Editorial
Enver Bytyçi: A është e rastësishme kimia e bashkëpunimit politik anti-Kosovë e treshes Rama-Vuçiç-Thaçi?!
E diele, 29.09.2019, 03:00 PM
A është e rastësishme kimia e bashkëpunimit politik anti-Kosovë e treshes Rama-Vuçiç-Thaçi?!
Nga Enver
Bytyçi
Vitin
që shkoi ”rastisi” që në Nju Jork të ishin bashkë Edi Rama, Aleksandër Vuçiç
dhe Hashim Thaçi. Ishte kohë kur të tre këta kishin shumë shpresa se do ta
bënin realitet planin e tyre të “korrigjimit” të kufijve, kupto – ndarjes së
territoreve të Kosovës. Kjo “rastësi” e shkuar u përsërit këtë javë, kur të tre
protagonistët e ndarjes së Kosovës përsëri u bënë bashkë në Nju Jork. Thaçi dhe
Vuçiç u shfaqën me batuta midis tyre. Presidenti serb, “rastësisht” ia
përsëriti Hashimit edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, se “Unë flas në
OKB, ndërsa ti rri koridoreve”! Kjo batutë nuk e ka shqetësuar presidentin e
Kosovës. Ishte kryeministri i Shqipërisë ai që e qetësoi.
Në
fakt para se të shkohej në Nju Jork “ashtu si rastësisht” e “për koincidencë”
ishte arritur akordi që kompania, e cila loboi për ta zgjedhur Vuçiçin
president të Serbisë e Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë po lobon sot në
Kosovë me qëllim që partia e Hashim Thaçit ta fitojë postin e kryeministrit të
Kosovës. Kjo kompani e sponsorizuar nga Beogradi po bën “krejt rastësisht” të
gjitha përpjekjet që pushteti ekzekutiv të shkojë në duart lobuesve të
shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Por
loja politike e “rastësive” nuk mbaron me këto. Rama, Vuçiç dhe Zaev vendosën
që me datën 9 e 10 tetor të takohen në Beograd. Ata duan të themelojnë atë që
ata e quajnë “Shengeni Ballkanik”. Pra duan që ndërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe
Serbisë të hapen kufijtë, të hiqen doganat, të lëvizin lirshëm e pa kontroll
kufitar e doganor. Kjo “rastësi” nuk ndodhi me Podgoricën, Prishtinën dhe
Sarajevën. Përkundrazi, Edi Rama Kosovës ia ka vënë një kufi të dytë “te thana”
e Kalimashit! Sarajeva dhe Podgorica nuk shqetësohen për këtë, sepse ata janë
të mbrojtur nga një rrethim i tillë në kulisa politikanësh të korruptuar. Vetëm
Prishtina shqetësohet e duhet të shqetësohet nga ky lloj asosacioni.
Prishtina,
pra Kosova, gjendet kësisoj e rrethuar. Një union i përbashkët në trekëndëshin
Beograd-Shkup-Tiranë e izolon tërësisht Kosovën. Ia mbyll asaj të gjitha rrugët
e mundshme të mbijetesës dhe shton presionin që ajo t’i nënshtrohet vullnetit
politik të Serbisë në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Rregullat e
veçanta dhe të përbashkëta midis Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, duke e
lënë jashtë saj Kosovën, janë kurthi më i ri i provokimit serb mbi
institucionet e Prishtinës dhe kësaj radhe këtë provokim e mbështet fuqishëm
dhe aktivisht, pa asnjë droje, qeveria e Rilindjes në Tiranë.
Qëllimi
është i lexueshëm. Rama dhe Vuçiç, me miratimin e Thaçit, duan t’i bëjnë
presion opinionit publik në Kosovë, duke u dhënë mesazhin se “Ju jeni të
detyruar ta pranoni vullnetin politik të Beogradit në verdiktin e 6 tetorit,
sepse ndryshe bashkohemi të gjithë ne që t’ju izolojmë”! Ky është efekti i parë
i nismës për “Shengenin Ballkanik” të projektuar nga dy udhëheqësit autoritarë
të Ballkanit në Nju Jork.
Se
kjo nismë drejtohet kundër Kosovës dëshmon dhe performanca e protagonistëve të
saj. Nga tre prej tyre, njëri është president dhe dy të tjerët drejtojnë
ekzekutivin në vendet e tyre. Ndërsa të tria këto vende janë Republika
Parëlamentare, Serbinë e përfaqëson presidenti Vuçiç, ndërsa Shqipërinë
kryeministri Rama dhe Maqedoninë kryeministri Zaev.
Nga
pikëpamja e protokollit diplomatik e politik është absurd një kombinim i tillë.
Ndaj dhe evidentohet fakti që nisma e “Shëngenit Ballkanik” është thjesht një
kurth i ri i miqve të ngushtë midis tyre, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Zoran
Zaev është gjendur aty për arsye pragmatike dhe në kushtet kur vendi i tij nuk
humbet asgjë nga kjo, nuk kishte pse ta kundërshtonte propozimin e Beogradit
dhe të Tiranës zyrtare.
“Rastësitë”
që përmendëm më lart nuk janë të vetmet. Shumë “rastësi” të tjera mund të
dëshmojnë faktin se midis Edi Ramës dhe presidentit të Serbisë është krijuar tashmë
një kimi energjie e përbashkët me emërues të përbashkët shkatërrimin e
shtetësisë së Kosovës. Si “rastësisht”, kësaj dysheje i është bashkëngjit edhe
Hashim Thaçi, i cili përfiton nga dyshja ndihmë pa limit në fushatën elektorale
të tij për fitoren e 6 tetorit. Eksperienca e kompanisë që udhëheq fushatën
elektorale të PDK-së është ndërtuar gjatë fushatave elektorale të presidentit
serb dhe kryeministrit shqiptar.
Sipas
kësaj eksperience ka filluar të funksionojë edhe në Kosovë formula e
shit-blerjes së votave. Futja e kësaj praktike nga Thaçi, përmes Ramës, në
Kosovë do të jetë shkatërruese për shtetësinë dhe vetë ekzistencën e
institucioneve të vendit. Pikërisht këtij qëllimi i shërben edhe nisma për
krijimin e “Shengenit Ballkanik” Serbi-Maqedoni-Shqipëri”. Në vend që qeveria
shqiptare të kujdesej për krijimin fillimisht të një minishengeni në
katërkëndëshin Tiranë-Shkup-Prishtinë-Podgoricë, është kurthuar në projektet
serbe për zhbërjen e Kosovës si shtet e si territor.
Tiranë, më 28.09.2019