Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: 'Njeriu i ri' dhe mungesa e kurajos civile
E diele, 20.05.2018, 01:25 PM
“Njeriu i ri” dhe mungesa e kurajos civile
Nga Reshat Kripa
“Njeriu i ri”, një term i shpikur nga propaganda komuniste. Kush ishte “Njeriu i ri” i krijuar nga sistemi i përmbysur? Ishte ai që spiunonte shokun apo vëllanë e tij, që ditën të qante dhe natën të nxirrte sytë. Ishte turma që brohoriste me ovacione udhëheqësit. Pëllëmbët e duarve të tyre kishin zënë kallo nga duartrokitjet. Zërat ishin ngjirur nga brohoritjet për “idhujt e pavdekshëm“. Një garë e pashpallur midis popullsisë ekzistonte se kush do të ishte më i pari në servilizmat. Ishin pjellat e “njeriut të ri”. Dhe këta njerëz i shihnim të shkatërronin kisha e xhamia, të manifestonin rrugëve për të dalë “vullnetarë“ për të jetuar “të lumtur“ në “fshatin e lulëzuar” që jetonte me bukë thekre apo misri, pa qumësht dhe pa mish dhe që ishte i detyruar të punonte nga mëngjesi në mbrëmje vetëm për një grusht të hollash që nuk mjaftonin as për të mbajtur frymën. Përse ndodhte një gjë e tillë? Ishin pasojat e “njeriut të ri“. Individi kishte humbur personalitetin e tij.
Vitet kaluan. Sistemi totalitar që kishte krijuar “Njeriun e ri” u përmbys. Por nuk ishte përmbysur ky “Njeri i ri“. Ai ishte shndërruar në një përbindësh që pak nga pak gllabëroi gjithë pushtetin politik dhe ekonomik të vendit. Ithtarët e sistemit të përmbysur i kthyen krahët atij sistemi dhe filluan ta mallkojnë dhe anatemojnë dhe sa hap e mbyll sytë filluan të çirren se gjoja me kohë na paskëshin luftuar për këtë demokraci. Por nuk dëgjova asnjërin prej tyre të hedhë botërisht poshtë të keqen që e kishte mbuluar për vite me radhë. Asnjë nuk e bëri një veprim të tillë. Shqipëria është shumë larg këtij nocioni të demokracisë. Deri më sot në vendin tonë nuk është ndjerë zëri i kurajos civile për të hedhur poshtë të keqen e madhe të së kaluarës, për të kërkuar ndjesë për këtë të kaluar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes. Ky zë nuk është ndjerë nga asnjë politikan, nga asnjë qeveritar, nga asnjë intelektual i shquar. Jemi i vetmi vend i botës ku kjo ndjenjë mungon.
Pasojat e këtyre “njerëzve të rinj“ i shohim sot në çdo hap të jetës. Ata na janë ngatërruar nëpër këmbë dhe nuk na lenë të ecim përpara. Ata i gjen kudo. Janë në krye të politikës dhe jetës shoqërore shqiptare, në krye të mediave dhe organizmave që veprojnë në vend. Oktapodët e saj kanë ndrydhur vullnetin e një populli të tërë. “Njeriu i ri” sot është shndërruar në politikan, analist, drogaxhi, trafikant e të tjera të këtij lloji.
Kurajoja civile është një nga vetitë më të çmuara të njeriut modern. Shembulli më i mirë në këtë drejtim janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vendet e Bashkimit Europian, madje edhe ish-vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Kjo është demokracia e vërtetë. Kjo është kurajoja civile. Por sot me keqardhje dhe dhimbje po konstatoj se gjërat nuk janë plotësisht ashtu. Ne vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën tone, vazhdojmë të jemi të vonuar në rrugën drejt Europës. A do të vazhdojmë të jemi akoma nën tutelën e këtij “njeriu të ri“?
Më vjen keq që po e them por drejtuesve të shtetit shqiptar, të një pjese të partive politike dhe shoqatave të shumta u mungon kurajoja civile. Një gjë e tillë ndodh nga shkaku i mentalitetit komunist që ende ekziston në ndërgjegjet e tyre. Shfletoj faqet e internetit dhe më tërheq vëmendjen një faqe mbi dorëheqjet më të bujshme në botë. Ato janë të shumta por unë do të citoj ato më domethënëset.
Laila Freivalds, ish-Ministre e Punëve të Jashtme e Suedisë në vitin 2003, dha dorëheqjen pasi u kritikua se kishte shkuar në teatër më 26 dhjetor 2014, ditën që ndodhi cunami aziatik,
duke e akuzaur se nuk dëgjonte lajmet kur nuk ishte në punë.
Kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Wili Brandt, dha dorëheqjen pasi asistenti i tij personal Gunter Guillaume kishte qenë spiun i Gjermanisë Lindore dhe u akuzua se kishte një spiun në qeverinë e tij.
Baroni Geoffrey Howe, ministri më jetëgjatë në kabinetin e Margaret Thatcher në Britani. Ka mbajtur gjithshtu edhe postet e Kancelarit të Thesarit, Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe së fundi kryetar i Dhomës së Komunave dhe zëvendëskryeministër. Më 1 nëntor 1990 jep dorëheqjen si pasojë e fjalimit të kryeminstres në Këshillin Europian, ku ajo deklaron për herë të parë se britania kurrë nuk do të fusë qoftë edhe një monedhë të vetme në sistemin monetar europian.
Morihiro Hosokawa, politikan japonez që qëndroi në krye të qeverisë japoneze nga gushti 1993 deri në prill 1994, dha dorëheqjen pasi tha atë që asnjë lider tjetër japonez nuk e kishte thënë për 48 vjet. Në fjalimin e tij përkujtimor për Luftën e Dytë Botërore, ai deklaroi se kjo luftë ishte “një luftë e gabuar, një luftë e agresionit”.
Lord Michael Bates mbërriti 2 minuta me vonesë në Dhomën e Lordëve dhe kjo gjë i ishte dukur shumë e turpshme. Ministri nuk kishte arritur në kohë dhe nuk ndodhej në sallë kur opozita kishte bërë një pyetje në drejtim të tij. Në momentin që mori fjalën ai i ishte drejtuar kryetares së Dhomës së Lordëve, Ruth Lister, së cilës i kishte kërkuar falje për vonesën dhe kishte deklaruar:
“Ju kërkoj falje që u tregova i paedukatë dhe nuk isha në vendin tim për t’iu përgjigjur pyetjes. Në pesë vjet për mua ka qenë privilegj t’iu përgjigjem pyetjeve në emër të qeverisë. Unë gjithmonë kam besuar se duhet të ngremë nivelin e mirësjelljes dhe respektin për t’iu përgjigjur pyetjeve. Më vjen turp që nuk isha në vendin tim për t’u përgjigjur dhe për këtë arsye i ofroj Kryeministres dorëheqjen time menjëherë.
Kjo është kurajoja civile. Ky është zëri i ndërgjegjes. Po në Shqipëri ky zë mungon. Janë vetëm dy raste kur ky zë është ndjerë këtu tek ne. I pari nga Sokol Nako, ministër në qeverinë Nano që dha dorëheqjen pasi aksidentalisht shtypi me makinë një qytetar dhe i dyti nga Fatmir Mehdiu që dha dorëheqjen kur ndodhi ngjarja e Gërdecit.
Lidhur me sa më sipër dua të theksoj tre raste të tjera që po të kishte vepruar zëri i ndërgjegjes duhej të kishin dhënë dorëheqjen. Por kjo nuk ndodhi.
Rasti i parë i përket ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kur disa muaj më parë prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit si pjesëmarrës në grupin e Habilajve të arrestuar në Itali, një kor i madh korbash i dolën në mbrojtje duke e deklaruar si model të ndershmërisë. Sikur kjo gjë të kishte ndodhur në ndonjë vend të Europës Perëndimore, ju siguroj se personi menjëherë do të jepte dorëheqjen. Por personazhi ynë nuk kishte kurajon civile ta bënte një gjë të tillë. Përse? Arsyeja të bënë të besosh se ai e ndjente veten fajtor por nuk kishte kurajo të përballej me drejtësinë. Një gjë të tillë e bëri disa muaj më vonë, atëhere kur siç duket kishte marrë sigurinë e mbylljes së çështjes. Vendimi i gjykatës kohët e fundit për “arrest shtëpie” e vërteton një gjë të tillë. Mos u çudisni nëse nesër ai del i pafajshëm dhe ndoshta mund të kthehet përsëri në postin e tij të lartë.
Rasti i dytë i përket ministrit aktual të punëve të brëndëshme, Fatmir Xhafa, i akuzuar për lidhje me të vëllanë, Agron Xhafa, që paska qenë dënuar në Itali me tetë vjet e dy muaj për trafik droge. Kjo akuzë është hedhur poshtë nga ministri. Unë nuk mund të them nëse është apo jo fajtor pasi këtë do ta zgjidhë drejtësia por, duke qenë vëllai i një të dënuari për krijimin e një bande të drogës, gjë që është vërtetuar edhe nga deklarata e bashkëpuntorit të tij, Albert Veliut, xhesti i parë që do të tregonte fisnikërinë e tij do të ishte dhënia e dorëheqjes. Por ai nuk e bëri.
Përse? Sepse i mungon kurajoja civile ose e ndjen veten fajor dhe mundohet ta mbulojë fajin me forcën e pushtetit që gëzon.
Rasti i tretë i përket kreut të qeverisë, Edi Ramës. Në asnjë vend të botës nuk ekziston një
kryeministër që të qëndrojë në pushtet kur ministrat e tij akuzohen për korrupsion ose vepra të tjera penale që janë të vërtetuara. Por edhe ai nuk e ka kurajon civile të jap dërëheqjen. Përse? për të njejtat arsye si edhe për dy të sipër përmendurit.
Kjo është Shqipëria e sotme të nderuar lexues, Shqipëria në botën e çudirave. Por a do të vazhdojë gjatë në këtë rrugë? Unë nuk e besoj. Forca e arsyes së njerëzve të ndershëm që nuk i mungon vendit tonë do të dijë të gjejë rrugën për përmbysjen e pushtetit të korruptuar dhe krijimin e një shteti me të vërtetë demokratik që do të hyjë në Bashkimin Europian me ballin lartë.