E hene, 15.04.2024, 01:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Rrjedhë ëndërrimesh

E shtune, 09.03.2019, 11:23 AM


Rrjedhë ëndërrimesh

Nga Blerim Rrecaj

Marshi i marsit vazhdon. Me një buqetë festash, si buqeta lulesh të bashkuara, të thurura e ndërthurura me përpjekje, sakrifica, aromash e ngjyrash, hoje e gurra mirësish e dashurish. Mozaiku parapranveror pasurohet me shenja të tjera. Pos bletëve tashmë edhe trumcakët janë vizitorë degësh të drunjëve, ndonëse ata largohen e vijnë sikur në shtëpitë e tyre tashmë dyer e dritare hapura, pa pasur nevojë për paralajmërime a trokitje. Punë e këngë, ku ka më mirë. Këto pamje diç na thonë e na flasin, ne njerëzve që mirremi vesh por shpeshherë vështirë që të kuptohemi. Rrallë e për mallë por u shfaqën dhe lulet e para të marsit, (si dhuratë për epopenë e dëshmorëve, të mësuesëve e të nënave) manushaqe të vockëla, me rreth të bardhmë e të kaltëreme, ngjyrëqielli e katërfletëshe me tri a katër vijëza vertikale në secilën petale, si të ishin farë gjurmësh vijëbardhash fluturakesh që ngarendin nëpër qiell, si farë parade ushtarake që dëshmon shkathtësinë e pilotëve tanë. Vazhdon rrjedha e ditës së sotme, herë-herë me ca vranësi të lehta e herë-herë me diell, me një erë paksa të ftohët që mund të na detyrojë t'i riveshim xhaketat, nëse mund të ndodhemi në ndonjë qoshk verande, ku një grup grashë janë mbledhë, për të festuar e kaluar orë pasditeje së bashku e duke pasuruar e përbashkuar kujtime, edhe këtë herë. Më tej, kjo ditë do kalojë duke parë e ndjerë plot e plot copëza lëvizjesh e ndodhishë, ndonjë mërzi, herë me e herë pa kuptim, këndellje të (pa)pritur, spontanitet të mirëpritur, a përsëri hutim, kthjelltësi. Sytë sonte vështrojnë me mjaft vëmendje, megjithatë e shohim një yll, (mbrëmë, mbase dhe parmbrëmë kishte shumë të tillë), sepse yjet janë të bukur për shkak të një luleje që nuk shihet, thuhet te "Princi i vogël" i Antuan dë Sent Ekzyperit. Dhe nata vazhdon. Seç të rrëmben një dëshirë e një mall për të parë xixëllonja në këtë natë. Më mirë të marrësh rrugën, jo për në Janinë, po për në shtrat. Mbyll sytë. Ëndërro...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora