E shtune, 27.04.2024, 04:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Meditim për Pestalozzin dhe shqiptarët

E enjte, 30.05.2019, 10:00 PM


Jean Philippe Assal dhe Alfred Papuçiu

Meditim për Pestalozzin dhe shqiptarët

Nga Alfred Papuçiu

Profesori i nderuar dhe fisnik Jean-Philippe Assal i ka kaluar 80 vitet e jetës së tij të mbushur me shumë vepra të tij humane, për bashkëkombasit e tij por edhe për miqtë e tij të mirë shqiptarë. Ai e ka merituar praninë e tij në Akademinë shqiptare të Shkencës dhe të Arteve. Mjekë dhe personnel mjekues nga Shqipëria  dhe Kosova kanë ardhur në Zvicër me ndihmesën e tij, për të përkryer dijenitë e tyre në fushën e edukimit terapeutik të pacientëve. Ai gjen kohë edhe tani në moshë të thyer për t’i ndihmuar ata me përvojën e tij të madhe. Unë kam patur fatin të bashkëpunoj me të dhe i kam përkthyer dy libra në gjuhën shqipe, ndër të tjera « Edukimi terapeutik i pacientëve me sëmundje kronike » ku ai jep postulata se si pacientët duhet të marrin në dorë vetë sëmundjen, duke gjetur mundësi më të mira për ta kapërcyer atë. Me të unë kam krijuar një miqësi që do mbetet e treguar përjetë edhe tek mbesat dhe nipat e mij, njësoj si Dielli për Universin. Për 32 vjet me rradhë në Zvicër, miqësia me Profesor Assalin ka qënë një burim kurajo dhe force për mua, një shkollë e madhe e jetës sime. Prandaj unë shprehem me bindje se një kujtim i bukur për këtë njeri fisnik, nuk vdes kurrë. Modestia dhe thjeshtësia e këtij njeriu janë të rralla në këtë botë të “çmendur” moderne. Ai shprehet qartë të mos i kërkojmë jetës më tepër se sa meritojmë. Por ky fisnik, mbi tetëdhjetë vjeçar, me punën dhe humanizmin e tij, ka merituar më tepër. Ai i përmbahet thënies së Gëtes  se të gjitha idetë janë shprehur edhe më parë, mjafton që ato ti mendosh përsëri. Ai mban në tavolinën e tij një skulpturë, të dhuruar nga miqtë e tij shqiptarë, me portretin e virtuozit Laver Bariut, si dhe botime të shkrimtarëve shqiptarë e sidomos të shkrimtarit Ismail Kadare që ai ka patur rastin ta takojë në udhëtimet e tij në Shqipëri, sëbashku me bashkëshorten e tij të përkushtuar, Tiziana. Ka dhe relike të tjera domethënëse nga udhëtimet e tij nga Shqipëria, nga Veriu në Jug të saj.

E bëra këtë hyrje të shkurtër për këtë mjek human dhe fisnik, për të dëshmuar se ai në çdo çast u ka qëndruar pranë miqve të tij shqiptarë, me përvojën e tij të madhe, të shprehur edhe në botimet e tij. Kujtoj se njëherë kam shkuar me të për të vizituar në Yverdon, institucionin ku Johann Pestalozzi drejtoi me bashkëpunëtorët e vet një institut që fitoi një famë europiane. Ishte një ditë me diell, e muajit maj 1989. Me ne ishte dhe një mjek shqiptar, i cili ishte i apasionuar nga vepra e Pestalozzit. Në fakt në fakultet në Shqipëri, ai kishte studjuar disa pjesë nga jeta e edukatorit të madh zviceran. Dhe profesor Assal e plotësoi dëshirën e tij për të shkuar në mjediset ku pedagogu i madh kishte dhënë me shpirt përvojën e tij të madhe dhe njerëzore.

