Kulturë
Safet Hyseni: Libri “Bleibende spuren” (Gjurmë të përhershme) dëshmi për një kohë dhe një gjeneratë
E merkure, 05.06.2019, 08:23 PM
Libri
“Bleibende spuren” (Gjurmë të përhershme) dëshmi për një kohë dhe një gjeneratë
Nga Safet
Hyseni
Këtë vit Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag” në Zürich nxori
në treg librin “Bleibende spuren” me autoren Basrie Murati-Shakiri. Autorja
është shqiptare nga Kosova e cila tani punon dhe jeton në Zvicër.
Sot kur kemi botime të librave me shumicë lexuesi i
mirëfilltë kërkon cilësinë, të vërtetën, sinqeritetin, kërkon të jetë vetë një
personash, kërkon të gjejë shpirtin e kohës, vërtetësinë, sinqeritetin madje
dhe të zhytet në ngjarje. Libra të tillë që të bëjnë për veti janë të pakt,
edhe pse ka shumë për të shkruar, treguar e thënë. Një libër i tillë që të bënë
kureshtar dhe të detyron që ta lexosh e rilexosh është “Bleibende spuren” me autoren e lartpërmendur. Libri është i përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë është Kosova, jeta në Kosovë, veprimtaria e
rinisë, e asaj rinie që çdo mëngjes mezi priste të bëjë diçka për Lirin e
vendit të vetë, për Kosovën. Libri priret nga dëshira rinore, në një mënyrë që
di të shkruaj një shtatëmbëdhjetë vjeçare, ku pas çdo aktiviteti ditor në
shkollë e demonstrata në orët e lira merr lapsin dhe radhit ngjarje, detyra e
obligime për të nesërmen për Lirinë e Kosovës, për “Kosovën Republikë”. Mu si
Ana Frank ajo Basria shënon çdo ngjarje në “Ditar”, ditari i saj që sot është
nëpër bibliotekat e librarit e Zvicrës, Gjermanisë e Austrisë, në një gjuhë që
e flasin miliona njerëz dhe ku ka lexues e studiues të çmuar, rrëfen ngjarje të
vërteta ashtu si i ka përjetuar një nxënëse. Përmes fletëve të ditarit ne
mësojmë se si dita-ditës rritet dashuria për Lirinë, se si merr frymë “Kosova
Republikë”, se si kjo frymë depërton në çdo familje, si arrin të zbardhen
rrugët drejtë një qëllimi duke ndjek atdhetarët e devotshëm.
Forca
e vullnetit rinor më e fort se hekuri e baroti i okupatorit
Vetë autorja e librit (ditarit) që nga viti 1988 ishte e
angazhuar në të gjitha ndodhitë, ngjarjet, demonstratat, veprimtarit që
ndodhnin në shkollë dhe jashtë saj. Vullneti dhe dëshira e madhe për lirinë e
Kosovës e kishte mund çdo frikë dhe çdo sakrificë ishte në mendjen e çdo të riu
për të lënë gjurmë sa më të ndritshme në kujtesën e të tjerëve dhe në arkivin e
ngjarjeve historike. Basria për atë kohë duke lexuar ditarin thotë: “Ne
vepronim atëherë kur ishte pothuaj e pamundur ta luftosh një pushtues siç ishte
Serbia. Raporti i forcave ishte si të thuash një me dhjetë, por vullneti,
dëshira për të qenë të lirë ishte më e fort se çdo hekur i armikut tanë
shekullor. Ishin kohë të trazuara, kohë ku loti i dhimbjes për të rënët na
udhëhiqte në protesta, demonstrata dhe lloj-lloj organizimesh kundër aparatit
të dhunës e terrorit serb”. Aktivistët liridashës atdhetar, në mesin e tyre
edhe vetë autorja e librit, u ekspozuan ndaj persekutimeve, të kërcënuar me
burgime, tortura e vrasje. Si pasoj e aktiviteteve çlirimtare si shumë të
tjerë, edhe gjimnazistja Basrie u aktivizua
me vullnet e dashuri në grupe për të vepruar ilegalisht. Grupet ilegale
kanë rregulla që duhet të iu bindesh. Aq sa vigjilent që është ilegali aq më i
ashpër bëhej okupatori, sa më shumë që shtohej grupi ilegal po aq armiku
rekruton bashkëpunëtor. Kështu që ende pa mbaruar gjimnazin autorja detyrohet
që të largohet nga Kosova, të përshëndetet me shokët e shoqet, me familjen, me
Kosovën duke shtrënguar mallin dhe rrit dashurinë. Ajo largohet me një dëshirë
që sa më shpejt të kthehet në Kosovën e lirë. Largohet me një strajcë në krah
ku aty ka fshehur ditarin pak bukë dhe një qepë, mjetë mbrojtjeje për sytë nga
lotsjellësit e forcave kriminele serbe. Armatimi i vetëm i kësaj rinie e cila
më në fund do ngadhënjej ndaj barbarisë së shekullit është vullneti për ta parë
Kosovën të lirë. Lapsi i një të riu dëshmon siç është edhe autorja, ka lënë
dëshmi dhe fakte të pamohueshme duke i dhënë lexuesit shpirtin e kohës. Ditari
i saj ka ngjarje. E këto ngjarje rrjedhin si përroska duke bërë një zhurmë si
melodi që të josh dhe formojnë lumin e ky lum quhet “Bleibende spuren”, që sot
shitet nëpër librarit Evropiane.
Atdhetari
kudo lenë gjurmë
Pjesa e dytë e librit “Bleibende spuren” është shumë
tërheqëse pasi sjell një mërgimtare të re të ngarkuar me shqetësime, mall e
dhimbje për të afërmit, shokët e vendlindjen e saj atje ku çizmja serbe shkel,
vret e djeg me më të madhen egërsi. Në pamundësi që personazhi vetë autorja të
ndjek nga afër ngjarjet që ndodhin atje, ajo përballet me probleme të një
natyre tjetër dhe që duhet dalëngadalë jo vetëm që t’i mësoj, por t’i vesh si
tesha të përditshmërisë rregullat, zakonet dhe jetën zvicerane. Për tu kyqur në
një shoqëri pa komplekse politike, gjinore e klasore asaj i duhet që të filloj
një luftë tjetër, së pari me veten e saj dhe më pas me rrethin dhe më në fund
edhe më gjerë. Në shoqëri me vetminë, po nuk dite si ta mundsh ajo të lenë
pasoja, dhe nëse del e mundur asnjëherë nuk do mundesh të integrohesh në vendin
ku do vazhdosh jetën. Kjo pjesë e librit përmban hapa integrues si dhe
perspektiva të reja, për suksese që dita-ditës nuk mungojnë, por ka dhe
dështime e shumë zhgënjime që i vijnë si lajme nga vendi i saj. Në shumë faqe
sërish ka mall të pashuar madje dhe dhimbje, si dhe ligështi shpirtërore duke e
mbërthyer në një torturë psikike në saje të pamundësisë për të ndihmuar të
afërmit, shokët e shoqet veprimtare në vendlindje. Po në këtë pjesë ka një
luftë të pakompromisë në mes të dy botëve, mes dy kulturave, mes dy
mentaliteteve. Në disa faqe duket se autorja nuk ka forcë të shkëputet nga
Kosova, nuk është këtu fjala për mallin, dëshirën për tu informuar apo për të
ndihmuar, por për mënyrën se si e sheh të ardhmen. Edhe pse tani e larguar nga
vendlindja ajo arrin që të dëshmojë për barbarin serbe në mënyrën më të
argumentuar. Dëshmia më e madhe është, se forca e lirisë fiton çdo forcë
tjetër, lapsi i saj të bind për vrullin rinor që dita ditës merr përmasa të
mëdha në organizime të ndryshme. Libri brenda kapakëve nga faqja në faqe ka një
jetë të ngjashme me miliona jetë të tjera anë e kënd Botës së robëruar, ka
guximin që një rini duar thatë përballet me një kuçedër të armatosur. Kjo
kuçedër siç u dëshmua kishte bërë plane për zhdukje fizike të pasardhësve
iliro-pellazg. Rrjedha e shkrimit ka shpresë për ndryshim të kohës, për të
mbjellë dashuri mes njerëzve, ka sakrificë, ka lot e dhimbje.
“Bleibende spuren”, është libër ku ka lënë gjurmë me pika
gjaku që qëndisin një kohë të pakohë. Besoj se botimi i këtij libri ka një
qëllim fisnik për t’i lëne një dëshmi kohës. Pastaj është dhe një guxim që një
pjesë të jetës ta fusësh mes kopertinave dhe ta nxjerrësh në treg të lexuesve.
Në libër ka jetë, por jeta e të rinjve shqiptar përveç dashurisë është e
mbushur me vuajtje, dhimbje e pikëllim se ishin të detyruar të jetojnë një jetë
tjetër nga moshatarët e vetë fqinj, jetë të cilën nuk e kishim përzgjedhur vet.
Aty ka dhe frymëzim se si duhet të veprohet kur të rrezikohet apo të merret
liria, si duhet të armatosim veten tonë me dije e dituri, me kulturë e
qytetërim, gjithmonë duke mbrojt e kultivuar vlerat tona. Qëllimi është që të
ecim përkrah botës së qytetëruar në barazi gjinore dhe ruajtje të identitetit
të çdonjërit për të dëshmuar vlerat e identitetit tonë kombëtar. Brenda
kopertinave të librit ka ngjarje shumë të vlefshme, gjithsesi edhe të lavdishme
për një popull që kërkon lirinë e vet. Është një porosi për gjeneratat e reja
se “Liria” e fituar me gjakun e rinisë
nuk duhet lënduar, asaj i duhet punë që të rris shtatin mëvetësia e shtetit
tonë. Libri ka dhe përballjen me
integrimin në jetën zvicerane, që është një faktor përcaktues i fatit dhe jetës
profesionale të çdo individi. Autorja thotë se: “Për të arrit atje ku synojmë
me fjalë duhet bërë vepra dhe e para është t’i themi lamtumirë jetës
patriarkale”.
Në pjesën e dytë të librit është zhvilluar një luftë që
nuk kuptohet nga të tjerët që nuk janë përballur në një moshë të re me rregulla
që diktojnë demokraci të lartë, por po të thellohesh të bënë përshtypje se pa
interesim, vullnet, përpikëri, përkushtim, guxim e energji nuk mund të
integrohesh në jetën zvicerane. Basria thotë se: “Mërgimi është një plagë e
rëndë për shqiptarët. Një vuajtje dhe sakrificë për individin. Fillimisht je pa
këmbë dhe pa gjuhë. Pa punë dhe pa familje. Unë gjeta forcë diku në thellësi të
shpirtit tim dhe bëra shumë që njëherë të shkëpusë vargonjtë e patriarkalizmit,
të emancipoj veten me vlera qytetëruese. Këto vlera do ishte mirë që t’i bartim
tek gjenerata e re që rritet atje në vend, që të çlirohen nga dogmatikët dhe të
ndërtojnë së pari sistemin e edukimit të qëndrueshëm, sistemin e një shkollimi
cilësor. Fatin e njeriut e përcakton diapazoni i diturive që merr në
institucione. Neve na duhen institucione patriotike vetëm ashtu do ta sfidojmë
çdo pengesë që na del përpara. Institucioni i shenjtë familja duhet të
zhvillohet me norma qytetëruese dhe debate të argumentuara e me fakte që
shoqërinë ta mbaj në këmbë të shëndosha. Njeriu është qenie që çdo ditë kërkon
diçka të re, në saje të këtyre kërkimeve ne çdo ditë hasim në zbulime të reja
që ndikojnë në jetën tonë si individ, familje, komb... apo gjithënjerëzore”.
Libri “Bleibende spuren” ka një kohë përplot zjarr, ka një gjeneratë që po
kalitet për liri, ka një frymë që e solli lirin dhe është në kërkim të një
fryme që të ushqej lirin.
Disa
fjalë për Autoren
Basrie Murati-Shakiri është lindur në Llapashticë të
Poshtme të Besianës, ku dhe ka kryer shkollën fillore. Gjimnazin e ka vazhduar
në Besianë të cilin nuk ka arrit ta përfundoj për arsye se ka qenë e përndjekur
nga regjimi i okupatorit serb. Pas tre muaj jete ilegale ajo detyrohet që në
qershor të vitit 1989 të emigrojë në Zvicër. Me gjithë vështirësitë, ajo ka
arrit që të integrohet në një sistem me vlera të larta qytetërues dhe të
orientohet në jetën profesionale. Basria arrin shumë shpejt që të bëhet një
përkthyese e mirë dhe angazhohet nëpër institucione sociale, shëndetësore,
gjyqësore dhe eduktivo-arsimore. Sot ajo është një përkthyese e akredituar në
gjyqësi, ndërsa punon dhe si asistente mjekësore në Kirurgjinë Ortopedike në
Inselspital, në Bernë. Çdo i ri ka shumë dëshira, por një ëndërr e ndjek me
qëllim të caktuar, kjo ëndërr më detyroj që të jap biografinë e shkurtër të
autores së librit “Bleibende spuren”.