Kulturë
Alfred Papuçiu: Hygoi dhe Flamuri në diasporë që ka sjellë një Flamur shqiptar
E enjte, 13.06.2019, 08:33 PM
Hygoi
dhe Flamuri në diasporë që ka sjellë një Flamur shqiptar
Mbresa
udhëtimi
Nga
Alfred Papuçiu
Një
dijetar i madh është shprehur “Nuk janë elementet e jashtëm që duhet të
kërkojmë të ndryshohen, por mendimet tona dhe besimet tona që kushtëzojnë në
pjesën më të madhe, se çfarë ndodh me ne. Jemi ne ata siç mendojmë vetë”. Dhe
është e vërtetë. Besimet dhe mendimet tona ndikojnë në mënyrë vendimtare mbi
ecurinë e egzistencës tonë.
Siç
shkruan shkrimtari i madh Viktor Hygo në librin e tij “Njeriu që qesh”: “Ursus
dhe Homo ishin të lidhur me një miqësi të ngushtë. Homo ishte ujk. Humoret e
tyre përshtateshin. Njeriu e kishte pagëzuar ujkun. Ndoshta ai e kishte
zgjedhur vetë emrin e tij; duke gjetur emërtimin Ursus si mirë për vehten e
tij, dhe ai kishte gjetur si të mirë Homo për kafshën. Kombinimi i këtij njeriu
dhe këtij ujku ishte me përfitim për panairet, festat e famullive, në qoshet e
rrugëve ku grumbulloheshin kalimtarët, dhe nga nevoja që kishte populli kudo
për të dëgjuar dokrra dhe për të blerë orvietan, lloj droge. Ursus preferonte
Homon, si kafshë për ta urdhëruar, në krahasim me një gomar. Si mik, Ursus
preferonte Homon se sa një qen, duke e vlerësuar se ujku vjen nga larg drejt
miqësisë. Prandaj Homos i mjaftonte Ursus. Homo ishte për Ursus më tepër se
shok, ishte një analog”. Pra Viktor Hygo na i paraqet Ursusin dhe Homon, si një
çift të krijuar mbi antitezën i egër/njerëzor dhe me një ton satirik. Ai gjatë
romanit “Njeriu që qesh” do të tregojë se të dy këto qënie përbëjnë një të
vetëm.
Le
të kthehemi tani tek tema jonë kryesore. Shqiptarët në diasporë janë me zemër
dhe mendje pranë Shqipërise dhe Kosovës. Në rast se ju bie rasti të vini në
Gjenevë të Zvicrës, aty këtu do të gjeni edhe bashkëkombas të mirë që kanë
hapur dyqane apo restorante, si Shala,
Dini tek « Mère Royaume », ku mblidhen shkrimtarët zviceranë dhe të
huaj, Seferi buzë lumit Rhone, bashkëatdhetarë të tjerë përballë Shatrivanit të
Madh të Gjenevës dhe Orës së bukur të Gjenevës, dhe Flamur Gashi me familjen e
tij tek restoranti « Edon », Rue de Lyon 73, Gjenevë. Është gjithmonë i qeshur,
modest, mikpritës dhe mjedisi është i tillë sikur je në Kosovë dhe Shqipëri.
Janë flamujt e Kosovës, të Shqipërisë, por edhe të Zvicrës, vendi që ai ka
zgjedhur të jetojë me familjen e tij dhe të zhvillojë biznesin fitimprurës, por
edhe i domosdoshëm që të mblidhen bashkëkombasit tanë. Tek « Edon » mund të
shohësh që nga ora 6 e mëngjezit deri në 12 të natës, Televizionin shqiptar,
atë zviceran, por edhe të kombeve të tjerë. Flamuri ka angazhuar në punë të
shoqen Sabrijen, dhe dy djemtë e tij, Petritin që ndërkohë ka filluar punë në
një garazh të vëllezërve shqiptarë dhe Astritin
që ndihmon në punë të jatin. Meqënëse puna e restorantit fillon herët në
mëngjez dhe nganjëherë përfundon pas mezit të natës, Flamuri ka angazhuar edhe
Sadrijen, të vëllanë, të shoqen e tij Afërditën dhe djalin e tyre, Pajtimin.
Një familje, që në harmoni i shërben bashkëkombasve por edhe mikpritësve
zviceranë. Shpesh herë aty takohen edhe bashkëatdhetarë me miq të huaj, si me
profesorëshën franceze me origjinë shqiptare nga nëna, Solange d’Angely. Ajo
tregon historinë e familjes së saj, si dhe pasionin e të jatit për gjuhen
shqipe, francez, i martuar me grua përmetare. Nën kujdesin e saj janë botuar
shtatë vëllime të Robert d’Angely në frëngjisht. Ruaj me kujdes shtatë vëllimet
e Robert d’Angely, të dhuruara nga e bija. Bashkë me bashkëkombasit e saj nga
nëna, ajo me dëshirë pranon të dalë në fotografi me ta dhe të ngrejë një dolli
me raki shqiptare, duke folur shqip, për suksesin dhe ecurinë e Kosovës tanimë
të pavarur. Kujton me respekt kur ka qënë në ditët e luftës së pabesë, në
kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe ka ndihmuar me qindra e qindra
vocërakë shqiptarë nga Kosova, të lënduar nga pushtuesit serbë. Ditët më të
lumtura i ka kaluar në Kosovë që për të do mbeten të paharruara. Solange
d’Angely është dekoruar nga presidenti i Republikës franceze me dekoratën e
lartë të “Kalorësit të Legjionit të Nderit” për veprimtarinë e saj
humanitare. Njëra nga rrugët e Përmetit,
qysh nga viti 2008, mban emrin “Robert
d’Anzheli”. Ndërsa në vitin 2010,
bashkia e Përmetit e nderoi Solanzh me titullin “Qytetare nderi”, për
kontributin e saj si humaniste e madhe dhe për lidhjet e forta shpirtërore që
ka me banorët e Përmetit. Ajo e kujton me nostalgji këtë nderim dhe herë pas
here shpëerthen në lotë gëzimi.
Megjithëse në moshë të avancuar ajo nuk i shkëput lidhjet me tokën dhe njerëzit
e prejardhjes së nënës të saj.
Le
të kthehemi tek historia e Flamur Gashit.
Shkak
për këtë shkrim të shkurtër u bë udhëtimi i tij
në Kosovë dhe Shqipëri, pas një pune të lodhshme njëvjeçare. I nxirë nga
dielli i Durrësit, i entuiazmuar për çfarë ka parë atje, na tregon dhe s’ka të
pushuar. Pak edhe me superlativa për mëmëdheun dhe njerëzit që banojnë atje. Në
Kosovë ka vetëm një vëlla, pasi prindërit i kanë vdekur. Shumë prej
bashkëfshatarëve të tij gjatë luftës humbën shtëpitë, por sa vjen më tepër po
rimëkëmben. Vihet re një solidaritet midis bashkëbesëlidhësve dhe pak e nga
pak, sipas tij, gjithçka do marrë për mirë. Shumë banesa janë rindërtuar me
ndihmën dhe solidaritetin e zviceranëve, miqve të tjerë, por edhe të
bashkëkombasve në Diasporë. Jeta dhe biznesi janë duke ecur në rrugë të mbarë.
Sa kaluam tunelin kur hymë në Shqipëri, gjithçka na u duk tjetër, tregon ai. Gjithçka
madhështore. Rrugët si në Zvicër, njerëzit përshëndesin kudo. Dyqynet plot,
shkolla, banka, gjelbërim, spitale, si në Zvicër. Ndërkaq, rrugët dytësore
duhet të mbahen më mirë. Duhet më tepër gjelbërim, sidomos fusha loje për
fëmijët që natyrisht nuk mungojnë. Më tepër vende qëndrimi në plazh për
pushuesit, përveç atyre që kanë zënë me shumicë hotelet e shumta. Dhe është e
vështirë të bindësh pronarët e hoteleve në Durrës, Velipojë, Sarandë e gjetkë,
për të drejtën e qytetarëve të tjerë që të kenë një vend në tokën që u takon të
gjithëve. Nuk është puna që të kthehemi tek “Njeriu që qesh” i Hygoit të madh,
por jetojmë në një kohë kur tranzicioni i gjatë ka sjellë largimin tek një
pjesë e bashkëatdhetarëve tanë, të traditave të mira të mirësjelljes, bujarisë
dhe jo të konfrontimit me njeri tjetrin. Në Durrës jeta vazhdon 24 orë në 24,
si në shumë vende të Perëndimit. Shumë nga vëllezërit tanë kosovarë apo nga
Maqedonia e Veriut, kanë hapur dyqane apo kanë hotelet e tyre. Tek Hoteli në
Durrës me 40 euro ishte fjetja dhe ushqimi ditor. Pastërti kudo, rregull, por
aty këtu edhe mbeturina të hedhura nga bashkëatdhetarë të pa ndërgjegjshëm.
Flamuri ka sjellë me vete një Flamur shqiptar, disa relike me stemën e
Shqipërisë. « Shqipëria ka bërë shumë
edhe për Kosovën, për Kombin tonë», shprehet ai midis shokëve dhe atyre që janë
klientë të rregullt të restorantit të tij. Megjithatë ai, si edhe
bashkëatdhetarë të tjerë i kanë sytë nga Shqipëria dhe presin më tepër nga toka
mëmë dhe nga ata që kanë fatet në dorë të shqiptarëve që të bëjnë më tepër,
duke hequr dorë nga interesat e tyre të ngushta. Ata urojnë që Shqipëria dhe
Kosova të bëhen një ditë si Zvicra siç e kanë ëndërruar Rilindasit tanë. Ata e
duan Shqipërine dhe Kosovën si Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert
Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero
Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont. Emri “Europë”
është shumë i lashtë dhe e gjejmë tek Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte
një princeshë feniciane që ja kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit.
Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan në
Europë më vonë. E kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi
i gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat tek shteti multietnik zviceran: kam
një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ish ministren e saj të jashtme,
Micheline Calmy-Rey, aktualisht Profesoreshë në Institutin Europian, ku unë kam
bërë një universitet të dytë shumë të vlefshëm, jo sepse më ka dërguar një
letër të ngrohtë kohë më parë kur ishte Presidente e Zvicrës, por sepse është e
guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj.
Atë e kanë respektuar dhe e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera
politike, të së djathtës dhe të majtës, apo të qendrës që drejtojnë Zvicrën,
për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Zvicra nuk është anëtare e
Bashkimit Europian deri diku të atrofizuar dhe burokratike, pasi kështu ka
vendosur populli sovran i saj. Jeta në Zvicër, vend mikpritës për shqiptarë dhe
të mbi 190 kombeve të tjerë që gëzojnë
të gjitha të drejtat e tyre, për shkollim, zhvillimin e kulturës, biznes, është
e përkryer, përsëri u mungon toka mëmë, që një ditë duan ta shkelin
përgjithmonë. Ndaj këtij vendi si Konfederata Zvicerane që shqiptarët e kanë
zbuluar para shumë shekujsh. Si pararendës përmendet një grup i fisit ilir të
Dardanëve që jetonte në lashtësi në tokat e Kosovës së sotme. Pastaj, ata
zbritën në rajonin e Gjenevës, në kohën e Jul Qezarit dhe krijuan vendbanime,
siç është njera që quhet Dardanji. Gjithashtu dihet se Zvicra, para 150 vitesh
ka qënë ëndërra e Rilindasve për organizimin e shtetit të ardhshëm shqiptar.
Njëri prej tyre, Sami Frashëri shprehej hapur “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër
të dytë”. Zvicra është bërë për mëse 200.000 shqiptarë nga Kosova e viset,
Maqedonia e Veriut, si dhe nga Shqipëria, si atdhe i dytë, i nderuar, i dashur
dhe shumë i respektuar.
Gjenevë, më 10 qershor
2019
Alfredi, prof. Solange d'Angely dhe bashkëatdhetarë nga Kosova