Kulturë
Albert Zholi: Flet piktori Astrit Beluli
E merkure, 05.06.2019, 08:32 PM
Flet
piktori Astrit Beluli: Ekspozita “Labëria ime” përcjell vlerat e kësaj krahine
të rrallë dhe patriotike
Nga
Albert
Z. Zholi
Një
piktor që gjithmonë është i lidhur me natyrën, të bukurën dhe të veçantat e
krahinës së tij. Kjo është ekspozita e tij e katërt individuale dhe e para në
Tiranë ku ai përcjell një art të veçantë dhe plot ndjenjë. Në ekspozitën në Muzeun Kombëtar të titulluar “Labëria ime”
z. Beluli ka 60 piktura në katër gjini, peizazh, natyrë e qetë, portret dhe
kompozim. Peizazhet zënë pjesën kryesore të kësaj ekspozite.
- Të shkoje në shkollë të pikturës në sistemin
komunist ishte e vështirë. Kur e filluat dhe si e e kujtoni shkollën. Kur e
keni mbaruar shkollën për pikturë?
Në
shkollë shkova me konkurrim. Konkurrimi atë kohë nuk njihte miqësi. E kam
mbaruar në vitin 1976 në Tiranë,pastaj fillova punë në Tepelenë, kalova si
mësues vizatimi në shkollën tetëvjeçare “Avni Rustemi”. Pastaj kam punuar në të
gjithë rrethin e Tepelenës si në Memaliaj 12 vjet, Hormovë, Qesarat, Kras,
Sinanaj, 4 vjet, Gusmar, pastaj Memaliaj
pastaj përsëri në Tepelenë deri në vitin 1998. Më vonë ika në Greqi me gjithë
familjen, pastaj u kthyem në Tiranë.
-Në Greqi a je marrë me
pikturë?
Realisht
atje nuk jam marrë shumë me pikturë, kam bërë portrete, peizazhe me porosi. Më
vonë u kthyem në Tiranë sepse ishte vendi më i mirë për të jetuar dhe kishte më
shumë mundësi pune. Në Tiranë kam bërë piktura të të gjitha gjinive por
kryesisht me porosi. Kam një nostalgji të madhe për të realizuar peizazhe nga
vendlindja, nga Tepelena dhe shko çdo muaj në Tepelenë ku hedh ndonjë peizazh
dhe vij dhe e ripunoj këtu. Kam hapur një
ekspozitë në Sarandë, Tepelenë, Ksamil të cilat kanë lënë gjurmë. Jam
ndjerë mirë dhe këto kohët e fundit pasi
jam mbushur me pikturë sepse pata një boshllëk me kurbetin. Tani ndjehem mirë.
-Kush ishin mësuesit
tuaj që ju kanë nxitur dhe ju përkrahur për pikturën?
-Zanafilla
e e emocionit ka qenë që në shkollën
tetëvjeçare kur në klasë të 5 kam pasur një profesor që kishte mbaruar liceun
për skulpturë, quhej Xhelal Lushaj. Një ditë pushimi të gjatë kur nxënësit
dilnin në oborrin e shkollës jashtë, ai kishte marrë një gur atje me një daltë dhe me një çekiç dhe po
ndërtonte një figurë. Ne si kureshtar shkuam dhe po shikonim me vëmendje dhe ai
arriti të ndërtojë portretin e Skënderbeut dhe e realizoi në një mënyrë që
lexohej. Portreti ishe 80 me 60 mbi një gur masiv. Ai punoi gati 3-4 ditë dhe
kur e mbaroi ne shkonim atje ta ruanim
që mos ta prishte njeri. Kjo ishte nxitja që unë fillova këtë rrugë për artin
figurativ. Në atë periudhë ne laheshim
nga lumi, në lum kishte dhe argjilë dhe ne atje lyheshim me të. Argjila më
ngacmoi. Një ditë mblodha argjilë dhe
ndërtova një bust të Selam Musait. Ne e kishim bustin e Selam Musait në
dalje të Tepelenës në rrugën e Vlorës. Shokët e mi e morën në tezgë dhe e çuan
para pallatit tek shkolla. Vinin të gjithë e shikonin. Unë nuk e dija se kjo
duhej të mbrohej dhe duhej të mbulohej
me një leckë të lagur që të ruhej nga vapa. Skulptura u ça dhe të gjithë të
lagjes u mërzitën. U detyrova të gjeja
allci, afërsisht një thes dhe e përziem me gëlqere. Me këtë përzierje me një
thikë e ndërtova dhe bëra përsëri Selam
Musain të cilin më pas e lyem me një bojë vaji dhe e mbajtëm te lagjja. Mbasi mbarova shkollën më aktivizuan tek
lidhja e shkrimtarëve dega e Tepelenës.
