Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Osman Osmani, përfaqësues i UNIA- së në manifestimin e Vjenës
E enjte, 16.05.2019, 09:00 PM
Prezantimi i përfaqësuesve sindikalistë
Osman Osmani, përfaqësues i UNIA- së në manifestimin e Vjenës
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
“Jemi
të gatshëm të japim kontributin tonë në të gjitha fushat e mundshme
sindikaliste”
Me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Ligjit mbi
Këshillat Punëtore të Ndërmarrjeve, i organizuar
nga Bashkimi i Sindikatave të Austrisë, Oda e Punës dhe Këshilli i Punëtorëve
në Vjen u mbajt manifestim rasti. Morën pjesë përfaqësues të Bashkimit të
Sindikatave Evropiane, ndërsa sindikata më e njohur e Zvicrës, Unia, u
përfaqësua nga sekretari për migracion, Osman Osmani.
Njeriu ynë mërgimtar tani ka bërë hapa shumë progresiv në
shoqërinë ku punojnë dhe jetojnë, kjo flet mbi energjinë që ka njeriu ynë kur i
ka shtigjet e hapura. Shembull i tillë është Osman Osmani, sekretar në sektorin
për migracion në UNIA-së, sindikata më e
fuqishme në Zvicër e cila ka rreth 200’000 anëtarë deh e cila ka përmbyllur
rreth 270 Kontrata Kolektive Pune që rregullojnë kushtet e punës për rreth 1
milionë punëmarrës/e në Zvicër.
Pas fjalës së YussiPack, në seancën plenare, drejtuesja e
seminarit. i prezantoj temat dhe ligjëruesit në katër punëtoritë e tyre, ku
ishte edhe punëtoria e katërt e rezervuar për temën Sindikata për të gjithë të
punësuarit përfshi edhe Migrantët, me ligjëruesin e saj Osman Osmani. Një temë interesante ku jepen shënime statistikore
rreth strukturës brenda Unia- së dhe lëvizjet organizative brenda rregullave e
programeve sindikaliste. Suksesi më i madh i kësaj Sindikate është krenaria dhe
dinjiteti i punonjësve, të cilët kanë kuptuar, se vetëm së bashku janë më të
fortë.
Në sindikatën UNIA, nga gjithsej 200-000 anëtarë, mbi
100.000 anëtarë janë me prejardhje jashtë Zvicrës, nga të cilët rreth 15’000
janë shqiptarë. Për të komunikuar më mirë, për të mobilizuar dhe organizuar
edhe punëmarrësit me prejardhje shqiptare në sindikatën UNIA përpos aktivistëve
sindikalistë shqiptar janë të punësuar një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve
në stafin profesional të saj. UNIApërpos që kujdeset për përfshirjen e të
gjithë të punësuarve, pra edhe migrantëve në vendimmarrje përmes strukturave
dhe organeve gjegjëse, ajo publikon edhe fletëpalosje, broshura e materiale të
ndryshme informative nga sektorë të ndryshëm të botës së punës dhe jetës
shoqërore në Zvicër si dhe nxjerrë edhe shtojcën e gazetës sindikaliste
Horizonte në pesë gjuhë të huaja, ndër to edhe në gjuhën shqipe. Një rëndësi e
veçantë ndër të tjera i kushtohet edhe zhvillimeve nga bota e punës si dhe marrëdhënieve
me lëvizjet sindikaliste në rajon dhe botë.
Në ligjëratën e tij rreth strukturës së anëtarësisë së
anëtarëve në UNIA, ai theksoi se mbi 20% janë femra dhe se paga e grave në
Zvicër është më e ulët se sa e meshkujve rreth 20% për punën e njëjtë e në vend
të njëjtë, një padrejtësi për të cilën e kemi ngritur vazhdimisht zërin dhe do
ta ngremë botërisht edhe me rastin e grevës së grave në Zvicër me 14 qershor
2019. Ndërsa gratë me sfond migracioni janë të diskriminuara dyfish edhe si
punëmarrëse edhe si migrante, është e nevojshme që të gjithë ne, pra edhe
burrat dhe familjarët, miqtë dhe të njohurit të solidarizohen me gratë, nënat,
motrat, koleget tona për një të ardhme më të mirë dhe më të barabartë për
fëmijët dhe gjeneratat tona të ardhme.
