasuri ujore, por nuk ka ujësjellës me ujë të pijshëm. Ka fuqi
ujore për miliarda Kilovat energji elektrike, kure importon rrymë nga Kina dhe
India”, u dëgjua drejtuese duke iu shmangur takimit me motoçikletën që vinte
nga ana e kundërt. Për ne që nuk ishim mësuar me qarkullim majtas në trafik,
nuk ishte e lehtë shmangeja nga motoçikletat që vlonin sikur buburreca në të dy
kahet. Pluhuri dhe kundërmimi i tokës ishin të rënda për t’u ndeshur me to,
andaj shumë nga udhëtarët mbanin copë lecke që e quanin maskë mbi gojë dhe
hundë, të cilat kushtonin 50 rupi nepalez e cila në këmbim me monedhën Euro
ishte barazi me lekun shqiptar, një euro shkëmbehej me 120 rupi nepalez.
Ngjashmërie e plotë me lekun shqiptar edhe në raport me valutat tjera.
Në çdo hap takonim
tempuj fetar indua, budist po edhe besimeve tjera. “ Në Nepal besohet në qindra
zota; hindu dhe budizmi janë besimet kryesore të cilat kanë një tolerancë
absolute mes vete, e shihni në shumë sheshe gjenden tempujt e të dy besimeve
pranë njëri tjetrit, por nuk martohemi mes vete. Hindusët janë shumë tolerues
dhe e respektojnë secilin besim edhe budizmin.”
-A mund të na
tregoni konkretisht rreth religjioneve, praninë e tyre në popullatë dhe
kundërshtimet e tyre?, u dëgjua një pyetje nga mesi i grupit.
“Me kënaqësi, u
përgjigj Nabin. Ne do jemi këtu dy javë së bashku dhe do mësojmë shumë gjëra.
Unë tani mbi 20 vjet punoi me ekspedita e vizitor nga e gjithë bota”, duke
vazhduar: Nepali është vendi i vetëm hindu në botë, ku 82 përqindje janë hindu
e pastaj vijnë budizmi, krishterizmi, islami etj. Krishterimi me vetëm rreth 1%
ka mijëra tempuj fshatrave të ndërtuara”, e vazhdoi fjalën e tij drejtuesi. Pas 3 orëve rrugëtim tregut kryesor ku pamë
shumë dyqane dhe tregtarë rrugëve që shitnin mallin e tyre nga më të
ndryshmet. Interesant ishte dyqani i
dhëmbëve, ku mund të porositeshin dhe ngjiteshin dhëmbët sipas metodologjisë
nepaleze, pastaj dyqanet e varfra mishi ku nuk mund të gjeje askund mish
gjedhi. “Në Nepal therrja e gjedhit është e dënueshme, deri para pak vitesh
dënimi ishte 16 vjet burg për therjen e gjedhit, derisa dënimi për vrasje
njeriu ishte 14 vjet. Gjedhi konsiderohet zot për hindusit të cilët nuk e
konsumojnë mishin e gjedhit dhe prodhimet që jep. Mishi i shtazëve tjera konsumohet. Kryesisht dyqanet ofronin mish
dhie vendore, pule, peshku në një ambient jo sa duhet i pastër dhe jashtë standardeve
që ne zakonisht jemi mësuar. Secili
shesh kishte tempuj fetar ku mund të fotografoje lirisht dhe të vizitoje sipas
rregullave që kishin, ndër të cilat ishte hyrja brenda pa këpucë. Tempujt hindu
dhe budist ishin shumë të bukur brenda me shumë piktura e foto sipas artit
specifik vendor i njohur në botë.
Tempulli Budist në Katmandu
Tempulli Hindu Pashupatinath
Në anën e djathtë
të lumit Bagmati gjendet Tempullin Hindu
Pashupatinath i shpallur nga UNESCO, vend i trashëgimisë botërore qe nga viti
1979. Në Pashaputin besohet se zoti Shiva shpallet si Pashaputi (Zoti i Jetës).
Tempulli brenda mund të vizitohen vetëm nga hinduset. Vizitorët në anën e majtë
të lumit janë të lirë në shijimin e arkitekturës dhe pamjeve interesant të
tempullit. Në pjesën e Tempuli
Pashupatinath gjenden të quajturit Aya Ghats (vendi i ndezjes së kufomave). Në
një formë kremtoriumet ku hindusët i
ndezin kufomat e të afërmeve të tyre. Grupi ynë nga ana e majtë e rrjedhës së
lumit, përballë Tempullit Pashupatinat për dy orë përcollëm ceremoninë e ndezjes
së kufomave nga vinte tymi dhe era jo e këndshme e zjarrit. Lumi Bagmati rridh
në drejtim të Himalajeve dhe konsiderohej lumë i shenjtë në të cilin pamë
hedhjen e hirit në te nga punëtorët e
caktuar që fitonin nga 30 euro për secilën kufomë. Këtë e mësuam nga Nabin i cili para pak kohësh e kishte
përcjell të atin e tij po në këtë vend.
