E merkure, 09.10.2024, 11:33 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Dy përvjetorë jubilarë

E enjte, 08.03.2018, 09:31 PM


Dy përvjetorë jubilarë

Dy shkrime për dy figura të paharruara

Nga Reshat Kripa

Ne këto shkrime do të përqëndrohem në dy figura të paharruara që mua më kanë mbetur në kujtesën time të pavdekshme

Shkrimi i parë, i bërë  në kuadër të 90 vjetorit te lindjes së saj, është për motrën time, Fatushe Kripa (Vlora), Tushi, siç  e thërrisnim ne dhe me këtë emër do ta përshkruaj tashti e tutje. (Së bashku në foto)

Ka  lindur më 8 mars 1928 në Vlorë. Ishte e katërta nga motrat e mia pas Lirisë, Qamilesë dhe Dritës.  Si dhe motrat e saja shkollën fillore e kreu në qytetin e Vlorës në vitet 1935– 1940. Po në vitin 1940 filloi edhe shkollën e mesme, kësaj here në Tiranë në shkollën pedagogjike femërore “ Nana Mbretëreshë “, që tashti kishte marrë emrin “ Nana Skanderbeg “, ku ishte edhe Drita. Ishte një nxënëse e nivelit të lartë. Ishte sistematike në përgatitjen e studimeve, gjë që e ruajti edhe kur doli në punë.

Kur familja jonë u dëbua për motive politike pa asnjë argument për në Vlorë, Tushi ndenji me Dritën për të përfunduar shkollën, të cilën e mbaroi në vitin 1948. Atë vit i doli bursa për shkollën e lartë në Jugosllavi, por prishja e marëdhënieve me të e bënë që të kthehej në Vlorë. Në atë kohë ishim në gjendje të vështirë ekonomike. Ishte periudha e krizës së bukës. Racioni ishte 400 gram bukë për të papunët dhe 600 gram për të punësuarit. Përveç kësaj ky racion ishte bukë misri.

Fillimisht filloi punë në Bankën e Shtetit Shqiptar. Në shtatorin e vitit 1948 u  emërua mësuese e klasës së tretë në shkollën Nr. 4. Në shtator 1949 kaloi mësuese në klasën e parë të shkollës Nr. 3. Në verën e vitit 1950 bëri një kurs dy mujor për mësuese dhe u emërua mësuese e gjuhë--letërsisë  në shkollën 7 vjeçare të Skelës. Në vitin 1952 emërohet në shkollën 7 vjeçare të Bishanit në buzë të lumit Vjosë. Kuptohet që një veprim i tillë u bë për motive politike.

Në periudhën 1953 – 1957 kreu me sukses fakultetin pedagogjik në degën gjuhë – letërsi me korespondencë. Në shtatorin e vitit 1955 emërohet në shkollën modelore ku qëndroi deri në vitin 1964, vit në të cilin u martua.

Vitet 1950 – 1961 ishin vitet më të vështira për familjen tonë. Unë dhe im vëlla Besniku ndodheshim në burg. Më kujtohet çasti i arrestimit tim. Tushi doli jashtë portës dhe duke më përqafuar më tha:

- Mbahu i fortë!

Këto fjalë më dhanë forcë kur qëndroja në qelitë e sigurimit, apo kur meresha në pyetje nga hetuesit. Më kujtohet edhe çasti i kthimit tim në Vlorë, kur u lirova pas pesë vitesh. Kur mbërrita    stacionin  e  autobuzit    priste  babai. Atëherë  banonim    lagjen  Varosh    shtëpinë  e Thoma Shytit. Nuk kishim bërë veç fare pak hapa, kur vjen Tushi  dhe  më përqafon duke derdhur lotët. Në atë moment edhe unë u përlota. Babai na pa dhe foli:

- Mjaft tani! Lërini lotët për në shtëpi.

E   njëjta   skenë   u   përsërit   edhe      dhjetorin   e   vitit  1961,    kur   u  lirua   Besniku. Kishim dalë për ta pritur unë, Qamilea dhe Tushi. Besua ishte dobësuar jashtë mase. Përveç kësaj ishte edhe i sëmurë. Një gjendje e tillë i preku shumë si Tushin ashtu edhe Qamilen. Të dyja filluan të lotonin dhe m’u desh mua t’u flisja për të pushuar.

Në këto vite u  çfaq karakteri i vërtetë i Tushit. U çfaq vetmohimi dhe sakrifica e saj e pa treguar. Nuk na u nda në çdo vend që ishim duke filluar që nga Nizhaveci i  Maliqit    Gosë  të Vogël të Kavajës, nga Ura Vajgurore në Shtyllas të Fierit, nga Bulqiza në Rinas, nga Zadrima në Divjakë, nga Bubullima në Thumanë, nga burgu i Vlorës në atë të Tiranës. Në çdo gërxhe dhe shkrepa që na shpinin, ajo na ndiqte nga prapa, deri sa na kthyen shëndoshë e mirë në gjirin e familjes.

Edhe pas lirimit Tushi u bë kujdestarja e jonë, mësuesja e jonë. Kur u liruam ruanim ende mentalitetin e burgut, një mentalitet i ndryshëm nga ai që sundonte në jetën e përditëshme të njerëzve. Ishte merita e saj që na përshtati me mentalitetin e ri, që na shpëtoi nga një gabim i dytë që do të na kushtonte shumë shtrenjtë si neve ashtu edhe gjithë familjes.    Në korrik 1964 martohet me Xhevdet Vlorën, nipin e Ismail Qemal Vlorës, babait të pavarësisë së Shqipërisë. Si rezultat i martesës u lindën dy fëmijë Ada më 21 prill 1965 dhe Qemali, ose Luli siç e thërrasin të gjithë,  më 6 shtator 1966.

