Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Homazh për të rënët e lirisë
E merkure, 07.02.2018, 08:39 PM
70 vjet më parë
Homazh për të rënët e lirisë
Nga Reshat Kripa
Më 25 janar 2006 Asamblea Parlamentare e KE-së, me 99 vota pro, 42 kundër dhe 12 abstenime, miratoi rezolutën Nr. 1481 (2006) “ Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtarë të krimeve të rregjimeve komuniste “. Pro kësaj rezolute votoi edhe delegacioni parlamentar shqiptar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Por, për një vend të tillë si Shqipëria, ku diktatura komuniste ekzekutoi mbi 6.000 persona, burgosi mbi 17.000 nga të cilet mbi 1000 ndërruan jetë në qelitë e burgjeve, dhe internoi mbi 22.000 familje ku humbën jetën mbi 10.000 burra, gra dhe fëmijë, është absurde të besosh se vendi ynë ka zbatuar vendimet e marra nga kjo asamble.
Ja si i përshkruan këto krime iniciuesi i rezolutës së mësipërme, suedezi Goran Linblad:
“Një tipar i rëndësishëm i krimeve të komunizmit, ka qenë represioni i drejtpërdrejtë kundra gjithë njerëzve të pafajshëm, krimi i të cilëve ishte vetëm prania në këtë kategori. Në këtë mënyrë, në emër të ideologjisë, rregjimet kanë vrarë dhjetra milionë kulakë, fisnikë, borgjezë dhe grupe të tjera.“
Ky tmerr ndodhte në shekullin e njëzetë, në “Shekullin e Megavdekjes“ , siç do ta quante Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “Jashtë kontrollit“ botuar në vitin 1993. Në librin e mësipërm paraqet shifrat e viktimave civile të shkaktuara gjatë shekullit të kaluar.
Sipas këtij libri, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milion, ndërsa holokausti komunist 65 milion njerëz., shifër kjo që, sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara, arrin në gati 100.000.000 vetë Vini veshin. Ndërsa në të dy luftrat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti dyfishin e të dy luftrave.. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, këto vrasje kryheshin në periudhë paqeje, me gjakftohtësi dhe cinizëm, me ndërgjegje të plotë prej sadisti, vetëm e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari.
Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetini ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.
Lufta kishte mbaruar. Krismat e armëve kishin pushuar. Por jo gjuetia e njerëzve. Ajo vazhdonte me gjithë egërsinë e saj. Viktima të kësaj në rradhë të parë ishin mendjet më të ndritura të vendit, intelektualët më të shquar të kohës, të diplomuar në universitetet më në zë të kohës së atëhershme. Dhe tragjedia e këtyre njerëzve të shquar ishte se gjykoheshin nga njerëz inkopetentë, që ishin të aftë vetëm për krime dhe jo për drejtësi. Kështu jo në pak raste teneqexhiu gjykonte mjekun apo avokatin, nallbani profesorin apo shkrimtarin, kovaçi inxhinierin apo klerikun e nderuar. Një gjë e tillë ndodhte në të gjitha qytetet e vendit.
Turma injorantësh endeshin rrugëve të qytetit, plot urrejtje për bashkatdhetarët e tyre, të etur për gjak të pafajshmish. Një luftë e re kishte filluar, lufta kundër çdo shenje të nacionalizmit shqiptar. Pothuajse në çdo qytet zhvilloheshin gjyqe speciale. Vendimet ishin monstruoze. Me dhjetra të pushkatuar. Me qindra të dënuar me dënime të rënda. Me mijra të internuar në kampet
e çfarrosjes. Shoqëria shqiptare ishte ndarë në dy kampe armike, në proletarë që duhej të sundonin dhe në borgjezë që duhej të çfarroseshin.
Studiuesi i njohur Giovani Sartori në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë“, botuar në vitin 1987, shkruan:
”Njerëzit që kurrë nuk e kanë njohur diktaturën dhe tiraninë e kanë të lehtë të jepen pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn e thjeshtë dhe të tmerrshëm të shtypjes së njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.
Sot, në emër të lirisë, flasin dhe rrahin gjoksin, më tepër se kushdo tjetër, pikërisht ata që e ndihmuan sistemin totalitar të qëndronte në këmbë për një periudhë aq të gjatë. Këta korba të zinj janë pikërisht ata që nuk e kanë ndjerrë kurrë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të diktaturës. Janë ata që nuk kanë provuar kurrë çdo të thotë të humbasësh një familje të tërë, në holokaustin më të egër që ka parë bota
Dëgjoj faqet e shtypit të përditshëm nëpër organet televizive dhe nuk shoh asnjë lajm, sikurse edhe shumë herë të tjera, mbi një masakër të zhvilluar në qytetin e Korçës më 4 shkurt 1948. Duket sikur autorët e këtyre krimeve apo pinjollët e tyre përpiqen t’i kalojnë në heshtje këto krime monstruoze deri sa të harrohen. Por ne nuk harrojmë. Ne do t’i kujtomë vazhdimisht ato mendje të ndritura, madje do t’ua lemë trashëgim edhe bijve tanë që të njihen me historinë e vërtetë të këtij vendi.
Le të hyjmë në ngjarjet për të cilat bëhet fjalë.
Pas goditjes që iu bë të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve“, një raprezalje e tmerrshme nisi në të gjithë Shqipërinë, që nga Shkodra deri në Vlorë dhe që nga Tirana në Korçë duke përdorur të njejtin skenar të së ashtuquajturës lidhje të elitave kundërevolucionare me grupin e cituar më lartë, gjoja për të rrëzuar pushtetin popullor. Një numër i madh pushkatimesh apo dënimesh me afate të gjata burgu deri në burgim të pëtjetshëm zhvilloheshin në të gjithë vendin
Po cilët ishin të ashtuquajturit kundërevolucionar të grupit Korçës?
Qazim Frashëri, një pinjoll i familjes së madhe të frashërllinjve, vëllai i Faslli Frashërit që kishte udhëhequr demostratat antifashiste në Korçë. Ishte një intektual i shquar dhe një patriot i vërtetë.
Bexhet Frashëri edhe ky një pinjoll tjetër i asaj familje edhe ai gjithashtu intelektual i njohur.
Mehmet Rushan Babani, noter në qytetin e Korçës. Kishte përfunduar studimet e larta juridike në Stamboll. Pjesëtar i revolucionit xhonturk në vitin 1908. U rezistoi me armë në dorë andartëve grekë që, si hakmarrje, i dogjën shtëpinë në Baban në vitin 1914. Mori pjesë në drejtimin e Republikës Autonome të Korçës në vitet 1916-1918. Më vonë, i zhgënjyer nga politka në Ballkan, ishte tërhequr duke u kthyer në profesionin e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të rinte sehirxhi por u përfshi në vorbullën e ngjarjeve. Nuk mund të shkëputej nga ndjenjat atdhetare por filloi të ushtronte ndikimin e vetë në dobi të unitetit kombëtar. Ishte koha kur forcat balliste bashkëpunonin me ato të Frontit Nacionalçlirimtar. Ishte ndërmjetës për sigurimin dhe bashkëpunimin ndërmjet çetës komuniste të komanduar nga Fuat Babani dhe asaj balliste me në krye Safet Butkën. Kjo vërtetohet edhe me faktin se një pjestar i familjes së tij, Sedat Babani, që rezulton dëshmor partizan, u vra në rrethana të dyshimta në betejën për çlirimin e Krujës. Në kohën që me vdekje me pushkatim dënohej Mehmet Babani në Korçë, njëri nga djemtë e tij, Fiqiret Babani, ishte mjek ushtarak, shef i shëndetësisë së divizionit të Gjirokastrës.
Faik Rushan Babani, vëllai i Mehmetit, edhe ky jurist studiuar në Stamboll. Kishte marrë
pjesë, bashkë me të vëllanë, në revolucionin e xhonturqve dhe në ngjarjet e vitit 1914 kundër andartëve grekë. Pjesëmarrës i lëvizjes së Fan Nolit dhe më vonë, pas amnistisësë së shpallur nga mbreti Zog, kthehet në Shqipëri dhe përfshihet në administratën shtetërore.
Nafiz Babani (Mero), nip i Mehmetit dhe Faikut (djali i kushëririrt të tyre) kishte mbaruar akademinë ushtarake të Modenës në Itali. Më 7 prill 1939 ishte komandant dhe udhëheqës i luftëtarëve që mbronin qytetin e Sarandës.. Pas pushtimit fashist u largua jashtë shtetit. Në atë periudhë mbreti Zog u bëri thirrje gjithë ushtarakëve të larguar nga atdheu të ktheheshin në Shqipëri për të mos lejuar që xhandërmaria kombëtare të binte në duart e italianëve. Kësaj thirrje iu bashkua edhe Nafizi. Gjatë luftës italo-greke, duke qenë ne krye të një batalioni shqiptar nxiste dhe ndihmonte shumë ushtarë që të dezertonin nga rradhët e ushtrisë dhe të ktheheshin në vendet e tyre. Qëndrimin e tij në atë detyrë e justifikonte me qëndrimin besnik të betimit që kishte bërë si ushtarak. Pas vitit 1944 u tërhoq nga karriera ushtarake dhe u kthye për të jetuar në Progër të Korçës.
