E premte, 01.11.2024, 12:32 AM (GMT)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Streha ime pikon gjak

E shtune, 15.06.2019, 07:43 AM


Cikli është shkruar gjatë verës së vitit 1999, dhe është reflektim i asaj situate në të cilën e gjeta Kosovën: Fillimish është botuar në Libri me poezi “STREHËT E GJAKUT”, Botoi: Shtëpia Botuese "FAIK KONICA" Prishtinë, 2000, e më pas edhe në librin me poezi të zgjedhura “ANATOMIA E BRYMËS”, Botoi: Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2013.

Shefqet DIBRANI

I. STREHA IME PIKON GJAK

Pikat e gjakut

Quk-quk zhbirojnë gurët në themelet e kullave shekullore

pa pikë fryme shurdhër ranë mbi dhé

thika e përgjakur qëndrueshëm rri

në dorën e farës së gjinisë me rrënjë tekanjoze

Në agsholin pranveror e vranë pëllumbin pushbardhë

bashkë me vrullin e rritës së shenjtë

nga oxhaqet e fisit tim të pashuar

pikëllimi villte krimin vazhdimisht

që kur këmbë e barbarit shkeli truallin tim

Molla në oborr të shtëpisë preu bulëzimin

sqepi i krimbit, qershisë ia pikoi syrin

ninëzat e kuqe rrodhën si lot për faqe

korbi i zi korb solli tmerrin atë ditë

në agsholin tëmbëlor në prag të shekullit të ri

Kur pushka e parë shkrepi mbi të

u trand deri në çmendi sikur të ishte bishë

pikat quk-quk rrodhën gjakun e zi

krimi e tragjedia nuk kishin kufij

Na pshurrën pragun, na fëlliqën oborrin

streha ime vazhdimisht pikon gjak

gjak e flakë, flakë e gjak për çdo natë deri në ag

Natë ishte. Kujtuan askush s'i kishte parë

po ylli i fatit shqiptar sodiste tragjedinë

e rrezet e hënës deri pranë oxhakut kishin zbritur

Nga një urë e padjegur në zjarr

tymi fitil shkonte përpjetë

te retë çonte lajmin për krimin që ka parë

syrin nuk ia ka turbulluar as cipa

e blertë e hirit sipër rënë

Natë ishte. Gjithçka në gjumë

në shtrat në trojet e veta stërgjyshore

Hëna pikëllueshëm i kishte parë pikat e gjakut

kur nga streha ime

quk-quk në tokën time kishin rënë

dhe një lumë dhembjesh e hjekash

vërshoi nëpër kurmin tonë...