Pyetje: Cilat
janë përshtypjet tuaja nga Seminari në Vjenë?
Osman
Osmani: Unë isha i nderuar të merrja pjesë dhe prezantoja sindikatën
UNIA në ketë përvjetor të rëndësishëm të lëvizjes punëtore austriake, që
paraqet një të arritur shembullor për të gjithë punëtorët gjithandej nëpër
botë. Nga ligjërimet hyrëse përpos mësimeve nga përvoja e kësaj të arriture,
kuptova edhe sfidat me të cilët janë përballur dhe vazhdojnë të përballen të
arriturat e punëtorisë austriake, të arritura këto që kanë të bëjnë me të
drejtat themelore të njeriut. Punëdhënësit dhe pronarët e kapitalitjanë treguar
prore të pangopshëm dhe aspak mirënjohës për ata e ato që me punën dhe djersën
e tyre ua kanë mundësuar përfitimet marramendëse. Për të ruajtur pushtetin
ekonomik e politik bashkë edhe me privilegjet e shumta kapitali, firmat e
korporatat lëvizin lirshëm në gjithë globin dhe ndihmojnë e mbështesin njëra
tjetrën, ndërsa kufizojnë të drejtat themelore njerëzore për lëvizje të lirë,
të drejtë në punë dhe pagë që mundësojnë jetë me dinjitet. Andaj sindikatat dhe
lëvizjet sociale e shoqërore duhet krahas operimit lokal e nacional, duhet të
shkëmbehen e bashkëpunojnë më shumë me njëra tjetrën për të jetësuar të drejtat
themelore njerëzore dhe demokratike si ato: në punë, në jetë me dinjitet dhe në
lëvizje të lirë, të drejta këto të garantuara edhe me Kartën e OKB-së,
Konventës evropiane për të drejtat e njeriut, Kartës së Otavës, e të ngjashme.
Pyetje: Cila është lidhja e me sindikatat në
Shqipëri e Kosovë? A keni program bashkëpunimi për të ardhmen?
Osman
Osmani: Unë në cilësinë e përgjegjësit për anëtarësinë e
Evropës juglindore në sindikatën Unia, angazhohem edhe për bashkëpunim me
sindikatat simotra të vendeve amë. Në këtë kuadër kontaktojmë dhe në raste të
caktuara edhe bashkëpunojmë konkretisht. Me sindikatat në Kosovë jemi përpjekur
prore për bashkëpunim, marrë parasysh numrin e madh të punëmarrësve nga Kosova
dhe çështjet që ndërlidhjen ndër të tjera me kushtet e punës, jetës dhe
pensionimit.
Bashkëpunimi konkret është zhvilluar në ndërlidhje me
Marrëveshjen e anuluar njëanshëm nga qeveria zvicerane për Sigurimet Shoqërore
në raport vetëm me Kosovën. Më këtë rast për tua kujtuar lexuesve dhe opinionit
më duhet të theksojë, se janë diskriminuar të gjithë shtetasit e Kosovës pa
shtetësi Zvicerane që për vite e dekada të tëra kanë punuar rëndë e jetuar me
shumë deficite në Zvicër, që kanë ndërtuar Zvicrën dhe që kanë mbushur arkat e
sigurimeve shoqërore në Zvicër. Po këtë punëtorë mërgimtarë në të njëjtën kohë
edhe kanë mbajtur familjet e tyre dhe kanë kontribuar në mbijetesën ekonomike,
shkollimin e përparimin shoqëror si dhe ndërtimin e infrastrukturës në vendlindje, kanë
mbështetur institucionet paralele në kohën e aparteidit të Serbisë në Kosovë,
pastaj edhe mbrojtjen e luftën çlirimtare me mjete e deri edhe si ushtarë, janë
anashkaluar edhe nga zyrtarët përgjegjës të Republikë së Kosovës, të cilët as
që e kanë realizuar se do të anulohet marrëveshje në fjalë dhe edhe më pas nuk
janë angazhua sa duhet për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme e as për të
arritur sa më shpejtë një marrëveshje të re mbi sigurimet shoqërore mes Kosovës
dhe Zvicrës. Po mos të ishte sindikata UNIA dhe partnerët e saj në Zvicër dhe
Kosovë, kjo padrejtësi e motivuar politikisht dhe ky diskriminim ekskluziv
vetëm për shtetasit e Kosovës do të harrohej. Tani, pikë së pari falë edhe
këtij angazhimi është arritur Marrëveshja e re në fjalë cila pritet të ratifikohet nga parlamenti
nacional i Zvicrës në verë të këtij vite, për të hyrë në fuqi në fillim të
vitit të ardhshëm.
