Kulturë
Sevdail Hyseni: Shoqata “Tradita”, ndan Çmimin Kombëtar për Xhemaledin Salihun
E merkure, 12.06.2019, 09:48 PM
Tetovë: Shoqata “Tradita”, ndan Çmimin Kombëtar për
Xhemaledin Salihun nga Presheva
Me
propozim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva” nga Bujanoci, Shoqata
për kulturë dhe art “Tradita”, në kudër të manifestimit “Lidhja na bashkon”,
vendosi që laureat i sivjetmë i çmimit “Ali Vishko”, të jetë veprimtari nga
Presheva prof. Xhemaledin Salihu, një personalitet i shquar i kulturës
shqiptare, në fushën e trashëgimisë kulturore.
Nga
Sevdail Hyseni
Shoqata
për kulturë dhe art “Tradita”, nga Tetova, të hënën e 10 qershorit, ka
organizuar Manifestimin kulturor “Lidhja
na Bashkon”, me rastin e 141-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Ky
eveniment i lartë kulturor, tashmë është kthyer në traditë, nga kjo shoqatë
kulturore e cila tani e gjashtë vite me radhë, përkujton veprimtarët e Lidhjes
së Prizrenit, ndahet çmimi kombëtar “Ali Vishko”, si dhe mban orë letrare me
program të pasur artistik.
Punimet
e manifestimit kulturor i konsideroi të hapur kryetari i Shoqatës për kulturë
dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, i cili shprehi mirënjohje për mbështetësit
e këtij evenimenti të lartë kulturor, duke filluar nga Sekretarit shtetëror në
Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë së Veriut, z.Vamir Aziri, Rektori i
Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametit, kryetares së Komunës së
Tetovës, znj. Teuta Arifit etj.
Shoqata
për kulturë dhe art “Tradita”, në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit, e
ndanë Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”. Ky çmim, u jepet personaliteteve për vepër
jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e
shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Shoqata
për kulturë dhe art “Tradita”, me propozim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare
“Perspektiva” nga Bujanoci, vendosi që laureat i sivjetmë i çmimit “Ali Vishko”
të jetë veprimtari nga Presheva prof. Xhemaledin Salihu, një personalitet i
shquar i kulturës shqiptare, i cili prej vitesh merret me hulumtimin,
kultivimin, promovimin dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore, ka botuar 7
libra shkencorë, ka organizuar 8 konferenca shkencore, si dhe ka publikuar me
qindra kumtesa, për të cilat është nderuar me mirënjohje dhe certifikata të
shumta.
Gjithashtu,
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në kuadër të këtij manifestimi ndau
mirënjohje për atdhetarin e çështjes kombëtare prof. Nevzad Halili, duke e vlerësuar lartë
veprimtarinë e tij patriotike, qëndresën përballë politikës hegjemoniste
sllave, synimet politike dhe historike, si dhe kontributin për lirinë dhe
demokracinë e popullit shqiptar.
Me
mirënjohje u nderuan edhe Teuta Arifi, Kryetare e Komunës së Tetovës, pastaj
Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës, profesor Miftar
Memeti, piktor mbarëkombëtar, Valmir Aziri, Sekretar shtetëror në Ministrinë së
Kulturës dhe Arlind Huesini, Këshilltar i Ministrisë së Kulturës.
Programi i Edicionit të gjashtë me radhë i
manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon’’, u përmbyll me një pikë artistike, instrumentale me
çifteli dhe kitarë, nga profesor Nuhi Musa dhe artisti Arben Rexha.

Tetove, Mnaifestimi Lidhja na Bashkon, 10.06.2019