II. VIZATIMET E BARBARËVE

Natën erdhi ushtri e pafarë

erë "shlivovice", kundërmim qelbësire

si djalli i zi kanë shkelur barin nëpër fushën time

kanë kuisur këmbëzat e urës

ushtrinë e serbit nuk e mbajmë kurrën e kurrës

Erdhën natën, rrethuan shtëpitë

erdhën për të mbetur,

tërbimi theu degët e pemishtes sime

në pullaz tjegullat na i theu…

pastaj shiu quk-quk, si qullë

shtratin e ka bërë ujë

Kaluan barbarët mbi ura në këtë anë

te kroi qetësisht presin frontin trimat

një pushkë një rrethatore e një copë

bukë të thatë, një fletë qepe në mes e dy kokrra kripë

Ka ditë që tymi nuk është ngjitur përpjetë

për mos t'i diktuar burrat ku janë në cilën bjeshkë

Kaluan ushtritë edhe lumin tash janë ngjitur

përpjetë drejt kullës sonë

në shtratin e nuses kanë fjetur tërë natën e gjatë

e diku në oborrin tonë kanë lëshuar qenin e tyre të lehë

Ushtri e pafarë

dalldisur i ka rënë fushës së blertë

qerrja e topave dhe këmbësori e shkretë

kanë thyer misrin, kanë shkelur grurin livadhin kanë djegur

të dehur në odën e bijës sime hungërojnë tërbueshëm

e me thundra brinjët asaj ia kanë shkelur

zvarrë tërhequr kopshtit nën degët e qershisë gjëmuese

me tehun e thikës majat e gjinjve ia shpuan

njëri ia thithte tamblin tjetri me raki plagët ia digjte

Nata bëhet sa një shekull rëndë

ndër muret tona në korridoret e kujtesës

çmendinë serbe barbarisht vizatojnë

III. FËRFËLLIMA E GJETHITNGA PUTRAT E BARBARËVE

Shiu tashmë ka harruar tokën e çarë sikur gjumi fëmijën

era gjethet fërfëllon, zhurma e ujëvarës prish ëndrrën e natës

buzët e thara nga vuajtjet e ditës pema në oborrin e shtëpisë

fletët nga dega lëshoi

Zymtësia ka pllakosur ftoin dhe kumbullën në kopsht

pullazi pikëllueshëm në dy kahe shiun përçan

dhe gurra e ujit gurgullimën ka pakësuar

për një vuajtje që po afrohet

Ndanëmexhës së arës barbarët po vijnë

me pushkë në krah, "shlivovicën" në grykë e bajonetat në duar

Po vijnë të harbuar nuk ngjajnë me barin pas shiut

po vijnë për të shkretuar tokën

për t'ia prishur ëndrrat fëmijës

Barbarët rrapëllojnë uturimë lëshojnë

ata vijnë natën së bashku me krimin

bulëzimin e jetës për të prishur

Njerëzit kanë ikur pa plaçka në krah

Dhiaret përplot klithje fëmijësh,

gra të lemerisura. Ata nuk po shkojnë në ditë pazari

kanë marrë ikën janë futur malit për ta shpëtuar

vetëm kokën nga kosa e barbarit

Qerret me fasule, mbushur kovat me misër të zier racion ditor

Vasha që deshi të bëhet nuse pajën me vete mori

rrinte në pritje të krismës habertare dhe "eh"-ut të luftëtarit

çardaku mu në mes të malit

As natën njerëzit gjumë nuk fusnin në sy

ata në krahë të njëri-tjetrit në kolonë lëvarin kokën

për t'i përkëdhelur ëndrrat

Në pemishten time përsëri po thyhen pipthat e shartuar

më tutje shtrohet rakia qengji nuk është lëshuar

nga torishta as lopa nga stalla s'ka dalë

Kurse barbari me majën e thikës në trupin e kumbullës

në mur e portën e shtëpisë dhe në ballë të oxhakut

e mbi minder trininë serbe kudo vizaton

Rrugët e pazarit janë shkelur nga turma gjëmëtarësh

nga lindja e fëmijëve në fushë e në mal

me dhembje lehonat ardhmërinë më tutje për një brez çojnë

IV. PEMA IME LARË ME GJAK

E shkelën grurin në arë e gardhiqet na i thyen

u ça porta, dera e shtëpisë u përplas

xhamat e dritares copë-copë ndanë rrugës ranë

fletët e librave nëpër u panë

Lumi përplot gjak e gjaku u nxi

plumbi mbi kokat tona zogut krahun ia plagoi

dielli u turbullua, lemeria e mori

lulja në livadh nga çizmja barbare është vrarë

bari i shkretuar në pranverë pa gafrruar ka mbetur

viçi tmerruar ndër fushë është fshehur

Pema ime u la me djersë burrash

breza të këputur duar të shkatërruara

klithma e tyre si ehu i këngës ndër dhëmbë

dhe rrënjët e pemës ujiten me gjak

