Kulturë
Përparim Hysi: Se mos ktheni në Shijak
E diele, 31.03.2019, 10:59 AM
"... se mos ktheni në SHIJAK?!"
In memoriam për MJEKUN POPULLOR,CEN BULKU!
tregim
Nga Përparim Hysi
Sado që gjysma e kësaj pyetjeje m'u bë mua,drejtpërdrejt, nga shefi i kirurgjisë së Fierit, këtu e gati 40-vjet të shkuara, erdhi momenti që, në ligjëratë të drejtë (ndaj e kam vënë në thonjëza), jo vetëm ta rikujtoj, por përgjigjen do ta jap për gjithë lexuesit në"vija të trasha".
* * *
Kurrë nuk është vonë për të shkruar për një vepër të mirë,aq më shumë,kur personazhi qendror i kësaj vepre, është një NJERI HUMAN, i njohur anë e mbanë Shqipërisë, siç ka qenë i ndjeri CEN BULKU! Kjo histori e vjetër që po riciklohej prej meje me shenjë mirënjohjeje për atë mjekpopullor duarartë veç sa preku paksa bashkëbiseduesët e djeshëm, miq të mi tashmë.
Më kish ftuar për një kafe, një bashkëshoku im i viteve pesëdhjetë në shkollën Pedagogjike (ish- Normalen) të Elbasanit, TOFIK DARDHA. Me TOFIKUN unë jam ndarë qysh në qershor të vitit 1959 dhe kishim plot gjashtëdhjetë vjet pa u parë. Ai është nga Shijaku dhe unë nga Fieri. Të dy mësues në rrethe të ndryshëm dhe nuk kishte befasi më të bukur se sa të takoheshim pas kaq vjetësh. Atëherë rioshë që të merrnim gjak në vetull dhe tani, dy thinjoshë, ku jeta ka vendosur brazdat e saj dhe ( të paktën në fytyrën time kjo duket) e ka kthyer fytyrën si një hartë me izoipsa. Sa më e madhe koha e ndarjes,aq më i madh malli që u ripamë. U takuam aty pranë shkollës "Harry Fultz" dhe, për çudi, TOFIKU nuk qe vetëm. Hymë në klub dhe më njohu me dy shokët e tij: BARDHI LATIFI dhe FADIL KASMI. I pari ishte nga Qafëzezi i KOLONJËS dhe i dyti nga KRUJA. Sapo porositëm kafet, mbriiti në tavolinën tonë, bashkëshortja e mikut tim,TOFIKUT,LELA DARDHA KOKONA. ZONJA e mikut tim veç si mësuesse, është shkrimtare e afirmuar. Ajo lëvron prozën e gjatë dhe,deri tani, ka botuar katër romane. Kjo,LELA, qe një nga arsyet që miku im më ftoi. LELA DARDHA KOKONA, sapo botoi romanin e katërt "Në telat e kitares melankolike" dhe unë,i mbresuar si lexues, shkrova një ese për romanin. Këta, shijakasit, nuk e hanë "bukën thatë": jo vetëm më falnderuan me gojë e me shkrim, por,si në flakë të dyfekut, më ofruan atë takim aq miqësor. Në një farë mënyre (unë gjithmonë bëj analogji), LELA DARDHA KOKONA qe HERA që hodhi "mollën e sherrit" në tavolinën miqësore. Kur them "mollën e sherrit", lexuesi duhet të më kuptojë drejt: ajo qe shkaku që lindi ky tregimi im që nuk mund ta mbaj për vete.
* * *
Ne qemë veç katër vetë në tavolinë, por mjedisi u bë aq miqësor, sa tani që po shkruaj, më duket si një takim që dikur BOKAÇIO e shfrytëzoi për të shkruar "DEKAMERONIN". Në atë takim,sado që unë nuk e lëshoj "pjacën e fjalëve", ndesha me miq të tillë që ma pasuruan ditën.
Për t'i treguar mikut tim se" jam pak nga SHIJAKU",fillova bashkëbisedimin me ZONJËN e tij.
Ke bërë shumë mirë,- i thashë,- që ke futur në roman dy diej të kirurgjisë: Doktoreshën kirurge RUSHEN GOLEMIN dhe DOKTORIN DUARARTË,CENIN E SHIJAKUT apo CEN BULKUN. Dhe,ndërsa ajo po orvatej të më shpjegonte këtë hap artisitk,unë vazhdova.
Kam historinë time me CENIN e SHIJAKUT. NJë nip i gruas sime,që nuk linte dy gurë bashkë, bie nga një pemë dhe,pothuaj,e ciflos bërrylin e njërës dorë. Prindërit të alarmuar u drejtuan së bashku me mua në repartin e kirurgjisë. I bën grafi dhe bërrylin,sikur t'ia kish thërmuar dikush me çekan.
Përparim,- m'u drejtua shefi i kirurgjisë,- ky fëmijë duhet çuar drejt e në Tiranë për tek doktor PANAJOT BOGA. Bëri epikrizën e shoqërimit dhe me syrin e specilaistit, ripërsëriti:-Drejt e tek doktor Panajoti! Se mos ktheni në Shijak?!
E morëm të sëmurin dhe unë që besoj në shkencë, tek i përcolla për në Tiranë, i thashë timkunati:"... se mos kthehesh në Shijak?". Dhe sakaq,ndërsa prisnim ndërhyrjen e doktor Panajotit,vjen kunati dhe më zgjat grafinë e "pasoperacionit". Fieri atë kohë kish 5 kirurgë dhe,pasi konsultova me seciln veças grafinë e "postoperacionit", arriti përfundimi që i gëzoi prindërit: bërryli qe ngjitur për mrekulli. Mrekullinë e kish bërë "jakia" e DAJ CENIT nga SHIJAKU.
Oh,- ndërhyri me politesë,inxhinieri nga KRUJA, FADIL KASMI. Unë e kam patur shok kursi djalin e madh të ish-kryeminstrit, Mehmet Shehu,Vladimirin. Doktor Ceni ia shëroi krahun. Ndjeu një pështjellim,kur përmendi ish-shokun e tij,që,mjerisht, pati një fundtragjik që nuk e meritonte.
Po,- e mbështeta unë, i ndjeri Vladimir Shehu,veç si inxhinier, kish një penë cilësore. Si sot më kutjohet,një shkrim letrar i tij (tek faqja letrare e " Zërit të rinisë") me titull:"zh...zh". Dhe atë çast m'u bë sikur po lëvizte një shukgjethesh në xhade nga një erë e lehtë.
Sakaq e mori fjalën miku tjetër i TOFIKUT,BARDHI LATIFI. Ishte me origjinë nga Qafëzezi i KOLONJËS, kish jetuar në Elbasan dhe tani banonte këtu, në Tiranë. Elbasani është dobësia ime dhe,ngaqë me të pyetur gjen dhe Stambollin, lakuam lagje e emra të njohurish me të. Por BARDH LATFIFI na befasoi me një ndodhi që është një nga ato mrekullitë që shkenca as nuk i zgjidh dhe as nuk i shpjegon dot.
"DOLLIBASHI" i gjithë ndodhisë (ndaj nuk po e quaj histori) është pikërisht MJEKU POPULLOR,CENI I SHIJAKUT.
* * *
Një i afërmi im,- filloi të tregonte BARDHI LATIFI,- kish një çupë që lindi me defekte në gjunjët e këmbëve. Nuk la doktor pa e vzituar, por asnjë nuk e mori përsipër. Ndërkaq, jehona e çudirave të CENIT të SHIJAKUT kish mbrritur anët tona. Shkuan me gjithë çupë e drejt tek Doktor Ceni. Ai e"vizitoi" me dorë dhe i thotë babait të çupës.
- A e sheh atë shtëpinë atje?
-Po,- tha hallexhiu.
-Tash shko atje dhe lypja gamorin me"qera" për një natë.
Hallexhiu u step. Doktor,- tha,- unë kam ardhur për hallin e vajzës dhe jo për të marrë me"qera" gomarë në Shijak.
-Vërej tuna,mer dajë,- foli doktori. Në do që çupa të bëhet sagllam, baj njikështu.
Dhe hallexhiu bëri "njikështu". Kur e solli "gamorin",dëgjoi doktorin që i tha:- Kjo zurna ka me ra nesret!
Doktori e la gamorin pa hangër tërë pasditen e gjatë dhe tërë natën. Kur mbrriti miku me çupën,doktori e mbuloi çupën me disa"peshli" dhe,ashtu, e lidhi poshtë barkut të gamorit. I dha gamorit me hangër dhe ndiqte në proces se si po fryhej nga barku dhe as që donte t'ia dinte për çupën e lidhur,por sy e veshë ndiqte gjithë ç'ndodhte; mbasi mbaroi të ngranmen ia mbushi koritën me ujë dhe,tash, gamori, ndërsa piu i etur,tak kërcitën gjunjët e gocës. Doktori brofi nga gëzimi dhe me vrap e zgjidhi"viktimën" që ulëriti,nga kjo"ngjizje" si me magji. S'ka rregullim,pa dhimbje,- tha triumfues DAJ CEN BULKU!
Teksa dëgjuam këtë rrëfim kaq të mrekullueshëm nga BARDH LATIFI,qemë gati të duartrokisnim. Për vete, më erdhi keq që BARDHI u largua më heret nga tavolina se do shkonte me familjen në llixha të Elbasanit.
Ja,kjo qe historia që ia zbukuron emrin DOKTOR CENIT nga SHIJAKU dhe më vjen mirë që po e shkruaj unë si"kompensim" për çiftin DARDHA nga SHIJAKU. Se, TOFIKU,- tha LELA,- ma solli një ditë spinoqin të prishmë.
-Ç'ke bërë kështu?- iu ankova.
-Merre e mos ba fjalë,ishte nga SHIJAKU aja nana që e shiste.
Dhe unë, or miqtë e mi, në këtë çast që po shkruaj:-Jam nga SHIJAKU,se nga SHIJAKU është DOKTOR CEN BULKU dhe ca më shumë, miku im TOFIK DARDHA dhe zonja e tij,shkrimntarja LELA DARDHA KOKONA!
Tiranë,27 mars 2019