Qani Sulejman Vinçani, avokat, dikur protagonist në ngjarjet e Republikës së Korçës në mitingun e fundit të zhvilluar në vitn 1920. Ishte kunati i Mehmetit dhe Faikut. Ka qenë deputet opozitar në parlamentin e mbretërisë së Zogut. Dy djemtë e tij, Vandush dhe Valter Vinçani kanë qenë aktivistë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Në kohën që Qaniu dënohej, i biri Vandushi vazhdonte të ishte në organet drejtuese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe vetëm pas ngjarjeve të Konferencës së Tiranës në vitin 1956 u dënua.
Fadil Garo, tregëtar në Korçë, një person i afërt me familjen Babani.
Nexhip Lamçe, një fermer i zakonshëm nga Starova e Pogradecit.
Këta dhe disa të tjerë nga Devolli i Korçës ishin protagonistët e kësaj tragjedie të madhe.
Arrestimet e të mësipërmve filluan më datën 17 maj 1947 dhe përfunduan në fund të muajit korrik të atij viti. . Më datën 22 nëntor 1947 u dha vendimi i gjyqit të tyre. Gjyqi i zhvillua nga një bandë terroriste dhe e pashkolluar e përbërë prej Bexhet Memës, Agush Gjergjevicës dhe Loni Dimoshit, asistuar nga një kapter, Shaban Pogradeci dhe me prokuror Aranit Çelën.
Akuzat ishin fare qesharake. Ndërmjet të tjerave përmenden gjoja marrja e të hollave nga jashtë shtetit për t’i përdorur për përgatitjen e kryengritjes dhe se gjoja paskan dhënë të holla edhe nga xhepet e tyre për t’ia arritur këtij qëllimi. Akuza të tjera ishin terrorizmi dhe vrasjet që paskeshin bërë. Po kë kishin vrarë? Trupi gjykues nuk paraqiti asnjë emër pasi asnjë prej tyre nuk kishte vrarë.
Cili ishte vendimi i gjyqit?
Qazim Frashëri nuk arriti të dilte para gjyqit. Atë e kishin mbytur në tortura qysh në organet e sigurimit dhe kishin hapur fjalën se gjoja ishte vetëvrarë. Por me se?
Mehmet Babani, Fadil Garo, Nafiz Babani (Mero) dhe Nexhip Lamçe me vdekje me pushkatim
Të tjerët me burgime që fillonin nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Vendimi u zbatua plot 70 vjet më parë më 4 shkurt 1948.
Për ironi të fatit një pasardhës i fisit Babani, i pyetur nga një ish-partizan për fatin e Nafiz Babanit (Meros), duke mos dashur që t’i thotë se e kishin pushkatuar i thotë:
Ka vdekur.
Dhe ish-partizani i hidhëruar i ishte përgjigjur:
E kam pasur komandant batalioni kur isha ushtar në luftën italo-greke. Ishte trim, i zgjuar dhe na nxiste që të dezertonim. Vete nuk erdhi me ne pasi kishte bërë betimin ushtarak. E shihni sa e mirë është partia jonë? Atë njeri nuk e paska dënuar.
Fatkeqi nuk e dinte se si kishin rrjedhur ngjarjet dhe indoktrinimi e bënte të besonte në drejtësinë e një partie kriminale dhe kriminelëve që i shërbenin asaj me nje bindje prej skllavi.
Kanë kaluar 70 vjet nga ngjarja e mësipërme. Nuk kam degjuar asnjë President të Republikës të nderojë veprën e tyre të pavdekshme me ndonjë dekoratë, titull apo medalje. Me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Krahinës Autonomike të Korçës, Këshilli i Qarkut në vitin 2016 i ka dhënë Mehmet Babanit titullin “Personalitet i shquar“ me motivacionin:
“Personalitet i Qarkut të Korçës, pjesëmarrës dhe aktivist në ngritjen e Krahinës Autonome të Korçës gjatë periudhës së funksionimit të saj (dhjetor 1916-shkurt 1018) dhe organizimin e administratës shqiptare“
Unë mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme. Veprimtaria e tyre nuk i shërben vetëm Qarkut të Korçës por gjithë Shqipërisë, madje të gjithë kombit shqiptar. Ai dhe shokët e tij a nuk do të ishin në nderin e Presidentëve të Republikës të vlerësoheshin për aktivitetin e tyre kombëtar? Po të munden le të përgjigjen.