Kokat si frutat kanë rënë…

V. NJË TIS MJEGULLE PO VERBON

Muzgu shurdhër po bie, një tis mjegulle po verbon

frika kaploi fshatin trishtimi ndër dhëmbë ka ardhur

ogiçët kthehen me kambana të çara të mbushura me bar

qenve turinjtë ua mbuluan me kova që "ham"-et e tyre

të pushojnë

patkonjtë kuajve jua mbështollën me pëlhurë

që lehtas nga bjeshka të zbresin në fushë

Bagëtia qetë-qetë zbret nga stanet bariu fyellin ka braktisur

trishtimi e frika oxhaqet e odave ka pushtuar

rrugicat e fshatit të zbrazëta

as mjelëset e lopëve në prag të vathit s'dalin

Muzgu shurdhër po vjen, një tis trishtimi po verbon

frika pllakosi fshatin shurdhësia po kaplon

vetëm rrapëllima e barbarëve e prishi monotoninë

thikat e tyre thekshëm vezullojnë, ah barbarët

arritën kudo ndër trojet tona

Një gjel kryeneç alarmin lëshoi barbarët i pezmatoi

për t'u hakmarrë vranë qenin në zinxhir

në kope therën ogiçin, dhenve iu grahën përpara

e dhitë e kuqe na i lëshuan ndër ara

I kallën qerret e mbushura përplot ushqime

kuajve këmbët ua shëmtuan

e zogut krahët ia shpuan

Barbarët erdhën në trojet tona

me dhembje të theksueshme bari rritej në rrugë

Njeri i gjallë nuk lëviz

a thua ka mbetur dikush në jetë ditën që ka lindur

VI. ZËRAT NDËR DHËMBË PËRMBYTEN

A thua ka mbetur dikush gjallë a thua...

Zërat ndër dhëmbë përmbyten nga gulçimat

kambanat e tufave më nuk dëgjohen as hingëllimat

qentë i kanë vrarë njerëzit i kanë shpërndarë

ku e kah nuk di njeri i gjallë

Vera ka ardhur me retë sterrë

njeri i gjallë nuk ka dalë në derë

Arat u shkretëruan tufat u asgjësuan

troku i kuajve s'dëgjohet as qerret me qe rrugës s'kalojnë

Hithra e gjemba mbushur kopshtet djerrë kanë mbetur

rrugët janë shembur udhët e bjeshkës kanë humbur

Nga mëngjesi e gjer në mbrëmje digjen

pëllëmbë për pëllëmbë shtëpitë. Rrobat e palara nga djersa

kundërmojnë, fshati kundërmon nga shtazët e vrara

nga qentë e ngordhur

Tek-tuk nëpër fushë duket tufa e egërsuar

me gjinj të harbuar mjelësja nuk merr qumështin

e djegur nga vapa nga gjinjtë me hithra të regjur

Vera ka ardhur retë janë bërë sterrë

dera e shtëpisë është mbushur me thera

në bjeshkë bari është rritur deri në gju

tufa mungon, s'dëgjohet zëri i Laroshit

lisat e trembur nga qetësia e harruar

pa zërin e grigjës e fyellin e bariut sa e trishtuar

Vetëm era ia prish qetësinë bjeshkës

e ndonjë qen endacak që i shpëtoi betejës

në asnjë bjeshkë zëra nuk ka më

as sëpata e pylltarit lisit të rënë

as "ah"-u, as "oh"-u, as loja, as dashuri në

bjeshkë nuk gjen, kanë ikur të gjithë atje matanë

matanë shtatë brezave ku bren miza hekur

Shirat kanë ndërruar kahet ato ravijëzojnë

bari ka dalë mbi pragun e shtëpisë e

ferrat dritaret i kanë mbyllur

e qeni ka ngrirë në zinxhir

Nëpër pyll ujkonjat ushqejnë këlyshët

me tufat e ngordhura dhe me kockat e

njerëzve të vrarë, një shekull më parë

e tani, tani…

VII. SHIRAT VJESHTORË PO VIJNË

Shirat po vijnë, bari gufon e gafrron

dhe rrugët mbulohen me ferra

tashmë edhe dhiaret e bjeshkës së shkelur

janë mbuluar me bar edhe qentë e tërbuar

ranë në arë. As dëgjohet zë

as ka dalë bujku në fushë tashmë

shkretëruar është jeta, s'ka "lëshuar" as bleta

Ikanakë! Mos ëndërroni shtratin e butë, as

shtëpitë e padjegura as fshatin e katandisur

mos e kujtoni hijen në oborrin e shtëpisë

as tufën as bjeshkën krojet e akullta mos i kujtoni

atje barbarët tashti dergjen

Ikni shqiptarë nga kosa e barbarit

leni lopët çfarë keni të gjallë shpëtoni

kokën dhe bimën që mbani në duar

Tufa do ta gjejë bjeshkën me barin e harbuar

e ndër stanet tuaja ajo do të flejë. Mos u hidhëroni

mos i mallkoni pse bajgën kanë lëshuar në shtratin fierak

shtazë janë, po çfarë të bëjmë me barbarët.

Ikanakë! Në gjumë rrëmbyeshëm do t'u dalë fusha përpara

mos i mallkoni ëndrrat as shekujt plot vuajtje

mos i mallkoni kopshtet e pemishten

se bari nuk rritet në gjak

Ikanakë! Bëfshi gjumë të lehtë në tenda

mos mallkoni shirat vjeshtakë që po ofrohen

e dyshekun do t'ua lagin e trupin

do t'ua kalbin mos mallkoni

pse rrëmbyeshëm do të fryhet përroi ai do t'i

lajë gurët plot gjak e dheun

do ta bartë deri sa të dalë në kafkë në një kafkë harrestare

Plepi do t'i lëshojë gjethet nga erërat vjeshtake

gjethet në tokë do të kalben ti mos

mallko dridhërimat e lisave nga ethet e murlanëve

e ti floknajën tënde mos e lësho në erë kombi im

shpirti im ti mos u shqetëso as mos mallko

Mos i kujto të vdekurit as varret mos harro

çfarë ke parë çfarë ke përjetuar

as krojet e mbushura me eshtra as puset me gjak

mos i kujto ëndrrat e gëzueshme

as puthjen e fëmijës

mos i kujto krimet as kosën

që ra mbi kokat e luleve në livadh

Shirat vjeshtakë po vijnë varret

do t'i rrafshojnë e mbi to në pranverë

bari do të mbijë e kosëtarët

do të kthehen përsëri

Plugu një ditë një kafkë

mbi dhé ka për ta qitur. Ti mos u shqetëso

as mos e mallko umin e plugut pse

një kafkë mbi dhé ka nxjerrë

një kafkë harrestare...

VIII. NJË KAFKË HARRESTARE

Një kafkë harrestare - një kafkë harrestare

tinës fshatit është vjedhur ndër varre

kush e ka parë - kush e ka marrë nuk di njeri i gjallë

Varret janë lodruar kockat janë tubuar

tinës fshatit kanë ardhur kafkën kanë marrë

një kafkë harrestare

Me maska në fytyrë me lopata në dorë

kanë rrëmihur e rrëmihur qetas ndër varre

me gjëmë natën për hënë pa bërë zë

gjersa kanë gjetur kafkën

kafkën kanë marrë

atë kafkën harrestare

që prej vitesh errësonte ndër varre

Varret janë lodruar kockat janë tubuar

fshehtas kanë ardhur vetëm kafkën kanë marrë

kafkën harrestare ndër varre

varret shkretuar gurët kanë rrëzuar

dhe me plugje pastaj i kanë lëvruar

Dhe me plugje lëvruar i kanë varret stërgjyshore

kafkën kanë marrë kafkën harrestare

në kujtesë ka mbetur vetëm kujtimi i zi

në katakombet tona shekullore...

