E marte, 12.11.2024, 12:14 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Ku duhet të jem unë?

E merkure, 13.09.2017, 07:29 PM


Ku duhet të jem unë?

Nga Reshat Kripa

I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse  në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës  por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim  të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi,  por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re.  Ndaj u bashkova me ta. Së bashku me mua me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë të shtresës sime.

Kaluan 27 vjet nga  përmbysja  e  madhe. Hedh vështrimin    spektrin  politik  shqiptar.

Siç e kam theksuar edhe më lart, qysh në  ditët  e  para    përmbysjes  së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën.  Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh disa ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe atij online. Sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu  bëj edhe unë. Nëpërmjet medias online jam njohur me shumë intelektualë që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Një fenomen i habitshëm filloi të shfaqet në skenën politike shqiptare. Pas gati tre dekadash të kthimit të sistemit, një ekzemplar i sistemit të përmbysur, propozohet për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Fjala ështrë për një ish-ministër, një ish-sekretar i parë rrethi që mban mbi shpatullat e tij vrasjen e katër marrtirëve në Shkodër më 2 prill 1991, që u bë organizatori i bandave rebele në 1997-ën, që në vitin 1998 iku me bisht ndër shalë në Greqi duke u veshur si grua. Është fjala për Gramoz Ruçin. Këtë propozim e bënë një parti që pretendon se është shkëputur nga mentaliteti komunist, megjithëse si datë themelimi të saj ka ditën e kongresit të fundit të ish- Partisë së Punës. Këtë propozim e bënë Edi Rama që e quan veten një reformist perëndimor dhe që ka shëtitur shumë shtete europiane. Por Gramoz Ruçi nuk është hera e parë që propozohet në një detyrë kaq të lartë. A nuk ka qenë ai Kryetar i Grupit Paralamentar të Partisë Socialiste? Në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm nuk dihet se ku do të përfundojë.

Ky fenomen nuk është i vetmi në Shqipëri. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo  madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e  krijuara për vetingun apo reformën në drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që do të kryejnë këto reforma.

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar.  Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar.

Një veprim të tillë nuk mund ta pranonin ata që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre tmerret e atij sistemi. Ata u ngritën në protestë. Midis tyre, natyrisht, isha edhe unë. Me ta u bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit nuk kishin synim të digjnin apo të thyenin xhama. Nuk kishin shkopinj dhe hunj për të qëlluar organet e rendit si organizatorët e 21 janarit 2011 që dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Megjithatë organet e rendit, për turpin e tyre, u munduan ta pengojnë këtë protestë duke u munduar t’i largojnë sa më larg nga salla ku ishte mbledhur kuvendi që do të zgjidhte kryetarin dhe duke mos ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën ku zhvillohej protesta.

Megjithatë protestuesit folën. Nuk kishte protokoll të caktuar. Oratorët dilnin njeri pas tjetrit pasi donin të shprehnin atë që u thonte zemra. Ata i bënë thirrje partive politike që të hedhin poshtë propozimin monstruoz. I bënnë thirrje opozitës dhe në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike të bllokonte kutinë e votimit dhe të mos e lejonte atë. Në fund, me mbarimin e punimeve të kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike  dhe disa deputetë të saj u bashkuan me protestuesit. Folën deputetët. Foli edhe kryteari. Të gjithë u deklaruan kundër zgjedhjes së individit të sipërpërmendur në krye të kuvendit.

Isha kurioz të dija se çfarë qëndrimi kishin mbajtur deputetët e djathtë në kuvend. Të them të drejtën u zhgënjeva kur pashë lajmet në televizion. Prisja që deputetët demokratë të mos i lejonin ata të shumicës të votonin. Prisja në mënyrë të veçantë që deputetët demokratë, përfaqësues të shtresës tonë, të dilnin para kutisë së votimit për të penguar votimin.  Prisja që deputetët demokratë të bojkotonin votimin, ashtu siç bënë deputetët homologë të LSI-së. Por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, demokratët morën pjesë në votim dhe, çuditërisht, dy prej tye që nuk ka rëndësi se kush janë, votuan pro kandidaturës së Gramoz Ruçit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, nëpërmjet një deklarate, tha se votimi ishte i manipuluar. Nuk dua ta hedh poshtë këtë pohim por dua t’i drejtoj një pyetje:

-           Kur kishit vendosur të votonit përse nuk dërguat përfaqësuesit  tuaj    komisionin  e

numërimit të votave për të penguar këtë manipulim?

Por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë krytarin e partisë time të uronte dhe shtrëngonte dorën Gramoz Ruçit kur ne protestonim kundër tij dhe kur vetë ai,  kur mbaroi kuvendi, në fjalën e mbajtur në protestë u deklarua kundër. Pashë një antagonizëm në këto dy veprime të tij. Një veprim të tillë nuk e bëri as ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha.   Kjo gjë më solli para syve edhe shumë raste të tjera të tilla të Partisë Demokratike. Këto janë për shembull lënia në harresë e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”  apo raste të tjera që i kam përshkruar edhe në shkrimin tim të fundit më datën 26 gusht 2017, botuar në gazetën “Panorama”. Atë shkrim e bëra për t’i treguar partisë time rrugën që duhet të ndjekë në drejtim të të përndjekurve politikë. E bëra pasi konstatoj se shumë prej tyre po largohen pikërisht për këtë arsye.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte 46,72%, ndërsa kanë votuar për PD-në 28,81% e pjesëmarrësve domethënë 13,46% e listës së votuesve në Shqipëri. Unë jam i bindur se pjesa dërmuese e atyre 53,28% që nuk morën pjesë në votim janë të djathtë të zhgënjyer. Kjo gjë duhet korigjuar sa më parë dhe një nga pikat që duhet parë seriozisht është shkëputja nga mentaliteti i së kaluarës që vihet re herë pas here në PD.

Duke qenë në dilemë për sa  më sipër më lind pyetja:

-           A jam në pozitat e duhura? Ku duhet të jem unë?

Në konditat e sotme e kam shumë të  vështirë    kthej  përgjigje.  Vetëm  një  gjë  dua 

them. Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhjetat. E di që nuk do të mund  ta arrijë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora