Kerko: a
Shefqet Dibrani: Standardet e dyfishta
E enjte, 22.08.2019, 06:04 PM
Letër ambasadorëve (3)
STANDARDET E DYFISHTA
Problemet e brendshme në Kosovës janë të
zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e
BE-së!...
Shkruan: Shefqet
DIBRANI
Seria e këtyre letrave publike është një bisedë e hapur me përfaqësuesit
diplomatik në Kosovë. Me përfaqësuesit e vendeve mike, me ata që sponsorizuan
lirinë tonë, me ata që shpenzuan shumë për Kosovën. Për të tashmen dhe të
ardhmen e vendit tonë. Me përfaqësuesit e vendeve aleate pa të cilët nuk erdhi
liria, nuk ndërtohet e tashmja dhe as që mund të mendohet e ardhmja e Kosovës.
As si shtet i stabilizuar për vete, as partneritet në BE, e aq më pak të
përafrohet Kosova drejt konceptit amerikan dhe të integrohet edhe në strukturat
Veri-Atlantike.
Të nderuar Ambasadorë, po ju shkruaj si aleat të Luftës
në Kosovë. Fitorja e madhe nuk ishte arritur pa ndihmën e qeverive të vendeve
tuaja, këtë e kanë theksuar sa e sa herë strukturat e organizuara të UÇK-së,
vlerësim që shpreh tërë mirënjohjen e vazhdueshme për juve dhe vendet tuaja. As
paqja dhe as demokracia e vendit tonë nuk mund të realizohet pa ndihmën e
vendeve tuaja. Pra po ju drejtohem si miq shtëpie, jo sikurse flitet me
Ambasadorët të cilët këtë mision diplomatik e ushtrojnë në vendet tjera, por po
iu drejtohem si partner të paqes, zhvillimit dhe të demokracisë në Kosovë.
Kosova është një vend përplot halle, në një gjendje të
rëndë, ndërsa përgjegjësitë nuk i pranon askush. Një urti jona popullore thotë
se “Faji gjithmonë ka mbetur jetim”. Thuaja se në këtë gjendje po e shoh
popullin dhe atdheun tim, me halle dhe derte të mëdha, pa ndihmën konkrete për
të dal nga kjo krizë. Vërtetë popullit im është në përpjekje për të dal nga kjo
krizë, ai pret ndihmën tuaj, sepse kriza
nuk ka ardhur krejt me fajin e tij, edhe pse strukturat udhëheqëse në të gjitha
nivelet janë të involvuara në veprime kriminale dhe të zhytur në korrupsion të
lartë. E gjithë kjo gjendje nuk ka mundur të vjen pa bashkëpunimin dhe pa
përkrahjen edhe të përfaqësueseve ndërkombëtar, prandaj është kjo një thirrje
publike, si rezultat i mungesës së vullnetit tuaj për t’i përkrahur përpjekjet
e intelektualëve për ti realizuar mënyrat e veprimit, pasi rrugë janë gjetur.
Pavarëisht rrethanave mundësitë janë të mëdha për ta ndryshuar Kosovën, mënyra
është shumë e thjeshtë, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj
nga vendet e BE-së, për ti implementuar veprimet. Vërtetë, Kosova s’ka nevojë
për përkrahje deklarative, por elitës intelektuale i duhet veprimi juaj
pragmatik, pa të cilin nuk do të ketë suksese asnjë iniciativë.
Standardet e dyfishta nuk i duhen Kosovës, veprimi
pragmatik po, as veprimet deklarative sa për sy e faqe nuk i duhen Kosovës
sepse ato veprime nuk i shërbejnë as misionit tuaj për të ngadhënjyer
demokracia edhe në Kosovë, për të funksionuar sistemi i drejtësisë dhe sidomos
marrja e përgjegjësisë për suksese dhe humbje në të gjitha nivelet shtetërore e
politike.
Sot në Kosovë, veçmas tek elita politike, përgjegjësia
për dështim dhe mossukses ka rënë në nivelin më të ulët, prandaj me shtetin
tonë po udhëheqin banda të kriminalizuara të cilat në mënyrë klandestine dhe të
dhunshme janë vendosur në udhëheqje shtetërore. Çuditërisht pikërisht këto
grupe, qytetarët e rëndomtë po i shohin për çdo ditë bashkë me Juve, duke
drekuar e duke u fotografuar, ku nuk mungojnë as deklaratat se do ta luftojmë
krimin dhe korrupsionin, e në anën tjetër aferat e mëdha vazhdimisht po bëhen
publike, kurse drejtësia në Kosovë nuk merr masa, por mungon vullneti Juaj për
t’ua pamundësuar avazin kriminal këtyre grupeve të interesit, me korrupsion të
lartë, që detyrimisht i ka devalvuar vlerat, në njërën anë, kurse në anën
tjetër e kanë vrarë shpresën se do të bëhet mirë, si dhe vullnetin e qytetarëve
për të jetuar në këtë vend.
Për të mos u sorollatur, kësaj radhe po i përmendim dy
afera aktuale në të cilat janë të involvuar struktura të larat shtetërore e
politike ndaj të cilëve po heshtë drejtësia dhe po heshtni edhe Ju zotërinj
Ambasador dhe asgjë nuk po merrni për të dal nga kriza, duke kërkuar nga
Gjykatat e Kosovës që ta respektojnë ligjin njësoj për të gjithë.
RASTI I PARË: “Kallëzim
penal për 22 policë për dëbimin e shtetasve turq”, është një moment shumë i
mirë për të treguar ndikimin tuaj, në mënyrë që Prokuroria Speciale e Kosovës
të mos e kufizojë kallëzimin penal të Inspektoratit Policor të Kosovës,
vetëm kundër 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët paskan qenë të
përfshirë në këtë aferë që ka të bëjë me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga
Kosova, të cilët sipas kërkesës së autoriteteve turke, i patën arrestuar
dhe ekstraduar në mënyrë mafioze për në Turqi. Këta gjashtë shtetas turq,
tashmë janë të akuzuar se paskan qenë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të
udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gülen. Ky veprim i autoriteteve kosovare pat
ngjallur edhe reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, përfaqësues të të
cilave jeni ju zotërinj Ambasadorë.
Vërtetë rasti ishte i pa precedent, veçmas kur dihet se
zyrtar të tanishëm politik në Kosovë dikur kanë shfrytëzuar azilin politik në
vendet tuaja. Të tjerë kanë punuar e jetuar pa u kthyer kurrë në atdheun e
tyre, përkatësisht në Kosovë, kurse Evropa nuk i ka kthyer dhe as nuk i ka
dëbuar. Janë këto arsye pse themi se po të kishte vepruar Evropa një soj me
zyrtarët kosovar, demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk do të zhvilloheshin
deri në këtë shkallë. Ky veprim i zyrtarëve kosovarë, ishte njollë për Kosovën,
për demokracinë dhe për tërë zinxhirin e saj komandues.
Tashmë siç u bë e ditur, para gjyqit do të dalin 22
policë, të cilët kanë zbatuar urdhrin komandues të një rrjeti më të lartë. Nëse
drejtësia e bënë punën e vet të pavarur, sigurisht do të duhej ti intervistonte
strukturat udhëheqjes në polici, në shërbimin e inteligjencës dhe të tjerët nëpër
struktura të larta udhëheqëse e politike. Janë këto arsye pse kërkojmë
publikisht nga Juve zotërinj Ambasadorë, për të bërë trysni para drejtësisë në
mënyrë që zinxhiri komandues të dali përpara drejtësisë, pavarësisht funksionit
politik e shtetërore që mund ta kenë persona të caktuar. Në të kundërtën edhe
ky gjykim do të jetë farsë që nuk iu nderon as Juve, sidomos kur besohet se
mandati juaj është shumë ë i fuqishëm dhe ndikues në administratat tuaja.
RASTI I DYTË: Ka të
bëjë drejtpërdrejt me “FONDIN E TREPËRQINDËSHIT”, Në një seancë gjyqësore në
Gjykatën Themelore në Prishtinë, është cituar të ketë thënë se Naser Osmani dhe
ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, Atdhe
Gashi, po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim prash, në rastin
që njihet ndryshe si “FONDI I TREPËRQINDËSHIT”. Po ashtu thuhet se në këtë
rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është
veçuar, ndërsa nuk përmendet fare kratura kryesore e këtij Fondi, ish ministri
i Ekonomisë dhe Financave z. Isa Mustafa, kundrejt të cilit, sikurse në rastin
e Bujar Bukoshit, procedura ndaj tij është veçuar?!
Si duket, edhe ky gjykim është një farsë tjetër e cila
bëhet vetëm për marketing politik, sepse për “Fondin e Trepërqindëshit”, duhet
të japin llogari zyrtaret kryesor, Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi, e pastaj të
gjithë personat e involvuar në të gjitha nivelet e organizimit, sepse nuk bëhet
fjalë për disa qindra mijëra, por fjala është për miliona, për të cilat është
shkruar e folur në këto 20 vitet e fundit. Një gjykim kaq selektiv është i
destinuar për të dështuar, prandaj ju obligon edhe Juve të nderuar Ambasadorë
për të reaguar, pasi veprimtaria e “Fondit të Trepërqindëshit”, ka të bëjë me
zyrtar të lartë siç janë Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi të cilët kanë vepruar në
vendet tuaja. Pastaj është edhe “Huaja Popullore”, një Fond tjetër që kryesisht
ka vepruar në të zezë. Janë gazetat e kohës për të parë se si i kanë
mashtruar qytetarët duke i garantuar Isa
Mustafa, se huaja do të kthehej, por ai nuk u morë kurrë me këtë çështje. Bile
e ka zgjeruar veprimtarinë duke ua rregulluar mirëqenien fëmijëve dhe
farefisit. Prandaj “Huaja Popullore”, është konsideruar mashtrim, në mesin e
mashtrimeve të tjera, por drejtësia edhe tash nuk merret me udhëheqësit dhe
përgjegjësit real por bënë zhurmë pa nevojë me hallkat periferike të sistemit.
Në vend se drejtësia kosovare bashkë me ndihmën e
ndërkombëtarëve t’ua vinte prangat, dhe t’ua konfiskonte pasurin e fituar kundërligjshëm, këtyre dhe
familjarëve të tyre, ndodhi e kundërta. Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafën,
shoqëria demokratike e Kosovës, qe besa edhe me miratimin tuaj, i ka
privilegjuar në poste udhëheqëse të larta, sigurisht për të prolonguar të
gjitha proceset në të cilat ata kanë pasur ndikim. Befasia e gjithë kësaj
ndodhi kur më 3 gusht 2019, u lejua Isa Mustafa të rizgjidhej kryetar i LDK-së.
Edhe pse i gjithë procesi i brendshëm zgjedhor është zhvilluar me kundërthënie
dhe në mënyrë tejet antidemokratike, le për të shpresuar se vizita e
Ambasadorit Amerikan në selinë e LDK-së e cila ka ndodhur më 05 gusht 2019, do të kishte qenë qortim a
ledhatim i prolongimit të demokracisë.
Tashmë sipas të gjitha gjasave po shkon në zgjedhje, por
ju sigurojë se nga ky brumë kaq kriminal, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë
një qeveri të suksesshme. Përkundrazi, vetëm po thellohet kriza, po riciklohet
e keqja, kurse zyrtarët e tillë, si duket kanë marrë bekimin tuaj. Janë këto
disa nga arsyet pse na shtyjnë të besojmë se problemet me të cilat po përballet
Kosova janë të zgjidhshme dhe të kalueshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës
dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së, për ti aplikuar!...
Tashmë situata politike do të ndryshoj, andaj ju bëjmë
thirrje që të shfrytëzoni ndikimin tuaj
dhe përmes qeverive të vendeve tuaja, largoni nga listat zgjedhore të gjithë
ata individ të cilët kanë dështuar, ata që janë pjesë e krimit dhe
kriminalitetit dhe sidomos ata që kanë dosje të hapura.
Vijon...
St. Gallen, 21 gusht 2019.
*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i
trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton
dhe vepron në Zvicër.
Ilustrimi është
marrë nga interneti: James Gunn's Firing Exposes Double Standards and Danger In Punishing ...:https://www.google.com/search?q=Double+standard&source=lnms&tbm=isch&sa=X&ved=0ahUKEwi38dDbvJbkAhXry6YKHe8gBjMQ_AUIESgB&biw=895&bih=836#imgrc=_