Tushi vazhdoi punën e saj si mësuese gjuhe dhe letërsie nëpër shkolla të ndryshme të kryeqytetit si “ Kushtrimi i Lirisë “ dhe “ 1 Qershori “ ku doli edhe në pension në vitin 1978. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke u kujdesur  që fëmijtë të mësonin sa më mirë dhe të bëheshin njerëz të devotshëm dhe ata ia shpërblyen në të njëjtën mënyrë.

Në vitin 2002 pësoi një ishemi cerebrale që e dëmtoi shumë dhe që pas pak muajsh u përsërit duke e lënë përfundimisht në shtrat. Në këtë mënyrë lëngoi për pesë vjet. Por kujdesi i fëmijve ishte i paparë. I caktuan një grua që i shërbente dhe i plotësonte çdo dëshirë që ajo kishte.. Së fundi më 16 janar 2007  mbylli  sytë  dhe  u  nis  për në parajsën që i takonte. Ishte një humbje e madhe për të gjithë ne. Humbëm motrën tonë të dashur që kishte sakrifikuar gjithçka për familjen.

Shkrimi i dytë i përket mbesës sime, në 50 vjetorin e lindjes, pikërisht 20 vjet më vonë se tezja e saj, motra e përmendur më sipër. Bëhet fjalë për Jaroshka Pelingun (Murati) që ne të gjithë e thërrisnim Oshka. Origjina e emrit të saj ka një histori të veçantë. Disa muaj më parë se të lindte ajo, prindërit e saj Hysen dhe Drita Pelingu kishin shkuar  në një festival që zhvillohej në Budapest. Atje u kishte rënë në sy një vajzë e vogël që shiste gështenja të pjekura në rrugë. Ishte një vajzë shumë e bukur. E pyetën për emrin.  “Jaroshka’ i ishte përgjigjur ajo. Ky emër iu mbeti në mendje dhe ia vunë vajzës së tyre.

Oshka lindi në Tiranë më 8 mars 1948. Shkollën 7 vjeçare dhe atë të mesme e kreu në Liceun Artistik “ Jordan Misja “ ku u diplomua për violinë në vitin 1966. Pikërisht atë vit ne na kishte vdekur nëna. Jaroshkën e emëruan mësuese muzike në shkollën “ Qemal Gorishova “ në Vlorë. Erdhi të banonte te ne. Shpejt me sjelljen e saj fitoi simpatinë e kolegëve të tjerë të shkollës. Ishte gëzimi i familjes tonë në ato vite kur vdekja e nënës na kishte shkaktuar një zbrazëtirë të  madhe.

Në një farë mënyre  mënyre ajo u bë shkak që të na hiqej sado pak hidhërimi ynë dhe veçanërisht mua dhe bashkëshortes sime, me të cilën ishin pothuajse bashkëmoshatare.   U lidhëm në mënyrë të veçantë me të. Bisedonim për çështje të ndryshme nga të gjitha fushat e jetës, shkonim    kinema, teatër apo estradë. Ndonjëherë shkonim në ndonjë pistë vallzimi, ku hanim edhe ndonjë pastë apo akullore, sipas të ardhurave që kishim.

Në Vlorë Jaroshka qëndroi katër vjet, deri në verën e vitit 1970, kur mundi të transferohej pranë familjes, duke u emëruar si violiniste në orkestrën e Radio Televivizionit Shqiptar. Në këtë punë vazhdoi për shumë vjet deri sa kaloi në diskotekën e radios, ku punoi deri në ditën që doli në pension.  Jaroshka mundi të mbaronte edhe Universitetin e Tiranës në degën gjuhë – letërsi me korespondencë. U martua me Ferdinand Muratin, ose Fojdin siç e thërrisnin, një redaktor në televizionin shqiptar, nga Elbasani. Fojdi ishte një  djalë  i  mirë,  i  përkushtuar  për  familjen. Si

rezultat i  martesës iu lindën dy fëmijë, një djalë Erioni dhe një vajzë Orjana.

Erioni mbaroi shkollën e mesme. Drita me Hysenin, duke mos patur vetë djalë, u lidhën jashtë mase me të. Mund të themi pa hezitim se ishin ata që e rritën. Erioni zinte një vend të veçantë në zemrat e tyre, njëlloj si dikur babai im që u lidh me djalin tim, Tanin, pas vdekjes së nënës. Në vitin 1997 ai mori rrugën e emigracionit duke përfunduar në Francë. Atje u njoh me një franceze, Viktorian, me të cilën u martua dhe u lindi një vajzë Dea. Erjoni tani banon në Tiranë.

Orjana mbaroi shkollën e mesme në Tiranë. Pastaj u rregjistrua dhe filloi studimet në Universitetin e Bukureshtit. Atje u njoh me Johanin me të cilin u martua. Por fati nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta në një moshë fare të re, në vitin 2012..

Disa muaj më pars,  në të njejtin vit, u nda nga jeta edhe e ëma, Oshka, e cila vuante edhe ajo nga e njejta sëmundje me të bijën.

Këto humbje të rënda ndikuan tepër në zemrën e motrës time. Dritës, e cila i mbylli sytë dhe shkoi pranë tyre më 3 tetor 2013. Por dhimbjen më të madhe e ndjeu Ora, vajza e dyte e familjes, e cila brenda një viti humbi tre njerëzit më të dashur për të.

Nxjerrë nga libri me kujtime “Historia e familjes Kripa”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora