E merkure, 09.10.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu: Roman plot fantazi letrare dhe histori reale

E marte, 20.08.2019, 01:13 PM


ROMAN PLOT FANTAZI  LETRARE DHE HISTORI REALE

(Jokai  Mor: : “Luani i Janinës” ,roman historik; përktheu nga hungarishtja  prof.Ahmet Qeriqi; botoi “Radio Kosova e Lirë”, 2019; 367 faqe)

Nga Adil FETAHU

Kohë më parë doli nga shtypi romani i shkrimtarit të njohur hungarez, Jokai Mor, kushtuar historisë së Ali Pashë Tepelenës, të cilin autori e quan Luanin i Janinës, dhe këtë emër i ka dhënë romanit të tij. Ky roman në gjuhën hungareze është botuar në vitin 1854, dhe pas 155 vjetëve nga botimi i origjinalit, na vjen i përkthyer në gjuhën shqipe, falë vullnetit dhe njohurisë së prof.Ahmet Qeriqit, i cili si i burgosur politik që ka qëndruar shumë vjet në burgun e Suboticës, e kishte mësuar gjuhën hungareze, dhe jo vetëm atë, por si njohës i disa gjuhëve, në burg  kishte “shërbyer” edhe si përkthyes  në mes zyrtarëve të burgut dhe të burgosurve të nacionaliteteve të ndryshme.  Nga rrëfimet e prof.Ahmetit mësojmë se një ditë në atë burg e kishin sjellur një kinez, dhe e thërrasin Ahmetin për të përkthyer. Kur ky thotë se nuk e di gjuhën kineze, zyrtari  e shanë, duke thënë: “cfarë  profesori  e përkthyesi  je, kur nuk di kinezisht”! Po të kthehemi te romani “Luani i Janinës”.

Pas një hyrje të shkurtër, pa titull, romani është strukturuar në 18 kapituj, ndërsa në fund, në katër faqe ka shpjegimin e fjalëve turke, të cilat i ka përdorur autori në romanin e tij. Në vend të pasthënies, vet përkthyesi  ka bërë një vështrim të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e autorit, duke veçuar dy romanet e tij: “Trëndafili i bardhë” dhe “Luani i Janinës”, kushtuar dy pesonaliteteteve të shquara shqiptare: Halil Patronës, udhëheqës  të revolucionit të jeniçerëve,dhe  Ali Pashë Tepelenës. Pashait të Epirit.

Romani “Luani i Janinës” është i zhanrit të romaneve historike, përplot  ngjarje e personazhe reale, por si vepër letrare përmbanë edhe mjaft  ngjarje e personazhe  të domenit të fantazisë së autorit.  Kaptina e parë (fq.11-28), “Humbëtirat në Luginën e Seleukut” është  kryekput fantazi letrare e autorit, kinse   Ali Pasha  ka shkua te një shpellë, ku ka komunikua me një zë  prej një qenie të padukshme, e cila  i ka profetizuar  se çfarë fati e pret,  e të cilat janë përmbushur njënganjë deri  në vdekje! “Ti  je njeri  i varfër që ke humbur gjithçka që ke pasur, dhe ajo që ke tani nuk është e jotja  (…); lavdia jote e madhe po kthehet në mallkim për ty dhe ti je bërë i urryer edhe për ata që mendon se ta duan të mirën”, i  kishte thënë zëri  misterioz.  Kur  Aliu e pyet, nëse do të triumfojë një ditë  në sarajet e  Padishahut në Stamboll, zëri  i kishte thënë: “Ti do që qëndrosh atje në një  pjatë të argjendit para turmës e cila do t’i gëzohet vdekjes sate; atë ditë ti do të jesh në dy vende në të njëjtën kohë: në Janinë dhe në Stamboll”.

Dy kapituj mbajnë titullin “Emineja” (fq.29-57, dhe 303-315). Është ky emri i bijës së Pashës së Delvinës, të cilën ia kishte dhënë Ali Pashës, për të lidhë miqësi me njeriun më të fortë të kohës. Emineja u bë femra më e preferuar në haremin e Aliut, por kur ajo kishte vërejtur veprimet e tmerrshme të Pashait, që ia kishte prerë kokën të dashurit të saj,  bashkë me suliotën e bukur kishin shfrytëzuar një rast për të ikur  nga kështjella (“Më mirë të vdesësh në thellësinë e humnerës, sesa të jesh e dënuar për përqafimet e Ali Pashës”, kishte preferuar Emineja).  Emineja kishte arritur te Padishahu ta akuzonte Ali Pashain për zullumet që ua kishte bërë suliotëve.  Por, se si krijohen rrethanat,Emineja përsëri iu gjet më së afërmi Ali Pashait në momentin e fundit të jetës së tij. E porositur nga Hurshid Pasha, kishte shkuar për ta lutur  të dorëzohej, por një tradhti e Mehmed Pashës, guvernator i Moresë shkaktoi dyluftimin, në të cilin Ali Pashai mbeti pa kokë.

“Luani i Janinës” kishte ngritur shumë kështjella, por ajo e Janinës, me arkitekturën dhe luksin, pasurinë dhe haremin që kishte brënda, ishte “Parajsa e kësaj bote”, sa që nuk ia kishte lakminë as nevojën për parajsën qiellore (kapitulli i tretë,fq.59).

Në kapitujt: “Gasko-beu”, “Njerëzit në mes të rrezikut” dhe “Luani në çerdhen e tij” (fq.79; 91;99), flitet për  përpjekjet e jeniçerëve,  të prirë nga shqiptari Halil Patrona, për rrëzimin e pushtetittë Sulltanit; për luftërat, intrigat, trathtitë, dorëzimet e djemëve dhe të  ushtarëve të Ali Pashës,   sa që prej më se 10 mijë kalorësve që kishte ushtria e tij, i kishin mbetur vetëm 700 kalorës shqiptarë, më besnikë të Ali Pashait. Kur prijësi i ushtrisë turke, Gasko-beu, gjatë një rrethimi të Këshjellës,  e kishte thirrur  Ali Pashën të dorëzohej, ky i ishte përgjigjur: “Ju keni ardhur në një vend të keq, o beu trim. Kjo tokë është imja dhe gjithëçka është nën të e mbi të, ku po shkelë ti – është imja, këtë si duket ti nuk e paske ditur”! Me një shpërthim të fuqishëm të eksploziveve të parapërgatitura, nën tokë e mbi tokë, ia kishte asgjasuar më se 1/3 e ushtrisë turke, pjesa tjetër kishte marrë arratinë. Nga zemërimi i humbjes, në radhët e ushtrisë turke, e cila përbëhej nga kombe të ndryshme (turqë, grekë,shqiptarë…), ishte krijuar përleshje, kaos, vrasje mes vete sa që nuk dihej kush kundër kujt ishte. Ali Pasha po i shikonte  nga kulla e tij më e lartë, i gëzuar për betejën e fituar, por i vetëdijshëm se ushtria turke do të kthehej përsëri. Tri ushtri me radhë që i kishte nisur Sulltani, të trija ia kishe asgjasuar Ali Pasha.

Në kapitullin e shtatë:”Familja shqiptare”, shtjellon situatën sociale të familjes së Ali Tepelenës, regjimin e rreptë të nënës së tij (Hankës), shoqërimin e tij me Behramin, djalin jetim të Halil Patronës, avanturat, jetën e tij plot rreziqe deri në arritjen e gradës së pashait.

Kapitulli vijues (“Pena (magjike) e Sulltan Mahmudit të Dytë” (fq.137), është një përshkrim letrar-artistik interesant i fantazisë së autorit. Ajo penë lëvizte e shkruate vetë,si një dorë e padukshme, duke iu përgjigjur me shkrim çdo pyetje të Sulltanit apo të Sulltaneshës, sa që ishte bërë burim i  informimit   dhe profetizimit të fatit të tyre.

“Familja çerkeze” e Mulla Kasimit të Kaukazit (kapitulli IX), poashtu nga fantazia e autorit Mor, shtjellon një ngjarje kur një tregtar grek i mashtron dy fëmijët e çerkezit, i merr në anijen e tij dhe i shet në Stamboll. Ata fëmijë, vëlla e motër (Thomari e Milieva), dikur arrijnë të bëhen njerëzit më të dashur e më të besueshëm të Sulltanit.

“Hakmarrja” është titulli i kapitullit në vazhdim  (X; fq.191), në të cilin përshkruhe tmerri i vrasjeve dhe mizorive që kishin bërë grekët mbi turqit,në shenj hakmarrje për një truk që e kishte bërë Ali Pasha, kur 500 grek të marur peng i kishte hudhur në një bunar dhe i kishte mbuluar me gurë e dhe. Romani vazhdohet me kapitujt tjerë të radhës (XI-XVIII).  Kur Ali Pasha kishte marrë lajmin se djemëve të tij iu kishin prerë kokat në Stamboll, kishte thënë: “Ky është shpërblimi për tradhtarët e babait e të vendlindjes së tyre”,  dhe kishte organizuar festim në kështjellën e tij! Ngjarjet që marrin hov dhe personazhet e atyre ngjarjeve që përshkruhën në vazhdim, janë gjithnjë interesante, sikurse janë kryengritjet e jeniçerëve, lëvizjet për reforma në Perandorinë Osmane, lufta e grekëve për pavarësi, e udhëhequr kryesisht nga personalitete shqiptare, duke shfrytëzuar situatën kur ushtria e Sulltanit ishte e angazhuar në luftë me Ali Pashën, për pushtimin e Janinës, deri te tradhëtia  dhe dyluftimi me Mehmet Pashën e Moresë, me ç’rast Ali Pashës i pritet koka. Në kapitullin e fundit të romanit thuhet se vrasja e Ali Pashë Tepelenës dhe eliminimi i kryengritjes së jeniçerëve ishin dy fitoret më të mëdha të Sulltan Mahmudit të Dytë.

Përfundim

Për Ali  Pashë Tepelenën kanë shkruar shumë autorë të huaj, e më pak autorë shqiptarë dhe sigurisht se pas personalitetit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Ali Pasha është peronaliteti tjetër më i shquar në historinë e shqiptarëve. Vlerësimet per këtë personalitet janë të ndryshme, edhe nga autorët shqiptarë edhe ata të huaj, sikurse edhe mënyra e vdekjes së tij është paraqitur në variante të ndryshme. Romani  i  Jokai Mor-it, është një prurje e re e letërsisë botërore, i përkthyer në gjuhën shqipe nga prof.Ahmet Qeriqi, dhe meriton të njihet nga lexuesit dhe studjuesit tanë. E veçanta e këtij romani është se është botuar nja 30 vjet pas vdekjes së Ali Pashës, që do të thotë se autori ka pasur mundësi  të mbledh informata më të besueshme nga burime të ndryshme për ngjarjet dhe personazhet. Mënyra e vdekjes së Ali Pashait në këtë roman jepet ndryshe nga disa romane tjera; këtu thuhet se Mehmet Pasha, guvernator i Moresë, i ka ardhur për vizitë Ali Pashës, pasi ky i fundit ia kishte dorëzuar Kështjellën ushtrisë së Hurshid Pashës. Në gostinë që i bëhet, Mehmet Pashai  tradhëtisht provokon dyluftim, me ç’rast Ali Pashai, që ishte i lodhur dhe i moshuar, mbetet i vdekur, të cilit pastaj i pritet koka dhe dërgohet në Stamboll. Sipas romanit të Jokai Mor-it, personi i vetëm që ishte i pranishëm gjatë atij dyluftimi, ishte ish-gruaja e Ali Pashës, Emineja, e cila e kishte bindur Ali Pashën t’i dorëzohej ultimatumit të Hurshid Pashës, me kushtin e garantuar me fermanin e Sulltanit për t’ia falur jetën. Në romanin e Mor-it, nuk përmendet Vasiliqja, aq shumë e përfolur në romanet dhe shkrimet e autorëve tjerë?! Autori Jokai Mor është i paanshëm në përshkrimin e ngjarjeve dhe të karkterit të Ali Pashait. Ai shkruan për krimet monstruoze por edhe i spikatë aftësitë dhe guximin e Ali Pashës për t’u përballur me Perandorinë më të fortë në botë.

Ambasadori i Francës, Pukvil, i cili e ka njohur nga afër Ali Pashën, ka vlerësuar figurën e Aliut herë me lavdata e herë  me urrejtje, varësisht nga zhvillimi i marrëdhënieve të Pashait me Franncën dhe me Anglinë. Dokumentet britanike të botuara deri më tani, e çmojnë lart figurën dhe rolin e Ali  Pashës.  Ai kishte vu rend e rregull, kishte ndërtuar rrugë e  krijuar ekonomi moderne, kishte forcuar e pavarësuar pushtetin sa që e kishte bërë pashallukun e tij një “perandori të vogël” brenda Perandorisë së madhe Osmane. Shtypi i kohës në Europë shkruante:”Perandoria (Osmane) ka dy Sulltanë:një në Stamboll, tjetri në Janinë”. Shkrimtari Viktor Hygo, duke krahasuar Ali Pashën me Napoleon Bonaparten,kishte shkruar: “Ali Pasha dhe Bonaparti, si tigri e luani”.Ndërkaq, Faik Konica, duke kundërshtuar ata që flitnin vetëm për mizoritë e Ali Pashës, shkruante: “Për të njohur mirë jetën dhe punët e Ali Pashës, dhet studjuar nja 10 libra inglisht, nja 5-6 greqisht dhe nja 3-4 frengjisht, të cilat flasin për të…” (“Albania”1902).

Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, një pasha tjetër shqiptar, Mehmet Ali Pasha, kishte arritur ta shkëputë Egjyptin nga Perandoria Osmane dhe ta formojë shtetin modern të Egjyptit.  Ali Tepelena për këtë kishte thënë: “Lehtë e ka Mehmet Pasha me fellahët e Egjyptit, ndërsa unë këtu i vras 99 shqiptarë, e nuk mund t’ia mbushi kokën (mendjen) të njëqintit”!

Për të dhënë vlerësim objektiv, në kontekst të kohës,  të kushteve dhe rrethanave, për figurën dhe punën e Ali Pashë Tepelenës, dhe jo vetëm të tij, duhet të hulumtohën, studjohen dhe analizohen dokumente relevante të kohës, nga burime të ndryshme dhe të shkruhet historia e plotë e atij kolosi, me të gjitha meritat dhe dobësitë që ka pasur, dhe një pjesë të fajeve duhet lënë kohës, ndërsa vlerat dhe meritat t’i atribuohen  Ali Tepelenës.

Romani historik  i Jokai Mor-it: “Luani i Janinës”, i përkthyer nga prof.Ahmet Qeriqi,  nga aspekti letrar është një prurje e mirseardhur në letërsinë shqipe, por historia akoma nuk e ka thënë fjalën e vet për atë figurë markante, për të cilën populli i ka thurë këngë lavdie.

Gjuha hungareze është e vështirë për ta kuptuar e përkthyer, veçse prof.Ahmet Qeriqi ia ka arritur që teksti i romanit të ketë rrjedhë të lehtë të leximit dhe kuptimit. Shkrimtari tjetër hungarez, Moriz Zhigmund, në romanin e tij “Bëhu i mirë deri në vdekje”,edhe vet e pranon se janë një popull i veçantë në Europë, gjuhën e të cilëve nuk e kuptojnë të tjerët.”…Këtu jemi në mes të Evropës…dhe nuk kemi popull tjetër në botë që të na kuptojë, që ta kuptojë gjuhën tonë…”, thot Moriz.

Biografi e shkurtër e autorit: Jokai Mor (1825 – 1904), është shkrimtari më i njohur në Hungari, me më se njëqint vepra të botuara: romane, novela, drama, në mesin e tyre edhe dy romane historike për dy personalitete shqiptare: “Trëndafili i Bardhë” (roman për Halil Patronën, botuar më 1853, e ribotuar me dhjetra herë dhe i përkthyer në shumë gjuhë të botës), dhe “Luani i Janinës” (roman historik që shtjellon ngjarjet e dy vjetëve të fundit të sundimit  dhe jetës së  Ali Pashë Tepelenën, botuar më 1854).Të dy këto romane i ka përkthyer në shqip prof.Ahmet Qeriqi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora