Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: 8 dhjetor 1990
E hene, 11.12.2017, 09:09 PM
Në gjurmët e një romani të pabotuar
8 dhjetor 1990
Nga Reshat Kripa
8 Dhjetor 1990. Atë ditë çifti sapo kishte zbritur nga treni në kryeqytet. Blerina kishte një seminar mbi problemet e shkollës. Natyrisht edhe Arbëri nuk mund ta linte vetëm. Po ecnin drejt qendrës ku ndodhej salla në të cilën do të zhvillohej seminari. Një lëvizje e pazakontë filloi në rrugë. Shiheshin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që vraponin për diku. Arbëri dhe Blerina u shtangën. Për ku vraponin vallë? Ndaluan një djalosh që po ecte pranë tyre dhe e pyetën.
- Tek qyteti studenti, u përgjigj ai. - Filloi!
- Çfarë filloi?
Djaloshi nuk u përgjigj. Kishte fluturuar.
Instiktivisht edhe ata u nisën drejt vendit të treguar nga djaloshi. E harruan fare
seminarin. Sa më tepër i afroheshin aq më tepër shtohej turma që nxitonte për të mbërritur. Dëgjoheshin thirrjet entuziaste që gjëmonin:
- E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
- A thua erdhi me të vërtetë dita jonë? – Pyeti veten Arbëri.
Blerina e dëgjoi dhe pyeti:
- Çfarë thatë/
- I dëgjon? Janë ditët e përmbysjes së madhe.
Së fundi arritën. Sheshi ishte mbushur plot e përplotë me njerëz që thërrisnin dhe
brohorisnin. Së fundi në tribunën e ngritur me këtë rast hipi një nga studentët e universitetit të kryeqytetit. Ai filloi të fliste. Thelbi i fjalimit të tij ishte një ultimatum drejtuar qeverisë për pluralizëm politik, për ta bërë edhe Shqipërinë si gjithë Europa. Fjalët e tij mezi dëgjoheshin nga brohoritjet e shumta që nuk kishin të sosur. Në përfundim të fjalës së tij ai theksoi:
- Ne jemi për sistemin shumë partiak dhe do të qëndrojmë deri në fitoren tonë për këtë
sistem. Liri, demokraci!
Dhe turma oshëtiu:
- Liri, demokraci! Liri, demokraci!
Oratorët nuk kishin të sosur. Midis tyre kishte edhe disa që Arbëri i kishte parë duke
dhënë kohët e fundit intervista në median televizive “Zëri i Amerikës“ të cilën ai e dëgjonte për çdo ditë. Një pjesë prej tyre kishin qemë funksionarë të lartë. Një pjesë tjetër bij funksionarësh. Kjo gjë sikur i shkaktonte një ngërç. Këtë ia shprehu Blerinës. Ajo e vështroi drejt e në sy dhe i tha:
- Kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë të keqen që ka patur përbrenda dhe të fillojë një
jetë të re.
- Më fal, - iu përgjigj ai, - ke të drejtë.
Në podium u ngjit një burrë me një mjekër të vogël dhe musteqe. Çuditërisht Arbërit iu
duk si një fytyrë e njohur.
- A e njeh? - E pyeti Blerina.
- Më duket fytyrë e njohur por nuk arrij ta identifikoj.
- Është Ibrahimi.
- Ibrahimi? Paska lënë musteqe dhe mjekër?
- Po.
Ndërkaq ai kishte filluar të fliste:
- Të nderuar studentë dhe qytetarë të kryeqytetit! Më lejoni t’ju përshëndes në emër të
të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre për këtë ditë të shenjtë. Ne jemi në krahun tuaj, ne jemi me ju!
Dhe vijoi të ligjëronte e të ligjëronte.
- O Zot! – pëshpëriti Arbëri - çfarë po më shohin sytë?
Blerina nuk foli. E la në botën e tij, në ëndrrat e tij.
Oratorët vazhdonin të ndërroheshin. Një burrë e mori fjalën. Filloi të fliste me një
gjuhë që e rrëmbeu të gjithë turmën. Sa më tepër ligjëronte, aq më tepër turma ekzaltohej.
- Kush është ky? - Pyeti Arbëri.
Blerina heshti. Arbëri ktheu kryet nga ajo dhe po e vështronte.
- A e njeh? - Pyeti.
- Është kushëriri im, djali i Resulit.
- Djali i Resulit?
- Ka mbaruar shkencat politike. Ka zëvendësuar të atin që ka dalë në pension.
Arbëri zuri kokën me të dy duart. Sytë iu errën. Nuk fliste dot. Papritmas u ndie një zë:
- Arbër!
Ktheu kryet. Para tij qëndronte doktor Istrefi. U përqafuan. Arbëri e prezantoi me
Blerinën.
- Bashkëshortja ime, - dhe duke u kthyer nga ai azhdoi: - Doktor Istrefi, një
nga shpëtimtarët e shumë jetëve në burg.
- Arbëri nuk iu lëshonte nga goja, - tha Blerina duke i dhënë dorën
- Mos harroni edhe qëndrimin tuaj dinjitoz, e nderuar! - Iu përgjigj ai.
- Ejani të ikim, - ndërhyri Arbëri.
U nisën. Kur mbërritën tek sheshi kryesor i kryeqytetit Arbëri i shtriu dorën doktorit dhe i
tha:
- Mirë u takofshim i dashur!
- Sonde nuk keni ku shkoni, - u përgjigj doktori. - jeni të ftuar tek unë për darkë.
Ndërkaq po afronte mbrëmja. Arbëri u mundua të justifikohej gjoja me një punë që e
priste në qytetin e tij dhe duhej të ikte patjetër, ndaj duhej të nxitonin të kapnin trenin e fundit. Por këmbëngulja e doktorit e detyroi të pranonte.
Familja e doktorit përbëhej nga e shoqja dhe djali me bashkëshorten dhe një vajzë tre vjeçare. Kur e kishin arrestuar doktorin kishte dy vjet që ishte martuar dhe e shoqja sapo kishte lindur. Kështu që djali, sikurse dhe Arbëri, u rrit vetëm nën kujdesin e nënës dhe pa prezencën e të atit. Megjithatë edukata dhe morali nuk i munguan. Ato i ishin ngulitur në shpirt nga e ëma që sakrifikoi gjithshka për të. Mbaroi gjimnazin por rruga për më lart ishte e mbyllur. Pasi u lirua i ati, u martua me një vajzë që punonte në ndërrmarjen e tij, me të cilën u dashuruan. Si rezultat i martesës u lindi vajza që u bë gëzimi i shtëpisë,
- Grua, - foli doktori sapo hynë në shtëpi, - na përgatit një darkë të mirë por, më
parë, sillna shishen e rakisë dhe gotat pasi ne meshkujt do e kthejmë nga një gotë.
Bisedat nuk kishin të mbaruar. Kujtonin kohën e tmerrshme që kishin kaluar në errësirën e burgjeve apo tmerret e kampeve. Kujtonin shumë nga miqtë e përbashkët që i kishin mbyllur sytë larg të afërmve të tyre dhe që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot. Por biseduan edhe për ditët e sotme dhe për lëvizjen e madhe që kishte shpërthyer. Flisnin për lëvizjen por edhe për protagonistët e saj. Kishte midis tyre shumë personalitete të shquara të vendit që ia vlente t’i ndiqje, por kishte edhe sharlatanë të politikës që nuk kishin lënë të zezë pa bërë dhe tani dilnin si ithtarë të lirisë dhe demokracisë.
- A e dëgjove djalin e Resulit, - filloi Arbëri, - ka zëvendësuar të atin, drejtor në
drejtorinë e sigurimit në Ministrinë e Punëve të brendëshme dhe sot ligjëron për liri dhe demokraci. Nga kush e kërkon? Mos vallë nga vetja e tij? A thua ka harruar se ati i tij ka torturuar qindra njerëz, një prej të cilëve kam qenë edhe unë?
- Qetësohu Arbër, - foli doktori. – Koha do t’i eliminojë ferrat që mbijnë rrugës.
- Po Ibrahimin e dëgjove, - vazhdoi Arbëri. - pa le, na fliste edhe në emër të të
përndjekurve politikë. Kujt të përndjekur? Mos vallë të atyre që i spiunoi dhe i futi në burg?
- Dale të hapim televizorin se erdhi ora e revistës televizive, - tha doktori duke
dashur të ndërrojë bisedën.
Spikerja e televizionit po fliste për një takim që udhëheqësi i partisë dhe i shtetit kishte organizuar me drejtuesit e protestës. Në atë çast fjalën e kishte studenti që hapi manifestimin. Ishte një djalë trim. Pa ia bërë syri tërr po ia përplaste në fytyrë udheheqësit. Ai mundohej me një dhelpëri të ulte tonet e bisedës, por ishte e kotë. Midis të pranishmëve dalluan edhe figurat e Ibrahimit dhe djalit të Resulit.
Atë mbrëmje ndenjën duke biseduar deri në mesnatë.