Me sindikatat e Shqipërisë dhe ato të Kosovës që nga viti
i kaluar jemi duke u përpjekur për të konkretizuar një projekt të përbashkët
bashkëpunimi në lëmin e sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë. Besoj se
sivjet do të konkretizohet dhe me mbështetjen edhe të Bashkimit të Sindikatave
Evropiane edhe të fillojë jetësimi praktik i tij. Ne, aktivistët shqiptaro-zviceranë si dhe
aktivistët e profesionistet tjerë shqiptare nga shtete e BE-së jemi të gatshëm
të japim kontributin tonë në të gjitha fushat e mundshme sindikaliste. Por, kjo
varet nga kërkesat, nevojat e prioritetet e sindikatave në Kosovë e Shqipëri,
të cilat mjerisht nuk kanë arritur të reformohen e të riorganizohen për t’ju
përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja ekonomike e politike dhe zhvillimeve
të përgjithshme shoqërore në vend, rajon dhe botë.
Pyetje:Cili është roli i
sindikatave në kohën tonë moderne?
Osman
Osmani: Pabarazia sociale si në të kaluarën historike, ashtu
edhe në kohën e sotme është ndër fenomenet qendrore të organizimit të
veprimtarisë shoqërore. Sindikatat janë shoqatat dhe organizatat që
përfaqësojnë punëmarrësit karshi
shoqatave të punëdhënësve dhe shtetit. Strukturat dhe funksionet e sindikatave
me kalimin e kohës ndryshojnë sipas vendit, sektorit, profesionit.
Tradicionalisht, sindikatat kanë pasur tri funksione thelbësore: së pari, për
t'i siguruar punëmarrësit kundër rreziqeve sociale, së dyti, për të zhvilluar e
negociuar standarde të kushteve të punës me punëdhënësit në marrëveshjet
kolektive dhe, së treti, për të siguruar të drejtat individuale dhe kolektive
të punëtorëve edhe përmes lobimit politik. (Webb / Webb 1894, si dhe vonBeyme
1977). Edhe sot, sindikatat janë ende aktive në këto tri fusha. Megjithatë,
rëndësia e mbrojtjes sociale me zhvillimin e shteteve moderne të mirëqenies
gjithnjë e më shumë është anashkaluar.
Në kushtet e tregut të lirë dhe neoliberalizimit në
rritje sindikatat në shumë vende, veçanërisht në vendet tona amë janë gjetur të papërgatitura dhe po e kanë të
vështirë të rinovojnë veten dhe të ecin në hap me zhvillimet aktuale
ekonomiko-politike e shoqërore në përgjithësi.
Shumica e sindikatave në vendet e industrializuara po
shënojnë rënie të anëtarësimit. Stabiliteti i lartë dhe i dukshëm është shënuar
vetëm tek kuotat organizative të sindikatave në vendet skandinave si Danimarka,
Suedia, Finlanda dhe sindikatat në Belgjikë, të cila njihen edhe si shtete më
sociale në Evropë.
Pyetje:Si mund të shpjegohet ky
zhvillim?
Osman
Osmani: Ekspertët zakonisht i referohen sistemit të veçantë të
sigurimeve - sistemit Gent, që mbron punëtorët në këto katër vende në rast të
papunësisë. Ky sistemme këtë emër të qytetit të vogël flaman - Gent, ka filluar
të zbatohet si i tillë po në ketë vend në vitin 1901. Sistemi bazohet në
pjesëmarrjen e sindikatave në administrimin e sigurimit të papunësisë, një
instrument themelor i shtetit të mirëqenies, i cili është i panjohur në
shumicën e vendeve të industrializuara. Pra, kjo tregon se vetëm nëse punëtorët
dhe sindikatat janë subjekt bashkë-vendimmarrës dhe bashkë-zbatues e jo vetëm
objekt, atëherë edhe mundësohet një shkallë më e mirë dhe më e drejtë e
kushteve të punës dhe jetesës si dhe e përkujdesjes sociale e barazisë
shoqërore për të gjithë.