Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Si e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta
E hene, 15.07.2019, 09:37 PM
Si e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta
Konstantinopoja-Stambolli
i kontrasteve të mëdha
Nga Gani Mehmetaj
Konstantinopoja (Stambolli) gjithnjë me ka interesuar me historinë e vet interesante, me fundin tragjik në mesjetë dhe me rrëmujën e sotme në kufijtë e kaosit. Nga Perandoria e Bizantit mbeti Aja Sofia, kisha që ishte shndërruar në xhami, sikurse në Pejë kisha e Shën Premtes që u bë Xhamia e Çarshisë. Aja Sofia prapë u kthye në kishë nga presioni i Evropës, por kisha e Shën Premtes në Pejë nuk u bë kurrë si më parë. Mu kujtua shembulli i historisë fatkeqe, pikërisht kur e shihja këtë kishë, mrekullinë e qytetërimit. Heshtja brenda kubeve të rrëqethte e të fuste në mendime të thella.
Kur
i braktisje tempujt a ngrehinat e moçme, të imponoheshin çarshitë e mëdha, me
mallra të renditura brenda e të ekspozuara në vitrinë, me shitësit që të kapnin
nga mënga e përpiqeshin të te fusnin brenda me dhunë, ndërsa gjithë kohën, me
duket të thoshin "bak, bak".
Duhej të bëheshe arrogant që t'i dëboje nga vetja, nëse nuk e kishe
ndërmend të futeshe brenda e t'ua shihje mallin, ndërsa s'të linin me asnjë
çmim të dilje pa ua blerë ndonjë cukël.
Nga
Stambolli dikur vinin hordhitë e pafundme që e shkretuan Shqipërinë e
shqiptarët, nga Stambolli gjatë viteve të shtatëdhjetë e tetëdhjetë të
shekullit të kaluar vinin mallrat turke që të griseshin në trup ende pa i
veshur mirë. Dërgonin tregtarët tanë nga Kosova në Turqi çaj Indie, që i
thoshin çaj rusi dhe blinin tekstil, parfume të lira e sixhade. Dërgonin tanët
edhe raki Rahoveci , që turqit e pinin si rusët. Me policët e doganierët serbë,
bullgarë e turq çdo herë kishe probleme, të zhvatnin e të fyenin deri në
arrogancë.
Secili
në qytetin shumë milionësh, buzë Bosforit, përpiqej në ethe të mbijetonte e të
fitonte, shpesh në kurrizin e tjetrit, lufta për mbijetesë ishte më e theksuar
se askund tjetër. Bashkëjetonin feudalizmi e kapitalizmi në Turqi, punëtorët
ndihmës (shegertët) nëpër dyqanet e shumta, i rrihte pronari sikur t'i kishte
skllav dhe askush nuk shihte diçka të pazakonshme në këtë keqtrajtim. Mendësia
mesjetare rrinte pezull mbi çati e në trotuare. Kur kalonte ndonjë bionde nga
Evropa a nga Ballkani, dilnin shegertët e pronarët e dyqaneve dhe fishkëllenin
si në ndeshje sporti, dikush e lëshonte ndonjë fjalë të pistë me afshe. Në
planin social po nuk punoje përfundoje lypsarë në rrugë. Kishte kaluar koha e grusht shtetit që në
Turqi i bënin shpesh, ishte diçka më qetë, por policia e ushtria sillej kudo.
Ushtria ishte autoritare dhe të gjithë ia kishin frikën.
Qyrtët
(kurdët) ishin raca më e urrejtshme jo vetëm në Stamboll, por në tërë Turqinë.
Propaganda shtetërore e kishte bërë të vetën, duke i sharë e kriminalizuar
kolektivisht, mu siç bënin serbët ndaj nesh. Kur i pyesje pse janë të keqi, nuk
dinin të ma thoshin, vetëm e përsërisnin si papagall: qyrtët janë të poshtër.
Kurdët luftonin për pavarësi, udhëheqja e tyre gabimisht ishin rreshtuar me
Bashkimin Sovjetik, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk i kishte ndihmuar askujt.
Turqit e kultivonin patriotizmin e atdhedashurinë duke i luftuar e poshtëruar
kurdët, mu si serbët që mbaheshin si komb duke i diskriminuar e luftuar shqiptarët.
Në
këtë ambient mos durimi i kujtoja filmat e famshëm të kurdit Jilmaz Gynej
"Shpresa" dhe "Rruga" që ishin të trishtë sa ta këpusnin
shpirtin. Kurdi më i famshëm vuante burgun turk në kushtet çnjerëzore, sepse
ishte deklaruar për kombin e shtetin e tij. Sa tragjike. Ai jepte instruksione
nga burgu për realizimin e filmave, por nuk e shijonte suksesin e tyre, nuk
shkelte në tapetin e kuq të Kanës e të Berlinit, nuk kishin si t'ia dorëzonin
Palmën e Artë a Ariun e Berlinit.
Kurdët
e kuptonin tragjedinë e tyre dhe luftonin, shqiptarët e shkretë që ikën nga
serbi në Turqi, nuk e kuptonin që po shkriheshin si kripa në ujë dhe rrinin të
shushatur.
-Kokan
(qenkan) si shkitë, - tha për turqit njëri nga pleqtë e dajëve të mi dhe vdiq
nga pikëllimi disa muaj pasi erdhi në Turqi. Asnjëherë nuk mu hoq nga mendja
fjala e tij.
Shqiptarë
të Dardanisë e boshnjakë të Sanxhakut ndeshje kudo. Shqiptarët të flisnin disi
me druajte shqip, boshnjakët flisnin serbisht serbez, do të thoshte turku, pa u
bërë syri verr, megjithëse atë gjuhë e kishin blerë nga serbët, ndërsa kishin
qenë shqiptarë (fis i Kelmendit) para Kongresit të Berlinit. Kur ua thosha këtë
fakt, thartoheshin, por rrudhnin me supe, kjo gjuhë na mbeti, arsyetonin.
Serbishten e pranonin më lehtë se sa shqipen edhe turqit në çarshi. Pas
konsumatorëve serbë vraponin me përulje, duke i ftuar serbisht në dyqan.
Asnjëherë nuk me ka ndodh të me flisnin në gjuhën time dyqangjitë e Stambollit,
ashtu si u flinin serbëve në gjuhë të tyre.
Konstantinopojën
nuk e shihja për herë të parë, vitin e kaluar erdha nga Edreneja, kur merrja
pjesë në xhirimin e disa kuadrove të një filmi të Kosovës. Në Stamboll e kisha
gjysmën e familjes, ose më saktë tërë familja e nënës jetonin këtu, sikurse
miliona shqiptarë në detin e popujve aziatikë.