Profesori Jean-Philippe na tregoi për ecurinë e shkrimtarit dhe edukatorit, që ai e njihte shumë mirë, në një kafene pranë institucionit. Pastaj shkuam tek institucioni ku Pestalozzi kaloi njëzetë vjet të jetës së tij. Isha i habitur nga tregimi i një ciceroneje që merrej me mirëmbajtjen dhe veprën e Pestalozzit. Ajo e bënte këtë punë në mënyrë të vullnetshme. Na foli me pasion për punën e çmuar të Johann Pestalozzit i cili midis 1770 dhe 1780, gjatë trazirave pas Revolucionit francez, u muar me rreth 80 jetimë. Ai ëndërronte për një arsim popullor që do të fillonte qysh nga fëmijëria dhe kërkonte të bashkonte arsimin dhe punën praktike. Më në fund, në Iverdon (Yverdon) ai drejtoi me bashkëpunëtorë të tjerë Institutin, i cili në kohën e tij më të mirë, strehonte rreth 150 fëmijë që rridhnin nga shumë vende të botës. Edukimi sipas Pestalozzit, synonte një qëllim të dyfishtë, domethënë nga njëra anë për t’u dhënë mundësi çdonjërit për t’u bërë njeri i mirëfilltë, pavarësisht nga puna e tij dhe nga statusi i tij shoqëror. Në parathënien e librit të saj “ Kush jeni ju, Zoti Pestalozzi ”, autorja Jacqueline Cornaz-Besson ndër të tjera shkruan : “ Besnik ndaj vetvetes, duke rifituar kurajo pas çdo dështimi, Pestalozzi, aq aktual në mendimet e tij, ka akoma shumë për të na mësuar ”.

Johann Heinrich Pestalozzi

Johan Heinrich Pestalozzi lindi në vitin 1746 në Zyrih dhe vdiq në Brugg në 1827. Jetim nga i jati, nga mosha 6 vjeçare u rrit nga nëna e tij, një shërbëtore që ju përkushtua tërësisht edukimit të Johanit, djalit të saj, vëllait dhe motrës së tij. Ai studioi në Akademinë e Zyrihut, një qytet i cili në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë ishte një qendër intensive intelektuale ku idetë e reja u debatuan gjerësisht. Veçanërisht, Jean Jacques Rousseau,  duhej të kishte një ndikim të fortë tek Pestalozzi me botimet e të njëjtit vit (1762) të “Emilës dhe Kontratës Sociale”, në të cilën ai afirmon sovranitetin e popullit. "Rousseau theu me forcën prej Herkuli zinxhirët e rëndë të shpirtit njerëzor," shkroi ai në 1826. Nëpërmjet studimeve të tij të shumta, leximeve, përvojës së tij të pasur, ndjeshmërisë së tij për bukurinë e shpirtit dhe me idealin e tij thellësisht fetar, por vetiak, Pestalozzi, gjatë jetës së tij solli mendime të reja, që ishin në kundërshtim me edukimin tradicional dhe formalist, që nuk merrte parasysh, sidomos psikologjinë e fëmijëve. Ky edukator i madh, gjatë gjithë jetës së tij, u përpoq që në çdo çast të perfeksiononte metodën e tij, të cilën e zbatoi hap pas hapi me këmbëngulje dhe me thjeshtësinë që e karakterizonte.

Në Yverdon, në sheshin qëndror ndodhet monumenti i Pestalozzit, ku mund të lexosh :

PËR PESTALOZZIN

“UNË JETOVA SI NJË LYPSAR PËR T’U MËSUAR LUPSARËVE QË TË JETOJNË SI NJERËZ”