Tibetasit, eksod pasojë e pushtimit kinez.
Nepali është e
njohur si vend tolerues ku shumë tibetian gjetën strehim edhe sot e kësaj dite
ata ruajnë e kultivojnë traditat e tyre të artit budist tibetian i njohur për
precizitet dhe kolorit mahnitës. Eksodi i tibetasëve ndodhi pas pushtimit të
tij nga Kina e cila dëmtoi shumë rendin, kulturën dhe tempujt fetar. Shiu i
dendur tropikal që binte pa ndërpre na përcolli me gjithë përplasjen mbi ne dhe
objekteve rreth nesh deri në kampin e refugjatëve tibetian ku jetojnë rreth 12
mijë sish në Nepal. Tempulli, muzeu kushtuar refugjatëve, objektet e banimit,
punëtoritë ishin një befasi e bukur dhe një shembull se si duhet organizuar
jeta brenda një kampi. Unë që kisha përjetuar vet kampin e refugjatëve në
Evropë gjatë sulmit të forcave serbe mbi popullsinë civile shqiptare, e ndjeja
në shpirte jetën e tyre larg të dashurve, larg shtëpisë e truallit të
vendlindje, larg lojërave e lutjeve të rregullta me familje, larg farefisit e
shoqërisë. Punët artizanale me lesh
dhe vekun e tyre specifik ishin diç e pa përshkruar, duart tyre të shpejta,
kënga e tyre me plotë përmallje të preknin në shpirt. Ato mbaheshin krenare, kjo dukej në
buzëqeshjet e tyre aq miqësore sa vet bardhësia e bjeshkëve të Tibetit. U
bindem se ruajtje dhe kultivimi i vlerave të kulturës tibetiane janë të
menaxhuara me mjeshtëri nga ekspertet e mirëfilltë. Në punëtoritë e shumta të lidhura me dyqanet
e shitjes së pikturave me motive tibetiane takuam shumë mësuese e nxënës që
bashkëjetonin si gjenerata në vijueshmëri kohëve. Shumë nga vizitorët blenë
piktura shumë të bukura.
Kudo miqësi
Kudo që shkuam pritja ishte shumë miqësore, me çka nepalezët dallohen si njerëz
paqësor dhe mirëpritës. Interesante ishte tempulli Stupa Bodnath e një lloji të
veçantë me gjatësi 36 metra e vendosur me fytyre nga lugina mbi kodër në
lokalitetin e quajtur Budhanikata. Në marshimin tonë të radhës në kodrën e
quajtur Shivapur vizituam skulpturën në gurë të vjetër 1 mijë vjeçare të Zotit
Bishnu në gjumë, një pamje tërheqëse. Zoti Bishnu flinte i rrethuar me ujë dhe
pjesët rrethuese të tij ku dallohej druri Ficus religiosa, i cili jeton mijëra vjet, sipas tyre qe nga
fjetja e Zotit Bishnu në formë guri. I
rrethuar me tempuj, ishte një vend lutje
dhe vizite për besimtarët vendës të cilët dalloheshin me veshjet e tyre përplot
kolorit nga ngjyrat e zjarrta ku dallohen e verdha dhe kaltra.
Nuk e kisha menduar se ishte kaq bukur
dhe interesant vizitat dhe kontaktet me njerëz në Nepal. Nga mos dija kisha
krijuar një barrierë pikëpamje negative në vete, kjo filloi të thyej si një
qelq i dobët që në ditën e parë. Më kujtoheshin momente nga leximet e mia rreth
Nepalit, tentoja të kapja diç prej tyre, dhe ia arrita; mirëpritjen,
mirësjelljen dhe krenarinë e njeriut të thjeshtë në tokën e tij. Njeriu jo
nënshtrues por vlerësues i natyrës, objekteve për rreth, i qindra zotave dhe
mbi të gjitha vlerësues i jetës dhe vendit të tij. Vendi i origjinës ushtarëve
Gurgha që nuk frikësohen, vendi i cila asnjëherë nuk ishte koloni e të tjerëve,
vendi i poetëve dhe maleve madhështore.
