Udhëpërshkrim
Ramiz Lushaj: Te tyrbja e Dervishit të Luzhës
E diele, 22.07.2018, 10:27 AM
PELEGRINAZH ME VEPRIMTARI SOLEMNE E FESTIVE
TE TYRBJA E DERVISHIT TË LUZHËS
Nga Ramiz LUSHAJ
1.-Ky kompleks i madh në Luzhë të Tropojës, vepër e Heroit të Demokracisë - Azem Hajdari, me Tyrben e Dervishit të Luzhës – “Monument Kulture”, me Shtatoren e Dervishit të Luzhës – Nderi i Kombit, është kthye në një vend pelegrinazhi shpirtëror e turistik, në një vend të shenjtë.
2.-Këshilli Bashkiak i Tropojës e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi” atdhetarin, klerikun e banirësin e madh Dervish Luzha.
3.-Atdhetari e biznesmeni shqiptaro-amerikan Rrustem Gecaj- Nderi i Kombit u nderua me “Mirënjohje” nga Bashkia e Tropojës edhe për kontributin e tij bujar në ndërtimin e Sheshit te Tyrbja e Dervishit të Luzhës.
Sot, me rastin e 114 vjetorit të lindjes së Dervish Luzhës-Nderi i Kombit, në kujdesin e Bashkisë të Tropojës e kryetarit të saj Besnik Dushaj, më 15 korrik 2018, u organizua një ceremoni solemne, pati ndarje titulli “Qytetar Nderi” e “Mirënjohje”, përurimi i një sheshi qëndrimi e parkimi dhe përmbyllja me një koncert festiv me këngë e valle te Tyrbja e Dervish Luzhës.
Prej 15 janarit 1991, demokrati, nacionalisti e besimtari Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes së Dhjetorit ’90 e kryetar i Komisionit Nismëtar të PD, me nismen e financimin e tij e ndërtoi Tyrben e Dervishit të Luzhës, një kult fetar me harqe e me kupolë, e cila u përurua më 28 shkurt 1992, një muaj pas fitores së Demokracisë në Shqipëri. Kryetar i Grupit të Punës për ndërtimin e kësaj Tyrbeje–Vend i Shenjtë, ishte Rasim Hasanaj – kryetar i degës së PD-së të Tropojës e vllai i Azem Hajdarit, tevona dhe kryetar i Komitetit të Kulteve të Shqipërisë. Projekti kishte për arkitekt ing. Artan Baliaj e ing. konstruktore Sabrie Logu, nën mbikëqyrjen e arkitektit Aleksandër Meksi, tevona kryeministër i Shqipërisë (1992-’97). Ndërtimi i saj u kthye në një sipërmarrje kontributore e aksion i madh e i gjerë popullor me pjesmarrje nga besimtarë muslimanë e të krishterë; nga qytetarë e fshatarë nga të gjitha bindjet politike; nga të gjitha moshat, të moshuar e të rinj, burra e gra; nga të gjitha krahinat e Tropojës e rrethina të saj.
Turbja e Dervishit të Luzhës është shpallur “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë, në vitin 2011, e cila tashma është kthyer në një kompleks të madh fetar, në një nga vendet ma të rëndësishëm të pelegrinazhit shpirtëror e turistik për shqiptarët besimtarë në Shqipëri, Kosovë e Malin e Zi.
Aty, te Tyrbja, ngrihet madhështore dhe Shtatorja në bronz e Dervishit të Luzhës, e shpallur “Monument Historik” i Trashëgimistë Shqiptare, vepër e skulptorit të njohur Urim Hajdari nga Tirana, autor i dhjetra veprave të tilla skulpturore për personalitete kombëtare shqiptare.
Kompleksit të Tyrbes së Dervishit të Luzhës në Luzhë të Tropojës, me kontributin bujar të biznesmenit shqiptaro-amerikan Rrustem Gecaj – Nderi i Kombit, nga Llukë e Ulët në komunën e Deçanit të Kosovës, sivjet, në këtë ditë, iu shtua dhe ndërtimi i Sheshit për vendqëndrim të njerëzve e makinave të tyre, si dhe për raste tubimesh solemne e festive të atyshme.
Dervish Luzha, përndryshe i thirrun dhe Rexhep Tarçuk Balaj i Luzhës, ishte e mbetet një klerik i shquar, bamirës i lindur, humanist dhe atdhetar i madh, me vlerësime e nderime institucionale shtetërore e popullore. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, më 29 tetor 2016, e vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim e nderim të veprimtarisë së tij të çmuar atdhetare si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe në veçanti, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si klerik i shquar, bamirës zemërgjerë dhe edukues, duke mëkuar plot durim e përkushtim me vlerat e virtytet më të spikatura kombëtare banorët e Tropojës, Malësisë së Gjakovës e më gjerë”
Në veprimtarinë tubuese, solemne e festive në 114 vjetorin e lindjes së Dervish Luzhëës (1904-1985) i përshendëti me fjalën e tij të pranishmit kryetari i Bashkisë së Tropojës, z. Besnik Dushaj.
Këshilli Bashkiak i Tropojës, në këtë përvjetor lindjeje, e nderoi me titullin e lartë "Qytetar Nderi" i Tropojës, Dervish Luzhën - personalitetin e shquar të besimit fetar, figurë lartnore popullore, pjesmarrësin aktiv e profetik në LANCL e frymëtarin ndërtimtar të burimeve e veprave ujitëse. Kryetari i Bashkisë z. Besnik Dushaj dhe kryetari i Këshillit Bashkiak z. Imer Hoxha ia dorëzuan titullin "Qytetar Nderi" z. Neki Balaj i Luzhës, i cili i falenderoi për këtë vlerësim të lartë ndaj emrit e veprimtarisë së Dervish Luzhës.
Bashkia e Tropojës e nderoi me "Mirënjohje" veprimtarin kombëtar e biznesmenin shqiptaro-amerikan Rrustem Gecaj - Nderi i Kombit, për kontributet e tij atdhetare dhe për sipërmarrjen e tij bujare në ndërtimin e Sheshit te Tyrbja e Dervishit të Luzhës, tek ky Vend i Shenjtë, kompleks fetar e turistik panshqiptar.
"Mirënjohja" iu dorëzua djalit të tij, biznesmenit të ri, Avdi Rrustem Gecaj, nga kryetari i Bashkisë të Tropojës në ditën solemne e veprimtarinë festive në 114 vjetorin e lindjes të Dervish Luzhës.
Me këtë rast u dha një program artistik nga pallati i kulturës “Dardania” i Tropojës dhe u kryen vizita në Tyrben e Dervishit të Luzhës – Nderi i Kombit.