Kulturë
Shpendi Topollaj: Dashuria pa liri mbetet fat prerë
E shtune, 01.06.2019, 07:38 AM
DASHURIA
PA LIRI MBETET FAT PRERË
(Rreth
librit me poezi “Shqetësim zhgënjimi” të autorit Muharrem Kurti)
NGA
SHPENDI TOPOLLAJ
“Shqetësim
zhgënjimi” titullohet libri me poezi i autorit gjakovar Muharrem Kurti, i cili
pasi e lexova, ashtu si pa kuptuar më solli ndërmend thënien e drejtuesit të
revistës letrare “Jeta e re”, Esad Mekulit, kur flet për stërnipat e Ali
Binakut që për lirinë derdhën “djersë e gjak si etërit”. Vetë Esadi, i lindur
në Plavën atdhetare, nuk arriti ta shohë lirinë e Kosovës, por Muharremi i
lindur 47 vjet pas tij, pati rastin të përjetojë si shtypjen, arrogancën dhe
pashpirtësinë kriminale të serbomëdhenjve, ashtu dhe dritën shkëlqimtare të
lirisë. Natyrisht që ai lumturinë dhe kënaqësinë e tij për realizimin e ëndrrës
më të madhe të vendit e popullit të tij e ka shprehur si në vargje, ashtu edhe
në prozën e tij, pasi dihet se ai është njëkohësisht edhe autor tregimesh dhe
romanesh. Nuk ka sesi të ngjasë tjetërsoj, kur ai e di mirë se roli i poetit
është të ndjekë hap pas hapi kohën dhe rrugën nëpër të cilën ecën fati politik.
social, ekonomik dhe shpirtëror i vendit të tij. Dhe kjo patjetër që nënkupton
se ai do shohë detyrimish edhe mbrapa. Dhe ajo që ka mbetur pas, nuk mund të
harrohet kurrë. Se atë nuk e harruan intelektualë të shquar jo shqiptarë, si
fjala vjen Kërlezha në prozë apo malazezi tjetër Radovan Zogoviq, të cilët
demaskuan me forcë projektet famëkëqia të Andriqit, Çubrilloviqit e Qosiqit me
shokë. Por, krenaria e rezistencës, përpjekjeve, sakrificave, luftës apo dhe
heroizmit në të shkuarën, dhe lumturimi nga shporrja e shtypësit gjakatar, nuk
është arsye që njeriu, dhe sidomos poeti të mbyllë sytë para të metave që
shfaqen aty - këtu në shoqërinë e re demokratike që synohet të arrihet.
Fitimtarët, shpesh dehen nga euforia e suksesit. Ata gabojnë, dhe bijen në
trysninë e pushtetit. Duke jetuar me lavdinë e luftës, ata komprometojnë paqen.
Pikërisht kjo është dhe arsyeja që vjen zhgënjimi i njerëzve të thjeshtë.
Revolta e tyre, shpesh e heshtur, brenda së cilës fshihet pakënaqësia, kërkon
të shfaqet, por s`di nga të dalë. E gënjejnë, duke i përsëritur se ai ka të
drejtën e votës, dhe atje ta tregojë si simpatinë ashtu dhe antipatinë e tij.
Por, e keqja është se atij i duhet të hedhë votën, po për ata. Si i tillë, ai
mbetet përherë i pakënaqur. I pakënaqur dhe pa rrugëdalje, pra i dëshpëruar dhe
i zhgënjyer. Dhe i zhgënjyer, në radhë të parë mbetet intelektuali dhe sidomos
poeti me zemrën e tij aq të ndjeshme dhe me shpirtin e tij kundërshtues.
Nobelisti egjiptian Naghip Mahfuz (Naguib Mahfouz), në fjalën e tij me rastin e
marrjes së titullit është shprehur se “E vërteta është që e keqja është një
korruptuese e fuqishme dhe e dhunshme dhe që Njeriu kujton më shumë atë që
dhemb se sa atë që gëzon.” Duke e ditur këtë të vërtetë, edhe Muharremi në
poezitë e tij, nuk e fsheh indinjatën. Kështu, tek ajo me titull “Epigram për
lapidarian”, ai thotë se është e padrejtë që para lapidarit të atij që dha jetën
për Atdhe, të renditen edhe luftëtari i lirisë, edhe servili i robërisë, edhe
krimineli i paqes. Dhe duke mos e përmbajtur zemërimin, u drejtohet ish të
burgosurve politikë, atyre që dikur me zërin e tyre kishin shpuar muret e
trasha edhe pse ua kishin mbyllur gojën, dhe nga sytë që shpërndanin xixa
zjarri, Kosova qe ndezur cep më cep, me fjalët: “Në tokën e çliruar që po
rilindte / Liridashësit si lule në pranverë / Mori fund lufta…/ O idealist të
çeliktë / Në duar të kujt e latë lirinë…” Me këtë dyshim ai sheh Gjakovën e
tij, Kosovën, madje edhe Shqipërinë. Dhe ka të drejtë, pasi të njëjtat
fenomene, si një mallkim i vetes, nuk u ndahen atyre. Ato ende vuajnë nga e
njëjta ndarje, nga e njëjta joshje jo fort e ndershme e të huajve, nga klasa
politike që më shumë mendon për xhepat e veta sesa për popullin, nga ata
politikanë që kurrsesi nuk i lëshojnë karriget e tyre dhe nuk duan t`ja dinë
për çmimin që atdheu paguan nga etja e tyre për pushtet. Dhe kjo sipas poetit e
ka një shpjegim; gjersa ai vëren se sot ferrat e kanë mbuluar truallin e
shtëpisë së Fishtës ku “harresa e kuqe kullot atdheun”, dhe “Indiferenca e zezë
nxin / Shikimet e bardha të vizitorëve”. Ndaj, dhe kur i drejtohet të madhit
Din Mehmeti, që dikur buzëqeshte nga kafazi, tërheq vëmendjen: “Mos o Zot të
harrojmë vetveten / Në zgrip të historisë.” Dhe jemi me të vërtetë në zgrip të
historisë, për të cilin Ismail Kadareja ka thënë se “Kur koha punon për një
popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta.” Të
kuptuari e këtij momenti është shqetësimi i Muharrem Kurtit, i cili edhe tani
që fizikisht na mungon, ka bindjen se bardi i madh nga Gjakova thërret: “Unë
jam këtu te trualli i moçëm / Rojtar i atdheut dhe poezisë.” Sot, kur
dinakërisht analet diplomatike i ftojnë kosovarët të shtrohen në bisedime me
agresorin serb, ka një kuptim të veçantë artikulimi i përcaktimit “Troje të
moçme”. Shfletoja librin “Greqia përpara grekëve” të docentit francez në
Fakutetin e Letrave të Dizhonit Luis Benlow (Louis Benloew) dhe ndihesha krenar
që ky shkencëtar i paanshëm, arrinte në përfundimin se “Shqiptarët (janë) kombi
më i vjetër i kontinentit”. E pra, a duhet ta lejojmë ne që ende sot të luhet
me kufijtë tanë? Është tjetër gjë të tregohesh fisnik dhe ta lësh - siç thotë
ky autor - derën hapur për fajtorin e penduar. Është njerëzore të kërkosh një
jetë pa urrejtje dhe t`i thuash atij që të dogji, të vrau e të preu: “Dil nga
çerdhja e krimit / Unë dola nga plagët e mia”. Dhe është krejt tjetër gjë, kur
të shantazhojnë e të bëjnë presion për lëshime deri territoriale (pa folur për
dinjitetin), përkundrejt heqjes së vizave etj. Jo, nuk jemi ne që i kemi kujt
ndonjë borxh. Përkundrazi, janë të tjerët, që si rezultat i pazareve të vjetra
na detyrohen shumë e shumë ne shqiptarëve. Nuk jemi ne që meritojmë të ngrerë
kokë emigrimi i detyruar për një jetesë më të mirë. Nuk janë nënat tona të urta
ato që gjithë jetën duhet të presin duke u dridhur pranë oxhakut, djemtë e
tyre. Fare mirë mund të jetohet si në Kosovë dhe në Shqipëri. Se me njerëzit ngjet
ashtu si me gurët: “O gur pa emër e pa atdhe / U dëboi dheu i huaj / U mërdhin
toka e huaj / Pa peshë keni mbet / Nga njeri cep në skajin tjetër / “Të huaj”
në vendin tuaj / “I huaj” në dhe të huaj / O gur pa emër e pa atdhe…” Në
vazhdim të kësaj teme që ky autor e trajton gjatë, dua të theksoj se dhimbja
merr trajta dëshpërimi të thellë, kur lexon poezinë “Histori mërgimi”, ku poeti
konstaton se edhe ata që ikin familjarisht po tjetërsohen, brezat po largohen
nga malli për vendin e tyre, nga gjuha, nga zakonet e traditat, nga të afërmit,
ku nipi nuk e merr më në telefon xhaxhanë. Ndaj ai shtron pyetjen e natyrshme,
se kur dëgjojmë djemtë duke thënë Tanke dhe vajzat Aufiderzen “… nuk e din /
kanë fituar apo humbur…” Para kësaj të vërtete rrëqethëse, poeti nuk mund të
qëndrojë indiferent si shkëmbinjtë e bjeshkëve (shihni çfarë krahasimi
tronditës). Se poetit i qan zemra edhe nga padrejtësitë që bëhen në Korenë e
Veriut apo në Siri nga fanatikët e iSIS - it, ku viktima mbeten edhe fëmijët e
pafajshëm të Alepos dhe Homsit. Zemra e tij nuk mund të heshtë para çdo gjëje
jo njerëzore, kudo që të jetë ajo, pra atje ku nuk duan t`ja dinë se “Dielli
nuk është / Lavdi Zotit / Pronë e njeriut / Atëherë pse disa diktatorë / Ua
ndalojnë të burgosurve / Dritën e tij.” Ja pse ai shpërthen te poezia e tij
plot patetizëm “Shqipërisë së ëndrrave dhe diktaturës”, ku sërish pyet: “Si
mbijetoj atdhetari në zjarr / Të diktaturës pa u djeg?” E megjithatë edhe poeti
kosovar Muharrem Kurti nuk mund t`i shpëtojë tundimit të dashurisë. Aty ai
bëhet tjetër njeri. Oskar Wajlldi ka përcaktuar bukur se “Dashuri është shumë
më e lartë se arti.” Prandaj, duke ditur se atë nuk e shteruan as gjigantët e
artit poetik, nuk po zgjatem më tej, veçse po i mbyll këto shënime me bindjen e
këtij poeti: “Fatkeqe e fatprerë / Dashuria pa liri.”