Letër kryetares
Ne xhepin e veçantë të valixhes e ruaja letrën që do ia dërgoja presidentes
së vendit, Mrs. Bidhov Devi Bhandari për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
Me kujdes e dorëzova në recepcion të cilët do ta dërgonin në postë pasi pagova
gjithë harxhimet rreth pullave dhe ca rupi mirësie. Në largim e sipër vërejta
reagimin e recepsionistes pasi ia lëshoi sytë adresës duke më ndjekur me
shikimin e saj. “Kosovës, si shtet i ri
në konsolidim i duhet dora e vendeve nga gjithë bota, edhe nga vendi i juaj i
mrekullueshëm. Nisur nga kjo marr forcë nga qetësia e krijuesit, nga madhështia
e Bjeshkëve madhështore, nga fuqia e njeriut tuaj, të kërkoj prej jush njohjen
e Shtetit të Republikës së Kosovës”, citat nga letra. Letrën në anglisht e
përktheu Kreshniku të cilin si politikan e kam dorë të djathtë në shumë
drejtime. E di që nuk ka ndonjë efekt të
veçantë, por ishte e vetmja ajo që mund të boja si një shqiptar.
Bungamati e Khokona
Nepalezët punëtor
dhe mjeshtër shekullor arti e ruajnë traditën veç tjerash në gdhendje në dru,
këtë e takuam fuqishëm në disa fshatra, Bungamati e Khokona në luginën e
kryeqytetit nepalez. Motivet artistike ishin kryesisht ato religjioze hindu e
budiste, e më rrallë ato nga natyra dhe jeta.
Rrugëtimi pesë orësh nën shiun e dendur u shpërblye shumëherë me
përjetime të bukura nga bukuritë e natyrës, peizazheve të orizoreve përplot
ujë, arkitekturës së fshatrave dhe tempujve, rrugicat, fauna e pasur
veçanërisht me shpezë. Pothuaj secila shtëpi kishte para dere një motoçikletë
dhe një apo më shumë qenë miqësore dhe ne fituam përshtypjen se nuk dinin të
sulmonin askënd.
Nagarkot
Kryepërjetimi i
një vizitori në Nepal janë Himalajet,
kështu ishte edhe për ne. Pas disa orë udhëtimi me autobusin e fuqishëm rrugëve të pa asfaltuara dhe përplot kthesa
përpjetë, arritëm në lartësinë 2150 m
kodra ku shtrihet vendbanimi Nagarkot, vendi i njohur nga mund të shijosh
lindjen dhe perëndimin e diellit mbi Himalaje në pjesën e vargmaleve nga
Dhaulagiri në perëndim deri në Mount Everes
në lindje, kur moti është pa re. Me kot pritem dy lindje dielli, por
retë dhe shiu i pandërprerë e pa mundësuan synimin tonë. Por, kishte zgjidhje
kohe; shfrytëzuam udhëtimin shumë orësh luginës deri në Ghangu-Narayan ku
gjendet tempulli më i vjetër në hapësirën e luginës së kryeqytetit dhe
rrugëtimi deri në kufirin me Tibetin në drejtim Dhulikhel. Një udhëtim mes xhunglave
nepaleze ku mund edhe të humbësh rrugë kur je mes reve nga të vjen shiu nga
lartë dhe nga poshtë teje.
Akoma pa u bërë
një javë ne arritëm të përshkojmë hapësira të tëra me gjithë peizazhet e tyre
madhështore. Vazhdimisht ishim në shoqërimin e reve të cilat pas dreke
derdheshin me forcë mbi ne dhe çdo gjë rreth nesh. Shiu i ngrohtë fare nuk i
shqetësonte banoret, diçka e zakontë e ditore për ta. Kudo skaj rrugëve
maurihana e njohur, bimë natyre e pa shqetësuar nga përndjekja e mundshme
xhunglave pas skaj. Marshimi ynë disa orësh kërkonte përgatitje fizike e
veshmbathje specifike të cilat i kishim të gjithë me ndonjë përjashtim. Nuk
kalonte shumë orë dhe gjendeshim pranë monumente të shumta këtu në Nepal,
ndoshta vendi më i pasur me monumente kulti në botë. Vendi më me shumë zota dhe
festa në botë, mbi 120 zota dhe 350 festa brenda viti.
Në ditën e tretë
(14 shtator) aeroplani nga aeroporti
Budhaareport, mori kursin e fluturimit
drejt Mount Everestit. Retë e dendura shtresa- shtresa përshkoheshin pa pengesë
në fluturimin drejt cakut. Sipër reve shkëlqimi i fuqishëm i diellit përshkonte
horizontin në pamjen tonë përmes dritareve të vogla të aeroplanit. Një horizont
mbi leshin e bardhë resh pa fillim e mbarim. Me kot u munduam ta shihnim nga
lart Kulmin e Botës, dukej vetëm një majë e vogël herë pas herë në rrethimin
tonë përmbi re. U kthyem të dëshpëruar,
por organizatori mori pëlqimin tonë për fluturimin tjetër pas dy ditësh kur
moti do ishte më i mirë. Në tentimin e
dytë të rreth fluturimit rreth Mount Everesit,
grupi ynë nuk kaloi shumë kontrolle deri tek aeroplani i cili na priste.
“Kërkoj falje, na duhet pritur në autobus për disa minuta derisa aeroplani ta
merr pëlqimin përfundimtar për fluturim” -tha shoferi i autobusit me mirësi.
Nuk kaloj kohë dhe nën krahët e aeroplanit u dha sinjali i mbyllur me dy duar
nga përgjegjësi: aeroplani nuk do fluturon”. Ne të dëshpëruam ca, por edhe të
lehtësuar nga ngarkesa e vazhdueshme e vështirësive të motit, filluam rrugën
drejt hotelit ku na priste mëngjesi i ngrohtë me specialitet e shijshme nga
kuzhina me traditë nepaleze. Befasia
jonë shumë pozitive ishte se: ne nuk do paguajmë asnjë rupi për udhëtimin tonë
të parë rreth Mount Everest-it dhe tentimi për fluturimin e dytë. Në bisedë më
drejtuesin e grupit tonë, Nabin mes tjerash tha: “Ne nuk e shohim vetëm fitimin
tonë material, ne në radhë të parë e kemi kënaqësinë e vizitorit mysafir, kjo
na duhet. Ne synojmë të arrijmë kuotën e 2,5 milion turistëve brenda vitit në
Nepal, ky është vizioni i qeverisë sonë”.
POKHARA, vendlindja e
Gurkha
“Nëse njeriu thotë, s’kam frikë nga vdekja, ai gënjen ose është një Gurkha“
-Gjen. Sam
Manekshaw (Indi). Gurkha-t janë ushtarët trima dhe të përgatitur në nivel
botëror, pjesëmarrës në shumë lufta.
Marshimi ynë katër
orë në ditën e shtatë u kurorëzua me pajën madhështore të Kështjellës së vjetër
Namobudha prej nga dukej pamja madhështore e Luginës Panchkhal dhe vargu maleve
të larta. Nuk i “lamë dy gurë bashkë”,
agjenta jonë kërkonte shumë, ishte e ngjeshur dhe e gjerë ashtu sikurse
hapësira e pafund nepaleze. Marshimi i dymbëdhjetë do zgjatë përgjatë Lumit
Trisuli nga Dhulikhel-i në Pokhara. Vërtetë një udhëtim me përjetime
mbresëlënëse e të pa harrura prej tetë orëve. Së pari përjetuan lëshimin
kthesave teposhtë nga1600 metra lartësi rrugës nacionale drejt luginës së lumit
Trisuli e cila e lidh vendin me Indinë fqinjë dhe pjesën perëndimore të
vendit. Retë fillonin jetën e tyre nga
shumë hapësira fushave e shpatmaleve dha për pak kohë mbyllni pamjen duke na
gëlltitur të gjithëve dhe pas pak orëve shiu i dendur ujonte çdo gjë. Ajri
tropikal me lagështi futej gjithandej dhe lagte gjithçka, kështu terja e
rrobave ishte problem për ne që nuk ishim mësuar. “Do i terim kur të kthehemi
në Europë”, u dëgjua zëri i Kristinës nga rrethi i Lincit e cila kishte përvojë
nga ekspeditat e më parmë në viset tropikale të Indisë dhe Tajlandës. Ne e
menduam si shaka, por ajo këmbënguli se tharja e rrobave është e pa mundur në
lagështinë e ajrit të viseve tropikale, e kam provuar, tha e vendosur. Përgjatë luginës së lumit rruga herë ngritej
lartë kodrave, herë afrohej afër lumit për pak metra. Gjithnjë na përcillte
shiu i dendur tropikal sa edhe zhirimet dhe fotografimet nga autobusi ishin të
pamundura. Në lokalitetin Bahundar ku bashkoheshin Trisuli dhe Buri
Gandaki, prej nga mund të shiheshin
Himalajet në pjesën perendimore. U ndaluam për një çerek ore, fotografuam pamje
jo të plota të Himalajeve të mbështjella
me re. Skaj rruge dyqani i vogël me
disa nga perimet dhe pemët vendore kishte çilita, speca të djegës të njohur në
botë. Në leximet rreth Nepalit si autoktone nepaleze krahas Himalejve vijnë
ushtarët Ghukha dhe specat Chilita, Një kilogram kushtonte 150 rupi (1.20 Eu).
Kur kërkova të blej krejt pak, shitësja, një fshatare e veshur thjesht me rroba
tradicionale, qeshi dhe më ndaj në letër një grusht chilita falas. Nuk desha
t’i marr falas dhe ia lëshova mbi tryezë 50 rupi (40 cent). Një orë tutje rrugë përjetuam pamje
madhhështore të luginës së Trisulit. Aty
pran vigu i fuqishëm prej 300 metrash lidhte dy anët e lumit të turbullt
përplot ujë. Era e cila fryent qe nga Himalajet dhe gurgullima e ujit krijonin
ambient deri në rrëqethje kur shije valët aq të fuqishme në përplasje me gurët
e mëdhenj aty-këtu me forma të ndryshme të sjell nga rrjedha e ujit kushedi sa
kohë më parë. Për fat largimi i reve e mundësoi shpalosjen e përsëritshme të
majave të vargmaleve të Himalajeve. Pas disa fotove me banorët e shoqërueshëm
dhe vigun gjigant metalit i cili lëkundej frikshëm, u nisem drejt qyteti
Pokhara, jo shumë larg, pjesa kryesore e rrugës ishte kaluar. Në karrikën para
veti vendi i vendosjes së shishes me ujë ishte i veçantë, diç që nuk e kishim
takuar askund tek ne. Uji kishte mbaruar, një shishe tjetër solli konduktori me
buzëqeshjen e tij.
Mirëmëngjesi nga Himalajet
Takimi i parë me
qyteti në gjirin e Himalajeve
perëndimore, Pokhara na befasoj me bukurinë natyrore aty skaj liqenit Pheva në
të cilin pasqyroheshin Himalajet hijerënda shekujve. Hoteli buzë liqenit
krijonte një ambient të bukur. Shërbimi dhe pritja nga personeli ishin shumë
miqësore. Qe në mëngjesin tjetër
marshimi ynë me barka përmes liqenit drejt ujdhesës me tempullin Hindu u
shoqërua me shpezë të pa njohur ndër ne. Vegjetacioni tropikal i bujshëm
shpalosej me formën e tij në trajta të veçanta ku dalloheshin bambui, bananet,
zambaku i ujit dhe bimë drunorë qindra vjeçare.
Lartësia rreth 400 m e kodrës ku gjendej Tempulli Stupa i Paqës, e
kaluam përmes shiut të pa ndërprerë për dy orë ngjitje shtegut zig-zag me gurë
për dy orë e gjysmë. Ashtu të lagur u relaksuam ca nën strehën e tempullit që
bardhonte majë kodrën. “Këtë tempull të dëmtuar nga tërmeti prej 7,8 shkallë
Richter e ndërtoi shteti Japonez. Këtu luten për paqe personalitete të njohura
të botës që vizitojnë këtë rajon”, sqaroi Nabin-i i pa lodhur.
Ishte e pa e pa përshkrueshem
pritja e lindjes së diellit mbi Himalaje. Pasi kishim udhëtuar një orë me
minibus dhe po aq këmbë thik përpjetë në kodrën rreth tremijë metra përgallë
Himalajeve, u ndalem ne terasën e veçantë për këtë qëllim ku qindra turistë dhe
alpinistë presin shkëlqimin e majave të larta mbi shtatë mijë metra të
vargmaleve të Himalajeve. Dita pa re dhe mjegull ishte ideale në përjetimin
thyerjes së rrezeve të para në shpatet e maleve madhështore gjithmonë me akull
dhe borë. Ishim me fat, dielli lindi në pesë e pesdhjetë e gjashtë minuta.
Qindra kamera nga e gjithë globi merrnin pamje të pa përsëritshme për fund
shtatorin e vitit. Këto foto do jenë pjesë e pa harruar e një
udhëtimi të pa përsëritshëm në jetën e njeriut.
Në luginë filluan lëvizjet e ngadalshme të reve të bardha mbi gjelbërimin e tokës buzë lumit Trisuli dhe pasqyrës së
liqenit ku laheshin faqet e vargmaleve gjigante. Madhështia e Himalajeve nuk
mbaron me një apo shumë foto, ato janë aty përgjithmonë me rrënjë në tokë dhe
kokë në qiell, simbol i krenarisë dhe madhështisë moteve.
Mamaste! Përshëndetje!
Nepali i dashurisë së
pakufishme ndaj natyrës!