Kam marrë pjesë në çdo aktivitet të tyre dhe në fund hapa një ekspozitë me 36
punime rreth vitit 1982 në Tepelenë ku
kisha peizazhe dhe portrete. Atë kohë kam marrë
disa çmime të dyta për portrete dhe
u shitën afro 17 piktura dhe të tjera u shitën nëpër ndërmarrje dhe
institucione. Në vitin 1997 shumë u
dogjën, u vodhën dhe u prishën.
-Po Enver Hoxhën e ke
pikturuar ndonjëherë?
Enver
Hoxhën e kam bërë njëherë kur isha mësues në Sinanaj. Atë kohë Enveri ka pas
ardhur njëherë në Sinanaj në Lops por nuk e mbaj mend mirë datën. E bëra në fasadën e shkollës
sikur ishte midis blegtorëve, pionierëve.
-Po nga udhëheqja e
kohës komuniste ke bërë ndonjë portret apo ndonjë pikturë?
Kam
bërë më shumë portrete dëshmorësh. Kur u
hap një ekspozitë në Tepelenë me piktura dhe më bënë edhe anëtar të Lidhjes në vitin 1986 më dhanë një autorizim për të bërë portretin e dëshmorëve
që nuk kishin fotografi apo ato që
ishin viktima të luftës siç
ishin në atë kohë. Bëra gati nja
80 grafika. Kam bredhur në të gjithë
fshatrat e Tepelenës me qëllim që të
takoja të afërmit e tyre dhe të gjeja
ngjashmëritë me djemtë, nipërit e tyre, të afërmit dhe duke shtuar edhe vetë
nga imagjinata. Të gjitha këto piktura u
vunë në fondin e muzeut ku ishin 80 portrete. Jam marrë me rrethet e pikturës
në Tepelenë, Memaliaj ku kam nxjerrë talente dhe kam punuar me përkushtim, ku
shumë prej tyre janë bërë talente dhe janë plot energji në Itali,
Gjermani, Amerikë, Greqi.
-Kur keni marrë çmim dhe
si?
Në
vitin 1989 në Tepelenë u hap një
ekspozitë ku unë kisha bërë një portret lab tipik midis pikturave të
tjera dhe mora çmimin e parë. Atëherë ka
qenë Gramoz Ruçi, Sekretar i Parë në Tepelenë. Ka qenë dhe një sekretar tjetër
që ishte nga Saranda erdhi në Tepelenë. Kur u hap ekspozita ata u afruan e panë
dhe u kthyen prapë të shikonin
portretin, kjo ishte në fillim të ekspozitës. Një ndër kuadrot e
Tepelenës, Gurali Bardhi u afrua dhe tha: Kush i ka bërë këto pikturat?
Drejtori më prezantoi dhe ata më pyetën: Mos është Fejzo Duka ky në portret? Po i them
unë. Ai thotë se kur kam qenë sekretar në Sarandë kam qenë në shtëpinë e Resbat Dukës të birit
të tij. E ke bërë origjinal më tha.
Ndërsa Gramozi Ruçi shtoi: Ky është një
portret që personifikon malin e Labërisë. Është një mal që flet. Edhe shokët e
mi kishin shumë piktura të bukura. Pastaj mbas vitit 1990, filloi një pauzë ku unë u mora me
ndërtimin e një shtëpie se ishim
shumë fëmijë. Më vonë vazhdova punën si mësues bëja portrete dhe
peizazhe dhe kryesisht për njerëzit që i
donin. U prish dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ku me anë të saj
bënim ekspozita që na stimulonin, pra u prish ritmi, organizimi. Pastaj ika në
Greqi,. Mbas viteve 2010 unë jam marrë seriozisht me pikturën, kam punuar shumë
mirë dhe kam hapur ekspozita në Tepelenë
dhe qytete të tjera. Kisha shumë dëshirë që pikturat e mia të kishin tematikë nga Tepelena. Ndaj në gjithë peizazhet e
mia shumë vend ze Tepelena. Kam bërë vendet ku kemi
bredhur, ku jemi larë, në ujë të
ftohtë, te shkëmbi i madh,
luginën e Bënçes, Dragotit.
-Po në kohën e Enverit
të kanë kritikuar ndonjëherë për ndonjë pikturë të gabuar?
Asnjëherë.
Unë kam qenë besnik i natyrës dhe nuk kam pasur probleme të
tilla. Kam pasur dhe piktura që kanë pasur brenda dhe impresion, që mund
të klasifikohen si rrymë impresioniste. Pjesa më e madhe e pikturave të mia
kanë qenë piktura besnike të natyrës, realiste ndaj realitetit.
-Mendoj me sa kam
intervistuar se kishte kërkesë llogarie
në kohën e sistemit komunist për
pikturën dhe kjo kërkesë a e lartësonte
pikturën më shumë se sa sot?
-Atëherë
kishte përgjegjësi më të madhe që
të bëje një pikturë se sa sot sepse,
nëse do të bëje pasarelën e Ali Pashës, do ta bëje në një mënyrë perfekte me një realizëm që të kishte
dhe kohën brenda dhe çdo gjë që i përkiste periudhës, por jo ekzagjerime.
Ndërsa unë personalisht jam lidhur shumë me peizazhin, me natyrën, me lëvizjen.
Jam njeri që e dua natyrën dhe e dua jetën.
Në të gjithë pikturat e mia ka jetë brenda.
-Shikoj që më shumë je
te peizazhi, portreti, dhe te kompozimi....
Kam
bërë dhe piktura të kompozuara dhe një
nga pikturat e para që kam kompozuar ka qenë ajo e Polo Bezhanit. Ai ka
qenë kompozimi im i parë i imi. Natyra më pëlqen shumë pasi Tepelena ka një
reliev shumë të thyer, ka male, borë, lugina, kodra, fushë, livadhe, pemë të
shumëllojshme lumenj, këto janë pasuri që mua më magjepsin.
Përsa
i përket portretit, mua më pëlqen sepse në portret shumë njerëz i përjetëson.
Përjetëson vlerat e njeriut. Portretet nëse nuk do ti bëjmë atëhere ata njerëz
të veçantë do të harrohen. Në ditët e sotme unë kam bërë shumë
portrete për fëmijë, pleq e plaka, dëshmorë .
Maliq
Lila ngriti polifoninë labe në Tepelenë e ngriti në një stad aq të lartë saqë
Tepelena konkurronte atëherë me qytete më të mëdha.
Duke
u nisur nga kjo unë ndjeva një detyrim brenda vetes ti bëja një portret.
Mendova që këtë portret mund ta çoja edhe në shtëpinë e Maliqit, por atje mund
ta shikonin vetëm pak njerëz, kurse jeta e
Maliqit nuk ishte vetëm shtëpia. Ai shkonte e flinte atje. Ai punonte në
shtëpinë e kulturës deri në 2 të natës,
sa herë do bëheshin koncerte, festivale
apo përshëndetje. Maliqi do ishte i pari dhe i do të rrinte deri vonë. Kjo ishte shtëpia e parë e Maliqit dhe ajo gjenetikja e dyta.
Mendova se ky portret mund të rrijë më mirë në shtëpinë e kulturës por jo në
zyrën e drejtorit, duhet të rrijë tek holli. U ndjeva i lehtësuar që e çova dhe atje e mirëpritën, më
përshëndetën dhe më falënderuan shumë.
Tepelena
ka nxjerrë njerëz të mirë dhe të
shkëlqyer dhe që kanë kontribuar në mënyrë të papaguar. Tani po bëj Zaho
Balilin, organizator në grupin e Hormovës ka bërë rreth 11 vëllime me poezi, tekste të
polifonisë labe, ka ngritur grupin e Rexhinit, të Hormovës. Me lëvizjen
demografike njerëzit kanë ikur njerëzit dhe nuk ka më grup polifonik. Grupi i Rexhinit në atë kohë këndohej në
festival kënga e bilbilenjëve, ose grupi i Hormovës, “Flaka mbuloi fshatin” ku
udhëheqës artistik ishte Zaho Halili dhe mori çmim të parë. Zaho ka një
kontribut shumë të madh. Gjithë ato
tekstet e Zahos që i këndojnë grupet polifonike që nga lumi i Vlorës i këndojnë
këngëtarët si Poni, Maja, Aurela Gaçe. Le të shërbejë kjo ekspozitë si një urim
zemre për Labërinë që na dha qumështin dhe na mëkoi dashurinë për atdheun.