Udhëpërshkrim
Osman Ademi: Në Muzeun botëror të Vjenës
E enjte, 07.06.2018, 09:06 PM
Ora e mësimit nga lënda e historisë në Muzeun botëror të Vjenës (Welt Museum Wien)
Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, SHMSH „Naim Frashëri“ në Austri organizoi një vizitë me nxënës dhe prindër shqiptarë ne Welt Museum - Wien, aty ku me shekuj ruhen dhe vizitohen Perkrenarja dhe Shpata e Skenderbeut! Moren pjesë mbi 120 nxënës me mësueset e tyre dhe rreth 50 prindër nga tër Austria.
Nga Osman Ademi
Në sheshin e trimave (Heldenplatz), para platosë së pallatit madhështor të muzeut, të parët kishin dalë mësuesja, zonja Miradije Berishaj, njëherit Kryetare e SHMSH „Naim Frashëri“, mësuesi z Osman Ademi dhe mësuesja zonja Merita Smajli së bashku më nxënësit e tyre për t’i pritur nxënësit dhe kolegët që vinin nga qytetet tjera. Në kohën e paraparë arritën edhe nxënësit nga Radstadt Eben im Pongau (Landi Salzburg) Rottenmann, Liezen (Landi Steiermark) dhe nga Neulengbach (Niederösterreich) të prirë nga msueset Roza Nrecaj, e Qefsere Demaj. Sheshit „Heldenplatz“ iu shtua edhe më shumë gjallëria, ngjante si një zgjua bletësh. Nxënësit u rreshtuan, të gëzuar dhe të buzëqeshur dhe në mynyrë të qetë filluan hyrjen në muze. Menaxhmenti i muzeut i befasuar nga nga ky grup kaq i madh nxënësish, i tëri u perqëndrua që t‘ju dalë në ndihmë, duke i shoqëruar deri në katin e dytë në sallën madhështore, ku në ballë të saj qëndronte Përkrenarja dhe Shpata e Skenderbeut! E para e mori fjalën kryetarja e SHMSH „Naim Frashëri“ zonja Miradije Berishaj: Të dashur nxënës dhe prindër, Viti 2018 shënon 550-vjetorin e vdekjes së Kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, prandaj ky vit është shpallur „Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut“. Kjo është një arsye më shumë, për të vizituar armët e tij që me shekuj ruhen në këtë muze! Për veprën e Skenderbeut do të na flas kolegu ynë z. Osman Ademi, i cili edhe është profesor i historisë. Mësuesi, Osman Ademi, bashkëbisedimin me nxënës e filloi ashtu si në orën e mësimit, duke i pytur nxënësit: E dini se kush ishte Gjergj Kastrioti- Skenderbeu? Kur ishte lindur? Kur ishte detyruar të shkoj në shërbim të sulltanit? Kur ishte kthyer në Shqipëri? Si e priti populli kthimin e tij? Cila ishte porasia e fundit e tij? Kur kishte vdekur? Shumica e nxënësve dhanë përgjigje të sakta si Origita, Erza, Elisi, Albina, Bleona, Fatjoni, Elveda e sidomos Yll Bytyqi shtatëvjeçar icili shoqërohej nga gjyshja e tij. Më pastaj mësuesi foli për jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut dhe luftën heroike të popullit shqiptar nën udhëheqjen e tij për një çerek shekulli. Në vazhdim ai foli për rrugëtimin e armëve të Skenderbeut deri në Muzeun e Vjenës! Interesimi i nxënësve dhe i prindërve për të mësuar sa më shumë për Skenderbeun ishte i madh. Kjo u pa nga pyetjet e shumta që ju bënë profesorit. Duke ju përgjigjur një pyetje të një nxënësi të vogël, se a e kishte takuar ai (mësuesi) Skenderbeun ndonjeherë? Ai u pergjigj: Gjatë kohës së studimeve, kur lexoja veprën e Barletit „Historia e Skenderbeut“, shpesh e paraftyroja madhështinë e tij nëpër beteja të shumta, por të gjithë ne, që po i shohim sot armët e tij, po e ndjejme afersinë e tij, po bashkëjetojmë më të dhe po ndihemi krenarë për heroizmin e tij. Këto simbole historike po na këthejnë në kohën e tij, ndërsa ate (Skenderbeun) në kohën tonë. Sot, në këtë muze, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja u bënë bashkë.
Mësuese Roza Nrecaj, duke i përshëndetur të pranishmit mes tjerash tha, se jemi shume të lumtur që sot na u dha rasti që në mënyrë kaq mirë të organizuar t’i vizitojmë armët e kryetrimit tonë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Ai ishte, është dhe do të mbetet krenaria jonë kombëtare. Ishte frymzimi i rilindasve për krijimin e kombit dhe shtetit tonë shqiptar. Mësesja Qefsere Demaj tha se, ndihem e nderuar dhe e emocionuar që sot se bashku me ju, të dashur nxënës, të jemi në këtë pallat madhështor ku me shekuj ruhet një pjesë më e ndritur e historisë sonë kombëtare. Mësuesja Merita Smaili përshendeti nxënesit dhe prindërit duke faleminderuar SHMSH „Naim Frashëri“!
Në vazhdim nxënësit Dren Hoti, Bleon Hoti, Rinesa Dibrani, Armir Bajraktari, Biondina Hoti, Artiola Halimi, Pandora Kelmendi Alina Halimi. recituan vargje nga Poezia e Naimit „Kthimi i Skenderbeut në Krujë“ dhe Porteti i Skenderbeut nga poezia e Ismail Kadaresë. Bukur recituan Albanot Kuqi nxënës i klasës dytë dhe Fatlind Ademi nxënësi i klasë së parë „Ti Shqipëri më jep nder…“
Pas vizitës në Welt Museum nxënësit mysafirë së bashku me nxënësit nga Vjena vizituan qendrën e Vjenes dhe bënë një sheti tek parku i pallatit mbretror në Schönbrunn! Në fund duhet të themi se zotëri Besim Xhelili ishte autorizuar nga SHMSH „Naim Frashëri“ që me kameren e tij të t’i kap këto momente të rëndësishme të vizitës me nxënës në Welt Museum Wien, aty ku ruhet një pjesë e krenarisë tonë kombëtare.
Nga kjo vizitë do të bëhet edhe një film i shkurtër dokumentar, të cilin e ka sponzorizuar z. Hamdi Krasniqi afarist i suksesshëm në Vjenë dhe përkrahës i mësimit në ghuhën shqipe.
Kjo vizitë në muzeun historik, ishte vetëm njëri nga disa projekte që ka realizuar dhe do t’i realizoj SHMSH „Naim Frashëri“ në Austri. Projekti i radhës është kampionati i diturisë „Ta njohim atdheun, që ta duam më shumë“ i cili do të mbahet me 23 qershor 2018 në Wels, Oberösterreich.