IX. ERDHËN NDËR VARRET TONA

Ndër varret tona tinës përnatë ranë

në pritje të mëngjesit me trasta në krah gjetur na kanë

Për dhé na rrëzuan me çizme na shqelmuan

pastaj barbarët egërsisht u sulën mbi gratë tona

Burrat i lidhën për peme në oborr

kosa shkëlqente në dorën e barbarit

priste të rrëzonte meshkujt përnjëherë

sikurse rrëzohet bari

Na ranë në pritje të mëngjesit në ikje

tatëpjetës së malit na ranë në vatrat stërgjyshore

aty ku prindërit tanë denbabaden mbetën në këmbë

ata shkrepnin pushkën për lindjen e djalit

kuajt shalonin dhe vetë lëronin arat

dhe thërrisnin me sa gurmaz që kishin

eeej a dëgjoni gjallë jemi në këtë vend

dymijë vjet para Krishtit, Ilirishte kemi folur

dhe tashti shaminë na kanë vënë mbi gojë

Erdhën ndër vatrat tona për të na rrëzuar

krenarinë e barit vesëtar e lisat

që prekin qiellin si plisat binin

mëngjeseve herët e muzgjeve verore

shpresën vazhdimisht kishim në lindjen e diellit

Pemishtja vetëm ka mbetur. Secili më vete

kujton dhe pyet vetveten dhe ata që

s'janë pranë se si janë e ku janë

Udha nëpër mal është me të papritura

me kosa mbi kokë e thika në shokë

Dikush bie në kodrën e këtushme tjetri bie matanë

me varre u mbulua ky vend në çdo anë

Fëmijët flasin me gjuhën e gjetheve

vetëm zogjtë i kuptojnë e degët rënkojnë

X. KAFKAT NË VARRE NA I KANË SHPALUAR

Barbarët na çanë, gjymtuan e sakatosën

fëmijët flisnin me gjuhën e gjetheve, me zogjtë

kuptohen, në shkollë i dërguan

shkronjat me gaxharremaua mësuan

Mësuan si nuk duhet dashur atdheu si urrehet vëllai

i mësuan si nuk duhet mësuar e shkronjat

me gaxharrema vazhdimisht trastën ua shpuan

Peng mbetën tek ardhësi, ardhësi ishte barbar

në shkollë të tyre na futën shpirtin na copëtuan

sytë i munduan e vaji në buzë gjithnjë na mbet

Me kallam misri barkun ushqyem e këtë

shtat fidak e rritëm ngadalë.

Disi shkronjat i mësuam, e kur ato germa me qoshe

na shpëtonin prej dore, gjaku curril shkonte

Në vend të Naimit, Vukun na dhanë, në vend të

Kristoforidhit, Njegoshin na urdhëruan, kur

i venim mbi shuplakë, duart vazhdimisht

mbusheshin me gjak, nga tehu i shkronjave

nga të thepisurat që kanë

Ndër varre gurët na i rrëzuan, në noteri

emrat na i ndryshuan. Vuajtje e pikëllim

pësoi kombi im, e kafkat ndër varre

na i shpaluan - kafkat e fisit tim të pashuar

me shpirt të plagosur

Ne dinim të kujt jemi dhe dinim

të kujt mos të jemi, por barbarët na detyruan

edhe në shtëpi të flasim gjuhën e huaj

gjuhën e barbarëve, që na i ngritën kafkat

ndër varre - kafkat e fisit tim që gjallonte në vegim

Barbarët erdhën për tëmos shkuar

ndër vatrat tona donin qëndruar

në qytete e katunde dyndeshin pa lindur

dielli në bujtina rrinin gjersa këndonte gjeli

Gotat i cakërronin mbi varret tona

(zakon i moçëm për sojin e barbarëve

dolli e aheng të ngritin mbi varre)

Kuajt tanë rrëmbenin dhe i ushqenin

me bukën e gojës, dhe shpatat i mprihnin

mbi trupin tonë. Barbarët erdhën gjithë

lemeri, erdhën dhe qëndruan

e mbi varret tona kanë kënduar

pastaj kafkat në varre na i kanë shpaluar...