PESTALOZZI

Gjatë vizitës në këtë institucion që ishte ruajtur me kujdes, u habita nga tregimi i profesor Assalit që e njihte në mënyrë të përkryer ecurinë e edukatorit të madh. Me elokuencë, ai na fliste edhe për « Fabulat » e famshme të Pestalozzit. Pastaj ai na tha se si mbreti i Prusisë, i Hollandës dhe Danimarkës dërguan nxënës për t’u formuar në Institutin e krijuar nga Pestalozzi. Aty u formua edhe Zhystys Bloshman, këshilltar i ardhshëm i mbretit për shkollat për Saksën. « Dieta helvetike » dërgon në Institut një komision të përbërë nga tre vetë. Ata qëndruan pesë ditë në kështjelle dhe ndër të tjera shkruan : « Instituti i Iverdonit duket si një laborator pedagogjik, me një interes të madh dhe me një vlerë të madhe…Kudo rrotull dëgjohet të flitet frëngjisht. Kur hyn brenda dëgjon gjermanishten. Është Europa në miniaturë…Zakonet ndërthuren me njëra tjetrën, mbretëron bashkimi kristian, si edhe një paqe e thellë… »

Konceptet e lidhura me emrin e Pestalozzit nuk kanë një kuptim historik, por ato vazhdojnë të luajnë sot një rol në Zvicër në fushën e edukimit. Kudo në Zvicër dhe jashtë shtetit nuk mund të numërohen më institucionet, shkollat, bibliotekat, fondacionet që kanë emrin e Pestalozzit dhe që frymëzohen prej tij. Një nga ta është dhe « Pestalozzianum », në Zyrih, që në fillim ka qënë muzé, besnik ndaj mendimit të edukatorit të madh dhe pastaj u kthye në një qendër aktive që punon për kërkimet shkencore në pedagogji.

Pedagogu edukator dhe mendimtari zviceran kishte përqafuar bazën e pedagogjisë moderne. Ai dihet se ka përkthyer në praktikë « Emile », ose « Për Edukimin », një seri teorish të reja mbi edukimin dhe pedagogjinë, të shkruara nga Jean-Jacques Rousseau në vitin 1762. Ai ndikoi filozofin Fichte, i cili megjithatë dëshironte të integronte pedagogji në filozofinë që lidhej me kushtet e njohjes së lirisë. Ai u shpall shtetas francez nga Asambleja Legjislative Kombëtare më 26 gusht 1792.

Pasi përqafoi për një çast studimet teologjike, ai iu drejtua drejtësisë që dukej se për të ishte më e përshtatshme për qëllimin që  i kishte vënë  vetes së tij: të ishte një reformator social.

Në 1769, ai u martua me Anna Schulthess, një mikeshë e fëmijërisë dhe ndau ndjenjën e thellë të solidaritetit me të dhe me të cilën jetoi në harmoni të përsosur deri në vdekjen e tij në 1815. Në 1770, çifti kishte një djalë, Jacqueli, për të cilin do të kujdeset për edukimin dhe mësimin me shumë takt dhe butësi. Është përvoja e tij e parë arsimore ku vepron me maturi, zbulon, zhvillon shqisat, e merr natyrën si një model, i bën gjërat të shfaqen para fjalëve.

Pestalozzi ka botuar në "Schweizer Blatt", një seri me fabula, tregime të shkurtra që kanë të bëjnë, për pjesën më të madhe të botës shtazore ose bimore, në të cilën njeriu mund të identifikohet me të gjitha të metat dhe kontradiktat e tij, pasi ai mund të deshifrojë metaforat. Në atë kohë, në Zvicër, nuk kishte liri të shtypit, autoritetet kontrollonin gjithçka që botohej. Ishtë e vështirë  të shkruhej dhe të botoheshin mendime për çështje politike. Fabulat ofrojnë një mënyrë të mirë për të anashkaluar censurën, pasi kuptimi i tyre shpesh mbetet i paqartë sa që censorët nuk mund të kenë argumente të mjaftueshme për të parandaluar botimin e tyre. Pestalozzi padyshim nuk është i vetmi që krijon fabula. Gjatë viteve, ato janë në rritje, në mënyrë që 1797 mund të botoheshin më shumë se 230 copë në një libër me titull "Figura për abetaren time apo për thelbin e mendimit tim." Ndoshta nga "abetare" ai e kishte fjalën për romanin e tij "Leonard dhe Gertrude", sepse ai e kishte vetë përcaktuar si "të alfabetit të njerëzimit". Ka mundësi që ai i referohej veprës së tij filozofike, të botuar në të njëjtin vit: "hulumtimet e mia gjatë rrjedhës së natyrës në evoluimin e njerëzimit" dhe se ai donte për të ilustruar atë me "figura e saj. Pestalozzi ishte i vetëdijshëm se mendimi i tij nuk ishte i rrënjosur në një tezë themelore filozofike, por është rrënjosur në tabllo jetësore.

Perandori i Rusisë , për talentin dhe zellin e edukatorit Pestalozzi, drejtor i Institutit të Edukimit në Iverdun të Zvicrës i dërgoi Kryqin e Kalorësit të Urdhrit të Shën Vladimirit. Ky mësues i aftë realizoi krejtësisht, por e përsëriti me mjeshtëri që të përbënte një edukim të shkëlqyeshëm publik, plani i hartuar nga J.-J. Rousseau për një arsimim të përsosur vendas. Mënyra e të mësuarit të urtë të Pestalozzit bazohet në këtë parim: se nxënësit duhet t'i jepet gjithmonë shembulli para sundimit, gjëja përpara fjalës dhe ideja përpara shenjës që duhet ta përfaqësojë.

Në 1780 u shfaq Mbrëmja e një vetmitari, një seri aforizmash për rimëkëmbjen e njerëzve përmes edukimit. Pestalozzi kritikoi ashpër ecurinë artificiale të shkollës dhe këmbënguli në domosdoshmërinë e zhvillimit të shpirtit nga brenda, nga kultura e brëndshme:

"Shkolla vendos renditjen e fjalëve kudo, përpara renditjes nga ana e natyrës së lirë."

"Shtëpia është baza e edukimit të njerëzimit".

Vitet kanë kaluar qysh nga ajo ditë e majit 1989 dhe çdonjëri që ka mundësi të vizitojë kabinetin e profesor Jean- Philippe Assal çuditet nga studimet, librat dhe broshurat e përgatitura nën kujdesin e tij që janë të domosdoshme për çdo njeri, pavarësisht nga kultura dhe mjedisi nga vjen, për një ndjekje të përshtatshme të sëmundjes së diabetit, si dhe sëmundjeve kronike. Pranë ai ka edhe botimet për Pestalozzin e famshëm, një pjesë të të cilave m’i ka dhuruar edhe mua. Gjithashtu, fjalët e tij  për “ Nënë Terezën ”,  në një botim të tij, janë një  himn për dashamirësinë dhe thjeshtësinë e shënjtores dhe bashkëatdhetares sonë të shquar.

I kisha thënë profesor Jean-Philippit se Prof. Bedri Dedja e kishte gati projektin dhe do ta realizonim shpejt studimin me titull “Pestalozzi dhe shqiptarët”, të cilin unë i kisha premtuar t’ja përktheja në gjuhën frënge, me ndërmjetësinë e Fondacionit të dëgjuar « Prohelvetia ». Libri do të ishte një homazh për pedagogun e dëgjuar zviceran që për vite të tëra mendoi për njerëzit e thjeshtë, për t’i mësuar ata të ndjekin një rrugë të mbarë: atë të dashurisë dhe respektit ndaj njeri tjetrit, ndaj bashkëkombasit dhe të huajit. Ky libër do të ishte një mesazh i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë dhe do të shërbente si një udhërrëfyes për brezat e rinj në Shqipëri, Kosovë e Diasporë që do të mësonin më tepër për jetën dhe ravat e jetës së pedagogut dhe humanistit të shquar zviceran, Pestalozzi. I mbaj në dosjet e mija shënimet e akademikut Bedri Dedja, me autografin e tij të gjatë dhe të bukur, ku ai shpalos mendimet e tija për edukatorin zviceran Pestalozzi. Që një ditë shpresoj do të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe dhe frënge.

Gjenevë, 30 maj 2019



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora