Mendime
Astrit Lulushi: Heronj e mite
E diele, 28.07.2019, 05:57 PM
Heronj e mite
Nga
Astrit Lulushi
Duke
lexuar mitologjinë, atë klasike, njeriu njihet me karaktere a tipa të
çuditshëm, si dhe me atë që në shikim të parë mund të duket konceptim i
papërgjegjshëm, i gabuar i njeriut dhe fenomeneve.
Mite
janë krijuar me “gjigantë” të tmerrshëm që hedhin gurë, përçmojnë e shembin
male dhe shkaktojnë dallgë e tërmete që gllabërojnë anije e ushtri të tëra; që
megjithatë, mund të llogariten si dridhje të tmerrshme të natyrës që ishin në
veprim, si sot, edhe atëhere, në ato kohë të lashta historike.
Përsëri,
fenomenet e përhershme të përditshme, rezultate të disa ligjeve të natyrës,
janë aq të njohura sa nxisin vërejtje; por atëhere ishin çështje spekulimesh të
shkaktuara nga frika dhe alarmimi.
Për
shembull, kur dëgjonin zhurmën e tmerrshme të bubullimës dhe shihnin rrufe të
ndezura, të shoqëruara me re të zeza dhe rrëke shiu, njerëzit besonin se
Perëndia ishte zemëruar dhe ata terrorizoheshin nga zemërimi i tij. Nëse deti i
qetë bëhej befas me dallgë të larta që përplaseshin fuqishëm ndaj shkëmbinjve,
ata drejtonin fytyrat drejt qiellit të nxirë nga retë e shiu dhe pranonin çdo
gabim që u shkonte në mendje se mund të kishin bërë. Kur herët shihnin qiellin
me ngjyra të ndezura të ditës, mendonin se Perëndia e agimit, me gishtat e kuq,
po tërhiqte velin e errët të natës, për të lejuar vëllanë, Perëndinë e diellit,
të fillonte karierën e tij të shkëlqyer...
Kështu
duke personifikiar të gjitha fuqitë e natyrës, njerëzit me shumë imagjinatë dhe
shumë dell poetik, shihnin një Hyjni në çdo pemë që rritej, në çdo rrymë që
derdhej, apo në rrezet si trarë të ndritshëm të diellit dhe në rrezet e bardha
të ftohta të hënës së argjendtë; për ‘ta i gjithë universi jetonte dhe
zgjerohej, populluar nga mijëra forma hiri dhe bukurie.
Më
e rëndësishmja mund të ketë qenë se këto Hyjni ndoshta ishin më shumë sesa
krijime të thjeshta të një imagjinate aktive; mund të kenë qenë qenie njerëzore
që u dalluan në jetën e tyre me përparësinë e tyre mbi të afërmit e tyre; kur
vdiqën ata u ndanë nga njerëzit në mesin e të cilëve kishin jetuar dhe poetët
prekën si me shkop magjik detajet e jetës, të cilat, herë prozaike, u
regjistruan thjesht si bëma të shquara.
Është
shumë e mundshme që punët dhe emri i mirë i tyre u përkujtuan nga rapsodë, të
cilët, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin, me këngë e tregime, përhapën
lavdinë e tyre; prandaj është jashtëzakonisht e vështirë, madje pothuajse e
pamundur, të ndash faktet nga ekzagjerimet që kurrë nuk dështojnë të shoqërojnë
traditat gojore rreth tyre.