XI. LAVDIA E BARBARËVE

Shpatat preheshin mbi trupin tonë

nga mllefi këndonin nga qejfi dhunonin

bukën e magjes na helmonin, ujin na e kanë pshurrë

me gruan e kurorës natën kaluan

me fjalë të rënda na acaronin

e me thika zemrën na shponin

Pemishten na dëmtuan, tufën na zvogëluan

barbarët çfarë u pillte kaptina kërkonin

me qafë lëvarur jetën kalonim

Hullive të vuajtjeve e rrudhave të ballit

kanë kaluar si në shuplakë dore nëpër oborrin tonë

policë e ushtarë vrasës e kosëtarë

Kaluan ushtri pa prijës e prijësit vinin më vonë

dhe bënin be se këtu do të qëndronin

ne jemi të lavdishëm të përjetshëm na thanë

dhe hëngrën kokën e vet dhe nxorën sytë tanë

Në çdo shtëpi shtatë filiza lindur kanë

lagjet u rritën në katunde, fëmijëve

në çdo çerek shekulli kosa u binte përmbi

e ne si bari shpërthenim përsëri

me piklat e vesës së mëngjesit

e lotët e mbrëmjes

XII. MBI VARRET TONA ËSHTË LUAJTUR KOMEDIA

Kuajt tanë të shalës egërsisht janë harbuar

ka vite shqiptarët që s'i kanë shaluar

as bjeshkën e vet nuk e kanë bjeshkuar

as tufën e vet nuk e kanë lëshuar

as kopshtin kanë mbjellë as pemishten

as kanë biseduar me shqipen

Dasmat kishin harruar zakonet

kënga nga gjokset nuk fërgëllonte

as pushka habertare nuk qëllonte

E ne nuk qanim kur e zeza ra përmbi

e ne nuk kujitëm kur thika përgjakej mbi trupin tonë

As oh as uh nuk bëmë nga gjëma në gjëmë

Varret na shtoheshin çdo ditë

ato zgjeroheshin vazhdimisht

(gurin mbi koka s'lejuan të rënduaka!)

Vjeshta me ujë të rrëmbyeshëm

i rrafshonte e në pranverë bari harrestar i mbulonte

Vinin kohëra të tjera e kosa binte

përmbi e varret e reja

me ngushëllime të reja psherëtimash

Kafkat e vjetra kuisnin nga tragjedia

mbi varret tona zgërdhihej komedia

e ardhur nga skizmëria

XIII. PËRBALLIMI I DHUNËS

Kur e zeza ra si një topuz në trojet tona, barbarët

tashmë ishin kudo e ne u mëveshëm me të bardha

kërkonim vetëm paqe e vëllazëri

butësisht na hynë në shtëpitë tona

e qetësisht na grinë

Me zemrën gur i kaluam të gjitha

krushqitë e reja i bëmë me ta dhe lak e gjak

na rridhte për çdo ditë

Edhe librin e tyre mësuam, gishtat

tanë i lënduam nga tehu i shkronjave

Dhunë libri na u bë përditshmëri, me kokë

varur tehut të shpatës ecnim vazhdimisht

vesës së mëngjesit ia kishim frikën

këmba rrëshqiste sikurse mbi barin e bjeshkës

plagët hapeshin si në frontet e betejës

Ligjin e kishin bërë dhunë e dhunën përditshmëri

sejmenë e topuzë, qyskistarë e krillash

vërsuleshin vazhdimisht e kosëtarët

rrëzonin barin vesatar çdo ditë

Të zezat i kaluan vetëm atëherë kur dhunën mësuam

e fëmijët Durim i pagëzuam

XIV. DIMRAVE KRIMET JANË ASHPËRSUAR

Ende pa fshirë kosën e lagur me fijet e barit të njomë

që kosëtari rrëzonte pa pra

fjalët e buta dhe lapsi ndërmjet gishtërinjve

tashmë si një kunj vrastari lëndonin vazhdimisht

Filluan bjeshkën e kaluan

E në pemishten tonë shqip është folur

e dritat e kuvendit nuk fikeshin deri vonë

Nga rruga bari u herr

e dritares ferrën ia kemi hequr

dhe lëmashku në çati u pastrua

oxhaqet tymin shtëllungë kanë lëshuar

E bjeshka ka mugulluar, vuajtjet e zeza

i kemi përballuar, nëpër plumba e nën tehun

e kosës tufën e kemi shtuar

Arat e Kosovës vetë i kemi mbjellë

e kur bereqeti mirë është bâ, e kur

vera ka qenë e frytshme, në atë vit

tragjedia ka pllakosur

vinin barbarët

bashkë me dimrin e ashpër të krimeve

XV. NË SYTË E ZEZË MATNIM TRAGJEDINË

Bjeshkët tona janë pushtuar

e kurrë dru në to lirshëm

nuk kemi marrë

edhe pse me bjeshkën jetojmë

Kroin tonë e përroin matanë

dhe fushën e begatuar më tonën

s’e kemi pasur

as ujin për ara as kopshtin rreth shtëpisë

dhe pemishten

as yjet përsipër

Xhelepçinj e tagrambledhës vinin rrebesh

tagër për tokë e shtëpi kanë mbledhur

për kopshtin e pemishten

tagër për bjeshkën e pashkelur

e lumin në fushë të paprekur për ajrin e ndotur që

thithnim dhe vesën mbi barin e butë

Tepricat kërkonin vazhdimisht

edhe për hënën që pëlleshëm ndrin

për diellin rrezellitës e shiun

dhe borën e madhe

kur dimrave fërfëllinte mes përmes fërfëllizës

Barbarët me çizme vazhdimisht vinin

vjeshtave të vona dhe dimrave të fortë

shtëpi më shtëpi tagër kanë mbledhur

putrën e venin në vathet tona

në sytë e zezë ne matnim tragjedinë

XVI. FUSHAT DHE ARAT MBETËN SHKRET

U pushtuan katundet tona pëllëmbë për pëllëmbë

Njerëzit e bardhë në stane shkuan

Veten e tufën për ta shpëtuar

Fusha dhe arat mbetën shkretë

Nuk i bartnim dot

Karshi nga bjeshka dukeshin burimet e përrenjtë e shkretë

të lashtat rrëzoheshin nga qentë e ushtria

vadat e ujit gjithkund i shkatërruan

dhe magjen e bukës përjashta e vërvitën ardhësit jabanxhi

e në arat tona kanë hyrë kosëtarët e huaj

bereqetet shkeleshin nga thundra e dhunës

Arat tona tashmë i ka pllakosur zia

më nuk dalin argatët në mëngjes

duajt e korrur kanë filluar të kalben

e bima e re nga kokrra e grurit ka mbirë vetvetiu

askush nuk del në derë

është kohë pune apo verë

ku është barbari dhe njeriu

XVII. BARBARËT VIJNË NË FILLIM TË PRANVERËS

Barbarët erdhën ranë mbi tokën tonë

kur fara e grurit ishte hedhur në arë

kaloi dimri e pushtetarët zgjebën e sollën

në fillim të pranverës filluan të shkelin brazë për brazë

e matën tokën tonë, kryqet ia vunë

dyert e shtëpive me pushkë na i çanë

ranë ndër pemishtet tona pipat e shartuar i thyen

Ditët kalonin zgjatej robëria

askush në derë nuk dilte nga barbaria

As për ujë në gurrë s'kishim guxim të shkojmë

Barbarët vinin e kosëtarët rrëzonin

e ne perimet tona vetë i kemi blerë

Bukën e blinim me mundin e fituar të djemve tanë

përtej shtatë dhembjeve e nëntë shqetësimeve

letrat e tyre na këndoheshin pa na ardhur te shtëpia

vala e krimit rritej çdo ditë

kur ato letra nuk shkruheshin me shkronjat

me gaxharrema e për tokën tonë thoshin është e jona

XVIII. VUAJTJET QË KULLONIN GJAK

Toka e lagështuar nga bora që u shkri…

buka e ardhur në magje ka mbetur pa pjekur në furrë

Burrat me fëmijë ngarkuar gratë

u shkonin prapa shkonin

për mos t'u kthyer kurrë...

Barbarëve dyert e shtëpive

hapur ua kemi lënë

vetëm kuisja e tyre thyente trishtimin

që kishte pllakosur dhomat e vetmuara

qentë kalonin oborr më oborr

për të gjetur të zotët e konakut

edhe ata filluan të largohen për në bjeshkë

pa bërë hamë askënd pa e lehur

Barbarët i rrafshuan pllajat

e plugun e tyre futën serbes në arat tona

(ai na çante mes përmes zemrat)

e dhembja gjatë u ndje

kurse vuajtjet ende kullojnë gjak

XIX. ZËRA TË ÇJERRË

Para se të vijnë befas barbarët

fusha errësohet siç tërbohet era para shiut

ashtu siç shkreptijnë vetëtimat e para

vuajtje e mjerim të madh do të ndezë fusha

Zëra të rëndë të një gjuhe çjerrëse

ashpër komandojnë

shpresa të mbytura që në dhé të çojnë

notonin mbi gjakun që shkonte rrëke

Kush mund të lozë "kollo" a këngë të këndojë

mbi trupat e masakruar të tragjedisë sonë

Shtrënguar në kraharor një vajzë vëllait flokët ia lëmonte

buzën në gaz nga goja gjak i rridhte

lamtumirë vuajtje lamtumirë tragjedi

tha dhe ktheu kokën të fle

Oh, një klithmë buçiti për të vëllanë

vëlla i bardhi vëlla munde (vetëm për mua)

këtë dhembje në orën e ligë

XX. PËRSE DUHET BËRË PAJTIMI?!...

Kur nga toka minat t’i heqim

Kur t’i mbledhim njerëzit me pikëllim

E kur varret t’i renditim

Në raft librat do t`i palosim

Paksa plagët do të na na pushojnë

Atëherë ndoshta duhet të pajtojmë

Pa i mbushur të shtatat, dyert për kryeshëndosh pa mbyllur

pa i rivarrosur shpirtrat e rënë nga bataretë e barbarit

pa i futur në varret e të parëve ku prehen gjyshstërgjyshërit

pa e hequr shkrumbin nga buzët dhe pragu i shtëpive të djegura

pa e shuar etjen me ujin e kroit dhe pa e larë trupin nga turpi

pa ditur për të gjallët nëse janë gjallë

dhe për të vdekurit ku kanë rënë

dhe të shkapërderdhurit anë e kënd botës ku janë

ende pa dalë tymi nga oxhaqet e mbetura në këmbë

pa i hequr ferrat e pa dëgjuar palljen e lopës tek dera

pa e ndjerë hingëllimën e kalit e hamë-hamët e qenve

na thërrasin ata të sojit balosh

për t’u pajtuar, për t’i harruar këto tragjedi

e prapë barbarin ta fusim kumbarë në shtëpi

Na thërret një Lëmsh që emrin e ka Hëmsh

harroni kah jeni e kah veni, të kujt jeni e pse jeni

Krimi i zi deshi të na zhdukë nga jeta, të na fshijë kujtesën

pajtohuni me barbarin na thoshte vazhdimisht

ai probatini i bërë katran zi

Na tha ky mik aq armik se veshët janë për të përgjuar

dhe bota s'ka dëgjuar se sytë janë për të parë e jo për të vëzhguar

kurse hundët nuk janë për t’i futur aty ku s’duhet, aty…

e probatini Hëmsh vazhdimisht miqtë e tij do t’i bëjë Lëmsh

Ky mik kaq armik ka logjikë muzhiku e zbritur ka

nga katundi i Barbarisë për t’i bërë zi shqiptarisë

SHËNIME BIOGRAFIKE

Shefqet Dibrani (03. 08. 1960). Lindi në fshatin Gërdoc të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen teknike, drejtimi kimiko-teknologjik në Kastriot (ish Obiliq), ndërsa Sh.L.P. “Bajram Curri”, drejtimi “Biologji - Kimi” në Gjakovë. Është anëtarë i Lidhjes së Autorëve dhe Autoreve (AdS), në Zvicër që nga viti 2001, anëtar i Shoqatës Interkulturore “InternationalCultureBridge”, Zürich 2002. Anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ).

Sh. Dibrani, shkruan poezi e kritikë letrare, ndërsa viteve të fundit është marrë edhe me hulumtime në fushën e analizave politike. Tashmë është autor i 25 librave letrarë e publicistik. Është i prezantuar në mbi 150 libra studimorë, leksikone dhe antologji me autor shqiptarë dhe të huaj, kurse në 3 tema të magjistraturës dhe disa tituj akademik në nivelin Bachelor, janë marrë për bazë librat dhe shkrimet e tij. Ka dhënë me dhjetëra intervista në gazeta, radio dhe televizione të ndryshme, si dhe ka pasur shumë promovime e prezantime letrare. Krijimtaria e tij ka zgjuar edhe vëmendjen e kritikës letrare ku janë publikuar me dhjetëra shkrime kritike të cilat si vëllim e përbëjnë një libër me mbi 500 faqe. Kurse poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë dhe është prezantuar nëpër shumë antologji shqipe dhe në gjuhë të huaja.

Me një fjalë, Shefqet Dibrani, e ka bërë historinë e vet. Sot nuk mund të shkruhet për shqiptarët në Zvicër dhe emri i tij të anashkalohet!...

Shefqet Dibrani, jeton në Zvicër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora