Kulturë
Zymer Mehani: Sahit Shala- ky uragan i pandërprerë
E hene, 03.06.2019, 08:14 PM
VËSHTRIM
RRETH MONOGRAFISË "SAHIT SHALA - KY URAGAN I PANDËRPRERË"
Shkruan Zymer Mehani
Monografia
“Sahit Shala- ky uragan i pandërprerë” është një libër i konceptuar në tre
kapituj dhe me një album fotografish e materialesh tjera, që lexuesve do t’u
ofrojë fizionominë dhe rrugëtimin jetësor e letrar të shkrimtarit Sahit Shala.
Pra, ky libër është një kontribut modest imi për studimin e jetës dhe të veprës
(së derisotme letrare) të këtij autori të talentuar të letërsisë bashkëkohore
shqipe.
Një
një formë të përmbledhur e me shënimet dhe materialet më të rëndësishme është
ravijëzuar profili jetësor dhe letrar i autorit Shala, që me emrin e tij po i
bën nder letërsisë sonë shqipe dhe kombit përgjithësisht.
Ky
libër, pra do të na njohë me shkrimtarin Sahit Shala, me vendlindjen e tij,
Dubovikun, fshat i komunës së Deçanit, si dhe me veprat letrare të këtij
autori, të botuara gjer më sot (2019).
Nga
faqet e para të librit (kapitulli I) do të njihemi me karakteristika të
përgjithshme të komunës së Deçanit (pjesë e Rrafshit të Dukagjinit), siç janë
pozita gjeografike, numri i popullsisë, zhvillimi ekonomik, bukuritë natyrore
etj., pastaj në kapitullin II do të njihemi hollësisht me jetën e shkrimtarit
Sahit Shala, shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar, si dhe me ngritjen e
tij si intelektual dhe mjeshtër i fjalës së bukur artistike; me vlerat morale
dhe me përkushtimin dhe dashurinë e ngrohtë që ai ka për vendlindjen, njerëzit
dhe lirinë. Po ashtu në këtë kapitull (II) do të njoftohemi edhe me peripecitë
e autorit gjatë viteve ’80 të shekullit XX, kur iu imponua nga regjimi
totalitar serbosllav që ta lërë Kosovën dhe të mërgojë bashkë me familjen e tij
në Norvegji, ku jeton e punon edhe sot.
Në
kapitullin III do ta gjejmë studimin e veprave të botuara gjer më tani të
shkrimtarit Sahit Shala.
Është
tepër i vlefshëm edhe materiali jetësor i autorit Shala, që në libër paraqitet
nëpërmjet fotografish dhe materialesh tjera, si mirënjohjet dhe falënderimet,
që autorit i kanë ndarë insitucione dhe individë nga Republika e Kosovës, në
shenjë nderimi ndaj tij për kontribut të dhënë pasurimit të fondit librar të
shumë bibliotekave tona.(Këto materiale janë paraqitur në shtojcën e librit, që
lirisht mund të llogaritet edhe si kapitulli IV).
Si
autor i këtij libri monografik jam përpjekur ta paraqes ambientin dhe rrethanat
e përgjithshme, në të cilat u lind, u rrit dhe u burrërua shkrimtari Sahit
Shala, duke pasur shumë kujdes në ruajtjen e fizionomisë origjinale të autorit.
Përmbajtja
e fotografive dhe e materialit tjetër e ruan dhe e përcjell frymën e ngrohtë të
përjetimit, duke na e paraqitur fizionominë biografike dhe letrare të
shkrimtarit Sahit Shala. Pra, në faqet e këtij libri ndriçohet në mënyrë paksa
më të plotë edhe qëndrimi njerëzor, intelektual e kombëtar i autorit, sidomos
kundrejt ngjarjeve politike dhe ekonomike të viteve ’80 e ‘90 të shekullit të
kaluar, ngase ai vetë qe aktiv me atdhetarizmin dhe humanitetin e vet ndaj
realitetit të kohës.
Në
faqet e këtij libri do të gjejmë gurrën e pashtershme të shembullit etik, human
e kombëtar të shkrimtarit Sahit Shala.
Dhe
krejt në fund, theksojmë se ky libër do të ishte e pamundur që të realizohej,
po mos të ishte gatishmëria dhe ndihma e shkrimtarit Sahit Shala, si dhe
bashkëpunimi i tij miqësor e korrekt që pati dhe ka me ne.